Ditët e Kujtesës '25

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS) janë krenarë të prezantojnë edicionin e 10-vjetorit të DITËVE TË KUJTESËS, që zhvillohet gjatë katër ditëve, 19–24 shkurt 2025, në Tiranë dhe Shkodër.
Prej një dekade tashmë, DITËT E KUJTESËS janë shndërruar në një platformë dinamike që mbledh së bashku organizatat dhe institucionet kryesore që punojnë në fushën e kujtesës – duke përfshirë muzetë, iniciativat lokale dhe ndërkombëtare të kujtesës, shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, qendrat studimore, organizatat e shoqërisë civile, si dhe politikëbërësit, studiuesit, profesionistët e medies, artistë dhe të rinj. Mbi 500 pjesëmarrës nga Shqipëria, rajoni dhe më gjerë shkëmbejnë përvojën, arritjet dhe sfidat e tyre në nxitjen dhe ruajtjen e kujtesës për pasojat e diktaturës komuniste në Shqipëri.

Tema e këtij viti, “Shqipëria, rast i veçantë? Veçoritë e (post)komunizmit)”, do të eksplorojë shkallën në të cilën përvojat komuniste dhe postkomuniste të Shqipërisë përfaqësojnë një “rast të veçantë”. Objektivat specifike të programit përfshijnë:
- Hulumtimi i veçorive dalluese të komunizmit shqiptar dhe pasojat e tij;
- Ekzaminimi i diskursit ndërkombëtar dhe të brendshëm që rrethon veçantinë e përvojës së Shqipërisë;
- Inkurajimi i studimeve krahasuese me vendet e tjera të Evropës Lindore për të kuptuar tendencat më të gjera;
- Adresimi i rolit të drejtësisë tranzicionale në Shqipëri dhe ndryshimi i saj nga vendet fqinje;
- Nxitja e dialogut publik mbi trashëgiminë e komunizmit në Shqipëri dhe ndikimin e tij afatgjatë në identitetin e kombit.
Komunizmi shqiptar paraqet një rast historik unik dhe kompleks, i karakterizuar nga aderimi i gjatë ndaj stalinizmit, masat ekstreme të kontrollit politik dhe trajtimi i ashpër i armiqve të perceptuar të shtetit. Nga kampet e internimit deri te spastrimet e përhapura, Shqipëria nën regjimin e Enver Hoxhës përjetoi një sistem shumë represiv. Elementet kryesore që e veçojnë komunizmin shqiptar përfshijnë krijimin e "shtetit të parë ateist në botë", izolacionin agresiv dhe ndërtimin e mijëra bunkerëve për mbrojtje kundër kërcënimeve të perceptuara të jashtme.
Tranzicioni pas rënies së komunizmit në 1991 u karakterizua nga kaosi. Shqipëria ishte një nga vendet e fundit të Evropës Lindore që përjetoi ndryshimin e regjimit dhe procesi i pajtimit me të kaluarën e saj komuniste ka qenë i ngadaltë dhe sfidues. Procesi i drejtësisë tranzicionale është karakterizuar nga manipulimi politik, shkatërrimi i dosjeve kyçe të sigurisë së shtetit dhe mungesa e përgjithshme e përgjegjësisë për krimet e regjimit. Më shumë se 30 vjet më vonë, shumë shqiptarë vazhdojnë të kërkojnë eshtrat e familjarëve dhe ende nuk ka një memorial zyrtar për viktimat e komunizmit në kryeqytet, Tiranë. Glorifikimi i diktatorit Enver Hoxha dhe forcave partizane vazhdon, ndërsa ish-komunistët mbajnë poste të larta. Komuniteti akademik ndërkombëtar ka vënë në pikëpyetje nëse Shqipëria qëndron vërtet si një rast i veçantë. Disa studiues shprehin skepticizëm ndaj pretendimeve të përjashtimit shqiptar si në përvojën e tij komuniste ashtu edhe në atë postkomuniste, duke vënë në dukje se ende mungojnë studimet më të gjera krahasuese.
Pyetjet kryesore që duhen eksploruar gjatë gjithë programit përfshijnë: Çfarë e bën vërtet unike përvojën e Shqipërisë me komunizmin dhe pasojat e tij? Si ndryshojnë studiuesit ndërkombëtarë dhe historianët vendas në interpretimet e tyre për rastin shqiptar? Si është gjendja e drejtësisë tranzicionale në Shqipëri krahasuar me shtetet e tjera ish-komuniste? Si përfaqësohet periudha komuniste dhe postkomuniste shqiptare në akademi, në diskursin publik dhe në arsim?
Edicioni i 10-vjetorit të DITËVE TË KUJTESËS premton një program të pasur aktivitetesh, duke përfshirë fjalime kryesore, ekspozita, shfaqje dokumentarësh, panele diskutimesh, uorkshope, forume debati, prezantime të botimeve më të fundit mbi diktaturën, ceremoni çmimesh për të rinjtë dhe shfaqje artistike.
Në vazhdim të traditës sonë të bashkëpunimit, si në edicionet e kaluara, ftojmë të gjitha organizatat dhe institucionet që veprojnë në fushën e kujtesës, publike dhe jopublike, muzeumet dhe iniciativat lokale dhe ndërkombëtare të kujtesës, shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, qendrat studimore etj., të bëhen pjesë e këtij edicioni.
Ju faleminderit!
Stafi i IDMC-së
Përmbledhje
- Dita 1, 19 shkurt: IDMC feston 10-vjetorin e Ditëve të Kujtesës
- Dita 2, 20 shkurt: Konferenca ndërkombëtare “Muzealizimi i Kujtesës”
- Dita 3, 21 shkurt: Publikime dhe studime në fushën e kujtesës nga ISKK dhe IDMC
- Dita 4, 22 shkurt: Ceremonia e ndarjes së çmimeve për konkursin “Pyet Gjyshërit 7”
- Dita 5, 24 shkurt: Konferenca "Media dhe Kujtesa – Si raportojnë mediet mbi të kaluarën në Shqipëri"
Dita 1, 19 shkurt: IDMC feston 10-vjetorin e Ditëve të Kujtesës
Më 19 shkurt 2025, Instituti për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC), në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer në Shqipëri, shënoi një moment historik, duke festuar 10-vjetorin e DITËVE TË KUJTESËS në ambientet simbolike të Piramidës së Tiranës. Ky përvjetor shënon një dekadë angazhimi për ballafaqimin me të kaluarën dhe ruajtjen e kujtesës historike në vend.
Ceremonia u hap me një fjalët përshëndetëse nga Jonila Godole, drejtuesja ekzekutive e IDMC-së; Klaudia Zerva, koordinatore programi në Fondacionin Konrad Adenauer në Shqipëri; Lira Pipa, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; Karl Bergner, ambasadori i Gjermanisë, si bashkëpunëtorët afatgjatë të IDMC-së, duke vënë në dukje rëndësinë e kujtesës kolektive dhe punën e Institutit në promovimin e vlerave demokratike.
“Ne menduam se për 2–3 vite do të bënim aq shumë presion sa do të kishim një ditë kujtese për viktimat dhe për qëndresën nga regjimi, si dhe do të kishim një memorial në qendër të Tiranës. Për fat të keq, edhe pas 10 vitesh nuk kemi një ditë kujtese dhe ende nuk kemi një memorial. Për sa kohë nuk kemi muze në vendet e vuajtjes, për sa kohë kampet e Spaçit, Tepelenës etj. janë rrënuar në gjendjen që janë sot, kemi një rrugë të gjatë për të bërë. Ky nuk është një finish, por fillimi i një kapitulli të ri.”
“Fondacioni Konrad Adenauer para 15 vitesh kishte përparësi trajtimin e së shkuarës. Asokohe ballafaqimi me të shkuarën linte për të dëshiruar. Shoqëria, media e elitat ishin apatike për dekomunistizimin dhe po ashtu të zhveshura nga të vërtetat. Sigurisht, ne nuk mund të zhbënim atë që ishte bërë, as jetët e humbura, por mund të merreshim me kthimin në të shkuarën, zhvarrosjen e saj, analizën, ekspertizën dhe kjo ishte një nismë minimale, por e domosdoshme për të reflektuar mbi të shkuarën.”
“Një dëshmi që duhet ta vazhdojmë këtë punë e të bëjmë shumë më tepër, shteti dhe ministritë, institucionet që bëjnë punë shumë të mira, siç është rasti i kampit të Tepelenës dhe Spaçit për të cilin kemi miratuar planin e menaxhimit dhe kemi mbajtur disa dëgjesa.”
“Përballja me të shkuarën është diçka që ndodh në kombet e qytetëruara. Mendoj se kjo kujtesë ka nevojë për hapësira dhe vendndodhje, ku njerëzit mund të shkojnë, si në Spaç. Kjo është e rëndësishme për ata që ishin viktima të komunizmit, por edhe për shoqërinë, që të rinjtë të mësojnë për të shkuarën.”
“Katër veta nga familja ishim me dosje në Sigurim. Na quanin objekte dhe objektet janë gjëra pa shpirt. Kjo ishim ne për regjimin.”
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte prezantimi i videos përmbledhëse, që shfaqi aktivitetet dhe arritjet kryesore të IDMC-së gjatë viteve. U përfshinë aty mesazhe të ndjera nga bashkëpunëtorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke vlerësuar përkushtimin e IDMC-së në punën me të rinjtë, mësuesit, ish-të përndjekurit politikë dhe shoqërinë civile.
IDMC-ja falënderon të gjithë partnerët, bashkëpunëtorët dhe mbështetësit që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi në dekadën e fundit dhe mbetemi të përkushtuar për të vijuar përpjekjet për ruajtjen e kujtesës dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Hapja e ekspozitës “Rrugëtime të papritura të jetës”
Një tjetër moment kulmor i mbrëmjes ishte hapja e ekspozitës “Rrugëtime të papritura të jetës” gjatë edicionit 10 të DITËVE TË KUJTESËS tek Piramida e Tiranës. Kjo ekspozitë mbresëlënëse sjell në dritë historitë e 41 individëve ish-të përndjekur politikë nga breza të ndryshëm, duke ofruar një reflektim prekës mbi të kaluarën e vështirë të Shqipërisë gjatë diktaturës komuniste.
Kuruar nga Jonila Godole, drejtuesja ekzekutive e IDMC-së dhe Dong-Ha Choe, fotograf dhe bashkautor i ekspozitës, projekti është një bashkëpunim mes Institutit për Demokraci, Media & Kulturë dhe Fondacionit Federal për Studimin e Diktaturës Komuniste në Gjermani. Ekspozita nxjerr në pah historitë e pathëna të personave që përjetuan përndjekje, burgosje dhe diskriminim gjatë një prej periudhave më të errëta të historisë së Shqipërisë.
Hapja e ekspozitës u shoqërua nga fjala e Ulrich Mählert, historian i Fondacionit Federal, Dong-Ha Choe, fotograf dhe bashkautor i ekspozitës, Vera Bekteshi, shkrimtare dhe ish-e përndjekur politike dhe Nestor Topençarov, ish-i burgosur politik.
“Këto foto janë menduar të mbeten si kujtesë vizuale e fateve njerëzore, edhe 50 vite nga sot. Nuk doja kënde dramatike fotografimi, as sfonde që tërheqin vëmendje, as ndriçim të fortë. Për mua ishte e rëndësishme të fiksoja një moment të qetë dhe të denjë, në shprehje dhe në atmosferë.”
Përmes portreteve prekëse dhe dëshmive personale, ekspozita nxjerr në pah qëndresën dhe dinjitetin njerëzor të atyre që mbijetuan përndjekjen politike. Çdo histori shoqërohet me një seksion të dedikuar nga libri “Rrugëtime të papritura të jetës”, i cili përmbledh historitë e jetës së 41 personave të fotografuar. Libri u vu në dispozicion të pjesëmarrësve, duke shërbyer si një dëshmi e përvojave të të përndjekurve politikë të Shqipërisë.
Dita 2, 20 shkurt: Konferenca ndërkombëtare “Muzealizimi i Kujtesës”
Konferenca ndërkombëtare “Muzealizimi i Kujtesës” u organizua nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) dhe Instituti për Demokraci, Media & Kulturë, më 20 shkurt 2025, në kuadër të Edicionit 10 të DITËVE TË KUJTESËS. Ky event bashkoi përfaqësues kryesorë të institucioneve që trajtojnë të kaluarën, delegacionin e BE-së në Shqipëri, organet qeveritare, muze dhe site përkujtimore, ekspertë të trashëgimisë kulturore, studiues, politikëbërës dhe shoqërinë civile.
Luigj Ndou, drejtor i Marrëdhënieve me Qeverinë në ICMP-së për Prishtinën dhe Tiranën, theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës në përpjekjet për drejtësinë tranzicionale, duke thënë:
"Muzetë dhe vendet e kujtesës luajnë një rol jetik në ruajtjen e së vërtetës për padrejtësitë e së kaluarës. Duke i angazhuar komunitetet në diskutime të hapura dhe gjithëpërfshirëse, ne mund të sigurojmë që kujtesa të shërbejë si një bazë për drejtësinë, kohezionin social dhe një angazhim të përbashkët për të mos përsëritur kurrë gabimet e së kaluarës."
Frederique Hanotier, zyrtare politike për të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Medien në Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri tha:
“Përballja me historinë në mënyrë transparente është thelbësore për garantimin e drejtësisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës. BE-ja e ka mbështetur vazhdimisht këtë proces, duke njohur rëndësinë e tij për konsolidimin demokratik të Shqipërisë. Muzetë luajnë një rol jetik në histori të gjallë në kujtesën kolektive, duke rritur ndërgjegjësimin për mizoritë e kaluara dhe duke ruajtur të vërtetën historike. Kjo nismë paraqet një mundësi unike për Shqipërinë për të mësuar nga përvojat e BE-së në këtë rrugë. BE mbetet plotësisht e përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë në këto përpjekje, pasi drejtësia tranzicionale kontribuon jo vetëm në forcimin e shtetit të së drejtës, por edhe në thellimin e lidhjeve midis Shqipërisë dhe BE-së. Të përkushtohesh ndaj kujtimit do të thotë të përkushtohesh ndaj kujtesës, drejtësisë dhe llogaridhënies – vlerat thelbësore evropiane që drejtojnë të ardhmen tonë të përbashkët.”
Jonila Godole, drejtuese ekzekutive e IDMC-së, tha:
"Ka një tendencë shqetësuese për të përqendruar përpjekjet e muzealizimit në vendet dhe objektet që lidhen me të përndjekurit, duke lënë pas dore vendet ku viktimat pësuan vuajtje të pamasë. Kjo qasje duhet të ndryshojë. Vende represioni, si kampi i internimit në Tepelene dhe në Spaç, me çdo veprim të detyrueshëm të punës së detyruar që humbet çdo ditë, janë të nevojshme, për t'i ruajtur këto vende dhe për t'i transformuar ato në muze dhe qendra arsimore. Vetëm duke e bërë këtë ne mund të sigurojmë që brezat e ardhshëm të kuptojnë realitetet e së kaluarës dhe që shoqëria të mbetet e përkushtuar ndaj së vërtetës, drejtësisë dhe kujtesës.”
Konferenca përfshinte tri panele kryesore diskutimesh, si më poshtë:
1. Paneli i diskutimit: Muzealizimi i kujtesës – Shkëmbimi dhe mësimet e nxjerra nga përvojat ekzistuese
Sesioni kishte si qëllim të diskutonte praktikat aktuale të muzealizimit dhe ruajtjes së kujtesës, duke identifikuar mësimet e nxjerra dhe sfidat që hasin muzetë dhe vendet e kujtesës në Shqipëri.
- Pjerin Mirdita, drejtor i Muzeut “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, Shkodër, theksoi se muzealizimi i së shkuarës ka nevojë për kontributin dhe pjesëmarrjen e personave të përfshirë (viktimat ose të afërm të tyre) për të arritur qëllimin e ruajtjes dhe përcjelljes së së shkuarës.
- Etleva Demollari, drejtoreshë e Muzeut të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, Tiranë, theksoi se institucioni që ajo drejton përkujton dhunën psikologjike dhe kontrollin e qytetarëve gjatë regjimit komunist përmes veprimtarive të Sigurimit të Shtetit. Ekspozita përmban pajisje autentike përgjimi, dokumente sekrete, dëshmi dhe statistika. Muzeu thekson pasojat e përgjimit dhe promovon dialogun mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ai organizon aktivitete edukative dhe përkujtimore, duke synuar ndërgjegjësimin e brezit të ri për të drejtat e njeriut dhe rëndësinë e kujtesës historike.
- Elenita Roshi, drejtoreshë e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, prezantoi tri projekte ndërtimi monumentesh për ruajtjen dhe interpretimin e kujtesës historike dhe traumatike. Theksohet se kujtesa individuale dhe kolektive janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe ndihmojnë në formësimin e identitetit. Muzeu i parë dhe i dytë paraqesin aspekte të trashëgimisë materiale, ndërsa muzeu i tretë fokusohet në kujtesën njerëzore dhe atë digjitale, duke inkurajuar krijimin e kujtimeve në muze.
- Anila Zajmi, specialiste pranë Drejtorisë së Personave të Zhdukur në Autoritetin për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, prezantoi projektide që synojnë të ruajnë kujtesën historike dhe të nderojnë ata që vuajtën nën regjimin komunist. Një nga idetë është "Shtegu i Lirisë", një memorial në Kolonjë që i kushtohet atyre që u vranë ose u arratisën për të kaluar kufirin gjatë regjimit komunist. Ky memorial do të përfshijë elemente simbolike dhe artistike, duke përdorur gurë dhe forma që reflektojnë traditën ilire. Një memorial tjetër është ai në Tiranë, i konceptuar si një vend pushimi dhe kujtese për të vrarët dhe të zhdukurit, me një qasje artistike monumentale që përfshin materiale natyrore dhe elementë funksionalë për vizitorët. Projekti "Muri i Gjakut" në Shkodër synon të përkujtojë rreth 600 viktima të pushkatuara gjatë komunizmit, duke përdorur të dhëna dhe dokumente historike për të krijuar një memorial simbolik.
Paneli i moderuar nga Sonila Danaj, studiuese në Qendrën Evropiane për Politika dhe Kërkime të Mirëqenies Sociale në Austri, theksoi se muzealizimi i kujtesës është një proces thelbësor për ruajtjen dhe përcjelljen e historisë. Përfshirja e komunitetit dhe dialogu i hapur janë kyçe për një pasqyrim të ekuilibruar të së kaluarës. Teknologjitë interaktive dhe qasjet edukative ndihmojnë në afrimin e brezave të rinj me historinë, duke forcuar rolin e muzeve si qendra të kujtesës dhe edukimit.
2. Paneli i diskutimit: Dark Tourism (Turizmi i Errët)
Sesioni kishte si qëllim të hulumtonte mbi përfitimet dhe sfidat e turizmit të errët, si përvoja që mund të ndryshojnë mentalitetin, të sfidojnë supozimet dhe të ndryshojnë paragjykimet, si dhe planet për të ardhmen në nivelin e politikave për mbështetjen e tij, por edhe në një këndvështrim më të ngushtë të entiteteve që e ushtrojnë këtë lloj turizmi.
- Benida Kraja, drejtoreshë e Politikave të Trashëgimisë Kulturore/Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, foli për një sërë objektesh që i përkasin periudhës së regjimit komunist, të cilat janë kategorizuar si monumente të trashëgimisë kulturore. Ajo theksoi se interesi për të mbrojtur trashëgiminë është shumë i gjerë dhe njëkohësisht mbështeti punën me të rinjtë në nivelin parauniversitar, por edhe në atë universitar, ku fokus mund t’u jepet studentëve të inxhinierisë dhe arkitekturës për të sugjeruar mirëmbajtjen dhe rivitalizimin e këtyre objekteve.
- Giulia Avanza, drejtuese e Programit në Fondacionin Santagata, foli mbi projektin që drejtoi në Burgun e Spaçit dhe revitalizimin e këtij vendi shumë të rëndësishëm për kujtesën e Shqipërisë. Ky vend ka të bëjë me vdekjen, torturën, tragjedinë dhe vuajtjen dhe si i tillë duhet trajtuar më shumë kujdes dhe i duhet dhënë një rëndësi e veçantë nga pushteti vendor e lokal, si edhe nga shoqëria civile e akademia. Ajo sugjeroi që Ministria të krijojë një rrjet bashkëpunimi me pjesëmarrës nga të gjitha muzetë dhe vendet e kujtesës, ku ata të mblidhen rregullisht dhe të ndajnë eksperiencën e tyre, si dhe planet ku mund të bashkëpunojnë.
- Admirina Peçi nga "Bunk’Art Museums" foli për Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, si dy nisma që u kritikuan shumë në fillim, por koha e tregoi se ato ishin të domosdoshme për Shqipërinë dhe kontekstin e saj gjatë periudhës së tranzicionit. Këta muze autentikë ndërtuar në bunkerë ekzistues të sistemit komunist janë një tërheqje turistike dhe vetëm në vitin 2024 kanë pasur 400 mijë vizitorë shqiptarë e të huaj të grupmoshave 17–59 vjeç. Fokusi te këto muze, përveç pasurimit është edhe tërheqja e iniciativave me tematika artistike dhe historike si ekspozita, koncerte dhe dokumentarë.
- Arjeta Kokalari, drejtoreshë e Muzeut “Musine Kokalari”, Gjirokastër, foli për iniciativën e saj private për të krijuar një muze në shtëpinë e saj për një nga personazhet më të njohur të persekutimit komunist dhe një nga disidentet e asaj kohe, Musine Kokalari. Ajo shtoi se edhe pse Muzeu ka kohë që është ndërtuar, ende nuk është në hartat e turizmit dhe shumë objekte autentike duhet ende të certifikohen dhe të katalogohen. Gjithashtu, dëshira më e madhe është që ky Muze të përdoret nga shkollat, të rinjtë dhe shoqatat si një qendër për të mësuar për të kaluarën dhe për të bërë aktivitete edukuese.
Paneli i moderuar nga Edlira Agolli, eksperte për Çështjet e Drejtësisë Tranzicionale, theksoi se turizmi i errët është ende duke hedhur hapat e para në Shqipëri. Prandaj, zgjerimi i shtrirjes së vendeve dhe objekteve të turizmit të errët duhet të vazhdojë si një nevojë për të dëshmuar historinë, për të edukuar brezat, si dhe të ndihmojnë në ndërgjegjësimin social. Por ky zgjerim duhet të shihet edhe si një mundësi për ofrimin e punësimit për banorët e komuniteteve lokale, ku gjenden këto objekte dhe nxitjen e ekonomisë. Për më tepër, këto vende kujtese dhe këto institucione të ngritura pranë tyre duhet të ofrojnë mundësi për studim dhe punë kërkimore për të rinjtë dhe për akademikët.
3. Paneli i diskutimit: Modelet alternative dhe risitë
Paneli përmbyllës i konferencës synonte të prezantonte qasje dhe iniciativa të reja për ruajtjen e kujtesës, duke përfshirë ide dhe programe kreative nga Shqipëria dhe rajoni, që angazhojnë komunitetet dhe forcojnë mirëkuptimin shoqëror. Ne panel morën pjesë të ftuarit:
- Merisa Topalović, drejtoreshë dhe Suada Nožić, koordinatore për Çështjet Historike, Kulturore dhe Artistike pranë Muzeut të Krimeve kundër Njerëzimit dhe Gjenocidit në Bosnjë-Hercegovinë;
- Marina Maier, CEO i Austrian Service Abroad;
- Elsa Ballauri, themeluese e Muzeut të Grave;
- Bekim Bllakaj, drejtor ekzekutiv dhe Blerta Hoçia, kuratore në Humanitarian Law Centre në Kosovë;
- Michal Keim, drejtor i Departamentit të Kërkimit dhe Edukimit në Institutin e Kujtesës së Kombit në Sllovaki
Ekspertët e ardhur nga rajoni prezantuan përvojat e tyre dhe projektet e ardhshme. Këndvështrimi dhe perspektiva e tyre ishin të rëndësishme për zbatimin e këtyre modeleve edhe në Shqipëri, duke marrë parasysh përvojën e gjatë që disa shtete të huaja kanë në këtë fushë. Disa nga pikat kryesore ku u ndalën ekspertët ishin:
- Muzeu si pikë takimi dhe bashkëveprimi me komunitetin;
- Zhvillimi i muzeve digjitalë dhe virtuale;
- Zbërthimi i kujtesës kolektive përmes historive personale;
- Muzetë e hapur dhe ekspozitat në hapësira publike;
- Përdorimi dhe fuqizimi i medieve sociale dhe platformave online;
- Përfshirja e artit dhe performancave artistike;
- Muzetë e trajtimeve terapeutike dhe kujdesit psikologjik
Paneli i moderuar nga Pjerin Mirdita, drejtor i Muzeut “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër theksoi se muzealizimi i kujtesës është një proces i rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e identitetit historik, veçanërisht në kontekstin shqiptar, duke marrë parasysh të kaluarën komuniste.
Një falënderim i veçantë për të gjithë folësit, panelistët dhe pjesëmarrësit, kontributi dhe angazhimi i të cilëve janë thelbësorë për avancimin e diskutimit mbi rëndësinë e qasjeve bashkëpunuese dhe të qëndrueshme në ruajtjen e kujtesës historike. Përkushtimi juaj siguron që kjo kujtesë të mbetet e aksesueshme dhe kuptimplotë për brezat e ardhshëm.
Shfaqja e filmit “Braunau”
Filmi "Braunau", i cili eksploron transformimin arkitekturor të shtëpisë së lindjes së Adolf Hitlerit në një stacion policie dhe përballjen historike me trashëgiminë naziste në Austri, u shfaq për publikun më 20 shkurt tek Agimi Art Center.
Përmes një vëzhgimi afatgjatë, ky dokumentar ofron një portret të gjallë të Braunaut, një qytet i vogël në kufirin austriako-gjerman, që reflekton dekada historie dhe qasjen e tij për të përballuar të shkuarën.
Filmi u mundësua nga Ambasada Austriake në Shqipëri në kuadër të DITËVE TË KUJTESËS, duke përfunduar me një diskutim mes regjisorit austriak Günther Schwaiger dhe gazetares Fatmira Nikolli.
Dita 3, 21 shkurt: Publikime dhe studime në fushën e kujtesës nga ISKK dhe IDMC
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) prezantoi kolanën e botimeve 2024 në kuadër të DITËVE TË KUJTESËS, në bashkëpunim me IDMC. Kreu i ISKK-së, Çelo Hoxha dhe drejtuesja ekzekutive e IDMC-së, Jonila Godole, theksuan rolin e pazëvendësueshëm të botimeve që ka realizuar ISKK-ja në 15 vite, si një bazë e rëndësishme për hartuesit e teksteve shkollore, për regjisorë e aktorë që vënë në skenë shfaqje me temë nga e shkuara në diktaturë.
Ata falënderuan bashkëpunëtorët që vijojnë të pasurojnë memuaristikën dhe që tashmë kanë ndërtuar një hartë të rëndësishme të pasojave të krimeve gjatë regjimit komunist.
Znj. Godole theksoi fokusin e punës me të rinjtë, ndaj të cilëve ne si shoqëri kemi detyrimin t'i njohim me atë që ka ndodhur me gjyshërit dhe prindërit tanë gjatë diktaturës, gjithashtu prezantoi publikimin e librit "Gjyqet ndaj nomenklaturës komuniste (1993–1996)", bashkëpunim i rëndësishëm i IDMC-së me z. Hoxha dhe historianin Kastriot Dervishi.
Ky botim jo vetëm dokumenton përpjekjet e drejtësisë, por gjithashtu nxit një reflektim mbi implikimet për demokracinë, sundimin e ligjit dhe diskutimin shoqëror. Ai shërben si një kontribut në procesin e drejtësisë tranzicionale dhe bën thirrje për ballafaqim me të shkuarën dhe mësimet që mund të nxirren sot dhe në të ardhmen.
Drejtori i ISKK-së ftoi studiuesit që t'i bashkëngjiten misionit për rishikimin e teksteve shkollore me synimin që e shkuara nën diktaturë dhe vetë natyra e regjimit të përshkruhet në aspektin antiligjor dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prezantimi i manualit për ndërveprimin e Autoritetit me njësitë e qeverisjes vendore
Në kuadër të DITËVE TË KUJTESËS 2025, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) zhvilloi një dialog me përfaqësues të pushtetit vendor në tri drejtime:
- Ndërgjegjësimin e bashkive në zbatim të ligjit për verifikimin e figurës së kandidatëve për dekorata, tituj nderi, emërtimin e rrugëve dhe hapësirave publike;
- Ndërtimin e mekanizmave në trajtimin e vendvarrimeve të dyshuara të ekzekutimeve, varreve të pashënjuara dhe vendeve të kujtesës;
- Bashkëpunimin me institucionet arsimore, bibliotekat dhe muzetë lokalë për të nxitur edukimin dhe ndërgjegjësimin mbi të kaluarën
Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, tha:
“Debati mbi modelet fisnike të shoqërisë bëhet përherë edhe më aktual. Ne mendojnë se modeli fisnik i qytetarit është ai që i shërben komunitetit në plotësimin e nevojave, përmes sakrificës dhe përkushtimit. Ky dialog i hap rrugë forcimit të rolit të pushtetit vendor në proceset e transparencës dhe kujtesës historike, duke kontribuar në ndriçimin e së kaluarës dhe respektimin e dinjitetit të viktimave të regjimit të shkuar."
Dita 4, 22 shkurt: Ceremonia e ndarjes së çmimeve për konkursin “Pyet Gjyshërit 7”
Edicioni i 7-të i konkursit “Pyet Gjyshërit”, me temën “Më trego Shqipërinë tënde”, arriti nivele të reja në angazhimin e të rinjve në mbarë Shqipërinë për të dokumentuar historinë e tyre lokale, trashëgiminë kulturore dhe tregimet ndërbreznore.
I organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Shoqatën e Mësuesve të Historisë “Rinia dhe Historia” dhe rrjetin europian të historisë, EUSTORY, dhe me mbështetjen e Raiffeisen Bank Albania, konkursi i këtij viti pa një pjesëmarrje të paprecedentë, duke reflektuar angazhimin në rritje të të rinjve për të eksploruar dhe për të ruajtur kujtesën historike të Shqipërisë:
- 326 pjesëmarrës të moshës 14–21 vjeç nga shkollat në të gjithë Shqipërinë;
- 35 finalistë të përzgjedhur për fazën finale bazuar në kreativitetin, kërkimin dhe rrëfimin e tyre;
- Përfaqësim i gjerë rajonal, me pjesëmarrës nga Tirana, Shkodra, Lezha, Durrësi, Tropoja, Kukësi, Berati, Korça dhe më shumë;
- Mbi 350.000 shikime në Instagram gjatë fazës së votimit online nga publiku;
- 8 fitues të shpërblyer në ceremoninë zyrtare;
- Pjesëmarrësit fitues do të kenë mundësinë të përfaqësojnë Shqipërinë në Samitin e Konkurrimeve Europiane të Historisë EUSTORY, që mbledh mbi 120 të rinj nga 20 vende europiane
Ceremonia e ndarjes së çmimeve, e mbajtur më 22 shkurt 2025, në sallën Classic Hall, Tirana International Hotel, shënoi kulmin e konkursit të këtij viti. Më shumë se 200 të ftuar morën pjesë, duke përfshirë:
- Marina Maier, drejtoreshë e Austrian Service Abroad pranë Ministrisë Austriake;
- Ulrich Mählert, historian nga Fondacioni Federal për Studimin e Diktaturës Komuniste në Gjermani (Bundesstiftung Aufarbeitung);
- Florenca Stafa, drejtoreshë e Shoqatës së Mësuesve të Historisë;
- Përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, si dhe një mesazh video nga EUSTORY;
- Akademikë, historianë, gazetarë dhe mësues, si dhe fitues të mëparshëm të konkursit;
- Finalistët e rinj dhe familjet e tyre, të mbledhur për të festuar kontributet e tyre
Eventi u moderua nga Oriada Dajko, koordinatore e konkursit dhe Markus Dalla-Via nga Austrian Service Abroad, të cilët udhëhoqën audiencën përmes rrugëtimit frymëzues të pjesëmarrësve të këtij viti. Edicioni i sivjetëm demonstroi fuqinë e rrëfimit nga të rinjtë në ruajtjen e historisë dhe forcimin e identitetit kulturor, duke riafirmuar rolin e “Pyet Gjyshërit” si një nga konkurrimet kryesore të historisë për të rinjtë në Shqipëri.
Fituesit e Çmimeve
Kategoria: ESE
- Çmimi i Parë: Amber Spahi – "Udhëtimi i dritës, historia e një shpirti të pathyeshëm", Tiranë
- Çmimi i Dytë: Xhesika Preçi – "Dhe kambanat heshtin", Shkodër
Kategoria: ART
- Çmimi i Parë: Luesa Lalollari – "Loti i Paqes", Tiranë
- Çmimi i Dytë: Fabiola Kaca & Elvina Dushku – "Çinari i Rrmaj, Shkodër – dëshmitar i vrasjes së klerikëve dhe intelektualëve gjatë diktaturës komuniste", Tiranë
- Çmimi i Dytë: Aleksandra Arapi, Alejsa Ndoj, Xhesika Mikaj, Romina Preçi – "Maket i minierës së bakrit në Kaçinar, Mirditë", Lezhë
Kategoria: MULTIMEDIA
- Çmimi i Parë: Erla & Edjon Allmuça – "Kthim në periudhën e humbur", Tiranë
- Çmimi i Votës së Publikut (Më i Votuari në Media Sociale): Erti Katroshi – "Lotët e Kosovës", Tiranë
- Çmimi Inkurajues: Amantia Jonuzaj – "Sofra Dibrane, një vlerë e trashëgimisë kulturore shqiptare", Tiranë
Çmimet u dorëzuan nga studiues të njohur, historianë, ekspertë të trashëgimisë kulturore dhe ish-të përndjekur politikë, së bashku me fitues të mëparshëm të konkursit, të cilët ndanë përvojat dhe pikëpamjet e tyre mbi rëndësinë e dokumentimit të historisë dhe nxitjen e dialogut ndërbreznor.
Edicioni 7 i “Pyet Gjyshërit” ka dëshmuar edhe një herë vlerën e tij në nxitjen e angazhimit të të rinjve me kujtesën historike, forcimin e lidhjeve ndërbreznore dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.
Dita 5, 24 shkurt: Konferenca "Media dhe Kujtesa – Si raportojnë mediet mbi të kaluarën në Shqipëri"
Konferenca u organizua me me sukses nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, si pjesë e edicionit 10 të DITËVE TË KUJTESËS, në mjediset e Europe House në 24 shkurt ne Tiranë. Aktiviteti u realizua me mbështetjen e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) dhe fondeve të Bashkimit Evropian (BE).
Ky aktivitet synonte nxitjen e debatit mbi rolin e medies në formësimin e kujtesës historike, prezantimin e gjetjeve të para nga monitorimi i medieve mbi raportimin e të kaluarës, dhe diskutim mes gazetarëve, studiuesve dhe historianëve për problematikat e hasura.
Silvio Gonzato, Ambasadori i BE-së në Shqipëri gjatë fjalës së tij në hapje nënvizoi:
“Bashkimi Evropian mbështet përpjekjet për përballjen me të shkuarën si shtyllë e fondamentale e demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut. Brezat e rinj duhet të kuptojnë zhdukjet, shtypjen dhe heshtjen e periudhës komuniste që të sigurohen që nuk përsëriten më. Forcimi i shtetit ligjor është në thelb të rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kjo do të thotë prioritizimi i të drejtave të njeriut në të gjitha reformat, duke përfshirë drejtësinë tranzicionale dhe pajtimin.”
Luigj Ndou, Drejtor i Marrëdhënieve me Qeverinë në ICMP, theksoi ndihmën e ICMP-së ndaj organizatave të shoqërisë civile duke i fuqizuar ato që të luajnë një rol më aktiv në avokimin e së vërtetës, drejtësisë dhe ruajtjen e kujtesës. Media ka një rol të rëndësishëm në këtë proces, pasi ajo pasqyron dhe përforcon zërat e viktimave, zbulon të fshehtat dhe mban të gjallë kujtimin e atyre që vuajtën, duke siguruar që mësimet e së kaluarës të mos harrohen. Në kohën e inteligjencës artificiale dhe medies sociale, historia mund të shtrembërohet dhe fragmentarizohet, prandaj profesionistët duhet të tregojnë më shumë kujdes në rrëfimet historike për të ruajtur integritetin e së vërtetës.
Jonila Godole, drejtuese e IDMC-së, prezantoi studimin e monitorimit ku u analizuan 701 përmbajtje mediatike, kryesisht nga televizioni, ndërsa rrjetet sociale, veçanërisht Facebook, kishin numrin më të lartë me 346 përmbajtje mbi kujtesën historike.
Gjetjet kryesore te cilat ajo theksoi, përfshijnë:
“Diferencimi sipas platformave mediatike:
- Televizioni: Neutral dhe i balancuar, me qasje analitike dhe objektive;
- Media online: Fokus te figura individuale dhe histori personale, me artikuj të dokumentuar;
- Platformat OTT: Përmbajtje shpjeguese, por pa studime akademike të thelluara;
- Rrjetet sociale: Prirje për njëanshmëri dhe qasje nostalgjike ndaj komunizmit, me tone subjektive dhe emocionale.
1. Temat historike më të diskutuara:
- Periudhat kryesore: 1941–1944 dhe 1961–1981;
- Qasje përkujtimore, shpesh e njëanshme (lavdërim ose akuzë);
- Mungesë e perspektivave alternative dhe balancës në diskutim
2. Transparenca dhe burimet e informacionit:
- Televizionet dhe media online bazohen në burime të dokumentuara, por shpesh pa referenca arkivore;
- Rrjetet sociale shpesh nuk citojnë burime, duke ulur besueshmërinë
3. Perspektivat balancuese:
- Televizioni dhe media online ruajnë më shumë neutralitet;
- Rrjetet sociale dominohen nga qasje glorifikuese ose akuzuese;
- Vetëlavdërimi dhe qasjet subjektive janë të përhapura, veçanërisht në platformat sociale.
Artan Fuga, akademik dhe pjesë e ekipit të studimit, theksoi:
“Subjekti që bën rrëfimin historik nuk është më historiani, por ndikuesi, viktima, dëshmitari, gazetari. E para, Historiani është në shtëpi ose në studion e vet ose në aulën/sallat universitare dhe nuk merr pjesë në debatin publik, në hapësirën publike, është i munguar. Përse?! Ka 100 arsye. Si në universitete, edhe në Akademinë e Shkencave, edhe në institute. Së dyti, për mua gazetari nuk bën dot histori. Po të mbështeten te teoricienët që kanë hedhur bazat e informacionit masiv është e paimagjinueshme që gazetari të bëjë histori. Tre: në rrjetet sociale nuk bëjnë histori, por bëjnë kujtesë”.
Diskutimi mbi gjetjet u konfirmua nga studiuesit në panel:
- Andi Pinari, theksoi angazhimin e ulët të historianëve në media, pasi shpesh ata përballen me sulme dhe gjuhë urrejtjeje.
- Ermal Hasimja, thekson se mediet shqiptare e paraqesin komunizmin me tre veçori kryesore: transmetimin e propagandës komuniste përmes filmave të kohës, fokusimin te dhuna dhe vuajtjet e shqiptarëve, si dhe trajtimin e regjimit si një telenovelë thriller me intriga mes figurave kryesore. Kjo çon në banalizimin e totalitarizmit dhe manipulimin e perceptimit mbi të, si një regjim i zakonshëm me komplotet, të mirat dhe të këqijat e veta, duke shmangur analizën ideologjike. Si rezultat, krijohen narrativa si “komunizmi ishte i mirë në teori, por Enveri e zbatoi keq” ose “ai nuk ishte komunizëm”. Sipas Hasimes, kjo është pasoja më dramatike e trajtimit mediatik të komunizmit dhe dëshmon dështimin e shoqërisë në edukimin e brezave të rinj.
- Jona Cenameri theksoi se mediet sociale janë të dominuara kryesisht nga imazhe dhe komente që idealizojnë regjimin komunist dhe diktaturën, shpesh të shoqëruara me nostalgji. Ndërkohë, narrativat mbi krimet dhe persekutimet e asaj periudhe mungojnë plotësisht.
- Erblin Jaku vuri në dukje se shumë artikuj fokusohen te roli dhe fuqia e Enver Hoxhës, duke e lidhur atë me çdo veprim të regjimit komunist. Po ashtu, ka një prirje për të trajtuar jetën e tij private, përfshirë histori dashurie dhe intriga. Shpesh, dëshmitarët janë individë të panjohur, të prezantuar si historianë ose pasardhës të personave të përfshirë në ngjarje. Gjithashtu, vihet re mungesa e aftësive të gazetarëve për të bërë pyetjet e duhura dhe për të trajtuar intervistat në mënyrë objektive.
Mark Marku, dekan i Fakultetit Histori-Filologji dhe moderatorë komentoi:
“Diskursi glorifikues, që është tmerrshme është 47 për qind, pa llogaritur nuancat që shkojnë në një masë shumë të madhe të diskursit pranues, glorifikues ose justifikues. Kjo tregon që në këto 30 vjet nuk kemi arritur ta çlirojmë shoqërinë nga nostalgjia për komunizmin”.
Në këtë konferencë u theksua se përmirësimi i raportimit në medie kërkon më shumë transparencë, burime të verifikuara dhe bashkëpunim midis medies dhe historianëve. Pjesëmarrësit e pranishëm i vlerësuan këto rezultate si shumë domethënëse. Një raport i plotë i studimit do të hartohet dhe do të prezantohet gjatë muajit maj 2025, duke ofruar një pasqyrë të hollësishme të gjetjeve dhe rekomandimeve për përmirësimin e raportimit në media dhe trajtimin e historisë.
Vizitë studimore: “Ndërgjegjësimi mbi shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë diktaturës komuniste”
Në DITËT E KUJTESËS 2025, së bashku me studentë të Universitetit të Tiranës vizituam sërish muzeun BunkArt1. Vizita studimore e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, synon të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve shqiptarë mbi historinë jo shumë të largët të së shkuarës së Shqipërisë, duke eksploruar paranojën dhe represionin e regjimeve totalitare. Ajo synon gjithashtu të inkurajojë dialogun dhe shkëmbimin e opinioneve mbi ndikimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në të kaluarën për të tashmen dhe të ardhmen.
Shfaqja e dokumentarit “Për hir të dashurisë”
U shfaq tek “Tulla Center” ky dokumentar i mundësuar nga Kujto.al dhe Fondacioni Konrad Adenauer në Shqipëri, i cili i bën homazh grave ruse që u martuan me burra shqiptarë dhe pësuan persekutim, burgim ose ndarje nga familjet e tyre gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, pas prishjes së marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik.