Pyet Gjyshërit 7
"Më trego Shqipërinë tënde"
Konkursi më i dashur për të rinjtë rikthehet me të njëjtën moto, "Më trego Shqipërinë tënde”, por këtë herë, të rinjtë janë të ftuar të zbulojnë dhe të na rrëfejnë historitë e vendit të tyre përmes fotografive që pasqyrojnë trashëgiminë kulturore.
Ky konkurs, që zhvillohet për të 7-in vit, organizohet nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer në Shqipëri, Shoqatën e Mësuesve të Historisë “Rinia dhe Historia” dhe EUSTORY, një shoqatë ndërkombëtare e përbërë nga 22 organizata të pavarura anëtare që drejtojnë konkurse kërkimore për të rinjtë në vendet e tyre respektive.
1. Përse ky konkurs?
Qëllimi i konkursit është të nxisë të rinjtë të eksplorojnë historinë e tyre dhe ta dokumentojnë atë, duke sjellë një interpretim të ri dhe të gjallë të trashëgimisë kulturore. Fotografia shërben si një urë që lidh brezat dhe ndihmon në ruajtjen e kujtesës kolektive, duke krijuar një lidhje mes të rinjve dhe historisë së komunitetit të tyre. Fotot ruhen nga një brez në tjetrin, duke ofruar një pasqyrë jo vetëm të të kaluarës, por edhe të të tashmes, në lidhje me veshjet, arkitekturën, transportin dhe jetën e përditshme. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të ndarë histori, për të frymëzuar diskutime dhe për të nxitur kuriozitetin. Përfitimet janë të shumta për të gjitha palët e përfshira, të rinjtë, mësuesit dhe institucionet e edukimit.
Ky konkurs përputhet me objektivat edukative të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit:
- Promovimin e trashëgimisë kulturore: Konkursi ndërgjegjëson të rinjtë për vlerat e trashëgimisë kulturore dhe i nxit ata për të ruajtur dhe promovuar historinë kombëtare dhe lokale.
- Angazhimin me historinë lokale: Nxënësit lidhen me historinë e komunitetit të tyre, duke forcuar ndjenjën e përkatësisë dhe duke kontribuar në një kuptim më të gjerë të identitetit lokal.
- Mbështetje për zgjerimin e kurrikulës: Konkursi mbështet përmirësimin e kurrikulës së historisë dhe lëndëve shoqërore, duke sjellë përvojën praktike në procesin mësimor dhe duke i bërë studentët më aktivë në kërkimin historik.
Përfitimet edukative për të rinjtë, përfshijnë:
- Kreativitetin dhe mendimin kritik: Zhvillimi i aftësive së analizës dhe krijimtarisë, duke përdorur informacionin në mënyra të reja dhe të zgjeruara.
- Mësim ndërdisiplinor dhe horizont të zgjeruar: Të rinjtë njohin historinë e komunitetit të tyre dhe ndërthurin disiplina të ndryshme si historia, arti dhe studimet shoqërore.
- Zhvillim të aftësive hulumtuese: Të rinjtë përvetësojnë teknika kërkimore dhe dokumentuese, që janë të vlefshme për zhvillimin akademik në të ardhmen.
- Çmime dhe vizibilitet: Fituesit do të nderohen në një aktivitet të veçantë gjatë DITËVE TE KUJTESËS, për të marrë vlerësimin dhe njohjen për punën e tyre.
- Pjesëmarrje në projekte ndërkombëtare: Fituesit do të kenë mundësinë të udhëtojnë në një kryeqytet europian dhe të marrin pjesë në projekte rinore ndërkombëtare përmes bashkëpunimit me rrjetin EUSTORY, duke ndarë përvojat me bashkëmoshatarët nga vendet e tjera.
Përfitimet e zhvillimit profesional për mësuesit:
- Angazhim aktiv si mentorë: Mësuesit përfshihen drejtpërdrejt si mentorë për nxënësit, duke ofruar udhëzime të vlefshme mbi metodologjinë e kërkimit, teknikat e dokumentimit dhe rrëfimin e historive.
- Metoda inovative mësimdhënieje: Mësuesit rrisin aftësitë e tyre për përdorimin e mjeteve krijuese dhe digjitale, duke ndihmuar në zbatimin e metodave të reja të mësimdhënies që angazhojnë më shumë nxënësit në procesin e të mësuarit.
- Zgjerimi i mundësive të bashkëpunimit dhe rrjetëzimit: Mësuesit zhvillojnë mundësi të reja për bashkëpunim dhe ndërveprim me kolegë të tjerë, duke krijuar një komunitet më të fortë profesional që mbështet edukimin përmes projekteve kulturore dhe historike.
2. Kategoritë e konkursit
Pjesëmarrësit mund të dorëzojnë punime në formatet të ndryshme të shprehjes artistike:
2.1 Punime të shkruara: Reportazhe, profile ose tregime të shkurtra të frymëzuara nga një fotografi historike.
2.2 Multimedia: Projekte që kombinojnë fotografi me audio, video, ose elementë të tjerë vizualë.
2.3 Ekspozita fotografike: Konceptimi i një ekspozite që pasqyron një ngjarje historike ose një temë të rëndësishme në komunitetin tuaj. Çdo fotografi ose seri fotografish duhet të përfshihet me një përshkrim përkatës.
2.4 Art vizual: Piktura, grafika ose skulptura të frymëzuara nga momente historike.
2.5 Fotografi/Foto ese: Fotografi të realizuara nga ju për ngjarje, zakone, ndërtesa dhe njerëz të rëndësishëm në komunitetin tuaj.
3. Temat orientuese të konkursit
Llojet e historive ose temave ku pjesëmarrësit mund të fokusohen, janë:
3.1 Ngjarje të rëndësishme historike: Momente të rëndësishme nga historia e qytetit ose komunitetit tuaj që ka formësuar identitetin e tij.
3.2 Figura të shquara historike: Portrete ose momente nga jeta e njerëzve që kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë kombëtare ose lokale.
3.3 Traditat dhe zakonet e hershme: Momente që përfaqësojnë traditat kulturore dhe zakonet e komunitetit.
3.4 Ndryshime urbanistike: Si kanë evoluar qytetet dhe hapësirat publike përmes ndërtimit dhe modernizimit përmes viteve.
3.5 Jetesa e përditshme e brezave të mëparshëm: Si kanë qenë kushtet e jetesës në kohë të ndryshme dhe si kanë ndryshuar përmes dekadave.
3.6 Industria dhe puna: Pamje të fabrikave, punishteve ose profesionistëve që kanë luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të një rajoni në kohët e hershme.
3.7 Ngjarje sportive dhe artistike: Fotografi që lidhen me ngjarje sportive dhe artistike që kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare ose lokale.
3.8 Fotografi familjare: Fotografi që ruajnë zakonet, vlerat dhe historitë jetësore.
4. Rregullat e pjesëmarrjes në konkurs
Konkursi është i hapur për gjimnazistë dhe të rinj nga mosha 14 deri në 21 vjeç të cilët duhet të respektojnë këto rregulla të pjesëmarrjes:
- Punimet duhet të jenë origjinale, të papublikuara dhe të paprezantuara më parë në konkurse apo evente të tjera.
- Çdo punim duhet të shoqërohet me një përmbledhje të shkurtër (abstrakt) që shpjegon përmbajtjen e temës.
- Punimet e shkruara duhet të jenë 1.000 – 2.000 fjalë, ndërsa ato multimediale nuk duhet të jenë më të gjata se 4 minuta.
- Punimet mund të realizohen në gjuhën shqipe ose angleze.
- Burimet e informacionit dhe referencat duhet të jenë të listuara me përpikëri.
- Nëse përdorni inteligjencën artificiale (AI) për punimin tuaj, përmendni mjetin AI që keni përdorur dhe shpjegoni përse keni vendosur të përdorni AI/mjete të AI-së.
- Punimi mund të realizohet individualisht ose në grup.
- Çdo konkurrues duhet të përfaqësohet vetëm me një punim.
- Pjesëmarrësit e viteve të shkuara janë të mirëpritur të marrin sërish pjesë (përjashtim bëjnë vetëm fituesit e edicioneve të kaluara).
- Pjesëmarrja në konkurs është pa pagesë.
Vini re! Plagjiaturat ju skualifikojnë automatikisht nga konkursi. Nuk do të pranohet asnjë punim që:
- Nuk shoqërohet me burime dhe dëshmi, nga ku bazohet informacioni i marrë dhe i përdorur nga ju.
- Përmban elemente të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit (etnik, gjinor, seksual etj.)
E drejta e autorit dhe të drejtat e ripërdorimit
- Për çdo person që do të shfaqet në video, film apo fotografi, jeni të lutur të merrni lejen dhe aprovimin e tyre për të drejtën e botimit apo transmetimit.
- Të gjitha të drejtat u mbesin autorëve, por me pjesëmarrjen në këtë konkurs, të drejtat ripërdoruese të punimeve fituese u kalojnë organizatorëve, për ekspozime ose botime të mëtejshme.
- Kjo e drejtë ekskluzive për përkthim, publikim, prezantim brenda dhe jashtë vendit të punimeve fituese nga organizatorët, nuk ka qëllime fitimprurëse dhe
- Punimet fituese si: piktura, instalacion artistik apo objekte të tjera artistike, i mbeten IDMC-së për një afat kohor 1 vjeçar pas mbylljes së konkursit.
- Konkurrentët duhet të firmosin një deklaratë ku pranojnë të lejojnë organizatorët e konkursit për të ripërdorur punimet e tyre.
5. Kriteret e vlerësimit
5.1 Për punimet me shkrim
1. Përmbajtja dhe Hulumtimi
◦ Thellësia e hulumtimit: Vlerësohet sa në mënyrë të detajuar është eksploruar tema, duke përdorur burime të ndryshme dhe të besueshme.
◦ Origjinaliteti dhe rëndësia e temës: Vlerësohet sa unike dhe origjinale është qasja ndaj temës dhe lidhja me temën e konkursit apo me kontekstin historik lokal.
2. Struktura dhe Qartësia
◦ Organizimi i punimit: Vlerësohet qartësia dhe koherenca e strukturës së punimit.
◦ Qartësia dhe stili: Punimi duhet të jetë i lehtë për t'u kuptuar, me një stil të përshtatshëm për temën dhe audiencën.
3. Analiza dhe Interpretimi
◦ Aftësia analitike: Sa mirë autori ka analizuar dhe interpretuar burimet dhe të dhënat e mbledhura.
◦ Argumentimi: Vlerësohet fuqia dhe bindshmëria e argumenteve të ofruara në punim.
4. Aspektet Teknike
◦ Respektimi i rregullave të drejtshkrimit: Vlerësohet korrektësia e drejtshkrimit dhe përdorimi i gjuhës.
◦ Cilësia e bibliografisë dhe citimeve: A janë përdorur dhe cituar saktë burimet e informacionit?
5.2 Për punimet multimediale dhe fotografitë
1. Krijimtaria dhe origjinaliteti
◦ Inovacioni: Sa kreative dhe origjinale janë mjetet dhe teknologjitë e përdorura për të transmetuar mesazhin?
◦ Përshtatja me temën: Vlerësohet nëse punimi pasqyron në mënyrë efektive temën e konkursit dhe kontekstin përkatës.
2. Përmbajtja dhe mesazhi
◦ Theksi në historinë lokale: A tregon punimi histori lokale të panjohura dhe unike?
◦ Fuqia e mesazhit: A është i qartë dhe i fortë mesazhi i përçuar?
3. Teknika dhe cilësia e prodhimit
◦ Cilësia teknike: Vlerësohet cilësia e përgjithshme e audio/video (imazhi, zëri, montazhi).
4. Prezantimi dhe inovacioni
◦ Angazhimi i audiencës: Vlerësohet sa mirë punimi angazhon dhe intereson audiencën.
◦ Përdorimi i elementeve audiovizuale: Vlerësohet efektiviteti i elementeve vizuale dhe audio në transmetimin e mesazhit.
5.3 Kriteret shtesë (për të gjitha formatet)
1. Respektimi i etikës
◦ Punimi duhet të respektojë parimet e etikës, përfshirë respektimin e dinjitetit të individëve dhe shmangien e sensacionalizmit.
2. Ndikimi dhe relevanca
◦ Vlerësohet potenciali i punimit për të stimuluar diskutim dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi temat e përzgjedhura, si të drejtat e njeriut dhe demokracia.
3. Përdorimi inovativ i mediumit
◦ Për punimet multimediale, vlerësohet përdorimi inovativ i teknologjive dhe interaktivitetit me audiencën, duke përdorur tekst, audio, dhe video.
6. Shpallja e fituesve
Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet në një ceremoni të dedikuar gjatë edicionit të dhjetë “DITËVE TË KUJTESËS”, më 21 shkurt 2025. Ndërsa finalistët do të bëhen të ditur disa javë më përpara dhe punimet e tyre do të promovohen në rrjetet sociale te IDMC.
Bashkëpunimi me EUSTORY
Konkursi organizohet nga IDMC me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer. Për herë të tretë, ky konkurs vjen si një bashkëpunim edhe me EUSTORY - rrjetin e konkurseve europiane të historisë që ofron një platformë për të rinjtë shqiptarë të shfaqin punën e tyre dhe të shkëmbejnë përvoja me bashkëmoshatarët e tyre në vende të tjera. EUSTORY është një shoqatë ndërkombëtare e përbërë aktualisht nga 22 organizata të pavarura anëtare që drejtojnë konkurse kërkimore për të rinjtë në vendet e tyre respektive. Fituesit e konkursit do të kenë mundësinë të marrin pjesë në samitin vjetor të EUSTORY-t që do të mbahet në një nga kryeqytetet europiane.
7. Aplikimi
Konkursi do të jetë i hapur për aplikime dhe dorëzim të punimeve prej datës 15 nëntor 2024 deri më 14 janar 2025, ora 23:59.
Në faqen ueb të IDMC do të dërgohen punimet. Nëse ato janë më të mëdha se 5 MB do të përdoret aplikacioni WeTransfer për t’i dërguar me e-mail: konkursi@idmc.al.
Të gjitha njoftimet për zhvillimin e konkursit do të publikohen në faqen zyrtare të IDMC-së, www.idmc.al, si dhe në rrjetet sociale:
Facebook: IDMC - Instituti për Demokraci, Media & Kulturë
Instagram: @idmc.al
LinkedIn: Institute for Democracy, Media and Culture – IDMC
TikTok: @idmc.al
Për çdo pyetje apo informacion të mëtejshem, ndiqni rrjetet sociale të IDMC-së ose kontaktoni përmes e-mailit: konkursi@idmc.al.
Suksese!