Ditët e Kujtesës '20

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS) kanë kënaqësinë t'ju ftojnë në edicionin e pestë të aktivitetit "DITËT E KUJTESËS", që do të organizohet në Tiranë në datat 13–20 shkurt 2020.
Komunizmi shqiptar mbahet si një nga sistemet më represive në Europën Lindore duke u cilësuar shpesh si "regjim stalinist". Aktivitetet gjatë "DITËVE TË KUJTESËS", në bashkëpunim me aktorë të tjerë si ISKK, PEMC, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, "kujto.al", ALBNA etj., synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për pasojat e krimeve të dikaturës dhe forcimin e dialogut mbi të shkuarën përmes debateve, ekspozitave, konferencave ndërkombëtare, prezantimeve të librave, workshop-eve, vizita në vendet e kujtesës etj.
Aktivitetet e këtij viti do të jenë të larmishme, ndër të tjera:
- Ceremonia e hapjes së "DITËVE TË KUJTESËS", 13 shkurt
- Diskutim në panel: "Represioni dhe Stalinizmi në Shqipëri dhe Europën Lindore", 13 shkurt
- Ekspozita "Totalitarizmi në Europë", 13–20 shkurt
- Konferenca ndërkombëtare "Mësimi i historisë dhe kurrikula shkollore pas 1990-ës", 14 shkurt
- Ekspozita "Dritë përtej errësirës" në Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës, Shkodër, 15 shkurt
- Prezantimi i librave mbi diktaturën, 17 shkurt
- "Persekutimi i popullit çam gjatë regjimit komunist", 18 shkurt
- Projekti "Krijimi i Qendrës për Drejtësi dhe Transformim në Universitetin e Tiranës", 18 shkurt
- Ceremoni përkujtimore në Burgun e Gjirokastrës, 19 shkurt
- Shfaqja e dokumentarit "Fëmijët e diktaturës", 19 shkurt
- Prezantimi digjital i Hartës së Vendeve të Vuajtjes, 20 shkurt
- Ceremonia e Çmimeve – "Pyet Gjyshërit", 20 shkurt
Përmbledhje
- Dita 1, 13 shkurt 2020: Hapja e "DITËVE TË KUJTESËS"
- Dita 2, 14 shkurt 2020: "Edukimi i historisë dhe kurrikula shkollore pas 1990-ës"
- Dita 3, 15 shkurt 2020: Ekspozita "Dritë përtej errësirës"
- Dita 4, 17 shkurt 2020: Prezantohet Fjalori Enciklopedik i Viktimave
- Dita 5, 18 shkurt 2020: "Persekutimi i popullit çam gjatë regjimit komunist"
- Dita 6, 19 shkurt 2020: Dokumentari "Fëmijët e diktaturës"
- Dita 7, 20 shkurt 2020: Harta digjitale, fituesit e konkursit
Dita 1, 13 shkurt 2020: Hapja e "DITËVE TË KUJTESËS"
Synohet ndërgjegjësimi dhe forcimi i dialogut rreth krimeve dhe pasojave të së shkuarës diktatoriale
Nisi sot edicioni i pestë i "DITËVE TË KUJTESËS" aktiviteti i kthyer në traditë tashme nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) dhe që synon të ndërgjegjësojë dhe forcojë dialogun rreth krimeve dhe pasojave të së shkuarës diktatoriale.
Aktivitetet nisën me ekspozitën ndërkombëtare "Totalitarizmi në Evropë" dhe një diskutim mes ekspertëve vendas dhe të huaj rreth represionit stalinist duke vënë në analizë diktaturën që përjetoi Shqipëria me atë që përjetuan shtete të tjera.
Ekspozita mblodhi në "Sheshin Skënderbej" diplomatë, qytetarë, ish-të përndjekur dhe dhjetëra të rinj, të cilët patën mundësi të shihnin të përmbledhur bashkë informacione me grafikë rreth sistemeve totalitare të mbi 13 shteteve të Evropës. Në fjalën përshëndetëse, Drejtoresha e IDMC, Jonila Godole, vlerësoi se ajo vë në dukje faktin se historia e totalitarizmit që përjetoi Shqipëria është histori e përbashkët evropiane, histori të cilën Presidenti i Platformës Europiane të Kujtesës dhe Ndërgjegjes (PEMC) Łukasz Kamiński e cilësoi tejet tragjike.
Më tej në ceremoninë që u mbajt në hotel Tirana, u Drejtoresha e IDMC kujtoi disa nga synimet që "DITËVE TË KUJTESËS" kanë pasur që në vitin 2015 kur u organizua aktiviteti i parë. Ajo theksoi se situata nuk ka ndryshuar shumë, pasi ish-të përndjekurit nuk kanë ende një memorial, e shkuara vazhdon të jetë e trajtuar me mangësi në tekstet shkollore ndërsa shoqëria mbetet pak e ndërgjegjësuar. Godole sidoqoftë vlerësoi punën e bërë ndër vite, sidomos me të rinjtë në vizitat studimore dhe konkurset. Kjo u vlerësua edhe nga Drejtori i KAS, Tobias Rüttershoff, i cili tha se "projekti 'DITËT E KUJTESËS' do të vazhdojë pasi për shkak të mungesës së sensibilizimit rrezikon që të rinjtë të dinë më pak rreth së shkuarës dhe pa njohur të shkuarën nuk mund të ketë të ardhme".
Të pranishëm në hapjen e Ditëve të Kujtesës ishin shkrimtarja Alma Liço, studiuesit Idrit Idrizi, Paul Lendvai, Łukasz Kamiński dhe Jörg Baberowski.
Baberowski, një nga studiuesit më të njohur të stalinizmit në Evropë, theksoi se jo çdo diktaturë ishte staliniste, por ajo e Shqipërisë ishte tejet e ngjashme me të. Studiuesi gjerman tregoi shembullin e Wasili Petrowitsch, një anëtari partie në Bashkimin Sovjetik, i cili i besonte dhe i shërbente propagandës staliniste, kishte qenë torturues dhe informator dhe që pavarësisht abuzimeve, më vonë pretendoi me këmbëngulje se ishte krenar për atë periudhë. Baberowski tha se terrori ishte ai që e dallonte totalitarizmin stalinist, një terror, që nuk kurseu asnjë shtresë të shoqërisë, as vetë komunistët. Një terror që nuk linte liri as për disidencë.
Shkrimtarja Liço tregoi për përndjekjen e familjes së saj përjashtimin nga shkolla dhe internimin, ndërsa publicisti austriak Lendvai analizoi më tej se fatura më e shtrenjtë e totalitarizmit ishte tradhtia e intelektualëve, të cilët heshtën duke e mbytur më shumë shoqërinë nën terror.
"Intelektualët duhet të ngriheshin dhe duhet të ngrihen edhe sot, kur represioni më keq i trashëguar nga regjimet totalitare është represioni që dikton korrupsioni."
Ai theksoi se problem nuk mbetet e ardhmja më shumë se sa fakti që nuk thuhet e vërteta për të shkuarën, problem që ai tha se e shihte edhe në Shqipëri.
Studiuesi polak Kamiński tregoi rreth përndjekjeve dhe ekzekutimeve në Poloni, ndërsa më tej historianë dhe ish-të përndjekur të cilët ndoqën aktivitetin i pyetën ekspertët rreth ngjashmërive apo ndryshimeve mes totalitarizmit shqiptar me ato që u ngritën në Evropë.
"DITËT E KUJTESËS" organizohet nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) në mbështetje me fondacionin gjerman Konrad Adenauer (KAS) dhe aktorë të tjerë të fushës së kujtesës.
Dita 2, 14 shkurt 2020: "Edukimi i historisë dhe kurrikula shkollore pas 1990-ës"
Organizohet konferenca ndërkombëtare "Edukimi i historisë dhe kurrikula shkollore pas 1990-ës"
Në kuadër të "DITËVE TË KUJTESËS", Instituti për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC) me mbështetje të fondacionit gjerman Konrad Adenauer (KAS), organizoi konferencën ndërkombëtare "Edukimi i historisë dhe kurrikula shkollore pas 1990-ës".
Në 3 sesione me 15 kumtesa të ndryshme, konferenca solli në vëmendje trajtimin e historisë së sistemeve totalitare në arsimin parauniversitar ku ekspertë të huaj sollën edhe ekspertizë me shembuj nga Gjermania e Polonia.
Drejtoresha e IDMC, Jonila Godole theksoi se, duke parë mangësitë që shfaqeshin, që prej vitit 2014, Instituti ka synuar përmirësimi i kurrikulës duke zhvilluar konsultime, trajnime, konferenca, botime dhe vizita studimore me mësuesit. Ajo tha se gjërat kanë ndryshuar, por që në një anketim me rreth 300 mësues historie, realizuar së fundmi nga IDMC dhe Shoqata Kombëtare të Mësuesve të Historisë së Shqipërisë (ALBNA), nxori në pah se problemet kryesore vazhdojnë të mbeten.
"Rreth tre të katërtat e mësuesve u shprehën se ndjejnë mangësi në kurrikulën mësimore për sa i përket trajtimit të historisë së diktaturës. Kjo tregon se problemet mbeten. Ndaj IDMC po punon për të sjellë botimin e tretë të 'Komunizmi përmes dokumenteve arkivore', të mundësojë më tepër trajnime dhe mbledhje të dëshmive të ish-të përndjekurve, në mënyrë që nxënësit ta kenë më të plotë informacionin që ata do të mund të marrin në shkolla."
Przemysław Gasztold nga Instituti i Kujtesës Kombëtare në Poloni solli përvojën polake. Ai tregoi se nën moton "Historia jonë krijon identitetin tonë" Instituti polak, merrte përsipër punë kolosale. Me rreth 2,500 punonjës merrej me lustracionin, hulumtimin dhe denoncimin e krimeve të komunizmit, por prej 20 vitesh edhe me edukimin, pasi botonte vazhdimisht tekste dhe buletine me informacione, të cilat merreshin në shqyrtim nga kurrikula e arsimit parauniversitar.
Më pas kryetari i shoqatës gjermane të mësuesve të historisë, Ulrich Bongertmann, tregoi përvojën e hasur në Gjermani. Pas rrëzimit të murit dhe bashkimit të Gjermanisë Lindore me atë Perëndimore, Bongertmann tregoi se në fillim kurrikula e arsimit parauniversitar e ish-lindjes komuniste mori gjithë pjesën e pas vitit 1945 nga ajo e perëndimit. Më pas disa rajone ndryshuan qasje dhe aplikuan këndvështrime të ndryshme më të zgjeruara në disa tema duke krijuar një kurrikul shumë të ndryshme për lande të ndryshme.
Ekspertja e kurrikulës, Fatmiroshe Xhemalaj tregoi historikun e ndryshimeve të librit të historisë në arsimin parauniversitar pas vitit 1990. Ajo tha se deri në vitin 2005, ndryshimet janë diktuar kryesisht nga ndërhyrjet politike. Ndërsa vlerësoi si pozitive caktimin e rreth 12 orëve mësimore, Xhemalaj u shpreh se "periudha komuniste nuk është e shkuar, por e tashme, sepse ajo mbetet pengesë në pajtimin e shoqërisë, në proceset integruese brenda vendit por dhe në Evropë, gjë për të cilën nevojitet një edukim shumë herë më i mirë".
Çelo Hoxha, drejtor i Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) e përqendroi diskutimin te shpjegimi i mangët i koncepteve të diktaturës. Ai tha se në kurrikulën shkollore nxënësve u duhet mësuar e vërteta e koncepteve si puna vullnetare, prona socialiste, kooperativa etj. Koncepte të tilla "nuk ishin të vërteta, sepse puna vullnetare ishte me detyrim, prona socialiste nuk ishte e askujt, në kooperativa fshatari nuk zotëronte asgjë". Drejtori i ISKK tha se vetëm shpjegimi i saktë i koncepteve mund të sjellë dhe edukim më cilësor.
Kumtesa të tjera mbajtën historiani Petrit Nathanaili, pedagogia Justina Dhimitri, drejtoresha e ALBNA Vojsava Kumbulla, studjuesi Myrteza Sharra, shkrimtarja Alma Liço, eksperti nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit Skënder Vrioni, mësuesi Nuredin Nazarko, por dhe gjimnazistja Kristina Shahinaj.
Në fund të konferencës, drejtuesja e IDMC Jonila Godole u shpreh se diskutimet do të përmblidhen në një botim në mënyrë që autoritetet të jenë nën trysni për ta përmirësuar kurrikulën.
Dita 3, 15 shkurt 2020: Ekspozita "Dritë përtej errësirës"
Çelet ekspozita "Dritë përtej errësirës" te Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër
Te Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër u çel ekspozita me materiale fotografike dhe historike "Dritë përtej errësirës" mbi ateizmin shtetëror dhe persekutimin e klerit në Shqipëri gjatë diktaturës komuniste.
Ekspozita i dedikohet luftës kundër besimit, masave administrative që shteti komunist mori për t'ju kundërvënë atij dhe gjithashtu propagandën e forte dhe të egër që shoqëroi jetët e shqiptarëve për 45 vjet. Kjo ekspozitë gjithashtu përkujton të gjithë ata njerëz që u dënuan, vuajtën në burg, vdiqën në tortura ose u ekzekutuan, vetëm për shkak të besimit dhe funksionit të tyre fetar. Një pjesë e rëndësishme u kushtohet objekteve të kultit që u transformuan.
Në të mbajtën fjalën përshëndetëse drejtori i KAS Tirana, z. Tobias Rüttershoff, kryetarja e bashkisë së Shkodrës, znj. Voltana Ademi, si dhe foli rreth besimit fetar gjatë regjimit komunist arkipeshkopi i Shkodrës, z. Angelo Massagra.
Dita 4, 17 shkurt 2020: Prezantohet Fjalori Enciklopedik i Viktimave
Prezantohet libri me ilustrime "Kundër rrymës" dhe "Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist".
Në kuadër të "DITËVE TË KUJTESËS", fondacioni gjerman Konrad Adenauer (KAS), organizoi prezantimin e librit me ilustrime "Kundër rrymës" si edhe të "Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist, Vëll. VIII" në bashkëpunim me Institutin e Studimit të Krimeve të Komunizmit.
Libri me ilustrime u drejtohet kryesisht fëmijëve dhe të rinjve. Aty tregohet jeta e biologes dhe iktiologes, Sabiha Kasimati, përmes ilustrimeve nga perspektiva e peshqve, të cilët ajo i studioi aq intensivisht. Ky libër ka si qëllim të ndihmojë lexuesit e rinj, të kuptojnë terrorin e regjimit komunist në Shqipëri, si dhe t'i vetëdijësojë ata, se krijimtaria në shkencë dhe në jetë mund të lulëzojë vetëm në liri.
Pas prezantimit të librit dhe ekspozitës, u mbajt një bashkëbisedim mes drejtorit të KAS në Shqipëri z. Tobbias Rüttershoff, autoreve lituaneze, Lina Itagaki dhe Vytene Muchick, si dhe historianit, Uran Butka.
Më tej u prezantua vëllimi VIII i Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Regjimit Komunist, një prodhim i ISKK-së me mbështetjen e KAS Tirana.
Dita 5, 18 shkurt 2020: "Persekutimi i popullit çam gjatë regjimit komunist"
Organizohet konferenca "Persekutimi i popullit çam gjatë regjimit komunist"
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Shoqatën Çamëria dhe me mbështetje të Fondacionit gjerman Konrad Adenauer (KAS), organizuan sot konferencën "Persekutimi i popullit çam gjatë regjimit komunist", e cila ishte pjesë e aktiviteteve të edicionit të pestë të "DITËVE TË KUJTESËS".
Në konferencë morën pjesë dhjetëra familjarë, ish-të përndjekur, studiues dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme që mbështesin çështjet e kujtesës. Aktiviteti u hap nga drejtoresha e IDMC, Jonila Godole. Ajo tha se persekutimi i shqiptarëve të Çamërisë gjen pak hapësirë në media.
"Kaq pak kemi folur për atë çka i ka ndodhur çamëve përpara dhe gjatë diktaturës, sa brezat e rinj nuk kanë shumë dijeni. 'DITËT E KUJTESËS' synojnë pikërisht ndërgjegjësimin rreth atyre krimeve dhe që të rinjtë të njihen me to."
Kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, foli si çam duke treguar historikun e përndjekjeve të viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore. Ai tha se rreth 200 familje u përndoqën edhe pse ishin antifashiste dhe u organizuan me çeta partizane për të luftuar pushtuesit. Idrizi u shpreh se 30 vite pas rrëzimit të regjimit, ndarja me të shkuarën mbetet problem. Ai kujtoi nismat e lëna përgjysmë nga politika dhe këmbënguli se "historia e diktaturës, që i zhveshi shqiptarët nga patriotizmi, besimi në zot dhe çdo vlerë njerëzore, ka nevojë të domosdoshme për t'u përballur".
Dritan Sejko, kryetar i Shoqatës Çamëria, tregoi se komunistët u pajtuan me grekët dhe ndryshuan emrin e çetës Çamëria në Thanas Ziko, një minoritar. Në vitin 1949 ata përndoqën themeluesit e kësaj çete. Në vitin 1953 çamëve iu konfiskuan dokumentet që kishin dhe iu hoq shtetësia greke, ndërsa në vitet '60 nisën gjyqet famëkeqe ndaj të ashtuquajturit Grupi Çam me në krye ushtarakun e dalluar Teme Sejkon.
"Në këto vite të gjitha familjet çame vuajtën diskriminime, persekutime dhe internime të shumta, ndërsa e gjithë pjesa tjetër u detyrua të heshtë."
Për familjet çame, Altin Hoxha, nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) zbuloi se deri më sot janë gjetur mbi 100 mijë faqe dokumente të mbajtura nga Sigurimi. Ai tha se gjatë diktaturës për shqiptarë të Çamërisë u dhanë 1.500 vite burg, 25 dënime me pushkatim, ndërsa dhjetëra të tjerë vdiqën burgjeve dhe sot nuk kanë as varr.
Hektor Sejko, nip i Teme Sejkos, tregoi se atyre nuk iu tha asgjë për fatin e të afërmit të tyre deri sa regjimi u rrëzua në fillim vitet '90. Ai rrëfeu se Teme rezulton i pushkatuar, por në dokumente të arkivave kishte mësuar se ai nuk ishte ekzekutuar, por zhdukur. Të njëjtin fat pati edhe babai i tij Taho dhe të afërm të tjerë.
"Sot Teme Sejko, Taho Sejko, Sulo Sejko dhe Sokol Sejko nuk kanë varr. Sot historia e tyre duhet zbardhur dhe kujtuar."
Agim Plaku dhe Shkëlqim Jahaj treguan gjithashtu për përndjekjet rrëqethëse që çamët e Konispolit vuajtën pas luftës edhe pse ata e kishin luftuar pushtuesin. Ahmet Mehmeti, gjithashtu çam, i cili u përndoq gjatë diktaturës, tregoi për përndjekjet e shkrimtarit Bilal Xhaferri.
"Në dosjen e Bilalit kam mundur të gjej mbi 400 faqe dokumente. Ndaj tij Sigurimi kishte angazhuar 18 bashkëpunëtorë, rreth 60 familjarë ishin marrë në shqyrtim ndërsa prej survejimit implikoheshin 83 persona të tjerë. Kjo tregon masën e përndjekjes që vuajti Xhaferri, vetëm se ishte shkrimtar dhe nuk lëvizte nga fjala e tij."
Më tej pati diskutime me të pranishmit, ku disa familjarë ngritën me shqetësim faktin se ende nuk po munden të gjejnë eshtrat e të afërmve të tyre.
Pas diskutimeve, të pranishmit kishin mundësi të shikonin nga afër dokumente që Sigurimi i Shtetit mbajti për familjet çame si Sejko, apo Plaku.
Projekti "Stabilizimi i Qendrës për Drejtësi dhe Transformim te Universiteti i Tiranës"
Në këtë ditë edhe Prezenca e OSBE në Shqipëri, prezantoi projektin e saj më të ri, i cili konsiston në krijimin e një qendre për promovimin e kërkimit shkencor në fushën e drejtësisë tranzitore në Shqipëri që do të ngrihet në Universitetin e Tiranës.
Projekti për krijimin e "Qendrës për Drejtësi dhe Transformim" u paraqit në kuadër të "DITËVE TË KUJTESËS". Në takim morën pjesë zyrtarë të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, përfaqësues të ish-të përndjekurve politikë, si edhe studentë dhe të interesuar në temën e drejtësisë tranzitore. Kërkuesit shkencorë të projektit, ekspertë kombëtarë nga fusha e drejtësisë, shkencave sociale dhe historisë prezantuan modulet mbi drejtësinë tranzitore.
Prezenca e OSBE-së po e zbaton projektin për krijimin e Qendrës për Drejtësi dhe Transformim në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Sociale, Fakultetin e Drejtësisë dhe Fakultetin e Histori-Filologjisë, me mbështetjen financiare të qeverisë gjermane dhe asaj zvicerane.
Dita 6, 19 shkurt 2020: Dokumentari "Fëmijët e diktaturës"
Shfaqet dokumentari "Fëmijët e diktaturës"
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë në bashkëpunim me Delegacionin e BE-së në Shqipëri, në kuadër të edicionit të pestë të "DITËVE TË KUJTESËS" rishfaqi "Fëmijët e diktaturës", një dokumentar autobiografik mbi jetën e katër fëmijëve shqiptarë të lindur dhe rritur në burgjet komuniste dhe kampet e internimi ndërmjet viteve 1945–1990. Eventi mblodhi mbrëmjen e kaluar historianë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj si dhe një audiencë ndërkombëtare në Shtëpinë e Evropës.
Në këtë dokumentar Alma Liço, Ridvana Mena, Lurian Mena dhe Simon Mirakaj u rikthehen vendeve ku ata jetuan si "armiq të popullit". Historitë e tyre personale si të përndjekur politikë në Shqipërinë komuniste u diskutuan pas shfaqjes së dokumentarit.
"'Fëmijët e Diktaturës' është një mundësi e vlefshme për t'i dhënë zë historive të njerëzve që vuajtën gjatë periudhës komuniste, në mënyrë që brezat e rinj të mësojnë për të kaluarën tonë. Kjo duhet të reflektohet edhe në aktivitetet shkollore," tha Jonila Godole nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC).
"Fëmijët e Diktaturës" u realizua me regjinë e Besnik Bishës dhe u prodhua nga IDMC me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer (KAS).
Organizohet akademia përkujtimore "Nuk harrojmë!"
KAS dhe Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë organizuan sot akademinë përkujtimore "Nuk Harrojmë!", në nderim të martirëve antikomunistë dhe të burgosurve të burgut politik të diktaturës komuniste në Kalanë e Gjirokastrës. Burgu i Kalasë së Gjirokastrës, njihet si një ndër më mizorët në diktaturë përgjatë viteve 1944–1967.
Në këtë aktivitet, në praninë edhe të kryetarit të Bashkisë Gjirokastër u vendos një pllakë përkujtimore në hyrje të Kalasë Gjirokastër. Gjithashtu ish-të burgosur, të afërmit e tyre, historianë dhe të tjerë ndanë eksperiencat, mendimet dhe fakte të tjera historike rreth këtij burgu.
Dita 7, 20 shkurt 2020: Harta digjitale, fituesit e konkursit
Prezantohet harta digjitale për kampet e internimit, burgjet gjatë periudhës komuniste
Në sallën Konrad Adenauer pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë u prezantuan për herë të parë në një hartë digjitale për kampet e internimit, burgjet dhe kampet e punës së detyruar gjatë periudhës komuniste. Video-prezantimi u realizua nga "kujto.al" në bashkëpunim me KAS.
Një udhëtim afërsisht 20-minutësh në kampe internimi, burgje dhe kampe pune të detyruar që shënuan hartën e Shqipërisë për gati 45 vjet gjatë periudhës komuniste. Një përshkrim historik dhe i gjallë i vendeve të ndëshkimit dhe vuajtjes, të burgosurit që vuajtën në to dhe ngjarjet që i tronditën. Qëllimi i kësaj prezantimi video është të na prezantojë me dimensionet e paimagjinueshme që një vend i vogël si Shqipëria kishte në hartën e tij të vuajtjes.
Shpallen fituesit e konkursit të përvitshëm "Pyet Gjyshërit 4"
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në mbështetje të Fondacionit gjerman Konrad Adenauer (KAS), përmbylli edicionin e pestë të "Ditëve të Kujtesës" me ceremoninë e shpalljes së fituesve të konkursit të përvitshëm "Pyet Gjyshërit".
Në ceremoninë që u zhvillua në Hotel Tirana morën pjesë nxënës, prindër, mësues, ish-të përndjekur, gazetarë dhe përfaqësues të ambasadave.
Për javë me radhë, juria e përbërë nga drejtoresha e IDMC, Jonila Godole, ekspertja e historisë, Fatmiroshe Xhemalaj, pedagogia, Rozi Kostani, shkrimtari, Ylljet Aliçka, dhe ish-i përndjekuri, Lekë Tasi, vlerësuan punimet e ndryshme që u paraqitën nga shkolla dhe gjimnaze nga e gjithë Shqipëria.
Si fillim IDMC vlerësoi me çmime mirënjohjeje për kontributin e dhënë ndër vite për konkursin. U vlerësua kontributi i Fatmiroshe Xhemalajt dhe i ish-të përndjekurit Reshat Kripa.
Çmimi i rrjetit shkoi për nxënësit e gjimnazit "Petro Nini Luarasi" në Tiranë: Klodian Çelmeta; Ardien Gjabri; Evi Robaj me punimin "Harabelat" që mori mbi 800 pëlqime në Facebook. Vlerësimi u dha nga ambasadori i Austrisë, Christian Steiner.
Çmimi i tretë shkoi për nxënëset e gjimnazit "Asim Zeneli" në Gjirokastër: Vivia Horaj, Livia Mevlani, Elina Shametaj me punimin "Regjimi komunist në qytetin e gurtë të Gjirokastrës". Vlerësimi u dha nga drejtuesi i fondacionit gjerman Konrad Adenauer, Tobias Rüttershoff.
Çmimin e dytë e fitoi Ledjana Kanina nga gjimnazi Fuat Babani në Bilisht. Punimi i saj "Gjyshi im" ishte i vetmi punim individual i konkursit të këtij viti dhe fliste për jetën në një fshat kufitar gjatë diktaturës. Vlerësimi iu dha nga dy prej anëtarëve të jurisë, Rozi Kostani dhe Ylljet Aliçka.
Çmimi i parë iu dha nxënësve të gjimnazit "Jan Kukuzeli" në Durrës: Endi Shani, Klevis Caka dhe Eni Duka me punimin "DiktArt" që përcillte deformimin e përfytyrimit artistik gjatë diktaturës. Vlerësimin ua dha ish-i përndjekuri, Lekë Tasi.
Fituesit e çmimeve do të kenë mundësinë e një udhëtimi në vendet e kujtesës në Poloni si Auschwitz, Krakow dhe Wroclaw. Ndërkohë që të gjithë nxënësit e 10 punimeve finaliste do të mund të marrin pjesë në ekskursionin në vendet e kujtesës në Shqipëri.
Ky ishte edicioni i katërt i konkursit "Pyet Gjyshërit", që angazhon të rinjtë të mbledhin dëshmi nga të afërmit e tyre rreth së shkuarës dhe t'i paraqesin ato përmes punimeve në multimedie.
"Pyet Gjyshërit" ishte pjesë e Ditëve të Kujtesës, një organizim i IDMC-së mbështetur nga Konrad Adenauer dhe aktorë të tjerë të fushës së kujtesës, që synon ndërgjegjësimin e shoqërisë për pasojat e krimeve të diktaturës dhe forcimin e dialogut dhe reflektimit mbi të shkuarën.