Ditët e Kujtesës '21

Të dashur miq dhe kolegë,
duke uruar të jeni mirë në këtë kohë pandemie, kemi kënaqësinë t'ju ftojmë të shënoni në kalendarin tuaj datat e edicionit të gjashtë të "DITËVE TË KUJTESËS", 19–26 shkurt 2021. "DITËT E KUJTESËS" janë një aktivitet i përvitshëm i Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS), qysh prej Tetorit të vitit 2016.
Ky vit shënon 30 vjetorin e rrëzimit të statujës së diktatorit Enver Hoxha në sheshin "Skënderbej", më 20 shkurt 1991, si akt simbolik i rënies së regjimit totalitar në Shqipëri. A ra diktatura gjysmëshekullore komuniste përmes një "revolucioni popullor nga poshtë"? Cilat ishin sfidat e drejtësisë tranzitore për dënimin e krimeve të komunizmit? Cilat janë politikat e kujtesës që u aplikuan në këto dekada dhe si e ndikojnë ato qasjen e shoqërisë shqiptare ndaj kësaj periudhe të errët historike? Aktivitete të ndryshme dhe ekspertë të fushës brenda e jashtë vendit do t'u japin përgjigje këtyre pyetjeve dhe më gjerë. Folësi kryesor i këtij edicioni do të jetë historiani i mirënjohur, Prof. Dr. Oliver Schmitt (Austri), i cili do të referojë në ceremoninë e hapjes më 19 shkurt 2021.
Gjatë kësaj jave kujtese, IDMC dhe KAS, në bashkëpunim me ISKK, Ambasadën Austriake në Shqipëri, kujto.al, Shoqatat e ish- të përndjekurve politikë dhe aktorë të tjerë të fushës do të sjellin aktivitete të përditshme me qëllim forcimin e dialogut mbi të shkuarën dhe njohjen më të mirë të regjimit komunist, si: forume diskutimi, prezantim ekspozitash, vizita studimore në Vendet e Kujtesës, shfaqje filmash e dokumentarësh, prezantim publikimesh, etj.
Siç e kemi kthyer në traditë nga vitet e kaluara, jeni të mirëpritur deri në datën 10 Janar 2021, të propozoni aktivitetet tuaja, të cilat lidhen me moton e këtij edicioni.
Ndër të tjera, këtë vit mund të ndiqni:
- Ceremonia e hapjes së "DITËVE TË KUJTESËS", IDMC, 19 shkurt
- Forum Online: "A e njohim ne më mirë komunizmin?", IDMC, 19 shkurt
- Ekspozita "Rrëzimi i statujës së diktatorit Enver Hoxha", IDMC, 20 shkurt
- Shfaqja e dokumentarit "Nga Skënderbeu te Enver Hoxha" (1984), Paul Lendvai, Ambasada Austriake në Shqipëri
- Vizita në Vendet e Kujtesës, IDMC + KAS + Shoqata të të përndjekurve politikë
- Prezantim i kolanës studimore mbi komunizmin, ISKK
- Prezantim i hartës digjitale, KAS + kujto.al
- Tryezë e rrumbullakët "30 vjet pas komunizmit", KAS + ISP
- Prezantim i publikimit: "Gjenocidi mbi kulakët 1948–1990", KAS + Antikomunistët
- Prezantim i studimit "Filmat e ish-Kinostudios, propagandë apo pasuri kombëtare?", IDMC
- Diskutim "Propaganda, lajmi i rremë dhe dezinformimi si cenim i demokracisë", IDMC
- Etj.
Përmbledhje
- Dita 1, 19 shkurt 2021: Hapja e "DITËVE TË KUJTESËS"
- Dita 2, 20 shkurt 2021: Ekspozita "Rënia e një diktatori"
- Dita 3, 22 shkurt 2021: Leksionet e demokracisë
- Dita 4, 23 shkurt 2021: Prezantimi i ekspozitave, librat dhe Kampi Virtual
- Dita 5, 24 shkurt 2021: Harta e Kujtesës dhe dokumentari "Nga Skënderbeu te E. Hoxha"
- Dita 6, 25 shkurt 2021: Prezantim libri dhe studimi
- Dita 7, 26 shkurt 2021: Përkujtimi i 22 intelektualëve, mbyllja e "DITËVE TË KUJTESËS"
Dita 1, 19 shkurt 2021: Hapja e "DITËVE TË KUJTESËS"
Edicioni i gjashtë i "DITËVE TË KUJTESËS" hapet me akademikun austriak Oliver Schmitt
Tri dekada pas rënies së regjimit komunist, njohja e së shkuarës dhe qasja ndaj saj, ende përbën një bosht për të ndërtuar të tashmen dhe të ardhmen në Shqipëri. Jo vetëm si nevojë për të njohur historinë, por edhe si refuzim i kulturës së mosndëshkueshmërisë në vend. Shpërfillja e së shkuarës, e fateve njerëzore, e grupeve të ndryshme shoqërore, ka zënë fill menjëherë pas rënies së regjimit dhe vijon ende, duke bërë që në forma të ndryshme ish-nomenklatura të ketë ende ndikim në shoqëri. Ky është mesazhi kryesor që shënoi edicionin e VI të Ditëve të Kujtesës, organizuar nga Instituti për Demokraci, Media e Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS) dhe aktorë të tjerë të fushës së kujtesës.
Edicioni i VI i Ditëve të Kujtesës u hap me praninë e Presidentit të vendit, z. Ilir Meta, kreut të Prezencës së OSBE-së, z. Vincenzo del Monaco, drejtori i Fondacionit "Konrad Adenauer", Tobias Rüttershoff, historiania shqiptare, znj. Valentina Duka, historiani shqiptar në SHBA z. Elidor Mëhilli, historiani zvicerian, z. Daniel Ursprung.
Jonila Godole, drejtore e IDMC, tha në hapje se, një edicion i pazakontë si ky, në kushte pandemie, që mbahet në salla bosh, do të ndiqej në platformat online, çka do të ofronte qasje për ish-të përndjekur ose publik të interesuar edhe jashtë vendit. Më tej ajo iu përgjigj pyetjes që i bëhet shpesh se pse vijon t'i organizojë "DITËT E KUJTESËS" duke mos i lënë "në paqe ata që duan të harrojnë të shkuarën".
"Fajin nuk e ka gishti që plaga nuk mbyllet, por ilaçi që kemi përzgjedhur për ta kuruar atë, dhe kjo është harresë e qëllimtë. Kemi dënuar me heshtje disidentët dhe zërat e së shkuarës, e kemi banalizuar të keqen duke bashkëjetuar me të, ne kemi neglizhuar, dhe kemi heshtur ndaj glorifikimit të figurave publike, që kanë bashkëpunuar me regjimin duke dëmtuar të tashmen dhe të ardhmen tonë."
Drejtori i KAS, Tobias Rüttershoff, duke vënë theksin te roli i drejtësisë së tranzicionit në ndëshkimin e krimeve të regjimit dhe te roli i politikës së kujtesës në tri dekada, tha se vetëm përmes përballjes dhe dënimit të krimeve, viktimat e regjimit mund të gjejnë paqe.
"40 vitet e shtypjes së regjimit kanë lënë gjurmë në shoqëri dhe në politikë, gjë që na bën ne të kemi një detyrim moral për të mos e harruar të shkuarën, por të përballemi me të që të kemi një të ardhme më të mirë. Ndaj potenciali dhe limitet e politikave të lustracionit si edhe roli në mekanizmat e drejtësisë tranzicionale, forcimi i demokracisë dhe qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, janë në thelb të diskutimeve të Ditëve te Kujtesës."
Ambasadori i OSBE-së, Vincenzo del Monaco theksoi se "përmes një dialogu të pjekur, që përfshin kërkimet mbi të shkuarën, ajo mund të kuptohet në mënyrë që mësimet e marra mbi të, të integrohen në shoqërinë e tashme në mënyrë që të shmanget rënia në grackën e të harruarit të së shkuarës. Dialogu është fjala kyç, sepse muzetë nuk mjaftojnë." Duke cituar Hanah Arendt, ai foli për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë që shmang përsëritjen e së shkuarës.
Folësi kryesor i këtij edicioni ishte akademiku austriak Oliver Schmitt, i cili në fjalën e tij në tryezën i tryezës së diskutimit "30 vjet më pas, sa e njohim komunizmin?", tha se Shqipëria zyrtare përpiqet deri më sot t'i mënjanojë ose shpërfillë kampet-burgjet komuniste, ish-të burgosurit margjinalizohen, shoqërisht dhe në kujtesën zyrtare. Ai vërejti se "hulumtimi kritik i historisë bashkëkohore mund të zhvillohet shumë vështirë, veçanërisht nuk mund të zhvillohet në universitete dhe akademitë e shkencave, edhe për shkak të vazhdimësive personale me regjimet komuniste. Përpjekjet e intelektualëve pothuajse gjithmonë hasin në rezistencë të fortë, shpesh të formuluar në mënyrë agresive nga ish-nomenklatura komuniste dhe pasardhësit e tyre".
Akademiku austriak, theksoi se hulumtimi ndërkombëtar mbi komunizmin punon shumë në formë krahasimore.
"Në këtë kontekst, historianët që punojnë në Shqipëri janë në të vërtetë inekzistent. Nga shtetet sovrane të epokës komuniste sipas ligjit ndërkombëtar (dhe këto nuk përfshihen tri republikat ish-Jugosllave!), vetëm Shqipëria nuk përfaqësohet në debatin ndërkombëtar me institucione shkencore."
Sipas Schmitt, nëse Shqipëria është ndopak e dukshme, kjo është në sajë të grupit të vogël të sipërpërmendur të intelektualëve jashtë vendit.
"Në kontekstin e sipërpërmendur të hulumtimit krahasues të komunizmit pozicioni i tyre megjithatë nuk është i lehtë. Kjo, sepse ato rezultate që ata kanë për të ofruar nuk korrespondojnë gjithmonë me mendimet dhe teoritë mbizotëruese të hulumtimit të komunizmit."
Në vijim, Presidenti Ilir Meta u shpreh se në forma të reja, problematikat e periudhës komuniste, i gjejmë ende sot. Mes tyre, ai përmendi, qasjen ndaj së shkuarës, pranimin e fajit për krimet e bëra gjatë asaj periudhe, vlerësimin dhe kompensimin e personave që kanë vuajtur dënime të padrejta.
"Është e rëndësishme të kujtojmë çfarë ky vend ka kaluar gjatë kësaj periudhe të errët, për të ecur të sigurt në të ardhmen. T'i kujtojmë ato ditë të errëta, për të nxjerrë mësime, t'i kujtojmë ato, për të mos lejuar, që hijet e së shkuarës të kërcënojnë të tashmen dhe të ardhmen e vendit. T'i kujtojmë ato kohë të zymta, për të na kujtuar dhe rikujtuar se sa e brishtë është demokracia dhe institucionet e saj. Për të na kujtuar se shtypja e reagimit qytetar, e shprehjes dhe e lirisë së mendimit është në fakt instalim i diktaturës. Për ta na kujtuar se, një popull që fle në demokraci, mund të zgjohet në diktaturë."
Të gjithë të pranishmit e vunë theksin në fjalën e tyre te e shkuara si element i rëndësishëm në ndërtimin e së ardhmes së fushës së kujtesës.
Dita 2, 20 shkurt 2021: Ekspozita "Rënia e një diktatori"
Me rastin e 30-vjetorit të rrëzimit të statujës së diktatorit Enver Hoxha u çel të shtunën, më 20 shkurt, në sheshin "Skënderbej", ekspozita "Rënia e një diktatori". Ekspozita, shfaqi fotografi dhe dokumente arkivore që treguan historinë e vënies dhe rrëzimit të shtatores, sikundër edhe protestat e studentëve. Në disa panele të ndryshme, ekspozita "Rënia e një diktatori" hodhi dritë mbi informacione të njohura dhe pak të njohura, nga vendimi për ngritjen e monumentit e deri në rrëzimin e tij. Vdekja e diktatorit, kulti i individit, thyerja e frikës, dokumentohen hap pas hapi, me faksimile vendimesh, fotografi të kohës dhe pasqyrimin në mediet e huaja e atë shqiptare të ngjarjeve që ndodhnin në vend. Imazhe të rralla të rrugëve të Tiranës në shkurtin e 30 viteve më parë, treguan grumbullimin e qytetarëve pranë shtatores, ashtu siç erdhën të riprodhuara, imazhet e qytetarëve shqiptarë, më 1985 kur diktatori vdiq dhe qyteti e vajtonte.
Në aktivitetin e organizuar nga IDMC në kuadër të "DITËVE TË KUJTESËS", të pranishëm ishin ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, drejtori i drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, drejtori i ISKK-së, Çelo Hoxha, dhe drejtoresha e IDMC-së, Jonila Godole.
"Duhet të kishim disa dokumente që të na shpjegonin më tepër atë që Byroja Politike po mendonte pas vdekjes së diktatorit, se çfarë do bëhej më tej. Por këto dokumente ende mbajnë siglën 'sekret', ndaj i bëj thirrje institucioneve përgjegjëse që sa më parë të deklasifikohen dhe historia të shkruhet dhe të analizohet siç ka qenë."
Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, në fjalën e mbajtur, nxiti vazhdimin dhe intensifikimin e punës përkujtimore ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri.
"Viktimat e diktaturës kanë të drejtën të mbahen mend. Është e rëndësishme të kujtojmë historinë e secilit dhe të ruajmë vendet e ngjarjes si vende përkujtimore. Një kulturë aktive e përkujtimit është gjithashtu e rëndësishme, në veçanti për të sensibilizuar të rinjtë për faktin se paqja, pluralizmi demokratik, toleranca dhe pranimi nuk janë dhe nuk kanë qenë marrë si të mirëqena në historinë e Evropës."
Erblin Vukaj që ka punuar me ekspozitën, vërejti se "ende nuk dihet se çfarë diskutohej në mbledhje dhe çfarë urdhrash qarkullonin, pasi disa prej urdhrave të atyre ditëve janë 'sekret shtetëror".
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, u shpreh se "këto aktivitete janë mënyra se si ne duhet të dialogojmë pa nevojën e fillimit të gjuetisë shtrigave që merret me emra individësh apo grupimesh. Kemi deklasifikuar tërësisht dokumentacionin që ka të bëjë me periudhën komuniste, me përjashtim të shumë pak që përbëjnë ende 'sekret shtetëror."
Në takim mori pjesë edhe Çelo Hoxha, Drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, i cili kujtoi lëvizjen e 30 viteve më parë, ndërsa theksoi se rrëzimi i shtatores pati efekt psikologjik.
Dita 3, 22 shkurt 2021: Leksionet e demokracisë
Të hënën, më 22 shkurt, u mbajt konferenca shkencore "Shqipëri 1990–2021. Leksionet e marra gjatë tranzicionit". Konferenca e organizuar nga Instituti i Studimeve Politike, në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer, në kuadër të "DITËVE TË KUJTESËS", u ndal gjatë te tranzicioni.
Konferenca nxori në pah se tranzicioni u përdor nga politikanët shqiptarë në tri dekada si alibi për dështimet dhe abuzimet me pushtetin. Sipas studiuesve, ishte kjo arsyeja kryesore që ata nuk punuar për ta shkurtuar periudhën e tranzicionit duke bërë që ai të vijojë ende. Profesor Afrim Krasniqi vërejti se Shqipëria ka një numër minimal studimesh mbi kalimin e shtetit nga diktatura në demokraci.
"Ne jemi një vend që patëm një nisje ndryshe të procesit demokratik. Patëm deri diku një revolucion që bëri zhvendosjen e elitave. Dhe elitat e para të pas 90-ës edhe elitat postomuniste, vijnë praktikisht nga e njëjta kulturë politike."
Profesoresha e Universitetit të Xhorxhias, Lori Amy, u ndal te terrorizmi shtetëror dhe traumat psikokulturore, që pësoi populli shqiptar gjatë diktaturës dhe i vuajti ato edhe gjatë tranzicionit. Ajo theksoi se ka ende sot, struktura që përpiqen të rehabilitojnë figurën e diktatorit Enver Hoxha dhe metodat e tij, siç janë frikësimi dhe kërcënimi i qytetarëve me humbjen e vendit të punës dhe sigurinë për familjen. Amy, që ka qenë vetë prezente në sheshin e Teatrit, solli një shembull krahasues të sjelljes së qeverisë aktuale, me Teatrin Kombëtar dhe piramidën të ndërtuar si muze për diktatorin. Ajo tha se Teatri Kombëtar u shkatërrua plotësisht edhe pse u mbrojt nga qytetarët me tri vite qëndresë, ndërsa po rindërtohet Piramida me një investim të madh. "Dua të sjell në vëmendje Teatrin Kombëtar si përsëritje e krimit shtetëror në mungesë të riparimit moral të shoqërisë shqiptare," tha ajo, ndërsa foli edhe për pronat në të dyja kohët.
Ish kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, foli për ndryshime epokale, por për të mbetet e paimagjinueshme që ende sot, që tranzicioni vazhdon.
"Ne jemi ende një vend në tranzicion përderisa ka aq shumë probleme që kanë të bëjnë më funksionimin e demokracisë liberale, me funksionimin e shtetit, me garantimin e të drejtave themelore të njeriut, me profesionalizmin dhe integritetin e atyre që na përfaqësojnë, në politikë dhe institucione, si edhe me korrigjimin e plagëve të së kaluarës."
Konferenca tregoi se tranzicioni vazhdon dhe se në tri dekada shoqëria ende nuk e ka tejkaluar të shkuarën dhe kulturën e saj.
Dita 4, 23 shkurt 2021: Prezantimi i ekspozitave, librat dhe Kampi Virtual
Të martën, më 23 shkurt, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë në bashkëpunim me Platformën Europiane për Kujtesë dhe Ndërgjegje, Vendin e Dëshmisë dhe të Kujtesës dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, prezantoi pesë ekspozita virtuale. Ekspozita "Totalitarizmi në Europë" iu kushtua kujtimit të jetëve njerëzore të humbura nga totalitarizmi dhe diversiteti etnik e kulturor në shekullin XX (nga PEMC). Ekspozita "Propaganda gjatë diktaturës" trajtoi aspektet e manipulimit politik të masave nga shteti komunist duke përdorur forma të ndryshme propagande, si artikuj dhe fotografi në shtyp, ceremoni zyrtare, karikatura, etj, për të cilën foli Brisejda Lala, historiane.
Ekspozita "Kartolina nga e shkuara", prezantuar nga Valbona Bezati, portretizoi me qasje kritike, aspekte të ndryshme të jetës gjatë komunizmit si: mungesa e lirisë, kushtet e vështira ekonomike, kulti i liderit të partisë, ndalimi i lëvizjes së lirë, propaganda komuniste etj.
"Rënia e diktatorit" me Erblin Vukaj, prezantoi përmes imazheve dhe dokumenteve arkivore, rënien e monumentit të diktatorit Hoxha që në mënyrë simbolike, shënoi edhe rënien e regjimit komunist.
Drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Jonila Godole, u shpreh se ekspozita të tilla ndihmojnë të rinjtë të njihen me të kaluarën. "Të rinjtë i kanë tashmë këto ekspozita të aksesueshme edhe për mësuesit dhe për të gjithë ata që mund t'i përdorin qoftë në orën e mësimit ose në projektet e tyre jashtë shkollë," tha Godole, gjatë konferencës virtuale në "zoom" ku të pranishmit prezantuan virtualisht ekspozitat.
Ndërkaq, Pjerin Mirdita, drejtues i "Vendit të Dëshmisë dhe Kujtesës" në Shkodër tha se në panelet e ekspozitës "Dritë përtej errësirës", "vijnë në emra dhe foto, kleri katolik, ortodoks dhe mysliman që vuajti persekutimin komunist, ata që u dënuan dhe u ekzekutuan bashkë me të dhënat për katër etapat në të cilat kleri u persekutua derisa vendi u shpall ateist".
Mirdita u ndal edhe te shkatërrimi i objekteve të kultit, ku krahas emrave të klerikëve që humbën jetën, si Dom Lazër Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Alfron Tracki, Imzot Vinçenc Prenushi, At Anton Harapi, janë edhe emrat e atyre persekutorëve që morën pjesë në hetimet, gjykimet, torturat e dënimet e tyre, siç janë Nesti Kerenxhi, Zoi Themeli, Hilmi Seiti, Vaskë Koleci etj.
Ajo që e bën ekspozitën të veçantë, tha Jonila Godole drejtuese e IDMC "është se krahas viktimave si priftërinj, hoxhallarë, imamë e deri prelatë të fesë, vijnë edhe imazhet e atyre që qenë përgjegjës për këto persekutime në kohë të ndryshme nga 1944 deri më 1990".
Ekspozitat mund të vizitohen në çdo kohë në faqen e IDMC-së.
Gjatë pasdites së të martës, Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, prezantoi filmin dokumentar "Muzeu virtual i Maliqit" ku janë rindërtuar në mënyrë grafike katër kampet që kanë funksionuar në Maliq në kohë të ndryshme, por prej të cilave sot nuk ka më asnjë gjurmë. Përmes teknikave digjitale tridimensionale të Kliti Burdës dhe bazuar në dëshmitë e ish-të burgosurve, poetja Luljeta Lleshanaku ka shkruar skenarin e një filmi dokumentar që zbardh jetën e vështirë në kampe.
"Ne kemi pasur shumë vështirësi në përcaktimin e vendndodhjes së kampeve. Duke qenë se nuk janë më dhe janë ndërruar katër herë në Maliq ishte e vështirë. Nuk ka dokumente as nga planet e inxhinierëve për tharjen e tyre. Arritëm të gjejmë disa dokumente të përdorura nga ekspertët e Bashkimit Sovjetik përmes Kastriot Dervishit."
Pas shfaqjes së filmit në kuadër të "DITËVE TË KUJTESËS" organizuar nga IDMC, Lleshanaku, u ndal te historitë e kampit, ku të burgosurit vuanin orët e gjata të punës, urinë dhe etjen. Mes dhjetëra historive të dhimbshme që u përjetuan nga të burgosurit, ajo veçoi atë të një kleriku. "Të burgosurit punonin por nuk i ushqenin. Siç tregojnë bashkëvuajtësit, At Papamihali, një ditë u përpoq të merrte një panxhar që ta hante. Rojet e qëlluan, ai humbi ndjenjat. E shkelën, humbi jetën, e mbuluan po aty dhe u zhduk," tha ajo.
Te kampi i Orman Pojanit në Maliq, të burgosurit jetonin në çadër, në Vloçisht, ishin ndërtuar kasolle me dërrasa të mbuluara me kashta.
Dita 5, 24 shkurt 2021: Harta e Kujtesës dhe dokumentari "Nga Skënderbeu te E. Hoxha"
Një vit pas promovimit të një harte me vendet e kujtesës, të mërkurën, më 24 shkurt, u prezantua platforma online "Harta e Kujtesës" si një variant praktik dhe lehtësisht i aksesueshëm. Nga burgu i Pleqve në Zejmen te ai për të miturit në Shën Koll. Nga Shën Vasili në jug te burgu i grave në Belsh, "Harta e Kujtesës", shenjon të gjithë vendet që u harruan në 3 dekada, nga nevoja njerëzore për të harruar dhimbjen e nga dëshira çnjerëzore për të mohuar dhimbjen e të tjerëve. E prezantuar në kuadër të "DITËVE TË KUJTESËS" organizuar nga IDMC, për projektin folën Blerina Gjoka, Admirina Peçi dhe Erald Kapri nga Fondacioni "Kujto", ndërsa platforma online rikthen në vëmendje të shkuarën e palavdishme të Shqipërisë që hante veten. "Ne kuptuam se terrori komunist ishte shtrirë në të gjithë territorin e vendit duke e kthyer Shqipërinë në një burg të madh. Fillimisht me tela me gjemba dhe më pas si kampe pune të detyruar që zhvendoseshin në çdo front pune ku regjimi kishte nevojë, apo kamp-burgjet statike, i kishin kthyer të burgosurit politik në skllevër pune," tha Agron Shehaj, themelues i "kujto.al".
"Harta e Kujtesës" sjell gjithashtu dokumente dhe dëshmi të të burgosurve dhe të internuarve për ta bërë sa më të saktë dhe sa më të gjallë përfytyrimin për këto vende dënimi.
Në sytë e të huajve
Shqipëria dhe shqiptarët në sytë e të huajve erdhën përmes një materiali të rrallë filmik. Të mërkurën më 24 shkurt, u shfaq për herë të parë, dokumentari, "Nga Skënderbeu te Enver Hoxha" një prodhim i vitit 1984, nga Paul Lendvai. Me praninë e drejtoreshës së IDMC, Jonila Godole, ambasadorit austriak, Christian Steiner, shfaqja e dokumentarit, u ndoq nga një diskutim ku morën pjesë, analisti Fatos Lubonja, historiani Idrit Idrizi dhe përkthyesi Sokol Mici, i cili, 36 vite më parë e shoqëroi Lendvai-n në Shqipëri.
Autori i dokumentarit, Paul Lendvai tregoi:
"Nuk jam lejuar të takoj kundërshtarë të regjimit. Ne ndiqeshim këmba-këmbës, kudo që shkonim. Nuk kishte asnjë mundësi që të flisnim me asnjë njeri. Ata që na shoqëronin, ishin po ashtu në vëzhgim. Unë kisha informacione për historinë e Shqipërisë. Aleks Buda ishte më i sofistikuar edhe pse duhej të ishte më propagandën."
Ndërsa për Fatos Lubonjën, që vuante dënimin në Spaç në kohën e realizimit të dokumentarit, "uniteti i popullit përreth Skënderbeut siç thotë Buda, është konstruksion komunist për të treguar unitetin e popullit rreth Hoxhës. Problemet që ka krijuar ai sistem nuk janë vetëm burgjet, por edhe kjo trashëgimi historike që është dominante". Lubonja shtoi se Aleks Budën po të shkosh te Fakulteti i Historisë e gjen në përkrah Eqrem Çabejt si dy etërit e historiografisë.
"Në një parathënie që ka bërë Schmitt flet jo vetëm për metodën sovjetike të historisë, por edhe për ata që studiuan në Vjenë dhe punuan me atë metodë. Dhe e ka fjalën për Aleks Budën."
Sipas Lubonjës, "kjo narrativë vijon dhe sot, sepse këta autorë nderohen, në vend që të kritikohen". Drejtoresha e IDMC-së, Jonila Godole tha se "elitat nuk ndryshuan as qasja ndaj tyre. Dokumentari është një prej materialeve që dëshmon fundin e regjimit komunist dhe dokumenton propagandën që falë ngulmimit të Paul Lendvai arrin të zbërthehet duke qenë se ai e njihte mirë Lindjen dhe sistemet komuniste".
Për ambasadorin Austriak Christian Steiner, "komunizmi këtu është një epokë që ende nuk ka pasur vëmendjen e duhur të studiuesve në universitete e institucione, siç tha Oliver Schmitt në fjalën hapëse".
Filmi dokumentar "Nga Skënderbeu te Enver Hoxha", u lejua të xhirohet, pasi profesor Lendvai premtoi se do ta krahasonte Hoxhën me Skënderbeun dhe arrin të dokumentojë radhën për të blerë, dyqanet bosh, propagandën dhe statujat e Leninit e Stalinit duke denoncuar propagandën dhe ngritjen e Hoxhës në pushtet.
Dita 6, 25 shkurt 2021: Prezantim libri dhe studimi
Të enjten, më 25 shkurt, në kuadër të "DITËVE TË KUJTESËS" u prezantua studimi i Erblin Vukaj dhe IDMC-së, "Kinostudio - propagandë apo trashëgimi kombëtare".
Si u portretizuan në filmat artistikë të para '90-ës personazhet historikë e shoqërorë? Metoda e realizmit socialist që ngërtheu letërsinë kontrollohej rreptë nga një sërë komisionesh që qenë kthyer në makthin e shkrimtarëve por nuk mbeteshin pas, as filmat. Ish-Kinostudioja "Shqipëria e Re" kishte një vëmendje të veçantë teksa filmat shpërndaheshin në çdo cep të vendit duke përdorur deri edhe autokinematë. Batutat e filmave përdoren ende, ndërsa një pjesë e madhe e tyre glorifikoi figurat e luftës, duke errësuar imazhin e kundërshtarëve të regjimit që përcilleshin si tradhtarë të atdheut. Klerikët, të shkolluarit jashtë vendit në universitetet më të mira perëndimore, familjet e mëdha dhe pasardhësit e kundërshtarëve politikë, përveçse vuajtën dënime me burg a internim, u kthyen në personazhe negativë në prodhimet filmike, ku si kusht i heshtur për miratim të skenarëve apo filmave ishte prania në ta e sloganeve, parullave dhe portreteve të udhëheqësve.
Takimi solli mendime pro e kundra mbi filmat shqiptarë të para '90-ës dhe perceptimit të tyre në publik tri dekada më vonë. Ndonëse studimi i Vukajt sjell të analizuar elementet e propagandës komuniste në filma, del qartë se autorët e këtyre filmave e kanë pasur të vështirë ta pranojnë se veprat e tyre ende sot e përçojnë atë propagandë dhe denigrojnë grupe të ndryshme shoqërore.
Drejtorja e IDMC-së, Jonila Godole, u shpreh se "arti, skulptura, lapidarët, ishte në kontekstin e agjitacionit e propagandës për manipulimin e masave. Janë gati denigrues përveçse manipulues dhe fyejnë rëndë ish-të përndjekurit politike që as nga ana morale nuk janë rehabilituar".
Në të njëjtën linjë ishte edhe sociologu Ergys Mërtiri, për të cilin, "të gjithë filmat janë propagandë. Nuk ka filma të prodhuar nga Kinostudio Shqipëria e Re që kanë jo elemente të vogla, por të fuqishme të propagandës". Ai tha se edhe ata filma që duken si më normalë ka elemente propagande.
Nga ana tjetër, Suela Musta, nga Autoriteti i Medias Audiovizive, propozoi që të ketë "më shumë presion nga shoqëria civile në mënyrë që të bëhen ndryshime ligjore për transmetimet audiovizive ku të ketë një nen të posaçëm, për mënyrën e transmetimit të këtyre filmave".
Duke pranuar propagandën që përmbajnë këto prodhime, Iris Elezi, Drejtore e Arkivit të filmit tha se "nuk jam dakord që ka filma që kanë elemente propagandë, por nuk jam dakord që t'i trajtojmë njerëzit si budallenj, dhe të vëmë shënime në filma. Unë besoj që kushdo që i sheh, është i qartë mbi çfarë janë, por unë jam dakord të shfaqen me një diskutim," tha Iris Elezi.
Propaganda dhe "fake news"
Të enjten, më 25 shkurt, u mbajt edhe takimi "Propaganda dhe lajmet e pavërteta gjatë pandemisë".
Gazetari Gjergj Erebara duke folur për lajmet e pavërteta tha se shpesh janë autoritetet apo emra të njohur publikë që i përhapin.
"Ne kemi pasur një pandemi dhe numri i lajmeve të rreme është rritur dhe numri i teorive të komploteve botërore po ashtu. Disa prej teorive të komplotit janë hapur nga politikanët në Shqipëri, si në rastin e Monika Kryemadhit që nuk beson te kovidi dhe në atë të Edi Ramës që fliste për kompani farmaceutike që duan të rrisin shitjet."
Ai tha se shpesh politikanët përdorin teoritë për të tërhequr vëmendjen dhe shpesh këto shfaqen në televizione kombëtare. Ai solli në vëmendje edhe rastet kur kryeministri aktual është ankuar për lajme të rreme të përhapura në rrjetet sociale dhe zyra e Antiterrorit në Policinë e Shtetit ka gjetur menjëherë 'fajtorët', çka sipas Erebarës, tregon se policia ndjek postimet e shefit te qeverisë në rrjetet sociale.
Gjatë diskutimit, Jonila Godole, drejtore të IDMC-së, prezantoi manualin mbi "Propagandën dhe taktikat e manipulimit online".
"Qëllimi është për të ndërgjegjësuar nxënësit e mësuesit mbi propagandën. Hanah Arendt kur flet mbi të vërtetën e gënjeshtrën, thotë se gënjeshtra përqafohet më shpejt nga publiku. Në rrjetet sociale ka shumë dezinformim dhe së fundmi është shtuar shumë propaganda."
Sipas Godoles, aftësimi mediatik duhet të jetë lëndë që në gjimnaz, që të kuptohet si bëhet lajmi, si manipulohet, nga kush dhe pse. "Nuk është vetëm aftësim mbi medien, por edhe mbi demokracinë, për të kuptuar mesazhet, sidomos sot, ku media që ka qenë ndërmjetëse, nuk është më e tillë," tha ajo.
Godole tha se politikanët kanë kaluar tashmë në një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun, pa filtrin e medies, e cila tashmë e ka humbur këtë monopol, duke qenë se politikanët kanë rrjete sociale.
Në vijim, profesor Ermal Hasimja tha se propaganda dhe lajmet e pavërteta kanë qarkulluar gjithnjë, por tani për shkak të rrjeteve sociale janë amplifikuar. Duke përmendur kronikanin osman Evlia Çelebi, apo ndonjë serb që shkruante se shqiptarët kanë pasur bisht por tanimë nuk e kanë, Hasimja, argumentoi se kjo dukuri ka ekzistuar gjithnjë.
"Ka gjëra qesharake në internet, si luftën e Trojës që e bënë pellazgët, Akili që del si lab. Një popull sa më injorant është, aq më tepër beson lajme të rreme. Nuk është dukuri moderne, kurohet me vaksinën e shkollimit e dijes."
Gazetarja Valbona Bezati tha se puna me të rinjtë i ka aftësuar ata në gjetjen e lajmeve të rremeve, raportimin e tyre, por shtoi se shpesh lajmet me probleme, kanë qenë edhe në media të mëdha.
Dita 7, 26 shkurt 2021: Përkujtimi i 22 intelektualëve, mbyllja e "DITËVE TË KUJTESËS"
Të premten, më datë 26 shkurt, u përkujtua ekzekutimi pa gjyq i 22 intelektualëve të akuzuar për bombën në ambasadën sovjetike me vendim të Byrosë Politike të KQ të PPSH. Më herët në Tiranë, qenë vendosur në disa stacione autobusi postera ku shkruhej "Mos harro 26 shkurtin" ndërsa në ditën e përvjetorit, një video me emrat e imazhet e të ekzekutuarve u shfaq në rrjetet sociale të IDMC. Mes 22 intelektualëve, ishte edhe Sabiha Kasimati, shkencëtarja e parë shqiptare. Ata u ekzekutuan në breg të lumit Erzen, ku u groposën në errësirë dhe fshehtësi në një varr të përbashkët. Familjet e tyre u internuan në kampet e përqendrimit të Tepelenës, Vlorës etj. Trupat e tyre u gjetën pas rënies së regjimit.

Gjatë takimit përmbyllës të "DITËVE TË KUJTESËS", mbajtur nga IDMC, mbi atë ngjarje, foli edhe ish-i dënuari politik Lekë Tasi, duke dhënë një mesazh të fortë mbi qasjen tonë ndaj të shkuarës.
"Kam lexuar kujtimet e Vaclav Haveli, ku koleget e tij çekë, kishin një farë frymëzimi të mbrapshtë, mbi idenë se të qenit korrekt me ligjin, i bënte të respektonin rendin në fuqi. Haveli i kundërshtonte me shumë qytetari. Më indinjoi sepse duhej t'u ishte kthyer më keq, duhej tu kishte rënë me sëpatë. Instituti juaj duhet të vërë në zbatim këtë sëpatën se kemi qenë ku e ku larg Çekisë."
Ai solli në vëmendje një figurë që refuzoi të ishte korrekt me rendin në kohë të pazakonta. "Dua të zgjedh figurën e Sali Ormanit, që ka qenë shef policie. Ai e kundërshtoi pushkatimin pa gjyq të atyre 22 personaliteteve të Shqipërisë (për bombën në ambasadën sovjetike)," tha Lekë Tasi, ish-çelist në Opera para internimit dhe piktor dhe ish-anëtar jurie në konkurset e IDMC-së.
Të pranishëm në takimin përmbyllës, ishin Tobias Rüttershoff drejtues i Fondacionit "Konrad Adenauer", Jonila Godole drejtuese e IDMC, etj.
Shkrimtari e skenaristi Ylljet Aliçka tha se ai që ka pushtetin ka në dorë të shkuarën, ndaj veçoi punën e bërë gjatë Ditëve të Kujtesës, si një punë, që ka pasur shumë ndikim në shpalosjen e të vërtetës.
Gjatë takimit përmbyllës të edicionit të VI të "DITËVE TË KUJTESËS", u bë në platformën "zoom", një takim me fituesit e konkurseve që IDMC ka mbajtur nga viti 2015 deri në vitin 2020. Secili prej të rinjve solli përvojat personale dhe këndvështrimet që ata kanë ose kanë fituar tashmë mbi komunizmin, mënyrën e jetesës në atë kohë dhe presionin ndaj qytetarit në shoqëri autoritare, çka e kanë shprehur edhe përmes vizatimeve apo formave të tjera artistike në konkurset e IDMC-së.
"Ka pasur kreativitet dhe origjinalitet. Ne kemi menduar se të rinjtë nuk punojnë dhe nuk thellohen. Na u duk sfidë atëherë ky konkurs por më pas u habitëm nga prurjet. Të rinjtë panë që në konkurs fitohet me meritë dhe gjithnjë e më shumë u shtuan pjesëmarrësit. Ne në juri kemi pasur profesionistë të fushave të ndryshme. Nëse të rinjtë merren seriozisht ta shpërblejnë shumë mirë dhe kuptuam që ishim në rrugë të mbarë".
Godole foli për energji të të rinjve që kanë humbur besimin te vetë demokracia dhe te vetja dhe shtoi se ata nuk po marrin në vend atë që meritojnë. Duke i bërë thirrje politikës që tu kushtojë vëmendje të rinjve që nuk janë apatikë e as të topitur, ajo falënderoi edhe mësuesit që i kanë nxitur nxënësit të punojnë me këto tema edhe pse e kanë pasur punë shtesë.