Ditët e Kujtesës '19

Aktiviteti i përvitshëm "DITËT E KUJTESËS" do të organizohet këtë vit në datat 20–27 shkurt 2019, me rastin e 28 vjetorit të rrëzimit të statujës së diktatorit, Enver Hoxha, më 20 shkurt 1991, që shënon simbolikisht rënien e diktaturës në Shqipëri si dhe për të përkujtuar 22 intelektualët e pushkatuar pa gjyq me pretekstin e të ashtuquajturës "Bomba sovjetike". Në këtë javë kujtese IDMC dhe KAS, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE në Shqipëri, ISKK, AIDSSH dhe aktorë të tjerë që operojnë në fushën e kujtesës në Shqipëri, do të sjellin çdo ditë aktivitete të ndryshme që synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për pasojat e krimeve të diktaturës dhe forcimin e dialogut mbi të shkuarën si: promovim veprash shkencore mbi diktaturën, simpozium shkencor mbi qasjet aktuale studimore ndaj komunizmit, konferencë mbi trashëgiminë materiale të komunizmit, forume diskutimi me të rinj, shfaqje dokumentarësh, prezantim ekspozitash, vizita studimore në vendet e kujtesës etj.
Aktivitetet e këtij viti do të jenë të larmishme, ndër të tjera:
- Ceremonia e hapjes së "DITËVE TË KUJTESËS", më 20 shkurt
- Prezantim i punës kërkimore mbi diktaturën, më 20 shkurt
- Forum: "Antikomunizmi në Shqipëri: Histori dhe aktualitet", më 21 shkurt
- Simpozium shkencor: "Qasje aktuale studimore ndaj komunizmit: Sfida dhe mundësi", më 22 shkurt
- Forum me studenët: "Kujtesa dhe demokracia", më 22 shkurt
- Historia gojore në shkolla dhe projekte studimore, më 23 shkurt
- Konferencë: "Ballafaqimi me trashëgiminë materiale të komunizmit", më 25 shkurt
- Shfaqja e dokumentarit: "Kush është Heroi?", më 25 shkurt
- Shfaqja e dokumentarit: "Mall për me këndue", më 26 shkurt
- Aktiviteti "SIGURIMI & Sporti", më 27 shkurt
Përmbledhje
- Dita 1, 20 shkurt 2019: Ceremonia e hapjes
- Dita 2, 21 shkurt 2019: Forumi
- Dita 3, 22 shkurt 2019: Simpoziumi dhe forumi shkencor
- Dita 4, 23 shkurt 2019: Promovimi
- Dita 5, 25 shkurt 2019: Konferenca dhe dokumentari
- Dita 6, 26 shkurt 2019: Dokumentari "Mall për me këndue"
- Dita 7, 27 shkurt 2019: Aktiviteti "Sigurimi dhe sporti"
- Organizatorët
- Partnerët dhe mbështetësit

Dita 1, 20 shkurt 2019: Ceremonia e hapjes
Edicioni i katërt i "Ditëve të Kujtesës" hapet me një analizë të historianit të njohur Bernd J. Fischer
28 vite pas rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha, hija e komunizmit mbetet e pranishme në të tashmen e vendit tonë. Viktimat e komunizmit nuk kanë ende një memorial, ndërsa e shkuara mbetet ende e pa-trajtuar si duhet. Ky ishte mesazhi kryesor që shënoi hapjen e edicionit të katërt të "DITËVE TË KUJTESËS", një organizim i Institutit për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS) dhe aktorë të tjerë të fushës së kujtesës dhe që do të vazhdojë deri më datën 27 shkurt me plot aktivitete.
Mes të ftuarve, si historiani Bernd J. Fischer dhe prezencës së përfaqësive diplomatike të Polonisë, Gjermanisë dhe Kroacisë, "DITËT E KUJTESËS" nisën sot me rikujtimin e rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha (1991). Drejtoresha e IDMC, Jonila Godole tha se nga vendet ish-komuniste, simbolikisht vetëm Gjermania Lindore "shembi jo vetëm një statujë, por edhe një mur". Në rastin e vendit tonë Godole tha se 28 vite pas, "shtatorja e diktatorit është rrëzuar, por hija e tij ka mbetur". Për këtë ajo rikujtoi synimin e "DITËVE TË KUJTESËS" që mbahet çdo vit që prej 2016-ës, ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për pasojat e krimeve të diktaturës dhe forcimin e dialogut mbi të shkuarën. Drejtori i KAS, Walter Glos rikujtoi se "pjesë e elitës së kaluar politike janë ende të përfaqësuar në politikën e sotme." Ndërsa premtoi vazhdimin e mbështetjes nga KAS të "DITËVE TË KUJTESËS" edhe në të ardhmen.
"Njerëzit duhet të sqarohen dhe të qartësohen në lidhje me krimet e diktaturës, ndërsa kurrikulat shkollore duhet të plotësohen për t'i dhënë më shumë informacione brezit të ri."
Pas fjalës së organizatorëve, foli ambasadori i Polonisë, Karol Bachura. Duke rikujtuar shtatoren e diktatorit, Bachura theksoi se "ende viktimat e komunizmit nuk kanë një memorial", memorial të cilin ai tha se e kishin premtuar shpesh politikanët, më i fundit Kryetari i Bashkisë Tiranë.
"Mbaj mend se në zbulimin e memorialit për Papën Gjon Palin II e detyrova kryebashkiakun ta premtonte një memorial edhe për viktimat e komunizmit, duhet të ushtrojmë presion që kryebashkiaku ta mbajë fjalën."
Me shumë vëmendje u ndoq fjala e historianit të njohur Bernd J. Fischer, i cili analizoi në mënyrë të shkurtër arsyet dhe faktorët që sollën rrëzimin e komunizmit në shumë vende të Evropës Lindore. Ai renditi 6 faktorë kryesorë si: dështimi ekonomik, vënia në diskutim e legjitimitetit të pushtetit, zhvillimi i ngadaltë i opozitës sociale, ngritja e liderëve dhe disidentëve, përmirësimi i marrëdhënieve Lindje-Perëndim si dhe lëkundja në politikën e brendshme të Bashkimit Sovjetik. Për sa i përket rastit të Shqipërisë, Fischer tha se është një rast i veçantë. Duke e paralelizuar komunizmin shqiptar me atë rumun për nga brutaliteti Fischer tha se në Shqipëri për këtë arsye nuk pati disidencë. Ai analizoi momentet e fundit të Ramiz Alisë, të cilin e cilësoi të njëjtë me liderët e tjerë komunist që u përpoqën ta ruajnë sistemin duke e ndryshuar disi, derisa pas vrasjes së Çausheskut, elitën e partisë e zuri frika.
Pas fjalës së historianit Fischer u promovua libri i IDMC "Mes apatisë dhe nostalgjisë", si dhe kolana e botimeve prej 11 librash nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK). Libri u prezantua nga historiani Idrit Idrizi dhe drejtoresha e IDMC, Jonila Godole, njëkohësisht autorë të këtij botimi. Botimi është produkt i prezantimeve të konferencës ndërkombëtare "Mes apatisë dhe nostalgjisë: Kujtesa publike dhe private e komunizmit në Shqipërinë e sotme", organizuar nga IDMC në Tiranë, më nëntor 2017. Vëllimi dy gjuhësh, shqip dhe anglisht, synon të ofrojë sadopak një kontribut në fushën e kujtesës së komunizmit shqiptar dhe të shërbejë si impuls për rritjen e interesit në shkencën dhe shoqërinë shqiptare ndaj hulumtimit dhe diskutimit të kujtesës së të shkuarës në diktaturë. Ndërsa ISKK prezantoi me pasazhe të interpretuara nga aktorja Egla Ceno 11 botime të tjera, që sipas drejtorit të ISKK, Agron Tufa plotësojnë numrin e 100 titujve të realizuar në 5–6 vitet e fundit.
Dita 2, 21 shkurt 2019: Forumi
Forumi "Antikomunizmi në Shqipëri: Histori dhe aktualitet"
Ditët e Kujtesës u organizuan këtë vit edhe në Shkodër, përmes një forumi me studentë me temën "Antikomunizmi në Shqipëri: Histori dhe aktualitet", që u organizua më 21 shkurt nga Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe KAS. Aktiviteti synoi përkujtimin e qëndresës antikomuniste të të përndjekurve politike gjatë diktaturës dhe përballjen me simptomat e komunizmit pas rrëzimit të tij. Në këtë aktivitet merrnin pjesë drejtori i Fondacionit Konrad Adenauer, Walter Glos, kryetari i shoqatës Antikomuniste të ish-të përndjekurve, Nebil Çika, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, si dhe i ftuari i nderit, Dieter Dombrowski, Kryetari Federal i Unionit të Shoqatave të Viktimave të Tiranisë Komuniste dhe nënkryetari i Parlamentit të Land-it Brandenburg (CDU) Gjermani.
Drejtori i KAS, Walter Glos, theksoi në këtë takim se gjatë 30 viteve të fundit është bërë shumë pak përsa i përket dokumentimit të së shkuarës dhe rrezikohet që e kaluara e atyre 45 viteve nën diktaturë të harrohet. Ndërsa Dombrowski solli përvojën e Gjermanisë Lindore në përballjen me të shkuarën komuniste. Nga ana tjetër, Nebil Çika dhe Voltana Ademi gjatë fjalëve të tyre nënvizuan faktin se edhe pas 28 vitesh ende në Shqipëri pushteti ka tipare të regjimit komunist, ndërsa kumtesa mbajtën edhe Filip Guraziu dhe Artan Murrizi.
Aktiviteti u mbyll me prezantimin e studimit "(Mos) Rehabilitimi i të përndjekurve politikë në procesin e drejtësisë tranzitore (1991–2018)", një përmbledhje dhe analizë e zhvillimeve më të rëndësishme që ndikuan ndër vite procesin e përballjes me krimet e diktaturës si dhe rehabilitimin e atyre të cilët prej atij sistemi vuajtën padrejtësisht për shkaqe politike. Studimi i IDMC, punuar nën redaktimin shkencor të Dr. Jonila Godole, dhe prezantuar në këtë aktivitet nga Erblin Vukaj, u bëri të ditur të pranishmëve, ish-të përndjekur, studiues, fetarë dhe qytetarë të thjeshtë të Shkodrës, se si e ka pasur ecurinë procesi i dëmshpërblimeve.
Të dhënat e referuara nga Erblin Vukaj gjatë prezantimit, nxitën diskutime mes të pranishmëve. Nebil Çika, por dhe ish-të përndjekur të tjerë rikujtuan se lënia jashtë shifrave zyrtare të shumë prej ish-të përndjekurve është problematikë e ngritur shpesh prej tyre. Gjithashtu rasti i ndryshimit të "Nenit 8" të ligjit për dëmshpërblimet hapi debat, pasi shumë të pranishëm thanë se tashmë ka raste ku ish-të përndjekur të cilët kanë pasur edhe prindërit edhe gjyshërit të përndjekur, tanimë nuk mund t'i marrin dëmshpërblimet që u takonin për këta të fundit.
Dita 3, 22 shkurt 2019: Simpoziumi dhe forumi shkencor
Mbahet simpoziumi shkencor "Qasje aktuale studimore ndaj komunizmit" dhe forumi "Kujtesa dhe demokracia"
"Komunizmi mbetet ende prezent në të tashmen e Shqipërisë, por provat janë mjeti më i fortë që kanë sot historianët në duar për të sjellë një panoramë të qartë të Shqipërisë në ato vite."
Kështu e nisi diskutimin e tij sot historiani Bernd J. Fischer në simpoziumin e organizuar nga IDMC mbi qasjen aktuale studimore ndaj komunizmit, i konceptuar si forum shkëmbimi përvojash e idesh. Fischer tregoi përpara të pranishmëve sfidat që sjell puna me dokumentet duke paraqitur detaje nga dy raporte ai gjerman dhe ai amerikan që kanë studiuar atë periudhë, të prodhuara nga ekspertë të huaj, përkatësisht raporti i Vermaht-it mbi Shqipërinë, dhe studimi i Jacobson. Sipas raportit 50-faqësh të Vermaht-it data e largimit të gjermanëve nga vendi ynë ka qenë 4 dhjetor 1944, por Fischer nuk u ndal gjatë në këtë pike sepse sipas tij vendosja e datave historike për ngjarje të tilla ka qenë gjithmonë një vendim politik edhe në shtete të tjera. Raporti amerikan prej 250 faqesh ofronte informacione të ndryshme, ndër të tjera edhe për kushtet e burgjeve, proceseve gjyqësore etj. Kurse raporti gjerman sipas tij prekte shumë çështje të mprehta, ndër to edhe aspekte sociale siç ishte mungesa e aksesit ndaj shërbimit shëndetësor për 80% të shqiptarëve.
Studiuesi Igor Duda, përfaqësues i një qendre kërkimore për studime kulturore dhe historike mbi socializmin solli përvojën kroate, përmes projektit "Njeriu i ri socialist". Studimi i tij ishte shtrirë në disa fusha si histori, etnografi, antropologji, muzikologji etj, dhe i referohej një periudhe 20-vjeçare studimore. Përmes prezantimit të Igor Dudas pjesëmarrësit mundën të shihnin sa hapa përpara ka bërë Kroacia në mbështetjen që i jep studimeve mbi socializmin gjatë periudhës së Titos, krahasuar me Shqipërinë ku studimet shumë pak financohen dhe mbështeten.
Përfaqësues nga institucionet shqiptare studimore e pasuruan simpoziumin me përvojën e tyre. Agron Tufa, përfaqësues i ISKK, ngriti problemin e aksesit në arkivat e SHISH dhe të ish-Sigurimit, që kanë qenë dikur pjesë e Ministrisë së Brendshme, por tani i kanë kaluar Autoritetit. Sipas Tufës, Autoriteti nuk u kthente përgjigje kërkesave të tyre të shumta dhe i zvarriste.
Ndërsa drejtori i Arkivit Shtetëror, Ardit Bido, foli për deklasifikimin e mijëra dokumenteve së fundmi, ndër to edhe deklasifikimin e fondit personal të Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos. Bido u shpreh se tani mund të konsultohen shumë dokumente me vlerë për të nxjerrë në pah historinë reale të asaj kohe. Por sipas tij, pengesë vazhdonte të ishte mentaliteti apo një lloj frike nga punonjësit e arkivës, të cilët nuk dinë të sillen kur u qëllon t'u bien në duar informacione të rëndësishme, sepse druajnë se prekin ndonjë sekret shtetëror.
Ish-drejtorja e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika solli shembuj konkretë nga përvoja e saj gjatë 37 viteve punë në arkiva. Ndër të tjera ajo u shpreh e indinjuar për largimin nga puna të mbi 50 punonjësve të arkivit në vitin 2015, duke e dëmtuar rëndë punën e institucionit.
Ndërsa historiani Marenglen Kasmi nga AIDSSH sqaroi në fjalën tij se përpunimi i kërkesave për konsultim të dosjeve ishte delikat dhe kërkonte më shumë kohë. AIDSSH sipas tij ishte i hapur për të ofruar materiale dhe dokumente, por procedurat zgjasin jo vetëm në Shqipëri, sepse kriteret e përpunimit të informacionit ishin përcaktuara në ligj. Madje Kasmi u shpreh se pika të ndryshme të ligjit të dosjeve mund të mendoheshin në të ardhmen.
Studiuesja dhe historiania Sonila Boçi prezantoi projektin shkencor të profilit të intelektualit dhe shkencëtarit në periudhën 1944–1954. Kurse antropologu Albert P. Nikolla u fokusua te dy studimet e tij, njëri mbi "Njeriun e ri" shqiptar dhe tjetri mbi lëvizjen e '68-ës në Shqipëri.
Përveç studiuesve të fushës në sallë ishin të pranishëm shumë ish-të përndjekur politikë, të cilët i përballën historianët me fakte konkrete nga përvoja e tyre në burgje apo vende internimi dhe kërkuan "zgjidhje" historike. Aktivitetin e ndoqën edhe përfaqësues të trupit diplomatik, ambasadori polak, ambasadori austriak dhe përfaqësues nga ambasada kroate në Tiranë si dhe gazetarë.
Pas simpoziumit, drejtoresha e Muzeut "Shtëpia e Gjetheve", Etleva Demollari, i priti panelistet në një vizitë studimore në ambientet e brendshme të muzeut dhe ato të jashtme ku u vizitua ekspozita "Qëndresa".
Forumi me studentët "Kujtesa dhe demokracia"
Në këtë ditë, edhe KAS në bashkëpunim me ISP dhe CRD organizuan te Universiteti "Eqrem Çabej", në Gjirokastër një forum me studentët titulluar "Kujtesa dhe demokracia". 28 vjet më parë, studentët e këtij universiteti zhvilluan një protestë kundër regjimit komunist që filloi me 11 shkurt dhe mbaroi fatalisht pas heqjes së monumentit të diktatorit më 22 shkurt 1991 nën dhunën e falangave të ashtuquajtura "Vullnetarët e Enverit". Për herë të parë u organizua për këtë ngjarje një aktivitet sa memorial aq edhe me vlerë historike dhe aktuale në mjediset e këtij universiteti. Të ftuar ishin ish drejtuesit politikë dhe protagonistë të grevës së studentëve më 1990 dhe 1991, gazetarë, pedagogë, figura publike, media lokale dhe studentë aktualë të universitetit.
Dita 4, 23 shkurt 2019: Promovimi
DITËT E KUJTESËS promovojnë manualin e historisë gojore
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) promovoi më 23 shkurt 2019, "Manualin mbi historinë gojore". Manuali i punuar nga Jonila Godole, Edlira Agolli dhe studiuesja amerikane Kailey Rocker paraqet ide dhe praktika të intervistimit, trajtimit të rasteve dhe shqyrtimit të historive gojore, për mësuesit, nxënësit dhe studiuesit e rinj. Ky botim vjen në vazhdimësinë e botimeve dhe aktiviteteve që IDMC ka bërë për t'iu ardhur në ndihmë formimit të të rinjve nëpër shkolla dhe ishte pjesë e ditës së katërt të "DITËVE TË KUJTESËS".
"Manuali mbi historinë gojore" u prezantua ditën e shtunë në një sallë të tejmbushur me nxënës dhe të rinj në Tiranë. Drejtoresha e IDMC, Jonila Godole, njëherësh një nga autoret e botimit, vlerësoi interesin në rritje të nxënësve dhe studiuesve për të mësuar më shumë për të shkuarën. Ajo tha se kontributi i projekteve të IDMC për të inkurajuar një proces reflektimi mbi diktaturën po jep efekte dhe një nga efektet ka qenë pjesëmarrja me punime gjithmonë e më shumë cilësore në konkursin e përvitshëm "Pyet Gjyshërit". Duke u nisur nga ky aktivitet, Godole i vlerësoi punimet të rinjve si përpjekje për të mbledhur histori gojore, histori të cilat ajo tha se kishin vështirësi të ndryshme për t'u trajtuar.
"Historia që ju keni marrë përmes të pyeturit të gjyshërve apo të afërmve tuaj është tashmë një përvojë për sa i përket trajtimit të historive gojore. Ky manual do t'ju vijë shumë në ndihmë, jo vetëm për ata që do të kërkojnë që të vazhdojnë e të merren me këtë fushë, por edhe për të tjerë që kanë ndërmend të studiojnë për shkenca humane apo dhe ekzakte. Konceptimi, intervistimi dhe mënyra se si ne marrim informacion përmes bisedave është thelbësore për studimet apo dhe punimet e çfarëdoshme që ne duam të arrijmë."
Autorja tjetër, Edlira Agolli vazhdoi më tej prezantimin e librit. Ajo cilësoi si thelbësore etikën, ku përmendi ligjin për ruajtjen e të dhënave personale dhe ligjin për të drejtën e autorit si kryesor në procesin e intervistimit. Agolli përmendi gjithashtu si tipar tjetër të rëndësishëm në procesin e grumbullimit të historive gojore, nevojën për dakordësi për publikimin e historive. Këtu ajo përmendi nga libri, çështjen e "marrëveshjeve të mirëkuptimit". "Nuk duhet ta nënvlerësojmë faktin se historitë gojore i japin një ndihmë të madhe historiografisë, pasi përmes tyre nxirren në pah përvojat njerëzore," tha Agolli, teksa shtjelloi më tej edhe çështje të tjera që kishin të bënin me anën praktike të ideve, intervistimeve dhe përpunimeve të materialeve të përftuara.
Ndërkohë Vojsava Kumbulla, Kryetare e Shoqatës së Mësuesve të Historisë e vlerësoi "Manualin mbi historinë gojore" si vlerë të shtuar në procesin e mësimdhënies për formimin e qytetarëve të denjë të së ardhmes. Ajo tha se mësuesit duhet të bëjnë më shumë për të "shpërndarë të vërtetën historike sidomos në shkolla". Aktivitetin e mbyllën Valbona Bezati dhe Erblin Vukaj që prezantuan ekspozitën "Postcards from the Past", një ekspozitë me fotografi të periudhës komuniste të rikonceptuara me stilizim dhe diçitura, të cilat thyenin qëllimet propagandistike të kohës. Me synimin për të qenë ky një projekt, apo dhe konkurs i së ardhmes, të rinjtë u ftuan që të kontribuonin gjithashtu me punime të kësaj natyre pranë IDMC.
Dita 5, 25 shkurt 2019: Konferenca dhe dokumentari
Konferenca "Ballafaqimi me trashëgiminë materiale të komunizmit"
Në ditën e pestë, më 25 shkurt, ISKK dhe KAS organizuan në Tiranë konferencën "Ballafaqimi me trashëgiminë materiale të komunizmit" pasi gjurmët e komunizmit në Shqipëri po harrohen shumë shpejt. Tendenca për të krijuar një distancë politike dhe sociale nga e kaluara komuniste dhe miratimi i një realiteti të ri që karakterizohet nga një vëmendje shumë e ulët si dhe nga një menaxhim i pakujdesshëm ndaj trashëgimisë materiale komuniste. Vendet më të rëndësishme të persekutimit komunist, të tilla si burgjet, kampet e punës, kampet e internimit, ose janë lënë në harresë. Në rrethana të tilla, ky aktivitet u organizua për të sjellë më shumë vëmendje ndaj këtij fenomeni "amnezi" dhe për të rindërtuar kujtesën kolektive të Shqipërisë së dikurshme komuniste.
Shfaqja e dokumentarit "Kush është Heroi?"
Kjo ditë u mbyll nga Prezenca e OSBE në Shqipëri e cila mundësoi shfaqjen e dokumentarit "Kush është heroi?" nga Armand Bora në bashkëpunim me RTSH. Ky aktivitet u mbyll me një diskutim midis autorit dhe pjesëmarrësve. Aktiviteti u ndoq edhe nga Princ Leka Zogu, si dhe bashkëshortja e tij, LMS Elia Zaharia, Zogu.
Dita 6, 26 shkurt 2019: Dokumentari "Mall për me këndue"
Në ditën e gjashtë u shfaq dokumentari "Mall për me këndue", i realizuar nga Fondacioni kujto.al dhe gazetarja Luljeta Progni. Ky aktivitet iu kushtohet Gac Çunit, muzikantit shkodran që mbylli sytë në moshën 30-vjeçare në burgun e Burrelit. Përmes dëshmive nga bashkëvuajtësit e tij, mbi brengat dhe çastet e fundit të jetës, pjesëmarrësit u njohën me historinë se si u shua zëri i këtij djaloshi, në qelitë e burgjeve komuniste.
Dita 7, 27 shkurt 2019: Aktiviteti "Sigurimi dhe sporti"
"Sigurimi dhe Sporti" nxit interesin e mediave dhe qytetarëve për të njohur të kaluarën e përndjekjeve ndaj sportistëve të njohur
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me mbështetje nga Fondacionin Konrad Adenauer (KAS) përmbylli sot edicionin e katërt të "Ditëve të Kujtesës" me aktivitetin "Sigurimi dhe Sporti" që u organizua në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH).
Aktiviteti "Sigurimi dhe Sporti" mblodhi bashkë ish-sportistë, ish-të përndjekur, familjarë të tyre si dhe studiues të ndryshëm të fushës së kujtesës. Ai u organizua pas interesimit që në vitin 2018 të IDMC për të zbuluar më shumë rreth përndjekjes që Sigurimi bënte ndaj sportistëve shqiptarë e të huaj. Vëmendja e qytetarëve dhe medieve ishte shumë e madhe çka e inkurajon IDMC që ky projekt të vazhdohet edhe në të ardhmen.
Aktivitetin e hapi drejtoresha e IDMC Jonila Godole. Sipas saj edhe në sport, ashtu si në çdo fushë tjetër të jetës së asaj kohe, nuk kishte ndryshime nga qëllimet dhe veprat që bënte Sigurimi, ndalimin e të ashtuquajturve armiq si dhe ndalimin e arratisjeve të mundshme. Pas Godoles foli edhe drejtuesja e AIDSSH, Gentiana Sula. Kjo e fundit tha se grupi prej 30 dosjeve që u ekspozuan "ka plot histori të disa prej idhujve të sportit shqiptar".
"Përmes këtyre dosjeve kuptohet frika që kishte sistemi nga këta njerëz prej ndikimit që ata kishin në popullatë."
Anëtari Simon Mirakaj më tej kërkoi që të mbahej një minutë heshtje për të nderuar kujtimin e atyre sportistëve që u përndoqën deri në vdekje për shkakun e vetëm se ishin sportistë të spikatur. Mirakaj kujtoi dhe renditi me radhë mbi 25 emra sportistësh të cilët nuk gëzuan dot fatin e suksesit që talenti i tyre premtonte. Duke filluar nga Qemal Vogli, Skënder Halili, Naum Kondakçiu, Skënder Leka, Skënder Peza, Ahmet Golemi, Sakip Kaloshi, Aleksandër Kondo, Xhelal Sukniqi, Bahri Kavaja, Lulëzim Bersheni etj.
Më tej Kreshnik Tartari, Filip Guraziu, Nikolin Thana dhe Dëfrim Met'hasani kujtuan momente të vështira njerëzore të përjetuara në sport në një panel të ngritur enkas për këtë çështje. Ish volejbollisti, Kreshnik Tartari, kujtoi rastet në seri të përndjekjeve që ai kishte qenë dëshmitar. Tartari përmendi rastet e Alfred Radit, Asllan Rusit e shumë të tjerëve. Ai kujtoi gjithashtu rastin e Silva Turdiut, teksa theksoi se gjithmonë Sigurimi godiste më të mirët në sport.
"Jetë është ajo që jetohet, por edhe ajo që kujtohet, ndaj kujtesa të këtilla janë me vlera të mëdha për ata që do të vijnë pas nesh, sidomos në sport."
Filip Guraziu tregoi përjetimin e tij personal, si një ish-basketbollist i suksesshëm, të cilit iu mohua sporti për faktin se i ati kishte qenë i pushkatuar për arsye politike. Edhe ish-futbollisti Nikolin Thana u shpreh për fatkeqësinë e përndjekjes së tij kishte fatin e mirë që ishte nga Shkodra. Gazetari Dëfrim Met'hasani nga ana tjetër, kujtoi momentet e takimeve me Qemal Voglin. Në sallë ishte prezente edhe e bija e Qemal Voglit, Moza e cila vlerësoi aktivitetin dhe u shpreh e emocionuar nga fjalët që ndanë ish-sportistët e tjerë.
Më pas anëtarët e AIDSSH, Altin Hoxha, Selami Zalli dhe Ornela Arapi, shpjeguan për të pranishmit, procesin dhe volumin e madh të punës që ata kanë kryer deri më sot. Ata i inkurajuan familjarët dhe ish-sportistët që u përndoqën që të kërkojnë më shumë për të shkuarën e tyre, ndërsa më pas u mundësua dhe vrojtimi i dosjeve të ekspozuara që ishin vendosur enkas në një tavolinë të veçantë.
Organizatorët


Kontakt
Matilda Karçanaj, Koordinatore programi te IDMC | E-mail
Klaudja Zerva, Koordinatore programi te KAS | E-mail
Partnerët dhe mbështetësit








