Albumi fotografik "Unforeseen Journeys of Life"

Albumi fotografik që shoqëron ekspozitën “Unforseen Journeys of Life” ka një domethënie të thellë personale për mua. Historitë që ndahen këtu nuk janë thjesht rrëfime abstrakte nga librat e historisë; ato janë përvoja të jetuara, të përshkuara me dhimbje dhe shpresë, të atyre që përballuan sfida të paimagjinueshme nën regjimin komunist në Shqipëri. Çdo histori është unike dhe personale, por së bashku ato ndërtojnë një narrativë kolektive që na kujton çmimin e lartë të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Dhe si një përpjekje për të mbajtur gjallë dëshmitë e tyre, për t’u dhënë zë dhe për të mos i lënë në harresë.
Kur Dong-Ha, një fotograf i njohur që e kisha takuar në aktivitete për kujtesën në Gjermani, më propozoi këtë projekt, pata emocione të përziera. Nga njëra anë, u habita që, pas kaq vitesh punë në këtë fushë, asnjë fotograf shqiptar nuk kishte shfaqur interes për të dokumentuar portretet e ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë. Nga ana tjetër, u gëzova shumë, sepse, sa më shumë kohë kalon, aq më pak dëshmitarë mbeten mes nesh për të thënë: “Unë dëshmoj! Unë isha atje: në burg, në internim, me stigmën e armikut në shpirt e në lëkurë.”
Shumë prej tyre kanë ndarë historitë e tyre përmes botimeve ose medieve, por shpesh këto rrëfime janë thjesht të dokumentuara me shkrim. Çfarë mungonte ishte portreti i tyre – një imazh që do t’u jepte zë dhe fytyrë këtyre historive, duke i shpalosur ato në një mënyrë më prekëse dhe të paharrueshme.
Ekspozita përfshin histori të individëve të vërtetë që mbijetuan përballë një sistemi që u përpoq t’i shkatërronte. Disa kaluan dekada në burgje, të tjerë përjetuan internime, punë të detyruar ose izolim shoqëror. Çdo histori është unike, por ajo që i bashkon është qëndrueshmëria dhe guximi i tyre. Ata përfaqësojnë jo vetëm vuajtjet e tyre personale, por edhe dhimbjen dhe qëndresën kolektive të një populli që për dekada sfidoi dhunën dhe shtypjen.
Urim Elezi nga Korça, Leze Ndreaj nga Tropoja, Luan Llupa nga Vlora, Lezina Gjura nga Shkodra, Bedri Blloshmi nga Librazhdi, Gjetë Kadeli nga Mirdita, Alma Liço nga Tirana, Daut Gumeni nga Tepelena…
Gra dhe burra, fëmijë që lindën dhe u rritën në kampet e internimit të shpërndara në të gjithë Shqipërinë. Ekspozimi publik i portreteve të tyre është një thirrje për të mos harruar, për të reflektuar mbi natyrën e egër të një diktature dhe për të kuptuar pasojat e saj, që ende ndihen thellë në shoqërinë tonë.

Por më duhet të pranoj se zgjedhja e individëve për këtë ekspozitë ishte një proces sa i vështirë, aq edhe emocional. Si mund të vendosësh se cila histori duhet treguar? Çdo histori është e vlefshme dhe meriton të dëgjohet, por përfaqësimi në këtë projekt kërkonte një diversitet përvojash, një skanim të thellë të dhunës së pamëshirshme të shkaktuar mbi të gjitha grupimet e shoqërisë – përtej moshës, gjinisë, përkatësisë sociale dhe krahinore – burra dhe gra, të rinj dhe të moshuar, intelektualë dhe punëtorë.
Ishte një përpjekje për të krijuar një mozaik të plotë që reflekton jo vetëm vuajtjet individuale, por edhe dhimbjen dhe qëndresën kolektive të një kombi. Procesi i mbledhjes së këtyre historive ishte thellësisht prekës. Në disa raste, dëshmitarët e kohës ndanë kujtimet e tyre me një bujari dhe kurajë të jashtëzakonshme. Në raste të tjera, u mbështetëm në kujtimet e familjarëve dhe dokumentet arkivore. Dëgjimi i këtyre rrëfimeve ishte një rikujtim i fuqishëm për urgjencën e dokumentimit të këtyre historive, ndërsa ata që i mbartin janë ende mes nesh për t’i rrëfyer.
Për mua, kjo ekspozitë është shumë më tepër sesa një shërbim për kujtesën. Ajo është një mesazh për të ardhmen – një thirrje për drejtësi dhe një kujtesë se historia nuk është një kapitull i mbyllur, por një përgjegjësi për çdo brez. Gjithashtu, ajo është edhe një thirrje për veprim dhe angazhim. Çdo portret, çdo histori që shfaqet këtu, është një dëshmi e fuqishme e shpirtit njerëzor dhe një paralajmërim për të mos lejuar që padrejtësitë e së kaluarës të përsëriten.
Jam thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e vyer të Dr. Anna Kaminsky, drejtoreshës së Fondacionit Federal për Kujtesën (Bundesstiftung zur Aufarbeitung der SED-Diktatur). Qysh në fillim, ajo mbështeti këtë projekt jo vetëm financiarisht, por edhe me këshilla të çmuara. Falë bashkëpunimit tonë, kjo ekspozitë do të prezantohet së shpejti edhe për publikun gjerman, duke i dhënë mundësinë të njohë më nga afër natyrën e egër të diktaturës komuniste shqiptare dhe pasojat e saj të thella, që ende ndihen sot në shoqërinë tonë.
Ndërsa festojmë këtë 10-vjetor të Ditëve të Kujtesës, ndiej një mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kanë mbështetur këtë udhëtim të gjatë, para së gjithash partnerin tonë Fondacionin Konrad Adenauer. Vizionet tona të përbashkëta për ruajtjen e kujtesës dhe nxitjen e dialogut shoqëror mbi pasojat e diktaturave totalitare na kanë sjellë deri këtu.
Faleminderit që jeni pjesë e këtij momenti të rëndësishëm.
Jonila Godole