konkurse

Shpallen fituesit e konkursit kreativ "Pyet Gjyshërit 4"

Publikuar më

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me mbështetjen e Fondacionit gjerman Konrad Adenauer (KAS), përmbylli edicionin e pestë të "DITËVE TË KUJTESËS" me shpalljen e fituesve të konkursit të përvitshëm "Pyet Gjyshërit".

Në ceremoninë që u zhvillua në Hotel Tirana morën pjesë nxënës, prindër, mësues, ish-të përndjekur, gazetarë dhe përfaqësues të ambasadave.

Për javë me radhë, juria e përbërë nga drejtoresha e IDMC, Jonila Godole, ekspertja e historisë, Fatmiroshe Xhemalaj, pedagogia, Rozi Kostani, shkrimtari, Ylljet Aliçka, dhe ish-i përndjekuri, Lekë Tasi, vlerësuan punimet e ndryshme që u paraqitën nga shkolla dhe gjimnaze nga e gjithë Shqipëria.

Si fillim IDMC vlerësoi me çmime mirënjohjeje për kontributin e dhënë ndër vite për konkursin. U vlerësua kontributi i Fatmiroshe Xhemalajt dhe i ish-të përndjekurit Reshat Kripa.

ÇMIMI I PARË iu dha nxënësve të gjimnazit "Jan Kukuzeli" në Durrës: Endi Shani, Klevis Caka dhe Eni Duka me punimin "DiktArt" që përcillte deformimin e përfytyrimit artistik gjatë diktaturës. Vlerësimin ua dha ish-i përndjekuri, Lekë Tasi.

ÇMIMIN E DYTË e fitoi Ledjana Kanina nga gjimnazi "Fuat Babani" në Bilisht. Punimi i saj "Gjyshi im" ishte i vetmi punim individual i konkursit të këtij viti dhe fliste për jetën në një fshat kufitar gjatë diktaturës. Vlerësimi iu dha nga dy prej anëtarëve të jurisë, Rozi Kostani dhe Ylljet Aliçka.

ÇMIMI I TRETË shkoi për nxënëset e gjimnazit "Asim Zeneli" në Gjirokastër: Vivia Horaj, Livia Mevlani dhe Elina Shametaj me punimin "Regjimi komunist në qytetin e gurtë të Gjirokastrës". Vlerësimi u dha nga drejtuesi i fondacionit gjerman Konrad Adenauer, Tobias Rüttershoff.

ÇMIMI I RRJETIT shkoi për nxënësit e gjimnazit "Petro Nini Luarasi" në Tiranë: Klodian Çelmeta, Ardien Gjabri dhe Evi Robaj me punimin "Harabelat" që mori mbi 800 pëlqime në Facebook. Vlerësimi u dha nga ambasadori i Austrisë, Christian Steiner.

Fituesit e çmimeve do të kenë mundësinë e një udhëtimi në vendet e kujtesës në Poloni si Auschwitz, Krakow dhe Wroclaw. Ndërkohë që të gjithë nxënësit e 10 punimeve finaliste do të mund të marrin pjesë në ekskursionin në vendet e kujtesës në Shqipëri.

Ky ishte edicioni i katërt i konkursit "Pyet Gjyshërit", që angazhon të rinjtë të mbledhin dëshmi nga të afërmit e tyre rreth së shkuarës dhe t'i paraqesin ato përmes punimeve në multimedia. "Pyet Gjyshërit" është një organizim i IDMC-së mbështetur nga Konrad Adenauer dhe aktorë të tjerë të fushës së kujtesës, që synon ndërgjegjësimin e shoqërisë për pasojat e krimeve të diktaturës dhe forcimin e dialogut dhe reflektimit mbi të shkuarën.