Pyet Gjyshërit 4

Konkursi "Pyet Gjyshërit" vazhdon traditën edhe këtë vit me edicionin e tij të katërt duke ftuar të rinjtë 15–19 vjeç të reflektojnë për të shkuarën në Shqipëri (1944–1997) përmes një punimi kreativ multimedial në mënyrë individuale ose në grup (deri në 3 persona). Konkursi "Pyet Gjyshërit 4" organizohet nga IDMC në partneritet me Platformën për Kujtesën dhe Ndërgjegjen Europiane.
Me anë të këtij konkursi, IDMC nxit gjimnazistët të tregojnë historitë që njohin apo që mund të mësojnë gjatë kërkimeve për konkursin, lidhur me periudhën e regjimit komunist në Shqipëri dhe me vitet e para të tranzicionit, në mënyrë sa më kreative dhe origjinale. Këto histori mund të jenë të familjes, kujtime të prindërve dhe gjyshërve, histori të rrëfyera ose të dëgjuara.
IDMC ju inkurajon të ndani historitë tuaja me ne! Punët tuaja mund të mbështeten në histori nga:
- Histori dhe ngjarje të përjetuara nga familjarët tuaj
- Histori dhe ngjarje të ndodhura në qytetin tuaj
- Lidhje me një objekt që ndodhet në familje
- Arratisjet në kufi
- Rastet e persekutimit/përndjekjes/pushkatimit në diktaturë
- Arti, letërsia dhe muzika
- Shkollimi
- Përditshmëria në diktaturë
- Sportet, lojërat
- Histori dashurie
- E të tjera
Synimi i konkursit "Pyet Gjyshërit" është ndërgjegjësimi i të rinjve dhe i shoqërisë shqiptare për rëndësinë e njohjes me të shkuarën e vendit të tyre, sepse pa njohur të shkuarën nuk ka të ardhme të sigurt.
Ky është konkursi i pestë kombëtar i organizuar nga IDMC mbas "Lindur në 90-ën: Zbulo të shkuarën, krijo të ardhmen" (2015); "Pyet Gjyshërit 1" (2016); "Pyet Gjyshërit 2" (2017); dhe "Pyet Gjyshërit 3" (2018) me mbështetjen e vyer të Fondacionit Gjerman "Konrad Adeanuer".
Përmbledhje
Kushtet e pjesëmarrjes
- Ftohen të marrin pjesë: Gjimnazistët 15‒19 vjeç (punim individual ose në grup deri në 3 persona)
- Zhanri konkurrues: Multimedia (video ose/dhe audio deri në 3 min)
- Shpallja zyrtare e konkursit: 6 nëntor 2019
- Mbyllja e aplikimit: 5 janar 2020
- Shpallja e fituesve: 20 shkurt 2020
Kriteret
- Punimet mund të dorëzohen në gjuhën shqipe ose angleze.
- Çdo konkurrues mund të përfaqësohet vetëm me një punim.
- Punimet e dorëzuara duhet të kenë të bëjnë me temën e konkursit.
- Pranohen vetëm punë origjinale që nuk janë paraqitur në aktivitete të ngjashme.
- Të gjitha produksionet (audio, video etj.) nuk mund të jenë më të gjata se 3 minuta. Kujdes: Çdo punë që e kalon këtë minutazh do të skualifikohet.
- Punimet që përmbajnë elemente racizmi etnik, gjinor, seksual etj. nuk do të pranohen në konkurrim.
- Konkursi është pa pagesë.
Fituesit e "Pyet Gjyshërit 3" nuk lejohen të marrin pjesë në edicionin e këtij konkursi.
E drejta e autorit dhe të drejtat e ripërdorimit
- Për çdo person që del në video, film apo fotografi jeni të lutur të merrni një leje për të drejtën e botimit apo transmetimit.
- Punët e dorëzuara në konkurs duhet të jenë origjinale.
- Plagjiaturat sjellin automatikisht përjashtimin nga konkursi.
- Të gjitha të drejtat u mbesin autorëve, por me pjesëmarrjen në këtë konkurs, fituesit u kalojnë organizatorëve të drejtat ripërdoruese, të palimituara, për ekspozime ose botime të mëtejshme.
- Fituesit e konkursit u kalojnë organizatorëve të drejtën ekskluzive për përkthim, publikim, ekspozim ose transmetim të punimeve fituese për një afat të pacaktuar.
- Fituesit bien dakord që sipas të drejtave të mësipërme të mos pretendojnë honorar tjetër, përveç çmimit.
Dorëzimi i punimeve
Afati i fundit i dorëzimit është data 5 janar 2020.
Pjesëmarrësit në konkurs duhet të dorëzojnë në konkursi@idmc.al dokumentet e mëposhtme:
- Formularin e aplikimit të plotësuar, ku përveç të dhënave të aplikantit/aplikantëve dhe rënies dakord me kushtet e pjesëmarrjes, përfshihet propozimi për temën e punimit (1 fjali) dhe një abstrakt i shkurtër (gjithsej maks. 1 200 karaktere me hapësirë) ku konkurruesit paraqesin idenë e tyre për produksionin dhe shpjegojnë mënyrën si kanë menduar ta realizojnë atë
- Punimin final multimedial përmes WeTransfer në konkursi@idmc.al
Pjesëmarrësit do të marrin një konfirmim me e-mail për secilën fazë përzgjedhjeje. Për më shumë informacion, ju lutemi konsultohuni me faqen tonë të internetit ose na ndiqni në Facebook.
Juria dhe vlerësimi
Konkursi do të shpallë gjithsej 3 çmime (1 çmim për secilën kategori të punimit individual dhe në grup, si edhe 1 çmim të publikut)
Të gjitha punimet do të vlerësohen nga një juri e pavarur me figura publike dhe ekspertë të fushës, bazuar në kriteret e mëposhtme:
- Risia në paraqitjen e temës
- Kuptueshmëria
- Kreativiteti dhe origjinaliteti
- Aftësia për të tërhequr publikun
- Mesazhi i qartë dhe i fuqishëm
- Stili autentik i krijuesit
- Aftësia për të kryer një vepër të arrirë përmes formave inovative (medieve sociale etj.) dhe mjeteve të thjeshta (smartphone, videokamera amatore etj.) brenda 4 minutave
Fituesit do të shpallen në shkurt 2020 në një nga "DITËT E KUJTESËS" dhe do të ftohen në Tiranë për të marrë çmimet e fituara në prani të personaliteteve nga fusha e medies, shoqërisë civile, politikës dhe kulturës.
Organizator i konkursit

Partnerët



