Shpallen fituesit e konkursit kreativ "Pyet Gjyshërit 1"

Në kuadër të "DITËVE TË KUJTESËS" u shpallën fituesit e konkursit "Pyet Gjyshërit", i cili u ofroi të rinjve shqiptarë mundësinë të flasin përmes mjeteve kreative, duke ndarë jo vetëm histori, përvoja, përjetime familjare, por edhe përballjen midis brezave që ndihmon në njohjen e aspekteve të ndryshme të jetës gjatë diktaturës shqiptare. Ky konkurs i organizuar nga IDMC erdhi pas suksesit që pati konkursi "Lindur në 90-ën" (2015).
Ceremonia u hap nga Dr. Jonila Godole, drejtore ekzekutive e IDMC, e cila falënderoi të gjithë të rinjtë për interesin e treguar për konkursin dhe për prurjet interesante në trajtimin e kësaj teme ende tabu për shoqërinë shqiptare. Në përshëndetjen e tij, z. Walter Glos, drejtor i fondacionit gjerman Konrad Adenauer në Shqipëri dhe mbështetës i aktiviteteve të IDMC, vuri në dukje sesa pak është bërë dhe sa shumë duhet bërë në fushën e kujtesës në Shqipëri. Sipas tij, në kontekstin e një shoqërie që është marrë shumë pak me të shkuarën konkursi "Pyet Gjyshërit" ështe një projekt kurajoz dhe i rëndësishëm.
Sipas znj. Nora Malaj, zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit, iniciativa të tilla kreative si konkursi i IDMC-së duhen pasur parasysh edhe për reflektimin që bëhet rreth kurrikulave sepse kujtesa sipas saj është një nevojë e domosdoshme për rrugëtimin e demokracisë. Ndërsa zëvendësambasadorja gjermane, znj. Anke Holstein, ndau me të pranishmit eksperiencën e vështirë të gjyshit të saj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u shpreh se e bukura e dëshmive është vërtetësia e tyre. Sipas saj, konkursi është një shtysë për të punuar më shumë në fushën e kujtesës.
E pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishte edhe ish-komisionerja për hapjen e dosjeve të STASI-t dhe zëvendëskryetare Bordi e Fondacionit Konrad Adenauer, znj. Hildigund Neubert. Ajo u shpreh se dosjet kur të hapen do të kenë dëshmi për gjërat e frikshme që kanë ndodhur, por nuk duhet harruar që aty brenda do të gjejmë edhe dëshmi të rezistencës.
Ceremonia e shpalljes së çmimeve u moderua nga Eno Popi, njëkohësisht anëtar i jurisë së konkursit. Konkursi shpalli gjithsej 7 fitues: 1 vend të parë, 2 vende të dyta, 3 vende të treta dhe çmimin e rrjetit.
- Vendi i parë: Erlisa Kulla, "Treni i diktaturës"
- Vendi i dytë: Adil Brahimi, "Ngjyrat e një diktature"
- Vendi i dytë: Kejsi Shkëmbi, "Historia e gjyshes sime"
- Vendi i tretë: Andi Bora, "Historia e Hoxhë Ibrahim Bardhylit"
- Vendi i tretë: Bora Malelli, "Të jetosh në burg pa hekura"
- Vendi i tretë: Dhimitër Zguro, "Udhëtimi në të shkuarën..."
- Çmimi i rrjetit: Arsiana Durmishaj, "Historia e Lizetës"
IDMC, si organizator i këtij konkursi, falënderon të gjithë pjesëmarrësit për interesin e treguar për temën, si edhe partnerët:
Fondacioni Konrad Adenauer në Shqipëri, Ambasada Gjermane, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, dhe sponsorin e çmimeve Telekom Albania.