konkurse

Pyet Gjyshërit 1

Publikuar më

Edhe pse diktatura në Shqipëri ka qenë ndër më të ashprat në Evropën Juglindore, të rinjtë shqiptarë ende nuk e njohin mirë historinë e shkuar komuniste të vendit të tyre. Kjo ka ndodhur për shumë arsye. Më së shumti, indiferencën e të rinjve shqiptarë e ka ushqyer deri diku edhe brezi që e ka përjetuar atë periudhë komuniste dhe, me apo pa dashje, ka zgjedhur ta lërë atë kohë në heshtje duke mos e ndarë kësisoj me brezat e rinj dhe duke i lënë ata të painformuar.

Për këtë arsye, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, përmes një konkursi me titull "Pyet Gjyshërit", synon t'ju ofrojë të rinjve shqiptarë mundësinë të flasin përmes mjeteve kreative duke ndarë jo vetëm histori, përvoja, përjetime familjare, por edhe përballjen midis brezave që ndihmon në njohjen e aspekteve të ndryshme të jetës gjatë diktaturës shqiptare dhe përcjell një mesazh të caktuar për shoqërinë.

Konkursi "Pyet Gjyshërit" është natyrisht një simbolikë, një sistem reference i atyre brezave që jetuan gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Në këtë mënyrë, si pjesë e refleksionit kreativ mbi të shkuarën mund të shërbejnë rrëfimet e të afërmve më të moshuar, mësuesve, fqinjëve, të cilët kanë jetuar dhe punuar në atë kohë. Konkursi u jep kështu shansin të rinjve shqiptarë të ballafaqohen në mënyrë kreative me një periudhë të pajetuar prej tyre dhe emblematike për zhvillimin e vendit deri sot.

Megjithëse u takon historianëve që ta shkruajnë historinë e një vendi dhe jo "gjyshërve", biseda me ta është menduar si një shfletim i burimeve të dorës së parë, i dëshmitarëve të kohës, për ta njohur historinë më nga afër. Synimi i konkursit "Pyet Gjyshërit" është ndërgjegjësimi i të rinjve dhe i shoqërisë shqiptare për rëndësinë e njohjes me të shkuarën e vendit të tyre, sepse nuk ka të ardhme të sigurt pa njohur të shkuarën.

Ky do të jetë konkursi i dytë kombëtar i organizuar nga IDMC pas atij kreativ të vitit të kaluar, "Lindur në 90-ën: Zbulo të shkuarën, krijo të ardhmen", i cili u mbyll me sukses më 22 tetor 2015 me dhjetë fitues në 3 kategori: ese dhe letërsi, multimedia dhe arte figurative. Konkursi mbështetet nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Ambasada Gjermane në Tiranë dhe Fondacioni Konrad Adenauer.


Këtë vit, konkursi fokusohet vetëm në MULTIMEDIA dhe është i hapur për të gjithë të rinjtë. Përse multimedia? Në epokën dixhitale, interneti është vendi ku të rinjtë, brezi dixhital, shpenzojnë pothuajse pjesën më të madhe të kohës së tyre. IDMC ka menduar t'i motivojë ata në mënyrë kreative që të ndajnë përvojat e gjyshërve të tyre në mënyrë dixhitale (Digital Storytelling). Në këtë mënyrë, IDMC i jep një vlerë dhe mesazh kohës që të rinjtë shpenzojnë në internet, sepse të treguarit e një historie, ngjarjeje apo përvoje jetësore në mënyrë dixhitale kombinon artin e të treguarit me një shumëllojshmëri mjetesh që ofron multimedia, si: tekst, imazh, grafikë, audio, video, muzikë etj. Bukuria e kësaj forme dixhitale të tregimit qëndron në faktin se ndërsa secili prej këtyre mjeteve të përdorura më vete flet pak ose vetëm për një audiencë specifike, në çastin kur ato kombinohen së bashku përcjellin një mesazh të plotë e të kuptueshëm për një audiencë më të gjerë.

Konkurruesit janë të lirë në përzgjedhjen e temave që do të trajtojnë dhe në këndvështrimin që do të kenë në lidhje me reflektimin mbi të shkuarën e vendit. Si një orientim paraprak mund të shërbenin akset e renditura më poshtë:

  • Histori personale, intervista me dëshmitarë okularë në ngjarje të rëndësishme
  • Punësimi, kushtet e punës në fshat, qytet etj.
  • Aspektet ekonomike, produktet vendase e të huaja etj.
  • Objektet e kultit, praktikimi i fesë gjatë diktaturës etj.
  • Arti, letërsia dhe muzika
  • Shkollimi
  • Përditshmëria në diktaturë
  • Sportet, lojërat
  • Histori dashurie
  • E të tjera

Thirrja e konkursit do të shpallet në një ceremoni të veçantë në prani të organizatorëve dhe partnerëve, përfaqësuesve nga organizata që operojnë në fushën e kujtesës apo me të rinjtë në përgjithësi, të gazetarëve nga media të ndryshme dhe të rinjve të interesuar.

Gjatë ceremonisë së shpalljes së konkursit do të shpërndahen fletëpalosje me informacione mbi konkursin, kriteret e pjesëmarrjes etj. Për ta bërë të njohur konkursin, këto fletëpalosje synohet të shpërndahen në rrjetet online si edhe në të gjithë vendin, në gjimnaze dhe në institucionet e arsimit të lartë.

Përmbledhje

Kushtet e pjesëmarrjes

Konkursi është i hapur për të gjithë të rinjtë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, të dy grupmoshave:

  • Gjimnazistë (15‒18 vjeç)
  • Studentë, të rinj (mbi 18 vjeç)
  • Punimet mund të dorëzohen në gjuhën shqipe ose angleze.
  • Çdo konkurrues mund të përfaqësohet vetëm me një punim.
  • Punimet e dorëzuara duhet të kenë të bëjnë me temën e konkursit.
  • Pranohen vetëm punë origjinale që nuk janë paraqitur në aktivitete të ngjashme.
  • Të gjitha produksionet (audio, video etj.) nuk mund të jenë më gjata se 4 minuta.
  • Punimet që përmbajnë elementë racizmi në këndvështrimin etnik, gjinor, seksual etj. nuk do të pranohen në konkurrim.
  • Konkursi është pa pagesë.

Fituesit e konkursit të vitit të kaluar "Lindur në 90-ën" nuk lejohen të marrin pjesë në këtë konkurs.

E drejta e autorit dhe të drejtat e ripërdorimit

  • Për çdo person që del në video, film apo fotografi jeni të lutur të merrni një leje për të drejtën e botimit apo transmetimit.
  • Punët e dorëzuara në konkurs duhet të jenë origjinale.
  • Plagjiaturat sjellin automatikisht përjashtimin nga konkursi.
  • Të gjitha të drejtat u mbesin autorëve, por me pjesëmarrjen në këtë konkurs fituesit u kalojnë organizatorëve të drejtat e ripërdorimit, të palimituara, për ekspozime ose botime të mëtejshme.
  • Fituesit e konkursit u kalojnë organizatorëve të drejtën ekskluzive për të përkthyer, publikuar, ekspozuar ose transmetuar punimet fituese për një afat të pacaktuar. Fituesit bien dakord që sipas të drejtave të mësipërme të mos marrin honorar tjetër përveç çmimit.

Juria dhe vlerësimi

Konkursi do të shpallë 7 fitues (3 çmime për secilën grupmoshë si dhe 1 çmim të publikut).

Të gjitha punimet do të vlerësohen nga një juri e pavarur me figura publike dhe ekspertë të fushës, bazuar në kriteret e mëposhtme:

  • Risia në paraqitjen e temës
  • Kuptueshmëria
  • Kreativiteti dhe origjinaliteti
  • Aftësia për të tërhequr publikun
  • Mesazhi i qartë dhe i fuqishëm
  • Stili autentik i krijuesit
  • Aftësia për të kryer një vepër të arrirë përmes formave inovative (mediave sociale etj.) dhe mjeteve të thjeshta (smartphone, videokamera amatore etj.) brenda 4 minutave

Fituesit do të shpallen brenda muajit Tetor 2016 dhe do të ftohen në Tiranë për të marrë çmimet e akorduara në prani të personaliteteve nga fusha e medias, shoqërisë civile, politikës dhe kulturës.

Dorëzimi i punimeve

Të gjithë konkurruesit që vendosin të marrin pjesë në konkurs duhet të dorëzojnë në adresën e e-mailit office@idmc.al dokumentet e mëposhtme nën subjektin (pyetgjysherit _Emër_Mbiemër).

  • Një CV e shkurtër e autorit.
  • Kopje e firmosur e aplikimit ku përveç të dhënave të aplikantit dhe rënies dakord me kushtet e pjesëmarrjes, përfshihet propozimi për temën e punimit (1 fjali) dhe një abstrakt i shkurtër (gjithsej maks. 1.200 karaktere me hapësirë) ku konkurruesit paraqesin idenë e tyre për produksionin dhe shpjegojnë mënyrën si kanë menduar ta realizojnë atë.
  • Afati i fundit i dorëzimit të punimit është data 18 shtator 2016.
  • Produksionet dorëzohen pranë zyrës së IDMC, në dy (2) CD/DVD me kapacitet përkatës.
  • Për dokumentet e humbura nuk mbahet përgjegjësi.

Adresa:

IDMC – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

Rr. "Bardhok Biba", Ndërtesa "Trema"
Hyrja A, Kati 11
Tiranë

Pjesëmarrësit do të marrin një konfirmim me e-mail për secilën fazë përzgjedhjeje. Për më shumë informacion, ju lutemi konsultohuni me faqen tonë të internetit www.idmc.al ose na ndiqni në Facebook.

Organizator i konkursit

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

Kontakt:
Matilda Karçanaj | E-mail

Partnerët

Fondacioni "Konrad Adenauer"
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

Kontakt:
Ina Avllaj, Ina Hajno

Ministria e Arsimit dhe Sportit

Kontakt:
Kozeta Rrokomanaj, Marjana Lako

Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë
Telekom Albania