konkurse

Shpallen fituesit e konkursit kreativ "Pyet Gjyshërit 5"

Publikuar më

Shpallja e fituesve të konkursit më cool të të rinjve, "Pyet Gjyshërit" përmbylli më 28 shkurt DITËT E KUJTESËS 2023.

Plot 10 Çmime:

Një udhëtim nëpër vendet e kujtesës në Europë për 7 çmimet e para, por jo vetëm kaq. 50 të rinjtë, punimet e të cilëve u përzgjodhën në fazën e dytë nga juria, fituan gjithashtu një udhëtim në vendet e kujtesës në Shqipëri.

Mbi 150 punime në total, në disiplinat e multimedias, arteve figurative dhe rrëfimeve të shkruara, me vajza e djem nga gjithë Shqipëria, të gjitha "të nisura nga një objekt".⠀

Në ceremoninë përmbyllëse të DITËVE TË KUJTESËS patëm nderin dhe kënaqësinë të kishim të pranishme Zonjën e Parë Armanda Begaj në dhënien e çmimit të parë në Konkursin "Pyet Gjyshërit". Znj. Begaj shprehu falënderimet për të gjithë mësuesit dhe nxënësit, për emocionin që dhuruan me punimet e realizuara si dhe për ndihmesën e tyre që historia të mos harrohet.

Ambasadori gjerman, Z. Peter Zingraf, u shpreh i emocionuar për punimin që fitoi vendin e dytë, duke u shprehur se një objekt i ngjashëm i sillte në kujtesë të atin e tij dhe veglat e punës që ai përdorte. Ndërsa Katja Fausser u propozoi fituesve të konkursit që nëpërmjet IDMC të aplikojnë për Çmimin Europian të Konkursit për Historinë, në vjeshtën e këtij viti.

Në mbyllje, falënderojmë të gjithë nxënësit pjesëmarrës dhe mësuesit për punën e palodhur duke vlerësuar jo vetëm punimet e tyre, por edhe gjithë procesin krijues e reflektues për të arritur në këto punime kaq cilësore.