konkurse

Pyet Gjyshërit 5 – Esetë fituese

Publikuar më

Çmimi i Parë – Ejda Qojle (Të zbrazësh një pagur)

Motivacioni

"Për ndërtimin me vërtetësi e humanizëm të një dëshmie jetësore të familjes së saj, ku përmes përzgjedhjes simbolike të një objekti historik dhe shkrimit elegant, e ka bërë bërë të prekshme e të ndjeshme për lexuesin tragjedinë e viktimave të komunizmit në Shqipëri."

Të zbrazësh një pagur

Në një nga raftet e shtëpisë sime ndodhet një pagur i vjetër, e veshur me një copë tek-tuk të grisur. Gjithmonë më është dukur një relike e pavlerë dhe që e shëmtonte raftin plot me libra dhe suvenire të blera vit pas viti. Kur isha e vogël, shpesh i kam kërkuar gjyshes ta largojë që andej, por shikimi plot dhimbje i syve të saj ma ka lënë fjalën përgjysmë.

Sot jam rritur dhe kam nevojë të kuptoj. Ndaj vendosa ta pyes gjyshen time, e cila e kalon kohën më të madhe, ulur në kolltukun hijerëndë që e kemi vendosur pranë dritares, sepse i pëlqen shumë drita e diellit. E vërejta një copë herë dhe iu afrova. Kraharori i saj ulej e ngrihej ngadalë. Është e qetë, - mendova me vete, - ky është momenti im!

E ndrojtur, e trembur, plot me pikëpyetje, belbëzova:

– “Nënoke? Përse e mbajmë këtë pagur?”

Në fytyrën e saj zuri vend një hije e trishtë, nga ato që fshehin pas një botë të tërë kujtimesh plot dhimbje.

– “Merre pagurin dhe eja pak këtu pranë meje, bija ime,” pëshpëriti një zë që nuk e kisha dëgjuar asnjëherë më parë! U drodha.

E mori pagurin në duar dhe, pa i ngritur sytë, tha: Eh, moj bijë! Kushedi sa etje ka shuar ky pagur e sa e sa herë të tjera ka qenë e zbrazët! Hape atë pagur! Hape! Lëre të rrëfejë atë që njeriu nuk mundet, e do të shohësh si do të rrjedhë prej saj historia e një “jete”…

Fig. 1. Paguri që është përdorur nga gjyshi im gjatë kohës që ka qenë i burgosur

Dhe unë e hapa…

“Shkreptimat nisën të buçasin në qiellin e zemrës e ta thyejnë atë në mijëra copëza. Lotët e nxehtë të një nëne nisin rrugën e tyre. Dallgët e Adriatikut, që lag Durrësin, tërbohen se atë ditë liria vdiq. Ajo iu mor dhunshëm një 21-vjeçari beratas, që atë kohë ishte thjesht ushtar.

Bir i vetëm i një familjeje qytetare beratase lindur në 5 janar 1928, që iu këput çdo ëndërr, iu mor gjithçka e iu shkatërrua jeta, për t’u bërë pjesë e një makthi, që po pushtonte përherë e më shumë shpirtra të rinj të pafajshëm.

Atë ditë të nxehtë të 25 gushtit të vitit 1949 , dielli nuk shkëlqente njësoj. Rrezet e tij mbështillnin brenda vetes trishtim. Hapat e rëndë të sigurimsave ngjallën frikë në repart e prangat e hekurta vulosën përfundimisht fatin e tij.

Fig. 2. Fleta e arrestimit e firmosur nga ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu dhe kryetari i Shtatmadhorisë, Beqir Balluku

Përmes një tuneli të gjatë pikëpyetjesh e të panjohurash, mbërrin në Degën e Punëve të Brendshme në Durrës për të përjetuar një natë pa agim, që do të pasohej nga shumë të tjera. Mëngjesi i zymtë nisi udhëtimin me autoburgun e errët plot me të arrestuar të tjerë, në sytë e të cilëve ishte larguar çdo gjurmë jete. Rruga pa destinacion dukej e gjatë, pa fund.

Të vetmet shenja jete që çanin errësirën e dhomës së hetuesisë në Tiranë ishin goditjet me grushte, me shkelma, me bishta kazme apo ndonjë klithmë e pashpresë dhimbjeje. Duhet të pranonte akuzat. Ato akuza që pluskonin në ajrin e pakët si re te zeza të mbushura me urrejtje që do të zbrazeshin në shpatullat e dobëta të të riut të pafat. Trishtimi rritej si kancer që pushtonte çdo qelizë.

Për një moment, çdo klithmë pushoi. Po ashtu dhe rrahjet e zemrës… Jeta për një moment i ndali hapat, derisa një tjetër goditje e ktheu në jetë. Ditët e mbushura me dhunë rrokullisnin mundimshëm njëra-tjetrën deri ne 4 prillin e vitit 1950, ku e ardhmja do të vulosej përfundimisht. Akuzat e pabaza vrisnin me shumë se gjithçka.

Fig. 3. Faqja e parë e vendimit gjyqësor të datës 4 prill 1950
Fig. 4. Faqja e dytë e vendimit gjyqësor
Fig. 5. Kopje e vendimit origjinal ndodhur në dosjen gjyqësore

U akuzua se ishte kundër pushtetit popullor dhe kundër reformave të tij dhe se kishte shprehur pakënaqësi ndaj pushtetit kur i ishin shtetëzuar pronat familjes, se kishte qenë pjesë e një grupi armiqësor të përbërë nga element armiq e të internuar në Berat, se kishte zhvilluar propagandë të vazhdueshme ndaj pushtetit, se kishte dëmtuar ekonominë e ushtrisë, se kishte nxjerrë sekretin ushtarak në persona që nuk duhej, se kishte dashur të dezertojë nga ushtria, se kishte dashur që bashkë me të tjerë të kryejë akte dhune ndaj organeve të pushtetit dhe ndaj drejtuesve të lartë, se kishte dashur të arratisej etj.

Fig. 6. Faqja e parë e aktakuzës ndaj të pandehurit

Pretenca e kërkuar nga prokurori konsistonte në vite shumë të gjata burg, 10 vjet si anëtar i grupit te Beratit, 10 vjet si anëtar i grupit të formuar në ushtri, 5 vjet për propagandë kundër pushtetit popullor dhe 5 vjet dhënie sekreti ushtarak; gjithsej 30 vjet burgim që u përmblodhën nga gjykata në 20 vjet privim lirie dhe pune të detyruar. Me këtë vendim, çdo ëndërr për të ardhmen u thërrmua.

Fig. 7. Faqja e parë e vendimit të Gjykatës së Lartë Ushtarake
Fig. 8. Faqja e dytë e vendimit përfundimtar të Gjykatës së Lartë Ushtarake, ligjërim i dënimit të dhënë më parë

E nesërmja (data 5 prill 1950) do ta gjente rreth 50 km më tej, në Kampin Burg të Bedenit në Kavajë. Gjatë punës për hapjen e kanalit jeta e të burgosurve rrezikohej pasi traseja shpesh shembej. Në një rast shembja e trasesë i mbuloi me dhè disa te burgosur deri mbi gju. Ndërsa një të burgosuri me origjinë nga Korça i morri jetën.
Pak më vonë, u dërgua në Kampin Burg të Gosës, ku do të punonte për hapjen e kanaleve vaditëse në kushte pune jashtëzakonisht të vështira. Në kapanonet prej dërrase dhe të mbuluara me llamarinë, uji i shiut gjatë natës u pikonte mbi trup. Vdekja në këto kampe ishte një vizitore e zakonshme. Ajo vinte përditë për të marrë në krahët e vet 4-5 burra.

Në shtator të vitit 1950 u transferua në Kampin Burg të Maliqit. Këtu vizitorja besnike vinte edhe më shpesh. Trupat e pajetë tërhiqeshin zvarrë deri në cep të kampit, ku hapej një gropë që ata të preheshin përgjithmonë. Në këtë kamp famëkeq, qëllimi ishte bonifikimi i kënetës së Maliqit. Në ujin e ftohtë, që godiste gjoksin, shpesh ndiheshin pickimet shpuese të shushunjave. Djegia me cigare për t’i larguar linte gjurmët e veta që do të mbeteshin për një kohë të gjatë aty. Gjumi është e vetmja vatër ku mund të gjenin qetësi, por në barakën prej dërrase e në dyshekun prej kashte që e kishin mbledhur vetë, kjo gjë do të ishte e pa mundur. Në këtë kamp, i riu nuk ndjeu ngrohtësinë e nënës apo mbështetjen e babait, pasi ata nuk mundën të vinin kurrë… Lodhja e stërmundimi shpesh kalonin peshën e çdo shkëmbi dhe i shtynin të burgosurit drejt gardhit rrethues me tela me gjemba. Ata ecnin me hapa të vendosur, ndonëse e dinin që ata hapa do të ishin të fundit. Ishin krismat therëse ato që i jepnin fund çdo frymëmarrjeje.

Tornadoja komuniste, në tetor 1951, do ta sillte më afër shtëpisë, në Kampin Burg të Urës Vajgurore, ku do të punonte për zgjerimin e fushës së aviacionit në Kuçovë. Aty ai kishte mundësi të ndihmonte me ushqime që i sillnin nga shtëpia të burgosurit e tjerë, familjarët e të cilëve nuk mund të vinin dot aty. Por sa shpesh ushtarët, e etur për disa ditë leje, bënin heroin para eprorëve të tyre duke ia grisur çantat e duke i derdhur përtokë ushqimet që nëna mezi i kishte hequr mënjanë. Për atë 1 kg oriz familja kishte ngrëne për ditë me radhë barishte të ziera apo bukë me çaj. Për ushtarin e ri dhe për eprorët e tij kjo nuk kishte rëndësi, sepse, në fund të fundit, “ata ishin armiku dhe e meritonin të vuanin”!

Pas disa muajsh, në fillim të viti 1952 e transferojnë në Kampin Burg të Kënetës së Tërbufit për t’u shfrytëzuar për bonifikimin e kënetës. Ushqimi i pamjaftueshëm i detyronte të burgosurit të mblidhnin rrënjë grëmi që e gatuanin vet me miell. Të pangrënë, të stërmunduar, të leckosur e të torturuar. Një Zot e di sesi mbijetuan ata burra!

Pas rreth një viti në vitin 1953 e gjen veten në Burgun e Tiranës, ku punon në fushën e aviacionit të Rinasit. Ky ndoshta do të ishte oqeani më i trazuar, nëpër të cilin do t’i duhej të lundronte pasi aksidentohet në punë e thyen këmbën. Në mungesë të vëmendjes mjekësore, plaga përkeqësohet dhe kalon në gangrenizim. Në këtë situatë, mjekja ruse udhëzon prerjen e këmbës. Ky vendim do t’ia kthente jetën përmbys, duke thërrmuar çdo shpresë për një jetë pas burgut, pasi do të ishte i paaftë për punë e, si i tillë, do të konsiderohej i pavlefshëm. Por mesa duket, për të kaluar atë oqean, kishte një varkë shpëtimi. Kjo varkë ishte ndërhyrja e një mjeku të vjetër shqiptar, i cili kishte studiuar në perëndim. Ai mori përsipër trajtimin e plagës, duke pastruar dhe mjekuar me kujdes pjesët e kalbëzuara, derisa këmba nisi të ushqehej me gjak. Në këtë situate, do t’i duhet të qëndrojë pas hekurave të qelisë për dy muaj në Spitalin e Burgut të Tiranës.

Pas një periudhe dy vjeçare, transferohet në Kampin Burg “Punëtoria Qendrore e Artizanatit”, ku qëndroi nga viti 1955 deri në vitin 1961, që do të bëhet streha e tij për 6 vite. Aty punon në sektorin e këpucarisë. Pak më tej, ndodhej sektori i mesazherisë. Aty, të burgosurit intelektualë përkthenin materiale të botuara në gjuhë të huaj në shqip dhe anasjelltas. Kryevepra botërore janë përkthyer në këtë repart, edhe pse në botim ato u publikuan me emra personash të lidhur me regjimin komunist. Herën tjetër, kur do të lexoni një vepër Shekspirit apo të Hygoit, kujtoni se pas atyre rreshtave fshihet drita e zbehtë apo ushqimi i pakët me të cilin një i burgosur politik ka mundur të realizojë përkthimin. Të jashtëzakonshëm, por “të rrezikshëm”, këta intelektualë do të linin gjurmët e tyre në faqet e panumërta të librave të autorëve botërorë. Por askush nuk e mësoi ndonjëherë këtë gjë, të tjerë u ngrefosën me punën dhe djersën e “armiqve të popullit” Në këtë kamp burg, i riu mësoi dhe gjuhën angleze, nga kontakti me intelektualët e degdisur aty si të ishin “hiç”.

Në fund, vorbullat e përplasin në Burgun e Vlorës ku do të punonte për rreth tre vjet. Në këtë rrugëtim, ai pati mundësinë të njihte personalitete të njohura të shoqërisë shqiptare, të dënuar politikë nga regjimi komunist, që kishin mbajtur poste te tilla si: kryeministra si Ibrahim Biçakçiu (djali i Aqif Pashë Elbasanit), ministra të qeverive të mëparshme si Mirash Ivanaj (ish ministër i arsimit në qeverinë e mbretit Zog), Pandi Kristo (zëvendës ministër i brendshëm i qeverisë së Enver Hoxhës), deputetë, mjekë, avokatë, gjyqtarë, drejtues te klerit myslimanë, ortodoksë dhe katolikë, historianë, gjuhëtarë, përkthyes të njohur si Jusuf Vrioni madje, edhe oficerë të zënë rob të forcave gjermane dhe italiane. Përballë presionit të madh, i vetmi ngushëllim mbeteshin bisedat mes tyre në orët e errëta, nën zë, plot ankth, plot frikë, por edhe plot shpresë!

Viktor Hygo dikur ka thënë: ”Edhe pas natës më të tmerrshme, dielli do të lindë sërish”, por Viktor Hygo nuk jetoi aq gjatë sa të njihte komunizmin shqiptar. Ata nuk do ta linin diellin të lindte kurrë.

Në 21 prill të 1964, pas 15 vitesh torture e vuajtje, ushtari i fatit kthehet në shtëpi. Çdo shpresë se, të paktën, familja do të ishte mirë, u shemb kur pa se në sofrën e ngrohtë të shtëpisë ishin vendosur oficerët komunistë dhe prindërit e tij qëndronin prej vitesh në katua në një dhomë që e kishin sajuar vetë. Pas një viti përpjekjesh pa rezultat për të gjetur punë në profesionet që kishte mësuar në burg, më në fund e pranojnë punëtor në NSHN (Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimeve). Pas disa vitesh, e pranojnë si punëtor të kualifikuar (usta), fillimisht me kategori të ulët, por më pas përparon në ngjitjen e shkallëve të kualifikimit.

Më vonë, fillon punë në Ndërmarrjen e Riparim Shërbimeve, ku punoi për shumë vite, deri sa doli në pension.

E teksa koha rridhte, me ndërhyrjen e miqve të familjes, ai njihet e martohet me një vajzë, që vinte nga një familje e shpronësuar dhe të dënuarish politikë. Nga kjo martesë lindën dy djem, duke dhënë shpresën që kjo familje nuk do të shuhej. Megjithatë sulme të shpeshta nga njerëzit që i rrethonin me terma si “kulak” apo ”djali i armikut”e shponin si shigjeta jetën e fëmijëve. Për sa kohë ky sistem fantazmë ishte në pushtet, jeta e tyre ishte mjaft e vështirë edhe pse ata nuk kishin bërë asgjë.

Fig. 9. Ish-i burgosuri Hajredin Qojle, dalë në vitin 1984

Edhe pse me rezultate të larta në mësime nuk iu dha asnjë e drejtë studimi madje dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak e bënë në repartet e punës-xhenio, ku punonin për të ndërtuar tunele apo pallate për të strehuar oficerët e ushtrisë dhe të policisë. Pyetje të tilla si “ çfarë faji kam bërë unë” apo “cili qe gabimi që babai im bëri”, nuk morën kurrë përgjigje. E ndoshta nuk do të marrin kurrë! Sepse askush nuk do të jetë në gjendje të ofrojë përgjigje për padrejtësitë që nuk i shlyen as “falja”.

Ja pra ky është: komunizmi. Ky përbindësh! Ky eksperiment i dështuar! Ky qiell i errët i paanë pa asnjë yll!

Tashmë, ne shohim fusha të bonifikuara dikur këneta, sisteme ujitjeje apo fusha aviacioni, ne shohim pallate dhe shumë mendojnë se merita është e komunizmit, por duhet të kuptojmë se pas tyre fshihet një forcë e shfrytëzuar dhunshëm si skllave. Një nga këta skllevër, pa asnjë të drejtë ishte dhe ushtari i pafat i kësaj historie.

Dhe nënokja heshti. Me dorën që i dridhej e mblodhi pas vetes pagurin e vjetër. Sa i dashur po më dukej ai pagur tashmë. Nënokja heshti dhe puliti lehtësisht qepallat. Një psherëtimë e thellë u ndje në dhomë. E kuptova që duhej të largohesha. Ajo kishte nevojë të jetonte disa çaste me kujtimet...

Pjesën tjetër të historisë e njihja mirë.

Fig. 10. Fotografia e tij në vitin 2003 në muajt e fundit të jetës

Ai ushtar i pafat, e krijoi familjen e tij, pjesë e të cilës jam dhe unë. Arriti t’i mbijetonte torturave, përçmimit, spiunimit e shfrytëzimit, me krenarinë që një ndërgjegje e pastër mban gjallë. Pas disa viteve të jetuara në tranzicion, i endur me shpresën se drejtësia do t'i trokiste një ditë në derë, ndërroi jetë në dhjetor të vitit 2003, pak vite para se unë të lindja. Askush nuk i kërkoi falje! Askush!

Por sa do të doja ta kisha njohur sepse vuajtjet e tij më mësojnë që ta dua jetën, pavarësisht se ajo shpesh tregohet e padrejtë me ne. Sa do të doja ta kisha njohur sepse ky i ri ishte Hajredin Hekuran Qojle, i njohur nëpër burgje komuniste si Faredin Hekuran Qole, gjyshi im.

Fig. 11. Foto e listës së të burgosurve politikë afishuar në Bunk’Art në të cilën gjendet emri i tij

Sa do të doja ta kisha njohur, ta mësoja prej tij komunizmin jo prej librave që shpesh shkruhen nga ata që e rritën komunizmin. Mbase sot do të kisha jo vetëm përgjigjet për pyetjet e mia, por për shumë fëmijë të diktaturës, që jetojnë me brengën e dhunës dhe të përndjekjes!


Çmimi i Dytë – Alba Lloshi (Njeriu që gdhendte kujtimet)

Motivacioni

"Për ndërtimin e një dëshmie familjare përmes dokumentimit, përzgjedhjes simbolike të një objekti historik dhe reflektimit të mprehtë mbi dhunën komuniste në Shqipëri dhe paradoksin e ushtrimit të saj mbi jetët e njerëzve të pafajshëm."

Njeriu që gdhendte kujtimet

Çekiçi i gjyqtarit paralajmëron momentin për marrjen e verdiktit. Por, sa rrëqethës është ky moment kur çekiçi që u bë shkak për dënimin tënd dikur I bindej duarve të tua, e gjyqtari që vendos për ty është thjesht një buratinë e komunizmit shqiptar?

Për babin dhe halla Julin, të cilët i dua shumë.

A nuk mendoni edhe ju se shpikja e veglave të punës ishte një hap gjigant për njerëzimin? Nga t’i mundësuarit njerëzve në lashtësi ushqim, ato evoluan me kohën e teksa vitet kalonin, u pa e arsyeshme që këto vegla të merrnin dhe një funksion tjetër: ato u përdorën për të rregulluar gjëra që më parë ishin thyer. Kjo është arsyeja pse qenia njerëzore e ka të vështirë të mendojë të anasjelltën, një vegël pune e bërë për të rregulluar nuk mund të prishë diçka, apo jo? Në perceptimin tim, vetëm ideologjia mizore dhe patetike në të cilën kanë jetuar gjyshërit e mi do të kishte aftësinë ta zhbënte këtë perceptim. Kjo sepse, në të kundërt, kurrë nuk do të mendoja se liria e dikujt mund të pritej aq lehtë sa një fije peri, vetëm se ky dikush thjesht përdori një vegël pune për të rregulluar diçka që qe thyer. Kjo mund të ndodhte vetëm në Shqipërinë e vitit 1976. Është aq e trishtë, por dhe ironike e mizore sesi objekte kaq të vogla i jepnin shkas njerëzve po kaq të vegjël e mizorë të ndryshonin jetën e dikujt në një mënyrë që sot duket krejt e pabesueshme. Por, nëse mbyllim sytë e kthehemi pas në kohë, pikërisht në vitin 76’, do të kuptojmë se kjo ndodhi e ftohtë e groteske nuk është aq e pabesueshme sa mund të mendojmë, sepse një vegël e thjeshtë pune për pak momente arriti të thyejë stabilitetin e jetës së dikujt, historia e së cilit është tepër e trishtë për të mbetur e fshehur.

Ali Lloshi

Ali Lloshi, ose Likja, ashtu siç e thërrisnin të gjithë, lindi në Elbasan në vitin 1947. Ndër vite, kam dëgjuar të më flasin shumë për të;dikush më thotë se në zanatin e tij, të qenit marangoz ishte më i miri. Të tjerë më kane thënë se ishte njeri shumë krenar. Dikush e ka vlerësuar si të përgjegjshëm. Por, mbi të gjitha e di se ishte njeri i mirë. Mirësia dhe bujaria që nuk ngurronte ta ndante me askënd ishte ajo që i bënte njerëzit ta donin vërtet. Njerëzit që e njihnin mirë por jo vetëm, e konsideronin si mishërimin e mirësisë. Ishte pikërisht ky raport i shkëlqyer më njerëzit, sensi i drejtësisë dhe përgjegjësisë, arsyeja se pse me kohën ai do të emërohej përgjegjës i një brigade që merrej me punime druri, pa e ditur se kjo punë do të bëhej shkak që një ditë vjeshte të vitit 76’ ai do ta kalonte natën në një qeli burgu në Bulqizë e jo pranë dy fëmijëve të tij përkatësisht 5 vjeç dhe 6 muajshe, dhe çuditërisht ajo natë fillimvjeshte iu duk edhe më e ftohtë se zakonisht. Gjatë qëndrimit të tij në burg, ai kërkonte dëshpërimisht të gjente ngrohtësinë e Diellit, por nuk i arrinte rrezet e tij edhe kur bënte ngrohtë. Në fakt, që pas arrestimit ai arriti të ndiente se Dielli po ngrohte mbi të vetëm vite më vonë, kur të përqafonte sërish fëmijët e tij. Ashtu siç dikur gdhendte drurin, Aliu gdhendi një mburojë përreth zemrës së tij, për të mbrojtur gjithçka mbarte brenda saj, ndërsa në mendje vendosi të gdhendë kujtimet e bukura të shtëpisë dhe fëmijëve të tij. Komunizmi nuk mund t’ia rrëmbente ato.

Në këtë periudhë, ideologjia komuniste mbi pronën e përbashkët i aplikohej më shumë fushave të jetës sesa thjesht godinave të mëdha. Për shembull, pronë e përbashkët dhe e paprekshme e popullit, ironikisht konsiderohej të ishte dhe lënda e parë si druri ose gozhda, lehtësisht të përdorshme për të akuzuar dikë në nevojën për ta bërë shembull në sy të një populli gjithnjë të frikësuar. Ali Lloshi do të ishte një prej këtyre shembujve. Në një ditë tejet të zakonshme pune, teksa përgatiteshin si zakonisht stiva të pafundme me punime druri, njëra prej tyre do të thyhej e dëmtohej në sytë e Aliut. Vetë natyra e tij do ta shtynte atë të riparonte gabimin e bërë nga punëtorë të tjerë, duke përdorur me shpejtësi gozhdë, dru dhe vegla puna të cilat i gjeti pranë vetes, pa e ditur aspak se teksa zhbënte dëmin e kryer po vuloste në mënyrë direkte dekretin e arrestimit te tij. Në mënyrë qesharake, një vepër kaq e vogël e cila do të kishte vlerën monetare të vetëm 10000 lekëve ose një muaj pune e rrogës së tij, e cila nuk solli asnjë pasojë përveç ndreqjes së një gabimi, do të ishte shkak që Aliu të akuzohej për shpërdorim detyre , duke bërë që ai të dërgohej në mënyrë imediate në burgun e Bulqizës. Teksa shkruaj, mendoj me vete se ç’mund të jetë më qesharake: dëshira kaq e zjarrtë e dikujt për të spiunuar mbi këtë ndodhi, apo akuzimi i shpërdorimit të detyrës bazuar në disa pak gozhdë e dërrasa?

Burgimi në Bulqizë nuk do të ishte mjaftueshëm vuajtje për Aliun. Vetë sistemi kërkonte që të zhvaste më tepër nga ai, sepse në fund te fundit në qoftë se dhimbja dhe poshtërimi nuk do të ishin kolosale, nuk mund të quheshin vuajtje për ta, apo jo? Teksa gjendej në Bulqizë, përgjegjësit e kampit të punës i bënë Aliut një propozim që shumëkush do ta konsideronte tundues: ai mund të bëhej spiun i tyre, në shkëmbim të një trajtimi “preferencial”. Por si mundej një njeri kryelartë, besnik e i drejtë të pranonte të bëhej zagar i atyre që e burgosën padrejtësisht? Kështu ai refuzoi dhe për herë të dytë, mirësia e tij do t’i vinte vulën një tjetër dekreti që vendoste se duhej të vuante akoma më shumë. Kampi i punës në të cilën ai gjendej mund ta detyronte të vepronte e të punonte në kushte makabre nën tutelën e një qeverie që po e shpërdoronte. Megjithatë, askush nuk mund të kontrollonte dhe urdhëronte dot të vërtetën që gjendej brenda tij. Dhe sigurt, në përputhje të përkryer me ideologjinë e tyre komuniste për të goditur sa më fort gjithçka që nuk mund të kontrollohej, edhe Aliu u godit, fort dhe në mënyrë periodike. Ai kurrë nuk tregoi se çfarë torture specifike është detyruar të përballojë, por çfarëdo që të ketë qenë u bë shkas që ky burrë që dikur gëzonte shëndet dhe forcë të plotë, të sëmurej tejet rëndë. Sëmundja e tij do ta bënte të pamundur qëndrimin e tij në Bulqizë, e prandaj u vendos që ai të transferohej në kampin e punës në Sarandë, ku do të qëndronte deri në vitin 1978. Pas kësaj, Ali Lloshi, tashmë i lodhur dhe i keqtrajtuar, do të rikthehej tek familja e tij në Elbasan i mbushur me plagë në trup dhe në shpirt. Tre ditë pas këtij rikthimi do ta gjente veten të paaftë për të përdorur njërin krah dhe këmbë, të paralizuara përgjithmonë. Kjo gjendje shëndetësore e statusi ish të burgosurit do ta bënte jetesën në Shqipërinë komuniste edhe më të vështirë për Aliun. Megjithatë, ai dinte që të gjente gjithnjë kurajën për të vazhduar të jetonte e të punonte fshehurazi për të siguruar të ardhura për familjen e tij, dhe vazhdoi të ecë me kokën lart duke mos i lejuar prangat e diktaturës ta mbajnë të lidhur me veten akoma më gjatë. Pavarësisht kurajës dhe forcës për të ecur para, dëmet shëndetësore që Aliu mori në burg e përndoqën atë gjatë gjithë pjesës së mbetur të jetës, duke u bërë shkaku kryesor shëndetësor që ai të ndërronte jetë në vitin 2003 në moshën 56 vjeçare.

Unë quhem Alba Lloshi dhe Ali Lloshi është gjyshi im, të cilin nuk mu dha shansi ta njihja kurrë. Ende e kam të vështirë të kuptoj se si Likja arriti ta nxjerrë veten nga humnera në të cilen kishin dashur ta hidhnin, por ama ai e bëri, dhe kurrë nuk shfaqi asnjë shenjë dobësie tek dy fëmijët e tij. Babai dhe halla ime nuk ngurruan kurrë që të përpiqeshin të pikturonin në tablonë e mendjes time portretin e personit që dikur kishte qenë babai i tyre. Një pjesë shumë e rëndësishme e këtij portreti është edhe dënimi i tij i padrejtë në kampet e punës komuniste, pasi tregon në mënyrën më të hidhur një copëz të vendit që Shqipëria ishte gjatë regjimit komunist. Megjithatë, këto të vërteta të hidhura, si ajo e gjyshit tim duhet të bërtiten e ndahen me sa më shumë njerëz, për të mos u harruar kurrë, që të sigurohemi që historia të mos përsërisë më veten. Në të njëjtën mënyrë, e gjithë kjo ngjarje më bën që të ndihem e inatosur: jam e inatosur për mënyrën se si ndryshoi jeta e tij, e vazhdoj të mendoj se ndoshta, nëse ai do të jetonte diku tjetër, në një vend shumë larg Shqipërisë komuniste sot do të mund të ishte me mua dhe të më mësonte që të bëhesha sadopak e mirë si ai. Sot, veglat e punës të cilat gjyshi im rregulloi stivën e dëmtuar në repartin ku punonte (duke përfshirë çekiçin që ai përdorte më mirë) e që u bënë shkak për arrestimin e tij gjenden në shtëpinë time, të ruajtur nga miqtë e tij e më pas babai im. Edhe pse sëmundja e iniciuar në burg, bëri që gjyshi im të mos jetonte gjatë e si rrjedhojë të mos e njihte kurrë mbesën që sot po shkruan historinë tij, ndihem e lumtur sepse mendoj që historia e Aliut më ka mësuar shumë për të por edhe për jetën dhe e di se ai do të ishte krenar për mua. Historia e tij e dhimbshme mbi të gjitha më bëri të kuptoj se pavarësisht çdo gjëje fitoi një betejë aspak të lehtë siç ishte puna e detyruar në Shqipërinë komuniste, e më bëri të kuptoj se çdo goditje e marrë ka dëmtuar vetëm trupin e këtij heroi të familjes time, por këto goditje nuk arritën kurrë që të preknin mirësinë dhe kurajën që ai barte brenda vetes, arsye që më bëjnë të ndihem krenare të jem personi që ndan historinë e tij me një audiencë të gjerë, ku përpos mesazhit që historia e tij përçon tek unë, më inspiron që të përpiqem të jem sadopak si ai, kur flitet për forcën e tij për të vazhduar të ecë gjithnjë para me kokën lart. Prandaj, le të tregojmë sa më shumë histori të tilla. Të tregojmë për të mos harruar kurrë…


Çmimi i Tretë – Rigers Budlla (Faji trashëgohet)

Motivacioni

"Për trajtimin e së shkuarës si një takim etik me të vërtetën historike, për shkrimin me vërtetësi e mjeshtri të veçantë të një dëshmie familjare që i flet së tashmes përmes dhimbjes së pashlyeshme të përjetuar nga viktimat e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe kujtesës dëshmuese e të lënduar të familjarëve të tyre."

Faji trashëgohet

Thonë që e shkuara lidhet me të vdekurën. Në të vërtetë, pikërisht në momentin që diçka lind, ajo dhe vdes (bëhet pronë e së shkuarës), sekondat, minutat, orët, ngjarjet madje dhe ky moment, gjatë të cilit unë po derdh mendimet e rrëmujshme në shkretëtirën e kësaj flete. Pavarësisht këtij fakti, e shkuara mund të ndërhyjë në copëzat që ndërtojnë të tashmen, në hapësirat mes mendimeve, dëshirave apo dhe ëndrrave që frymojnë tani ose nesër. Ndaj mund të themi se e shkuara pëson vetëm një vdekje kohore dhe është në një proces të vazhdueshëm ndryshimi.

E shkuara nuk mund të jetë e ngurtë dhe e ftohtë, ajo vlon paqëndrueshmëri. E shkuara është porsi një njeri që gjatë rrugëtimit të tij kupton më shumë të vërteta rreth vetvetes. Për këtë arsye njeriu modern duhet të jetë në çdo moment në kërkim të së vërtetës. Në këtë mënyrë ai mund të shmangë ringjalljen e së shkuarës ose bllokimin në rrjetën e saj. Në secilin prej rasteve, e shkuara vjedh kohë prej orës së çdokujt prej nesh. E tashmja bëhet dita-ditës më e vështirë për t’u jetuar teksa pazllat e të vërtetave vazhdojnë të mbeten të paplotë.

Kur në mendje kërkoj për të vërteta gjysmake dhe të harruara në të shkuarën, në mend më vjen makthi prej së cilit shqiptarët për gati 50 vite nuk mundën t’u zgjonin, regjimi komunist në Shqipëri. Konsideruar si një nga regjimet më të egra të historisë, ai ishte makthi prej të cilit shqiptarët që guxonin t’u zgjonin, torturoheshin e shpesh vriteshin. Gjatë komunizmit u ekzekutuan 6027 persona, rreth 34135 persona ishin të burgosur politikë dhe 20000 familje u internuan ose burgosën. U vranë e u torturuan njerëz të artit, njerëz të politikës, njerëz të shkencave, njerëz të vlerave e virtyteve dhe dashurues të mëdhenj të lirisë, që luftuan me plot zjarr për të mirën e përbashkët të shqiptarëve.

Një e shkuar e errët dhe drithëruese, e cila ngjall akoma frikë në shpirtrat e atyre që e përjetuan por dhe atyre që nuk e patën atë fat. E dhimbshme. Një histori frikësuese, e cila rehatohet në hapësirat e mendjes sime kur sytë më dhurojnë imazhin e orës së vjetër në cepin e komodinës. Orën e dorës ma pati dhuruar gjyshi para se të ndërronte jetë, shoqëruar nga disa fjali të ndjera. Ai më tha: “Këtë orë e kam mbajtur për vite në dorë, por fatkeqësisht nuk e pata kurrë në dorë kontrollin e kohës. Ata më vodhën pjesët më të bukura të saj. Shikoje këtë orë dhe kujtohu, kujtohu të jetosh me zemër në çdo frymë lirie që merr.”. Kur më kujtohet zëri i gjyshit, në mendje më kthehet çdo kujtim që lidhet me periudhën e komunizmit. Arrija t’i dalloja gjurmët e shumta, që era e kohës nuk mundi t’i fshijë në mendësinë dhe shpirtin e gjyshit tim. Ende mërzitem. Koha si gjithnjë kalon. Unë sërish e gjej veten në të njëjtin udhëkryq si rezultat i një pyetje të vjetër që i bëj vetes, thënë nga historiani i madh britanik Roger Moorhouse. Ai shprehej: “Si mund të ishin aq mizorë dhe të shkaktonin një dhunë të tillë në shoqëri?”. Sa herë më troket në mendje kjo pyetje, aq më thellë përfshihem në historinë që gjyshi tregonte për babanë e tij.

Historia ishte e shkurtër, pasi gjithnjë nuk jepej e plotë. Tregohej copëza-copëza prej frikës së përgjimit, pavarësisht se shumë vite kishin kaluar prej atij regjimi. Dukej si një histori e shkruar në stil lakonik. Fjalët ishin të varfra dhe tepër të fshehta. Toni ishte zakonisht i ulët sepse ne vëzhgoheshim sipas gjyshit. Ata presin vetëm për një gabim tonin - thonte ai, ndjekur nga dy sy të trembur, që fshiheshin pas qerpikëve të gjatë. Pavarësisht tonit që gjyshi i vishte fjalëve, ai shfaqej shumë autoritar. Kërkonte të kontrollonte çdo gjë. Sytë e tij ruanin cepat e shtëpisë ndërsa veshët shpesh zgjateshin drejt mureve, të cilët punonin si agjentë. Kur ai sigurohej se “agjentët” ishin pa mendje dhe se dyert ishin të kyçura, ai fillonte të nxirrte ndonjë fjalë tek-tuk. Herë me kuptim, herë pa kuptim. Dukej sikur e bënte me qëllim atë ngatërresë fjalësh në mënyrë që të mos zbërthehej. Të kuptoje historinë e tij ishte sikur të plotësoje një pazëll gjigant. Prandaj përpiqesha ta shënoja fshehtas në telefonin tim çdo fjalë, që arratisej nga gjyshi. Pas shumë çelësash që ndrydheshin, shikimesh që peshkonin, dyshimesh e ndërprerjesh, unë arrita ta plotësoj imazhin e pazllit të historisë.

Historia daton disa vite pas ardhjes së regjimit komunist në Shqipëri. Çdo gjë ishte e ndrydhur. Çdo formë e lirisë quhej krim dhe duhej ndëshkuar pasi populli ishte në rrezik të madh sipas tyre. Shteti sigurohej që ngjarja të kishte gjithnjë një fajtor, pavarësisht pafajësisë së individit. Rrugëdalja krijohej vetëm atëherë kur faji pranohej. Fatkeqësisht, udhëtar i kësaj rruge ishte dhe stërgjyshi im, i cili në mënyrë të padrejtë u arrestua mbi akuza ta pabaza. Fillimi i kësaj historie lidhet me vëllain e tij. Ai zotëronte një post mjaft të lartë, atë të Shefit të Krimeve për zonën e Vlorës. Me urdhër të shtetit, ai duhej të mblidhte florinjtë e çamëve të pasur të Vlorës. Florinjtë më pas do përdoreshin si ndihmë për të ngritur shtetin e ri. Ndonëse pa dëshirën e tij, frika për veten dhe familjen e detyroi që ta çonte deri në fund detyrën e caktuar. Por nuk do vononte shumë kur mbi rrethana të pacaktuara, ai do arrestohej dhe më pas do akuzohej sikur kishte vjedhur pjesë të florinjve. Me mungesën e një gjyqi dhe duke e sorollatur në disa burgje, ai shumë shpejt do pushkatohej padrejtësisht me urdhër të bashkëfshatarit të tij nga Çorrushi Mallakastrës, Mehmet Shehu.

Nuk do zgjaste me kaq. Rrjeta e tyre ishte si ajo e merimangës. Ajo bëhej gjithnjë e më e madhe dhe përpiqej që sa më shumë njerëz të mbeteshin viktima të saj. Këmbët e komunizmit lëviznin shumë shpejt dhe nuk shqetësoheshin për gjurmët e errëta që linin pas. Madje e bënin me dëshirë pasi kështu siguroheshin, që frika do të pushtonte shpirtrat e çdo dëshmitari dhe nënshtrimi do ishte më i madh. Pas vrasjes së tij, shumë shpejt ato do iu vinin mbrapa dhe të afërmve. Si gjithmonë, faji trashëgohej. Shtëpia e babait të gjyshit do të ishte pre e kontrollove të shumta. Tani mbi të rëndonte akuza e marrjes së një pjese florinjsh nga vëllai tij. Sërish një akuzë e pabazë. Pavarësisht së vërtetës, akuza e shtetit ishte gjithnjë e drejtë. Ty të mbetej veç ta pohoje. Si rezultat e gjithë shtëpia u shtetëzua. Familja e gjyshit duhej të paguante qiranë që të jetonte aty ndërsa një pjesë e saj iu dha me qira disa njerëzve të tjerë. Një çmenduri e vërtetë.

Tepër e pazakontë ishte se ndaj fisit nga ana e gruas të së ndjerit nuk u mor asnjë veprim ndëshkues. Kjo linte hapësirë për të aluduar se vetë gruaja e tij mund të ketë luajtur rolin e një agjenteje duke ngritur akuza dashakeqëse. Vetë kryetari i atij regjimi kishte dyshim dhe frikë të theksuar, ndaj dhe në të njëjtat baza kishte ngritur gjithë pushtetin e tij. Sistemi i spiunazhit ishte tepër i përparuar për kohën. E keqja e atij regjimi ishte se çdo akuzë merrej e mirëqenë dhe synimi ishte ndëshkimi dhe jo kuptimi i ngjarjes dhe vërtetimi i akuzës. Babai i gjyshit u tërhoq zvarrë teksa ishte pa ndjenja para syve të gjyshit, asokohe një fëmijë 11 vjeçar. Gjyshi e përshkruante këtë ngjarje shumë shpesh. Kishte lënë traumë të madhe tek ai. “Ne vetëm shikonim sikur ishte diçka normale. Desha të qaj por mamaja nuk më la. Ata na dëgjojnë.” - shprehte ai. Pas arrestimit të tij dihen shumë pak fakte. Kjo sepse stërgjyshi ishte aq i traumatizuar saqë guximin për të ndarë sa copëza të vuajtjeve të tij e gjeti vetëm në fundet e jetës së tij. Ai shprehte se dhunohej çdo ditë. Kyçet e tij lidheshin me litar në dy anët e mureve dhe brinjët e tij goditeshin me shkopinj për ta shkatërruar fizikisht. Shpesh i vinin në sfond me orë kaseta me të qara dhe bërtitura fëmijësh. Duke ditur se ai kishte tre fëmijë ajo torturë e shkatërroi psikologjikisht. Madje ndonjëherë i hidhnin kuti të vogla me morra në kokë, që përfundonin në gjakosje të mëdha nga kruajtjet e shumta. Të gjitha këto tortura çnjerëzore kryheshin me qëllimin e vetëm të gjetjes së “vërtetës”. Por në atë regjim e vërteta ishte vetëm ajo që thuhej prej shtetit, prej atij që akuzonte, arrestonte dhe nënshtronte. Ndaj njerëzit e pafajshëm kalonin përmes këtyre torturave dhe këmbenin pafajësinë e tyre me ndalimin e torturës fizike dhe psikologjike.

Pas pranimit të fajit, babai i gjyshit u lirua. Pavarësisht se fitoi lirinë prej burgut, ishte mjaft e vështirë që ai të shijonte grimcat e lirisë, që ai regjim ofronte. Ai vazhdoi të jetonte në ish-shtëpinë e tij, që ishte shtetëzuar. Ndonëse ai ishte i lirë fizikisht, tortura e thellë që ai kaloi në atë burg ia vështirësoi shkëputjen nga e shkuara dhe perceptimin e realitetit. Shpesh gjyshi e gjente të fshehur poshtë krevatit ose pas perdeve nga frika e torturave. Bërtiste me të madhe: “Erdhi, erdhi ai. Mbyllini dyert, mbyllini shpejt!”. Ai nuk mund t’i duronte të qarat e fëmijëve pasi i kujtonin torturat gjatë burgimit. Rrinte vetëm në errësirë, nuk lëvizte shpesh gjatë ditës. Sytë e tij nuk rrinin kurrë në një vend, por kurrë nuk ngriheshin lart.

Koha e tij në burg nuk la gjurmë vetëm tek ai, por dhe tek gjyshi im. Ai ishte tepër i vogël për të dëshmuar pasojat e atij regjimi, që pasqyroheshin në sjelljet e babait të tij. Në raste të shumta ishte ai që dëgjonte të bërtiturat, vrapimet, dyshimet dhe fshehjet e babait të tij. Ato krijuan në mendjen e tij një frikë të thellë ndaj regjimit. Ndonëse vitet kaluan, ai gjithnjë mbeti i traumatizuar nga situatat e jetuara gjatë fëmijërisë. Komunizmi la gjurmë të thella tek kushdo: tek ata që e dëshmuan, ata që e kundërshtuan e luftuan, por dhe tek ato që e mbështetën. Ai regjim la gjurmë të thella, të cilat njerëzit shpesh i lanë në harresë nga frika e nga dhimbja e madhe.

Gjurmët e komunizmit nuk duhet të harrohen, përkundrazi është e nevojshme të kujtohen. Jetëgjatësia e tyre do të vazhdojë të rritet nëse e shkuara lidhet me të vdekurën. Sot më shumë se kurrë duhet ta njohim dhe studiojmë rregullisht të shkuarën e vendit tonë. Përmes të vërtetave të harruara ose humbura ne do të arrijnë të nxjerrim mësimet e duhura prej historisë. Ora e gjyshit tim mund të ketë ndaluar, por ora e Shqipërisë do të vazhdojë të ecë, nëse ne do të gërmojmë vazhdimisht në të shkuarën për të plotësuar imazhet gjysmake të së vërtetave. Duke u pajisur me një shoqëri që e sheh rrugën drejt së ardhmes përmes kalimit në të shkuarën, është më se e sigurt që Shqipërinë nuk e pret gjë tjetër veçse një e ardhme e ndritur.

Referencë:


Çmimi inkurajues – Greis Kanani (Heshtje)

Motivacioni

"Një mesazh i fortë përtej historisë familjare, se si u ndalua liria e shprehjes gjatë diktaturës dhe se si gjyshërit duhet t’u kalojnë dëshmitë dhe njohuritë e tyre te brezi më i ri."

Heshtje

Lotët që ranë m’u thanë,
Nana s’të sheh dot o biri im,
Zërin tënd s’e dëgjoi,
Aromën tate s’ta ni,
Ku je ti o dashuri e parë,

Më ka marrë malli O biri i nënës,
Jetën ta morën se fole,
Kjo dhimbje dergjet në shpirtin tim,
Je një zog larg folesë së nënës,
S’të mbajta dot në gji,

Kjo jot ëmë s’flet dot për dhimbje,
Ky është mallkimi që më ka ra
Sytë ngado i hedh,
Ngashëroj, por nuk të gjej,

Ku je o djali im,
Ike dhe nënën e le vetëm ti,
Jeta ime s’ia vlen të jetohet,
Se viktimë re për të mbrojt’ kët’ Shqipni.

Vaj do më shkojë pjesa tjetër e jetës,
Deri sa të vdes o bir ty s’do të harroj,
Krenare do jem për ty,
Deri sa të marr frymë.