konkurse

Pyet Gjyshërit 5

Publikuar më

Nisur nga një Objekt

Për miqtë tanë të rinj dhe të vjetër, konkursi "Pyet Gjyshërit" vjen sërish, për të frymëzuar punime kreative dhe për të mirëpritur e promovuar histori të padëgjuara më parë.

Këtë edicion ftojmë të rinjtë nga mosha 14 deri në 19 vjeç, të kërkojnë objekte simbolike, me kuptim a rëndësi të veçantë. Nisur nga këto objekte mund të rrëfeni histori familjare apo të të afërmve tuaj përmes tre zhanreve:

  • Art figurativ
  • Histori të shkruara (Storytelling)
  • Digital Storytelling (Multimedia)

Fotografi, letra, dokumente, mobilie/orendi, veshje apo çdo lloj sendi tjetër sinjifikativ – përmes këtyre objekteve synojmë që çdo pjesëmarrës të reflektojë në mënyrë kreative mbi të shkuarën diktatoriale të vendit tonë.

Në 7 vitet aktive të IDMC kemi konstatuar se për shkak të vëmendjes së kufizuar në sistemin arsimor, pasqyrimin e vakët në media, dhe interpretimin e shtrembëruar ne rrjetet sociale: njohja dhe reflektimi mbi të shkuarën komuniste mbetet ende një sfidë e rëndësishme për të rinjtë shqiptarë.

Ndaj konkursi u ofron kështu mundësinë të rinjve shqiptarë të ballafaqohen në mënyrë kreative me një periudhë të pajetuar prej tyre dhe emblematike për zhvillimin e vendit deri më sot.

Pyesni gjyshërit, pyesni prindërit, pyesni të gjithë ata përfaqësues të brezave që jetuan gjatë regjimit komunist në Shqipëri, rrëmoni në kujtimet e tyre, tregohuni kureshtarë dhe mësoni më shumë për familjarët tuaj, për një periudhë shumë ndryshe nga ajo që ju po jetoni sot. Sepse nuk ka të ardhme të sigurt pa njohur të shkuarën.

Objekti mund të lidhet me një histori (dhe jo vetëm):

  • Një ngjarje e përjetuar në familjen tuaj dhe e dëshmuar
    Mund të jetë: një dokument, një dosje ose një akt juridik, i cili ka shenjuar jetën e një familjari, duke ndryshuar fatin e tij/të saj dhe të gjithë pjesëtarëve të familjes, një tekst fizik ose foto.
  • Përditshmëria në diktaturë
    Mund të jetë një objekt: radio, gazetë, rroba apo send i ardhur nga jashtë, i cili është mbajtur nga një i/e burgosur apo i/e përndjekur dhe që mbart pas vetes një histori.
  • Akt qëndrese ndaj padrejtësive në diktaturë
    Ashtu siç dihet, regjimi komunist kishte ndaluar fenë, duke imponuar ateizmin. Mund të sillen objekte kulti (ornamente, tespihe, kryq, copëza relikesh nga prishja e kishave, xhamive dhe teqeve), të cilat dëshmojnë jo vetëm shkatërrimin, por vlerën dhe rezistencën ndaj regjimit.
  • Histori personale
    Shpeshherë historitë e dashurisë ndërpriteshin për shkak të biografisë familjare që të rinjë kishin. Ju mund të sillni objekte të tilla që dëshmojnë gjurmët e lëna në jetët e tyre.
  • Libra të ndaluar, ditarë të fshehur ose letra të ruajtura.
  • E të tjera…

Të mos harrojmë diktaturën dhe pasojat që ajo lë kundrejt harresës!

Përmbledhje

Kushtet e pjesëmarrjes

Ftohen të marrin pjesë: Gjimnazistët 14‒19 vjeç (punim individual)

Mënyra e konkurrimit:

  • Video dhe audio (jo më gjatë se 4 minuta)
  • Art dhe instalacione
  • Intervistë për objektin (jo më gjatë se 4 minuta)
  • Ese
    • Punimet në arte figurative (poster, pikturë, vizatim, skicë etj.) nuk duhet të jenë më të mëdha se formati A3.
    • Rrëfimet e shkruara duhet të përmbajnë minimumi 1.000 dhe maksimumi 2.000 fjalë dhe të pajisen me dokumente autentike.
    • Pjesëmarrësit e viteve të shkuara janë të mirëpritur edhe në këtë konkurs me kushtin që punimet e tyre te kenë përmbajtje të ndryshme nga më parë.

Shpallja zyrtare e konkursit: 5 nëntor 2022

Mbyllja e konkursit: 20 janar 2023

Shpallja e fituesve: Shkurt 2023

Çmimi për fituesit: Vizitë studimore jashtë Shqipërisë

Kriteret

  • Punimet mund të realizohen në gjuhën shqipe ose angleze.
  • Çdo konkurrues mund të përfaqësohet me më shumë se një punim.
  • Punimet e dorëzuara duhet të kenë të bëjnë me temën e konkursit.
  • Pranohen vetëm punime origjinale.
  • Historitë që përmbajnë elementë racizmi në këndvështrimin etnik, gjinor, seksual etj. nuk do të pranohen në konkurrim.
  • Punimet fituese i dorëzohen organizatorit, i cili gëzon të drejtën t'i prezantojë ato në aktivitete ndërgjegjësuese (jofitimprurëse) brenda dhe jashtë vendit.
  • Konkursi është pa pagesë.

E drejta e autorit dhe të drejtat e ripërdorimit

  • Për çdo person që del në video, film apo fotografi jeni të lutur të merrni një leje për të drejtën e botimit apo transmetimit.
  • Punët e dorëzuara në konkurs duhet të jenë origjinale.
  • Plagjiaturat sjellin automatikisht përjashtimin nga konkursi.
  • Të gjitha të drejtat u mbesin autorëve, por me pjesëmarrjen në këtë konkurs, fituesit u kalojnë organizatorëve të drejtat ripërdoruese, të palimituara, për ekspozime ose botime të mëtejshme.
  • Fituesit e konkursit u kalojnë organizatorëve të drejtën ekskluzive për përkthim, publikim, ekspozim ose transmetim të punimeve fituese për një afat të pacaktuar.
  • Fituesit bien dakord që sipas të drejtave të mësipërme të mos pretendojnë honorar tjetër, përveç çmimit.

Dorëzimi i punimeve

Afati i fundit i dorëzimit është data 20 janar 2023, ora 00:00.

Pjesëmarrësit në konkurs mund të marrin pjesë përmes linkut në vijim:

Formular aplikimi
Formular aplikimi

Shënim:

  • Në rast se punimi multimedial është më i madh se 5 MB, ju lutemi dërgojeni përmes WeTransfer me e-mail konkursi@idmc.al
  • Artet figurative: ju lutemi ngarkoni një foto të punimit dhe lini një takim për ta dorëzuar në zyrën e IDMC përmes konkursi@idmc.al

Adresa e dorëzimit:

IDMC – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

Rr. "Bardhok Biba", Ndërtesa "Trema"
Hyrja A, Kati 11
Tiranë

Pjesëmarrësit do të marrin një konfirmim me e-mail për secilën fazë përzgjedhjeje. Për më shumë informacion, ju lutemi konsultohuni me faqen tonë të internetit ose na ndiqni në Facebook.

Juria dhe vlerësimi

Konkursi do të shpallë gjithsej 7 çmime.

Të gjitha punimet do të vlerësohen nga një juri e pavarur me figura publike dhe ekspertë të fushës, bazuar në kriteret e mëposhtme:

  • Risia në paraqitjen e temës
  • Objekti me historinë më domethënëse
  • Kuptueshmëria
  • Origjinaliteti
  • Aftësia për të tërhequr publikun
  • Mesazhi i qartë dhe i fuqishëm
  • Stili autentik i rrëfimit

Fituesit do të shpallen në shkurt 2023 në një nga "DITËT E KUJTESËS" dhe do të ftohen në Tiranë për të marrë çmimet e fituara në prani të personaliteteve nga fusha e medies, shoqërisë civile, politikës dhe kulturës.

Organizator i konkursit

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

Partnerët

Fondacioni "Konrad Adenauer"
Shoqata Kombëtare Shqiptare e Mësuesve të Historisë "Rinia dhe Historia"