Pyet Gjyshërit 2

Pas edicionit të parë të konkursit "Pyet Gjyshërit 1" që shpalli 7 fitues, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) hap sërish thirrjen për aplikime për edicionin e dytë të konkursit nga data 18 shtator–31 tetor 2017.
Këtë vit konkursi "Pyet Gjyshërit 2" do të ketë në fokus jo vetëm ngjarjet por edhe objektin që tregon një histori personale dhe synon t'ju ofrojë gjimnazistëve shqiptarë mundësinë të flasin përmes mjeteve kreative duke ndarë histori, përvoja, përjetime familjare, dhe duke ndihmuar në dialogun midis brezave.
Gjyshi është natyrisht një simbolikë, një sistem reference i brezave që jetuan gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Si pjesë e reflektimit kreativ mbi të shkuarën mund të shërbejnë rrëfimet e të afërmve më të moshuar, mësuesve, fqinjëve, të cilët janë dëshmitarë okularë të asaj kohe. Konkursi u jep kështu shansin gjimnazistëve shqiptarë të ballafaqohen me një periudhë të pajetuar prej tyre dhe emblematike për zhvillimin e vendit deri sot.
Të rinjtë ftohen të dërgojnë punimet e tyre në multimedia sepse interneti është vendi ku të rinjtë, brezi dixhital, shpenzojnë pothuajse pjesën më të madhe të kohës së tyre. IDMC ka menduar t'i motivojë ata në mënyrë kreative që të ndajnë përvojat e brezit të kaluar në mënyrë dixhitale (digital storytelling) duke kombinuar artin e të treguarit me një shumëllojshmëri mjetesh që ofron multimedia, si: tekst, imazh, grafikë, audio, video, muzikë etj.
Synimi i konkursit "Pyet Gjyshërit" është ndërgjegjësimi i të rinjve dhe i shoqërisë shqiptare për rëndësinë e njohjes me të shkuarën e vendit të tyre, sepse pa njohur të shkuarën nuk ka të ardhme të sigurt.
Ky është konkursi i tretë kombëtar i organizuar nga IDMC pas "Lindur në 90-ën: Zbulo të shkuarën, krijo të ardhmen" (2015) dhe "Pyet Gjyshërit 1" (2016). Konkursi "Pyet Gjyshërit 2" është një projekt nga IDMC në partneritet me Shoqatën e Mësuesve të Historisë së Shqipërisë "Rinia & Historia" (ALBNA) dhe mbështetet nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve dhe Fondacioni gjerman Konrad Adenauer.
Suksese!
Dr. Jonila Godole
Drejtore Ekzekutive e IDMC
Përmbledhje
Tematikat
Mbi çfarë teme ta krijoj videon time?
Konkurruesit janë të lirë në përzgjedhjen e temave që do të trajtojnë dhe këndvështrimin mbi të shkuarën e vendit. Si një orientim paraprak mund të shërbenin historitë e rrëfyera personale mbi:
- Objekte: dokumente, monedha, sende personale, veshje, fotografi/album fotografik, libra, vepra arti, bizhuteri etj.
- Ngjarje personale: histori familjare, përditshmëria në diktaturë (jeta në shkollë, në punë; ushqimi, veshja, sjellja etj.), sportet e lojërat, jeta kulturore (kinema, teatër), histori dashurie, besimi fetar etj.
Kushtet e pjesëmarrjes
- Ftohen të marrin pjesë: Gjimnazistët 15‒19 vjeç (për punime individuale ose në grup)
- Zhanri konkurrues: Multimedia (video ose/dhe audio deri në 4 min)
- Shpallja e konkursit: 18 shtator 2017
- Mbyllja e aplikimit: 31 tetor 2017
Kriteret
- Punimet mund të dorëzohen në gjuhën shqipe ose angleze.
- Çdo konkurrues mund të përfaqësohet vetëm me një punim.
- Punimet e dorëzuara duhet të kenë të bëjnë me temën e konkursit.
- Pranohen vetëm punë origjinale që nuk janë paraqitur në aktivitete të ngjashme.
- Të gjitha produksionet (audio, video etj.) nuk mund të jenë më gjata se 4 minuta. Çdo punë që e kalon këtë minutazh do të skualifikohet.
- Punimet që përmbajnë elementë racizmi etnik, gjinor, seksual etj. nuk do të pranohen në konkurrim.
- Konkursi është pa pagesë.
Fituesit e konkursit të kaluar "Pyet Gjyshërit" nuk lejohen të marrin pjesë në këtë konkurs.
Dorëzimi i punimeve
Të gjithë konkurruesit që vendosin të marrin pjesë në konkurs duhet të dorëzojnë në adresën e e-mailit office@idmc.al dokumentet e mëposhtme nën subjektin (pyetgjysherit _Emër_Mbiemër).
- Një CV e shkurtër e autorit/autorëve.
- Kopje e firmosur e formularit të aplikimit ku përveç të dhënave të aplikantit/aplikantëve dhe rënies dakord me kushtet e pjesëmarrjes, përfshihet propozimi për temën e punimit (1 fjali) dhe një abstrakt i shkurtër (gjithsej maks. 1.200 karaktere me hapësirë) ku konkurruesit paraqesin idenë e tyre për produksionin dhe shpjegojnë mënyrën si kanë menduar ta realizojnë atë.
- Produksionet finale dorëzohen pranë zyrës së IDMC, në dy (2) CD/DVD me kapacitet përkatës, ose me WeTransfer në office@idmc.al.
Adresa:
IDMC – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Rr. "Bardhok Biba", Ndërtesa "Trema"
Hyrja A, Kati 11
Tiranë
Pjesëmarrësit do të marrin një konfirmim me e-mail për secilën fazë përzgjedhjeje. Për më shumë informacion, ju lutemi konsultohuni me faqen tonë të internetit ose na ndiqni në Facebook.
Juria dhe vlerësimi
Konkursi do të shpallë 3 çmime për secilën kategori (punime individuale dhe në grup) si edhe 1 çmim të publikut.
Të gjitha punimet do të vlerësohen nga një juri e pavarur me figura publike dhe ekspertë të fushës, bazuar në kriteret e mëposhtme:
- Risia në paraqitjen e temës
- Kuptueshmëria
- Kreativiteti dhe origjinaliteti
- Aftësia për të tërhequr publikun
- Mesazhi i qartë dhe i fuqishëm
- Stili autentik i krijuesit
- Aftësia për të kryer një vepër të arrirë përmes formave inovative (mediave sociale etj.) dhe mjeteve të thjeshta (smartphone, videokamera amatore etj.) brenda 4 minutave
Fituesit do të shpallen më 23 nëntor 2017 në një nga ditët e aktivitetit "DITËT E KUJTESËS" dhe do të ftohen në Tiranë për të marrë çmimet e fituara në prani të personaliteteve nga fusha e medias, shoqërisë civile, politikës dhe kulturës.
Organizator i konkursit

Kontakt
Matilda Karçanaj | E-mail
Valbona Bezati | E-mail
Partnerët

