njoftime

Ditët e Kujtesës 2023, trajtimi i së shkuarës nga pikëpamja krahasimore

Publikuar më

Të dashur miq dhe kolegë,

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS) ju ftojnë në edicionin e 8-të të DITËVE TË KUJTESËS, që do të organizohet më 18–28 Shkurt 2023. Këtë vit fokusi do të vendoset në përvojat e ndryshme të vendeve ish-komuniste në ballafaqimin me të shkuarën. Vendet baltike, për shembull, janë konsideruar të suksesshme për investigimin dhe ndëshkimin e krimeve të komunizmit, por mbi të gjitha për krijimin e politikave adekuate të kujtesës. Qëndrimi i tyre i prerë ndaj regjimeve totalitare, nazizmit dhe stalinizmit, është konsideruar ndër faktorët kyç të integrimit të tyre të shpejtë në Bashkimin Europian (BE) prej vitit 2004.

Nën moton "Dealing with the Past in Comparative Perspective – Lessons (not) Learned" ("Trajtimi i së shkuarës nga pikëpamja krahasimore – Çfarë [nuk] Mësuam"), veçanërisht një vit pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, tema e përballjes me të shkuarën komuniste mbetet më shumë se kurrë aktuale. Nëse politikat e memories kolektive do të kishin qenë efektive dhe nëse do të ishte zbatuar procesi i dekomunistizimit, nuk do të kishim këto prirje autoritare që hasen sot në shumë vende ish-komuniste në Europë. Vendi më tipik për mospërballjen me të shkuarën është Bjellorusia autoritariste, ku opozita është detyruar të largohet jashtë vendit, duke krijuar një qeveri në emigrim të drejtuar nga Sviatlana Tsikhanouskaya. Ukraina, nga ana tjetër, ishte ndër vendet e para që kreu procesin e dekomunistizimit (desovjetizimit) duke e konsideruar të shkuarën komuniste si një nga instrumentet themelore që Rusia mund të përdorte kundër saj. Dhe sulmi i paprecedentë i Rusisë më 24 shkurt 2022 i dha të drejtë. A do të kishim luftë ndaj Ukrainës nëse shoqëria ruse do e kishte përmbyllur procesin e dekomunistizimit? Me gjasë jo. Por fakt është që ende në vitin 2023, vendet që nuk janë përballur me të shkuarën e tyre rrezikojnë të përsërisin modelet e regjimeve të shkuara autoritare. Mbi të gjitha ato janë një kërcënim i hapur për paqen dhe të drejtat e njeriut kudo në botë.

Analizimi i faktorëve që kanë ndikuar në zbatimin e politikave të kujtesës në vende të ndryshme, rruga që këto vende kanë bërë, të përbashkëtat dhe veçoritë e tyre në aspekte të ndryshme krahasuar me Shqipërinë, avantazhet dhe disavantazhet e modeleve të ndjekura, do të jenë në qendër të aktiviteteve të DITËVE TË KUJTESËS 2023. Me rastin e hapjes zyrtare të negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE (korrik 2022), është e rëndësishme të analizojmë se si politikat e kujtesës ndikojnë në përforcimin e vlerave të përbashkëta të komunitetit europian, si: dinjiteti njerëzor, toleranca, liria, barazia dhe solidariteti.

DITËT E KUJTESËS është një aktivitet i përvitshëm që synon të mbajë gjallë debatin shoqëror dhe kujtesën mbi pasojat e regjimit komunist në Shqipëri dhe organizohet nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer dhe institucione të tjera të memories brenda dhe jashtë vendit, qysh prej Tetorit 2016.

Aktivitetet gjatë DITËVE TË KUJTESËS synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për pasojat e krimeve të diktaturës dhe forcimin e dialogut mbi të shkuarën përmes debateve, prezantimeve të botimeve më të reja mbi diktaturën, ekspozitave, konferencave ndërkombëtare, shfaqjeve të dokumentarëve etj.

Programi
Programi

Në vazhdim të traditës sonë të bashkëpunimit, si në edicionet e kaluara, ftojmë të gjitha organizatat dhe institucionet që veprojnë në fushën e kujtesës, publike dhe jopublike, muzetë dhe iniciativat lokale e ndërkombëtare të kujtesës, shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, qendrat studimore etj., të bëhen pjesë e këtij edicioni.

Ju faleminderit!

Stafi i IDMC-së