ditët e kujtesës

Ditët e Kujtesës '24

Publikuar më

Të dashur miq dhe kolegë,

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS) ju ftojnë në edicionin 9 të DITËVE TË KUJTESËS, i cili do të organizohet më 20–26 shkurt 2024.

Nën moton "Kujtesa në të ardhmen: Ruajtja e historisë pa dëshmitarë" ("Future Memories: Preserving History Without Witnesses"), synojmë të tematizojmë sfidat e jashtëzakonshme të ruajtjes dhe të përcjelljes së historisë sonë, kur dëshmitarët okularë sa vijnë e pakësohen, ndërsa nesër nuk do të jenë më. Pas 45 vitesh diktaturë staliniste në Shqipëri dhe një mungese të ndjeshme të përballjes me të shkuarën pas vitit 1990, sot çështja e kujtesës dhe sfidat për të ardhmen janë më të rëndësishme se kurrë.

Në mbarë botën, muzetë, memorialet dhe institucionet e kujtesës ndodhen të gjitha para së njëjtës sfidë: Si të mbajnë gjallë historinë kur dëshmitarët okularë nuk do të jenë më mes nesh? Zhvillimi i teknologjisë ka rritur mundësinë e ruajtjes dhe përpunimit të dëshmive gojore dhe mund të jetë një shans për tranzicionin nga dëshmia e gjallë te ajo virtuale, pavarësisht dilemave etike që e shoqërojnë këtë proces. Ndërsa Shqipëria dhe vendet ish-komuniste përballen me pasojat e së shkuarës totalitare, është thelbësore të nxjerrim mësim nga përvojat e suksesshme ndërkombëtare. Kjo duhet jo vetëm për të mbajtur gjallë historinë tonë, por edhe për të garantuar se ajo nuk do të harrohet dhe do të mësohet nga brezat e ardhshëm.

DITËT E KUJTESËS janë një aktivitet i përvitshëm, që organizohet nga IDMC me mbështetjen e KAS dhe në bashkëpunim me institucione të tjera të kujtesës brenda dhe jashtë vendit qysh prej vitit 2016. Aktivitetet gjatë DITËVE TË KUJTESËS synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për pasojat e krimeve të regjimit komunist dhe forcimin e dialogut mbi të shkuarën përmes debateve, prezantimeve të botimeve më të reja mbi diktaturën, ekspozitave, konferencave ndërkombëtare, shfaqjeve të dokumentarëve etj.

Në vazhdim të traditës sonë të bashkëpunimit, si në edicionet e kaluara, ftojmë të gjitha organizatat dhe institucionet që veprojnë në fushën e kujtesës, publike dhe jopublike, muzeumet dhe iniciativat lokale dhe ndërkombëtare të kujtesës, shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, qendrat studimore etj., të bëhen pjesë e këtij edicioni.

Ju faleminderit!

Stafi i IDMC-së

Programi –
Programi – "Ditët e Kujtesës '24"