aplikime

Thirrje për abstrakte për konferencën "Situata e mësimdhënies dhe mësimnxënies së historisë në Shqipëri"

Publikuar më

Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) në kuadër të edicionit të pestë të "DITËVE TË KUJTESËS: Dhuna dhe represioni stalinist" që do të mbahet në datat 13–20 shkurt 2020, do të organizojë në bashkëpunim me Shoqatën e Mësuesve të Historisë, konferencën ndërkombëtare "Situata e mësimdhënies dhe mësimnxënies së historisë në Shqipëri – trajtimi i periudhës së regjimit komunist, risi dhe sfida" më datë 14 shkurt 2020.

Në konferencë do të ballafaqojmë idetë, praktikat jo vetëm të aktorëve që punojnë brenda vendit, por edhe me ata jashtë vendit; jo vetëm përvojat në trajtimin e regjimeve komuniste në kurrikul nga vendet e Europës Juglindore, por edhe përvojat e vendeve të Europës Perëndimore; do të ballafaqojmë jo vetëm idetë e historianëve apo hartuesve të kurrikulave, por edhe idetë dhe përvojat e mësuesve të historisë, nxënësve të tyre e specialistëve të arsimit.

Trajtimi i periudhës historike të regjimit komunist në Shqipëri do të zërë vend veçanërisht në këto drejtime:

  • Në programet e lëndës së historisë
  • Në tekstet e historisë
  • Në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies në klasë
  • Në drejtim të nxënësve

Ju ftojmë të dërgoni abstraktin tuaj, jo më shumë se 300 fjalë së bashku me një CV të shkurtër akademike deri më 1 dhjetor 2019 në adresën e email-it conference@idmc.al. Abstraktet do të përzgjidhen deri më datën 15 dhjetor 2019.

Së shpejti do t'ju dërgojmë më tepër informacion rreth edicionit të pestë të Ditëve të Kujtesës që do të mbahet më 13–20 shkurt 2020, duke përfshirë edhe programin paraprak të aktivitetit si dhe partnerët e këtij viti. Ky informacion do të gjendet edhe online, prandaj ju lutemi të konsultoni faqen "DITËT E KUJTESËS 2020" si dhe të na shkruani në office@idmc.al.

Do ta vlerësonim bashkëpunimin tuaj në këtë fazë duke e shpërndarë këtë e-mail me aktorë dhe individë të tjerë të cilët ju mendoni se mund të ofrojnë një kontribut në këtë konferencë.

PS: Për të gjithë mësuesit e historisë: do e vlerësonim nëse do të merrnit pak kohë për të ndarë me ne idetë tuaja në mënyrë anonime, në këtë anketë që jemi duke realizuar për trajtimin e periudhës komuniste në tekstet e historisë.