Thirrje për aplikim në konferencën "Mes apatisë dhe nostalgjisë"

Në kuadër të aktivitetit të përvitshëm "DITËT E KUJTESËS", që Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS) organizon për herë të dytë, në datat 17–18 nëntor 2017 do të mbahet konferenca "Mes apatisë dhe nostalgjisë: Kujtesa publike dhe private për komunizmin në Shqipërinë e sotme".
Konferenca ka për qëllim të diskutojë mënyrat e ndryshme se si komunizmi kujtohet në sferën publike (p.sh. në diskursin politik, letërsi, art, historiografi, libra shkollorë, memuaristikë, muze dhe ekspozita, media dhe rrjete sociale etj.) dhe në sferën private (duke pasur parasysh kategoritë e ndryshme si shtresa sociale, gjinia, zona e vendbanimit, gjenerata, profesioni etj.). Referate nga folësi kryesor, Prof. Stefan Troebst, dhe ekspertë të kujtesës për komunizmin në Bullgari dhe Rumani do të ofrojnë gjithashtu mundësinë që eksperienca shqiptare të vendoset në një kontekst krahasimor.
Studiues dhe studentë të diplomuar, të cilët janë të interesuar të marrin pjesë në këtë konferencë, janë të ftuar të paraqesin një propozim (abstrakt) rreth 300 fjalë në anglisht ose shqip dhe një CV të shkurtër në adresën conference@idmc.al jo më vonë se data 15 maj 2017. Kandidatët e pranuar do të informohen më 31 maj 2017.
Një numër i zgjedhur punimesh do të botohet.
Konferenca do të mbahet në shqip dhe anglisht.