Shpallen fituesit e konkursit kreativ "Pyet Gjyshërit 6"

"Pyet Gjyshërit" është eventi që sjell ndikimin më të madh në ndërgjegjësimin për të shkuarën tek brezi i ri.
Edicioni i gjashtë i këtij konkursi organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë dhe Fondacioni Konrad Adenauer në Shqipëri, pati 27 finalistë në ceremoninë finale nga 175 pjesëmarrës në total.
Të rinjtë u sfiduan në disiplinat e multimedies dhe rrëfimeve të shkruara, me shpërndarje gjeografike në të gjithë Shqipërinë, për të rrëfyer historitë e vendeve të panjohura dhe për të reflektuar mbi të ardhmen e këtyre vendeve.
Prezantues të këtij edicioni ishin Alba Lloshi, gjimnaziste dhe fituese e çmimit të dytë në edicionin e kaluar të konkursit "Pyet Gjyshërit" dhe Markus Dalla Via, vullnetar nga Austria Service Abroad.
Në finalen plot emocione u shpërndanë 9 çmime, 2 çmime inkurajuese surprizë për finalistët, 1 çmim i rrjeteve sociale dhe 6 çmime të jurisë: 3 të treta, 2 të dyta dhe 1 çmim i parë.
Çmimi i parë i jurisë iu dha:
- Engjëllushe Pashajt, nxënëse nga Shkolla e Mesme e Bashkuar "Dervish Hekali" Mallakastër, me punimin multimedial "309". Çmimi u dorëzua nga Jonila Godole, drejtore e IDMC-së dhe Fatmiroshe Xhemalaj, historiane dhe anëtare e jurisë.
Çmimi i parë nga rrjetet sociale iu dha:
- Delton Zenelajt nga gjimnazi "Havzi Nela", Kukës, me punimin multimedial "Qyteti i nëndheshëm i Kukësit". Çmimi u dorëzua nga Albona Leka, pjesë e stafit organizativ të "Pyet Gjyshërit".
Çmimet e dyta iu dhanë:
- Joana Teneqexhi, me punimin multimedial "Mua më kujtohen: Shtëpitë në komunizëm". Çmimi u dorëzua nga ambasadori gjerman, Karl Bergner.
- Matias Grishajt, me një ese për muzeun ateist në Shkodër. Çmimi u dorëzua nga ambasadori austriak, Christian Steiner.
Çmimet e treta iu dhanë:
- Georgios Giakoumis, me hulumtimin për Manastirin e Pepelit në Dropull. Çmimi u dorëzua nga drejtuesi i Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri, Norbert Beckmann-Dierkes.
- Rosela Kasos, me një shkrim për fshatin kufitar të Vidohovës. Çmimi u dorëzua nga historiani dhe ish-drejtuesi i KAS-it, Thomas Schrapel dhe gazetari e anëtari i jurisë, Agim Baçi.
- Arla Pezës, me punimin multimedial për kampin e Tepelenës. Çmimi u dorëzua nga Gëzim Peshkopia, ish-i përndjekur politik dhe Vojsava Kumbulla, koordinatore e mësuesve dhe drejtuese e Shoqatës së Mësuesve të Historisë në Shqipëri.
Çmimet inkurajuese iu dhanë:
- Era Nergutit, me një shkrim për minierën e Gjegjanit në Kukës;
- Bjorna Filopatit, me një shkrim dhe instalacion për bunkerët në Shqipëri, nga qyteti i Rrëshenit.
Çmimet u dorëzuan nga koordinatorja e konkursit "Pyet Gjyshërit", Oriada Dajko.
Ndër të tjera, surprizë e këtij viti ishte dhe mundësia që do t’u jepet fituesve të edicionit VI të "Pyet Gjyshërit" për të kryer një udhëtim në Riga, kryeqytetin e Letonisë e për të marrë pjesë në Samitin që do të kryhet atje, lajmërim ky i transmetuar prej vetë drejtueses së EUSTORY, Katja Fausser, përmes një videoje përshëndetëse.
Çmimet në vlerë monetare, me të cilat u shpërblyen të rinjtë finalistë dhe fitues, u financuan nga partneri i Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë: Raiffeisen Bank.
Në mbyllje, falënderojmë të gjithë të rinjtë pjesëmarrës duke vlerësuar jo vetëm punimet e tyre, por edhe gjithë procesin krijues e reflektues për të arritur në këto punime kaq cilësore.