Shpallen fituesit e konkursit kreativ "30 Vjet me/pa Demokraci"

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me mbështetjen e fondacionit "Konrad Adenauer Stiftung" (KAS) organizoi finalen e konkursit kreativ "30 Vjet me/pa Demokraci" me pjesëmarrësit konkurrentë në kategoritë: Arte figurative dhe Multimedie.
Konkursi synonte rikthimin e fokusit te zhvillimet e demokracisë shqiptare nga viti 1990 me protestat e para kundër regjimit komunist në Shkodër, Kavajë dhe Tiranë, me eksodin e shqiptarëve më 2 korrik 1990 dhe sfidat që mbeten deri më sot.
Më shumë se 100 të rinj u prezantuan me punimet e tyre reflektuese mbi gabimet e së shkuarës dhe vizionin për një Shqipëri dhe një të ardhme më të mirë.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua online përmes platformës "Zoom", më 8 dhjetor 2020, në Ditën e Rinisë, 30 vjet pas protestave të Studentëve për rrëzimin e regjimit komunist.
Konkursi u përshëndet nga drejtorja e IDMC, Dr. Jonila Godole dhe drejtori i KAS, Dr. Tobias Rüttershoff, të cilët vlerësuan simbolikën e Ditës së Rinisë dhe kreativitetin e të rinjve pjesëmarrës në konkurs.
Përmes temave të trajtuara mund të bëhej një skanim i mirë i sfidave të Shqipërisë në 30 vite demokraci.
Përfaqësuesit e jurisë, Adi Krasta (moderator), Julka Gramo (moderatore), Rozi Kostani (aktore/regjisore), Shpend Bengu (piktor/artist) dhe Dr. Jonila Godole (gazetare/studiuese) shprehën përshtypjet personale mbi eksperiencën në konkurs dhe punimet në formatet e paraqitura. Adi Krasta i përgëzoi të rinjtë dhe shprehu vlerësim për iniciativat që mbështesin kreativitetin e tyre. Julka Gramo u shpreh entuziaste që rinia shqiptare vazhdon të jetë "e gjallë", aktive dhe e gatshme të kapë mundësitë që i ofrohen. Për këtë ajo falënderoi IDMC për hapësirën dhe mbështetjen që u jep të rinjve, shpresës së këtij vendi. Sipas pedagogut të njohur të artit Shpend Bengu, në konkurs pati punime që mund të konkurronin pa frikë në skenat ndërkombëtare.
Juria shpërndau gjithsej 9 çmime:
- Çmimi i Parë (Multimedia), Anton Kola (21 vjeç, Shkodër), me filmin e shkurtër "Ad Infinitum", u vlerësua nga juria për cilësinë e lartë teknike, profesionalizmin dhe gjuhën e arrirë artistike, përmes së cilës ai shpreh tranzicionin politik e social, ku ka kaluar Shqipëria në 30 vjet.
- Çmimi i Parë (Arte figurative) shkoi për Gledisa Golikja (22 vjeç, Tiranë) për punimin me titull "Mozaiku i demokracisë". Gledisa risjell në një kontekst modern dhe aktual mozaikun e Muzeut Kombëtar duke përdorur elemente artistikë origjinalë.

- Çmimi i Dytë (Arte figurative) shkoi për Erjeta Cara (15 vjeç, Durrës) për posterin "30 vite me/pa demokraci", i cili sjell në kujtesë me paraqitje artistike rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha në prag të 30 vjetorit të tij.

- Çmimi i Dytë (Arte figurative) shkoi për Era Tafa (19 vjeç, Tiranë) për ilustrimin me titull "Dekomunizëm", ku ka krahasuar periudhat gjatë dhe pas komunizmit përmes kukullave marionetë.
- Çmimi i Tretë (Multimedia) shkoi për Ergi Dedja (16 vjeç, Elbasan) për videon "1990–2020–2050: Shqipëria, ç'ka qenë, ç'është dhe ç'do të bëhet", i cili u vlerësua për origjinalitetin dhe krijimtarinë e tij.
- Çmimi i Tretë (Multimedia) shkoi për Sajdi Thana (16 vjeç, Vorë) për dokumentarin e shkurtër me temë "Një shtet i mbetur në të shkuarën", ku Sajdi sjell realitetin shqiptar përmes intervistave të shkurtra, spontane, me grupmosha të ndryshme.
- Çmimi i Tretë (Arte figurative) shkoi për Arens Ibrahimi (21 vjeç, Tiranë) për punimin e tij me temë "Kaos", në të cilin shpreh situatën ku gjendet vendi dhe dilemat që shoqërojnë bashkëkombësit e tij.

- Çmimi i Rrjetit Social shkoi për Livia Tafa (16 vjeç, Durrës) për posterin "30 vjet me demokraci" bazuar në numrin e pëlqimeve që punimi kishte marrë në faqen e facebook të IDMC.

- Bordi i IDMC dha një Çmim Inkurajues për Marjo Çeça (17 vjeç, Kashar) për punën e tij që përfaqëson Shqipërinë e sotme në posterin "Si të përballesh me propagandën e vitit 2020?".

Në fund, znj. Godole dhe koordinatorja e projekteve të IDMC, Mirela Sheraj, prezantuan mundësinë e përfshirjes së të rinjve në aktivitetet e IDMC.