konkurse

Shpallen fituesit e konkursit kreativ "Pyet Gjyshërit 2"

Publikuar më

Konkursi në multimedia "Pyet Gjyshërit 2", organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Shoqatën e Mësuesve të Historisë së Shqipërisë "Rinia & Historia", shpalli të enjten fituesit. Ceremonia e shpalljes së fituesve të konkursit shënoi mbylljen me sukses të edicionit të dytë të aktivitetit tetëditor "DITËT E KUJTESËS". Mbi 250 të rinj nga gjimnaze të ndryshme të Shqipërisë aplikuan në këtë konkurs me mbi 100 punime, por vetëm 33 të rinj arritën të vlerësoheshin me çmime falë punës së tyre në grup. Pas rreth dy muajsh konkurrim, juria vendosi të shpërblente të rinjtë duke vlerësuar punimet e tyre me 8 çmime kryesore (një çmim inkurajues, një çmim rrjeti, tre çmime të treta, dy të dyta dhe një të parë).

Ceremonia nisi me përshëndetjen e drejtores së IDMC, Jonila Godole, e cila e vlerësoi tej mase angazhimin e të rinjve në këtë konkurs duke theksuar se "të gjithë ishin fitues, pasi përmes kësaj pjesëmarrjeje ata kanë mundur të kenë një reflektim mbi të kaluarën, çka pikërisht ka qenë fokusi i këtij organizimi".

Pjesëmarrjen e madhe, e vlerësoi edhe drejtori i fondacionit gjerman Konrad Adenauer, Walter Glos, i cili e ka mbështetur këtë konkurs që në fillimet e veta. Ai shtoi se ndërgjegjësimi dhe reflektimi i të rinjve mbi të shkuarën është prioritar edhe për KAS, prandaj do të vazhdojë ta mbështes këtë konkurs edhe më tej. Konkursin e këtij viti e përshëndeti nga Tel Avivi (Izrael), Erlisa Kulla, e cila ishte fituesja e edicionit të kaluar.

Juria që vlerësoi punimet përbëhej nga personalitete të nderuara të medias, shkencës dhe kulturës, si Ilva Tare, gazetare prej më shumë se 20 vitesh, drejtuese e emisionit "Tonight" në Ora News, Ylljet Aliçka, autor dhe pedagog i përkushtuar në Akademinë e Arteve, me një eksperiencë të gjatë në kinematografi, si dhe Fatmiroshe Xhemalaj, eksperte e historisë, ambasadore e EUROCLIO (European Association of History Educators) në Shqipëri. Në përshëndetjen e saj, ajo inkurajoi të rinjtë që të vazhdojnë këtë nismë reflektimi pasi "vetëm duke njohur të kaluarën mund ta kuptojmë të tashmen". Aliçka u shpreh se i kishte ndjekur me shumë kënaqësi të gjitha punimet e pjesëmarrësve, ndërsa Tare tha se kishte mbetur me mbresa dhe besim për brezin e ri.

Çmimet

Punimi multimedial "Unë jam..." u vlerësua nga juria e IDMC me çmimin e parë, një realizim i Elios Shulit, Marta Gështenjës, Renis Lamit, Gentian Kojelit dhe Eri Allës, nga shkolla "Sami Frashëri" Tiranë. "Unë jam..." mori vlerësim maksimal edhe nga më shumë se 200 të pranishmit në sallë që nuk reshtën së duartrokituri. Fituesit e çmimit të parë do të kenë tashmë mundësinë e një udhëtimi në Gjermani për të vizituar vendet e kujtesës atje, ndërsa drejtoresha e IDMC premtoi se punimi fitues do të mund të shfaqet edhe për publikun gjerman. Dy vendet e dyta u vlerësuan me vizitë studimore në vendet e kujtesës në Shqipëri që do të organizohet nga IDMC dhe me kupon librash. Tri vendet e treta dhe çmimi i rrjetit u vlerësuan po ashtu me vizitën studimore në vendet e kujtesës në Shqipëri, si dhe me kupon librash nga Bukinist.al. Fituesit e çmimit inkurajues përveç vlerësimit me libra nga Shtëpia Botuese "Filaria" do t'i bashkohen po ashtu vizitës studimore në Shqipëri.

Të gjithë të rinjtë e vlerësuar me çmime i gjeni si më poshtë:

Çmimi i parë

Për ballafaqimin me të shkuarën komuniste përmes një reflektimi historiko-artistik mjaft të arrirë, që përcjell mesazhe të fuqishme qytetarie në ndërtimin e së ardhmes.

Punimi multimedial: "Unë jam…"

  1. Elios Shuli
  2. Marta Gështenja
  3. Renis Lami
  4. Gentian Kojeli
  5. Eri Alla

Çmimi i dytë

Për ballafaqimin me të shkuarën komuniste përmes një zgjedhjeje origjinale nga jeta e përditshme në komunizëm që reflekton thellësinë e diktaturës komuniste deri në qelizë.

Punimi multimedial: "Një hap drejt dritës"

  1. Enis Kalemi
  2. Sindi Leka
  3. Endi Baxhaja

Çmimi i dytë

Për ballafaqimin me të shkuarën komuniste përmes një reflektimi historiko-artistik ku tregohet "burgimi" i njerëzve, që nga fëmijëria, përmes shpëlarjes së trurit.

Punimi multimedial: "I burgosur - Pa burg"

  1. Martina Ramadani
  2. Saidi Lamçe
  3. Xhevair Pelivani
  4. Spiro Frashëri
  5. Laura Kadena

Çmimi i tretë

Për ballafaqimin me të shkuarën komuniste ku tregohen vuajtjet e shqiptarëve për shkak të zhvillimit të luftës së klasave dhe sistemit të spiunimit, përmes dëshmive okulare të kohës.

Punimi multimedial: "Mënyra e jetesës në kohën e komunizmit"

  1. Alesia Baca
  2. Kejsona Idrizi
  3. Xheraldo Kurti
  4. Mërgim Kurmeka

Çmimi i tretë

Për ballafaqimin me të shkuarën komuniste përmes një eksplorimi artistik që nxjerr në pah përvojat e rinisë në diktaturë, ku veç të tjerave edhe muzika e huaj ishte e ndaluar.

Punimi multimedial: "Muzika e huaj në diktaturë…"

  1. Aldi Hidi
  2. Zhaklina Elezaj
  3. Aldo Dervishi
  4. Aranit Lleshi
  5. Donaldo Biba

Çmimi i tretë

Për ballafaqimin me të shkuarën komuniste përmes trajtimit të objekteve personale si burime historike, që ofrojnë një këndvështrim origjinal të jetës në diktaturë.

Punimi multimedial: "Pas në kohën e tij"

  • Anxhela Shehi

Çmimi inkurajues i "Shoqatës së Mësuesve të Historisë"

Për ballafaqimin me të shkuarën komuniste përmes trajtimit të jetës së gruas labinotase në kooperativë, që ofron një këndvështrim origjinal të jetës në diktaturë.

Punimi multimedial: "Gruaja labinotase – Një skllave e lindur"

  1. Ardit Allushi
  2. Aurora Çili
  3. Denada Hoxha
  4. Jonida Skorra
  5. Jonida Leçaj

Çmimi i rrjetit

Për punimin më të votuar në Facebook.

Punimi multimedial: "Pyet gjyshen"

  1. Anxhelo Zuno
  2. Endi Qose
  3. Kleida Dervishi
  4. Xhuliana Xhaferaj