30 vjet demokraci

30 Vjet me/pa Demokraci  

Publikuar më

Pas dy konkurseve të suksesshëm "Lindur në 90-ën" (2015) dhe katër edicioneve të "Pyet Gjyshërit" (2016–2019), Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) vjen me konkursin e ri "30 Vjet me/pa Demokraci".

Në këto 30 vitet e fundit, Shqipëria ka qenë në një proces tranzicioni të vazhdueshëm, kulturor, ekonomik dhe politik që është shoqëruar herë pas here me eksode të forta emigracioni, me goditje të forta të demokracisë, por edhe me ndryshime pozitive në fushën e të drejtave të njeriut, në sfidën për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Konkursi i këtij viti synon të kthejë fokusin te zhvillimet e demokracisë shqiptare duke filluar nga viti 1990, i cili ka qenë i mbushur me një sërë ngjarjesh historike dhe politike: protestat e para kundër regjimit komunist në Shkodër, Kavajë dhe Tiranë dhe eksodi i shqiptarëve më 2 korrik 1990. E shkuara ndikon të tashmen, por edhe të ardhmen, prandaj duhet t'i kthehemi vazhdimisht, ta studiojmë dhe të mësojmë prej saj.

Përmes këtij konkursi, ne ftojmë të rinjtë të shpalosin në mënyrë kreative mendimet e tyre në:

  • Multimedia
  • Arte Figurative

se çfarë mund të ishte bërë më mirë këto 30 vjet dhe kush është vizioni i tyre për 30 vitet e ardhshme

IDMC dëshiron t'i inkurajojë të rinjtë të reflektojnë mbi gabimet e së shkuarës që kanë ndikuar jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit, por edhe të frymëzojnë me vizionin e tyre për një Shqipëri me të ardhme më të mirë.

Punimet tuaja mund të mbështeten mbi këto pyetje orientuese:

  • Cilat buste (figurativisht) kanë mbetur pa u rrëzuar?
  • Çfarë efekti sjellin protestat e studentëve (referencë protestat në vitet 1990, 2019, 2020)?
  • A është Shqipëria një demokraci? Sa të forta (ose jo) janë shtyllat e saj?
  • Sa i/e lirë ndihesh për shprehjen e mendimeve të tua?
  • Si përballesh me propagandën në vitin 2020? Si do të jetë ajo nesër?
  • Çfarë hapash kemi bërë para? Po pas?
  • Si do të jetë Shqipëria jote në 30 vitet e ardhshme?
  • 1990 – 2020 – 2050: Shqipëria çka qenë ç'është dhe çdo të bëhet? (Sami Frashëri)
  • Europa si destinacion, apo edhe perspektiva të tjera?
  • E të tjera

Ky është konkursi i gjashtë kombëtar i organizuar nga IDMC mbas "Lindur në 90-ën: Zbulo të shkuarën, krijo të ardhmen" (2015); "Pyet Gjyshërit 1" (2016); "Pyet Gjyshërit 2" (2017); "Pyet Gjyshërit 3" (2018); dhe "Pyet Gjyshërit 4" (2019) me mbështetjen e vyer të Fondacionit Gjerman "Konrad Adeanuer".

Përmbledhje

Kushtet e pjesëmarrjes

  • Në këtë konkurs mund të marrin pjesë të rinj shqiptarë të moshës 16–24 vjeç banues në Shqipëri dhe në diasporë
  • Pjesëmarrësit në konkurs duhet të përfaqësohen me punime individuale, origjinale dhe të papublikuara më parë
  • Zhanri konkurrues:
    • Multimedie (video ose/dhe audio maks. 3 min) dhe
    • Arte figurative (maks. format A3)
  • Shpallja zyrtare e konkursit: 2 korrik 2020
  • Afati i dorëzimit të punimeve: deri më 15 tetor 2020
  • Shpallja e fituesve: Dhjetor 2020

Për të marrë pjesë në konkurs, ju lutemi të regjistrohuni këtu me të dhënat tuaja. Punimin mund ta dërgoni te adresa e e-mailit konkursi@idmc.al brenda datës 15 tetor 2020, ora 24:00 GMT+2.

Kriteret

  • Çdo konkurrues mund të përfaqësohet vetëm me një punim.
  • Punimet e dorëzuara duhet të kenë të bëjnë me temën e konkursit.
  • Pranohen vetëm punë origjinale që nuk janë paraqitur në aktivitete të ngjashme.
  • Të gjitha produksionet (audio, video etj.) nuk mund të jenë më të gjata se 3 minuta.
  • Kujdes: Çdo punim që e kalon këtë minutazh do të skualifikohet.
  • Punimet e dorëzuara në kategorinë e arteve figurative, në formë posteri, vizatimi apo grafike etj. nuk mund të jenë më të mëdha se formati A3.
  • Kujdes: Çdo punim që e kalon këtë format do të skualifikohet!
  • Punimet që përmbajnë elemente racizmi etnik, gjinor, seksual etj. nuk do të pranohen në konkurrim.
  • Konkursi është pa pagesë.
  • Nuk lejohet pjesëmarrja e fituesve të edicionit të fundit "Pyet Gjyshërit".

E drejta e autorit

  • Për çdo person që del në video, film apo fotografi jeni të lutur të merrni një leje për të drejtën e botimit apo transmetimit.
  • Punët e dorëzuara në konkurs duhet të jenë origjinale.
  • Plagjiaturat sjellin automatikisht përjashtimin nga konkursi.
  • Të gjitha të drejtat u mbesin autorëve, por me pjesëmarrjen në këtë konkurs, fituesit u kalojnë organizatorëve të drejtat ripërdoruese, për përkthim, publikim, ekspozim ose transmetim të punimeve fituese për një afat të pacaktuar.
  • Fituesit bien dakord që sipas të drejtave të mësipërme të mos pretendojnë honorar tjetër, përveç çmimit.

Dorëzimi i punimeve

Afati i fundit i dorëzimit është data 15 tetor 2020, ora 24:00.

  • Pjesëmarrësit në konkurs duhet të aplikojnë këtu me të dhënat individuale dhe detajet e punimit;
  • Pjesëmarrësit në zhanrin e Multimedies dhe Artet Figurative të paraqitura në formë digjitale të dërgojnë punimin e tyre të plotë te konkursi@idmc.al;
  • Pjesëmarrësit në Arte Figurative me telajo, t'i dorëzojnë ato fizikisht pranë zyrës së Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë. IDMC nuk merr përsipër kostot e dërgesës, si dhe nuk mban përgjegjësi për humbje apo vonesa nga ana e postës.

Adresa:

IDMC – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

Rr. "Bardhok Biba", Ndërtesa "Trema"
Hyrja A, Kati 11
Tiranë

Pjesëmarrësit do të marrin një njoftim me e-mail për secilën fazë përzgjedhjeje. Për më shumë informacion, ju lutemi konsultohuni me faqen tonë të internetit www.idmc.al ose na ndiqni në Facebook dhe Instagram.

Juria dhe vlerësimi

Konkursi do të shpallë gjithsej 7 çmime (6 çmime jurie dhe 1 çmim publiku).

Të gjitha punimet do të vlerësohen nga një juri e pavarur dhe ekspertë të fushës, bazuar në kriteret e mëposhtme:

  • Risia në paraqitjen e temës
  • Kuptueshmëria
  • Kreativiteti dhe origjinaliteti
  • Aftësia për të tërhequr publikun
  • Mesazhi i qartë dhe i fuqishëm
  • Stili autentik i krijuesit

Fituesit do të shpallen më 8 dhjetor 2020 dhe do të ftohen në Tiranë për të marrë çmimet e fituara në prani të personaliteteve nga fusha e medies, shoqërisë civile, politikës dhe kulturës.

Organizator i konkursit

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

Partner

Fondacioni
Fondacioni "Konrad Adenauer"