konkurse

Shpallen fituesit e konkursit kreativ "Pyet Gjyshërit 3"

Publikuar më

Pas 1 muaj e gjysmë konkurrim, edicioni i tretë i "Pyet Gjyshërit" kulmoi me një ceremoni të jashtëzakonshme të dhënies së çmimeve. Në një sallë të Hotel Tiranës të tejmbushur me nxënës, prindër dhe mësues 50 të rinj u bënë fitues të vizitave studimore në vendet e kujtesës në Shqipëri dhe në Europën Juglindore. Konkursi "Pyet Gjyshërit 2018", organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS), Shoqatën e Mësuesve të Historisë së Shqipërisë "Rinia & Historia" dhe Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë (MASR) arriti këtë vit një shtrirje më të gjerë. Nga data 1 shtator deri më 15 tetor, 430 nxënës me 312 punime nga 43 shkolla anë e mbanë vendit paraqitën pranë jurisë së konkursit përfytyrimet e tyre rreth së shkuarës komuniste në formë esesh, arti pamor dhe të multimedias.

Ajo që u theksua fort nga juria e përbërë prej personalitetesh si ekspertja e kurrikulës shkollore Fatmiroshe Xhemalaj, gazetarja e mirënjohur Ilva Tare, shkrimtari Agron Tufa që është njëherësh Drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, skenaristi Ylljet Aliçka dhe pedagogu i artit dhe multimedias Shpend Bengu, ishte se punimet e këtij viti kishin një nivel jashtëzakonisht të lartë duke pasur parasysh moshën e pjesëmarrësve që ishte nga mosha 15 deri në 19 vjeç.

Por si fillim, ceremonia nisi me përshëndetjen e organizatorëve. Drejtoresha e IDMC, Jonila Godole shprehu mirënjohjen ndaj pjesëmarrësve, prindërve por edhe mësuesve, të cilët, sikurse tha ajo, "i kanë motivuar të rinjtë që të jenë pjesë e këtij konkursi që në thelb ka edukimin dhe reflektimin mbi të shkuarën". Duke vlerësuar pjesëmarrjen e madhe krahasuar me vitet e tjera, ajo shprehu vendosmërinë për ta vazhduar më tej angazhimin në fushën e kujtesës.

Drejtori i KAS, Walter Glos premtoi mbështetje të vazhdueshme për këtë nismë. Sipas tij, prej faktit se angazhoi kaq shumë të rinj, konkursi ishte një "pikë kryesore e aktivitet pasi pikërisht të rinjtë janë fokusi i procesit të reflektimit mbi të shkuarën". Më tej përshëndetën konkursin gjithashtu drejtuesja e Shoqatës së Mësuesve të Historisë, Vojsava Kumbulla; deputetja e Kuvendit, njëherësh anëtare e "Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit", Nora Malaj; dhe përfaqësuesja e MASR, Tatjana Vuçani.

Përveç 9 të rinjve fitues të vizitës studimore në vendet e kujtesës në Europën Juglindore, IDMC dhe KAS surprizuan edhe 30 punimet finaliste, duke i shpallur finalistët fitues të një vizite studimore në vendet e kujtesës nga veriu në jug të Shqipërisë.

Ceremonia e shpalljes së fituesve të konkursit "Pyet Gjyshërit 3" ishte pjesë e aktivitetit tetëditor "DITËT E KUJTESËS", që sërish ashtu sikurse vitet e kaluara tërhoqi mjaft vëmendjen e opinionit publik dhe zgjoi interesin për të njohur të shkuarën.

Fituesit e punimeve më të mira janë si më poshtë:

ÇMIMI I RRJETIT për punimin më të vlerësuar online në facebook-un e IDMC. Atë e fitoi 15-vjeçarja nga gjimnazi "16 Shtatori" i Shijakut, Xhorda Norja, përmes një realizimi në art pamor. Punimi i Xhordës pati marrë mbi 760 like në faqen Facebook të IDMC.

ÇMIMI I ARTEVE PAMORE i fituar nga 15-vjeçarja Eni Duka, nga shkolla e mesme artistike "Jan Kukuzeli" Durrës, me punimin "Alive".

ÇMIMI SPECIAL shkoi për punimin "Përkundjet e një jete" të Erjola Jahajt dhe Ilirjana Zemanit po nga shkolla e mesme artistike "Jan Kukuzeli", Durrës.

2 ÇMIME PËR MULTIMEDIAN shkuan për punimet "Teatri i Diktaturës" dhe "Stuhi dhe Dashuri". I pari qe një realizim nga nxënëset e shkollës "Drita e Dijes" në Berat, Rexhina Pelivani, Rea Garuli dhe Adelajda Manushi ndërsa punimi i dytë ishte i Erlis Spahiut nga gjimnazi gjuhësor "Mahmud e Ali Cungu" Elbasan.

ÇMIMI PËR ESENË më të mirë, i fituar nga gjimnazistja e shkollës "Dhaskal Todri" në Elbasan, Doris Balliçi me esenë "Dekadat e tmerrit".