Raport monitorimi "Media dhe Kujtesa"

Viti: 2025
Autore: Prof. Asoc. Dr. Jonila Godole (drejtuese e projektit)
Supervizor shkencor: Prof. Dr. Mark Marku
Redaktor shkencor: Akademik Prof. Dr. Artan Fuga
Ekipi monitorues: Enkelejda Çifligu, Erblin Jaku, Besmir Godolja, Jona Cenameri

Raporti “Media dhe Kujtesa” analizon mënyrat se si mediet tradicionale dhe rrjetet sociale në Shqipëri formësojnë kujtesën historike kolektive. Studimi, i realizuar gjatë periudhës nëntor – dhjetor 2024, përdor një metodologji të integruar që kombinon analizën sasiore dhe cilësore të përmbajtjeve mediatike në televizione, medie online, platforma digjitale (OTT, YouTube) dhe rrjete sociale. Në total u monitoruan 701 materiale mediatike.
Gjetjet kryesore
Hulumtimi tregon se kujtesa historike në Shqipëri formësohet gjithnjë e më shumë nga dinamika e platformave dhe strukturat editoriale. Mediet sociale – sidomos Facebook –janë kthyer në hapësirën mbizotëruese për narrativën historike, shpesh të karakterizuar nga tone emocionale, nostalgjike apo mitologjizuese. Në kontrast, mediet tradicionale ruajnë një kontroll më të madh editorial, por nuk janë të imunizuara ndaj selektivitetit ideologjik apo çekuilibrit narrativ.
Vetëm 3,4% e përmbajtjeve historike të analizuara kishin autorë historianë profesionistë, ndërsa pothuajse 80% e përmbajtjeve në rrjetet sociale kishin një ton nostalgjik ose glorifikues. Televizioni rezultoi platforma më e balancuar sa i përket tonit narrativ dhe përdorimit të burimeve. Mediet online dhe platformat OTT paraqitën një spektër më të gjerë të zërave autorialë, por gjithashtu një variacion të konsiderueshëm në cilësinë e dokumentimit. Studimi thekson rreziqet që vijnë nga përmbajtjet emocionalisht të ngarkuara, por të pasakta ose pa burime të verifikuara, veçanërisht për audiencat e reja që ndërveprojnë kryesisht përmes platformave digjitale. Kujtesa në epokën digjitale po bëhet gjithnjë e më shumë e fragmentuar, emocionale dhe e cenueshme nga manipulimi.
Objektivat e studimit
Projekti “Media dhe Kujtesa” synoi të:
- Evidentojë platformat kryesore dhe llojet e përmbajtjeve që ndikojnë në formimin e kujtesës publike;
- Identifikojë periudhat historike dhe temat që përfaqësohen më shpesh;
- Vlerësojë rolin e zërave ekspertë dhe përdorimin e burimeve të verifikueshme;
- Analizojë natyrën e narracionit dhe diversitetin e perspektivave në platforma;
- Ofrojë rekomandime konkrete dhe të zbatueshme për përmirësimin e integritetit historik dhe përgjegjësisë mediatike.