"Letërsia si vend kujtese" në Tiranë I

Pas Shkodrës, IDMC e solli aktivitetin "Letërsia si vend kujtese" edhe në Tiranë. Ky aktivitet u organizua më datë 29 Shtator 2016 në kuadër të aktivitetit "Tirana lexon".
Pjesa e parë e aktivitetit iu kushtua takimit me temë: "Letërsia e ndaluar: Tirana lexon Kasëm Trebeshinën". Aktiviteti u përshëndet nga Dr. Jonila Godole, drejtore ekzekutive e IDMC-së dhe Prof. As. Lili Sula, shefe e Departamentit të Letërsisë në UT. Më pas Dr. Anila Mullahi dhe Prof. As. Lili Sula theksuan rëndësinë e Kasëm Trebeshinës në letërsinë shqipe, diskutim ky i moderuar nga shkrimtari Krenar Zejno. Ai është padyshim një ndër shkrimtarët më të mirë shqiptarë, por krejt i panjohur në raport me ç'do duhej të ishte për vlerat që mbart pena e tij. Ky takim erdhi për publikun si një vëmendje e veçantë kushtuar këtij personaliteti të letrave shqipe me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Kasëm Trebeshinës. Studentët e pranishëm lexuan pjesë të shkurtra nga vepra të ndryshme të autorit. Pjesa e parë u mbyll me workshop-in "Letërsia disidente në median shqiptare para dhe pas viteve 1990" me moderimin e gazetarit Saimir Muzhaka.
Pjesa e dytë e aktivitetit u përshëndet edhe nga Ministrja e Kulturës, Prof. Mirela Kumbaro, dhe solli në vëmendje autobiografitë si burim për të njohur dhe kuptuar të shkuarën. Në këtë takim të ftuarit diskutuan për "Letërsinë si vend kujtese" dhe lexuan pjesë që dëshmonin për periudhën e diktaturës në Shqipëri.
IDMC falënderon të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre dhe veçanërisht Departamentin e Letërsisë në Universitetin e Tiranës për bashkëpunimin.