"Letërsia si vend kujtese – #TiranaLexon për të kujtuar"

Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me "Fondacionin Konrad Adenauer" dhe "Europe House" në Tiranë, nisi dje serinë e aktiviteteve "Tirana Lexon 2018". Aktiviteti "Letërsia si vend kujtese – #TiranaLexon për të kujtuar" kishte si subjekt kombinimin e pasionit për leximin me reflektimin mbi të shkuarën. Ishte zgjedhur ky subjekt prej faktit se fillimi i javës përkonte me 45-vjetorin e "Revoltës së Spaçit" dhe se në të tillë mënyrë, përmes librit, mund të nxitet më mirë memoria historike.
Drejtoresha e IDMC, Jonila Godole, dhe përfaqësuesja e Delegacionit të BE-së, Monika Bylaite, e nisën ngrohtë aktivitetin duke mirëpritur në panel të ftuarit Fatbardha Saraçi, Arlinda Çausholli, Gëzim Peshkëpia dhe Fatos Lubonja. Në fjalën e saj, Godole rikujtoi rolin që ka letërsia në përçimin i përvojave njerëzore dhe vlerësoi jashtë mase interesin e të rinjve. Edhe Bylaite ndau të njëjtin mendim ndërsa tha se do ta ndiqte me mjaft vëmendje aktivitetin duke qenë se vinte nga një vend ish-komunist si Lituania.
Nën moderimin e drejtoreshës së IDMC dhe përgjegjëses së Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, Lili Sulës, si fillim fjala iu dha Fatbardha Saraçit. Mbledhëse e palodhur e dëshmive të grave që vuajtën përndjekjen dhe burgjet e diktaturës, ai tregoi me modesti se tre vëllimet e librit "Dhimbje" nuk janë punë e saja, por e atyre që rrëfyen. "Këtë mision e zgjodha sepse përndjekjen e vuajta vetë dhe nga ana tjetër isha afër atyre grave që vuajtën më tepër se unë. Të shkruaja për këtë temë e mendova menjëherë pas vitit 1990. Mendova se një roman nuk do të pritej mirë, mund të mendohej si trillim, prandaj dhe vendosa që gjithçka t'i përcjell prej intervistave direkte me të gjitha gratë," tregoi Saraçi, mbesë e Qazim Mulletit, mbledhëse e disa prej përjetimeve më rrëqethëse të kampit famëkeq të Tepelenës. Në sallë u përcoll një pasazh i dëshmive.
"Ju këshilloj t'i lexoni këto rrëfime, t'i lexoni ngadalë, mos i lexoni që të na mëshironi, sepse s'kemi më nevojë për mëshirë, por vetëm që ta kuptoni më mirë atë kohë dhe që ajo të mos ripërsëritet kurrë më."
Më tej profesoresha Lili Sulaj ftoi në diskutim Fatos Lubonjën. Sulaj tha për të pranishmit se për brezin e ri Lubonja nuk njihet shumë për publicistikën e tij, por më tepër për opinionet apo qëndrimet politike. Ajo e fokusoi diskutimin te libri "Ridënimi" për të cilin Lubonja tha se bazohej në histori të jetuar. Përballë pyetjes se përse kishte zgjedhur që personazhet kryesore të kishin emrat realë ai rrëfeu me emocion se ishte e detyrueshme.
"Historia është e Xhelal Koprenckës, Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, të cilët i shkruajnë një letër diktatorit dhe vetëm sepse thanë të vërtetat, u pushkatuan. Dy prej tyre, Fadili dhe Vangjeli ishin miq të mi, ishin gazetarë. Sot, në kohën kur gazetarët nuk thonë të vërtetën medoemos që më duhej t'i përmendja emrat e tyre, sepse e kisha për detyrë për gjithçka bënë."
Në pjesën që u lexua tregohej për "amanetin e ditëve të lirisë", amanet i përshkruar prej momentit përpara pushkatimit të dy miqve të tij Kokomani e Lezho, eshtrat e të cilëve, së bashku me ato të Koprenckës, Lubonja tha se "mbeten ende të pagjetura".
Më tej, me po aq emocione, ishte edhe diskutimi që nxiti libri "O njeri…!", libër i kujtimeve të burgut nga Gëzim Peshkëpia. Ai shpjegoi se titulli vinte nga histori e jetuar. "Për titullin kam marrë spunto nga një person real. Muço quhej, dhe ishte i verbër. Fjala "O njeri!" që ai thoshte gjithmonë teksa i drejtohej ndokujt në burg ishte prekëse, por kishte dashuri, dhe ngjallte kontrast për vendin ku ishim," tregoi Peshkëpia, i cili lexoi një pjesë nga libri dhe më tej tregoi edhe për përballjen e me prokurorin Siri Çarçanin, i cili kishte firmosur pushkatimin e të atit Manush Peshkëpia.
Arlinda Çausholli, publiciste, diskutoi për librin e saj "Çizmet e verdha" tregimin "Krahët e lirisë dhe Rini Monajka", mbi historinë e një heroi të lëvizjes antikomuniste në Shkodër të vitit 1990. Çausholli u shpreh se në libër gjenden përsiatjet e veta për gjëra që i bënin përshtypje për të ecur përpara dhe që kishte vendosur ti ndante me persona që mendojnë si ajo për vlerat dhe rëndësinë e lirisë. Ajo u bëri thirrje të rinjve të jenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e lirisë që ata e kanë sot.
Drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) Agron Tufa, zbuloi për pjesëmarrësit se po shkruan diçka për kampin e Tepelenës, kampin shfarosës siç e quan ai. Tufa foli edhe për rëndësinë e dëshmive të rrëfyera nga ish të përndjekurit e sistemit komunist, për rëndësinë që ato kanë në edukimin e brezave të rinj.
"Tirana Lexon" 2018 vazhdon më tej me "Netët e letërsisë austriake" që do të mbahet nga data 23 deri më 25 maj. Në plan janë edhe aktivitete të tjera gjatë muajve në vazhdim. Kjo është një nismë e IDMC që prej vitit 2015, e cila synon të afrojë publikun me librin dhe ta kthejë leximin në një trend.