Letërsia si vend kujtese – #TiranaLexon shqip me Lekë Tasin

Me rastin e Rezolutës së re të Parlamentit Europian mbi rëndësinë e një kujtese të përbashkët europiane, e cila u votua më 19 shtator 2019 me 535 vota pro, 66 kundër dhe 52 abstenime, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me mbështetje të Fondacionit Gjerman Konrad Adenauer organizoi aktivitetin "Letërsia si vend kujtese", më datë 18 tetor 2019, ora 11:00–12:30 te salla e Bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar.
Nuk mund të ketë pajtim dhe paqe pa kujtesë historike, prandaj Parlamenti Europian sugjeron të thellohet puna në fushën e edukimit dhe ndërgjegjësimit të brezit të ri, në rishikimin e kurikulave shkollore përmes analizës së shkaqeve dhe pasojave që sollën regjimet diktatoriale, në nderimin e viktimave dhe mbi të gjitha në transparencën mbi krimet ndaj njerëzimit kryer nga regjimet naziste, fashiste, komuniste dhe sisteme të tjera diktatoriale.
Eventi u hap nga drejtoresha e IDMC, Dr. Jonila Godole dhe u përshëndet nga drejtori i Fondacionit Konrad Adenauer në Tiranë (KAS), Dr. Tobias Rüttershoff.
Dr. Godole ndau me pjesëmarrësit qëllimin e eventit. Ajo shpjegoi se eventi nisi në vitin 2015, kur nuk kishte ende memoriale në Shqipëri, vende të vërteta kujtese, pllaka përkujtimore apo muze që të përkujtonin viktimat e komunzimit. Dr. Godole shtoi më tepër se letërsia është një vend ku shumë dëshmi të kohës së komunzimit mund të gjenden përmes biografive dhe autobiografive, si dhe rrëfimeve të tjera dhe mund të shërbejë si e tillë si një vend kujtese.
Ndërsa Dr. Rüttershoff foli në emër të KAS për eksperiencën e ngjashme të së shkuarës në Gjermani. Ai tha se është shumë e rëndësishme të trajtosh këtë temë të rëndësishme, veçanërisht në një vend si Shqipëria ku e shkuara ishte shumë e ashpër, me njerëz që u vranë apo kaluan 30–40 vjet nëpër burgje. Ai theksoi rëndësinë jo vetëm të të ruajturit të këtyre dëshmive dhe transmetimit të tyre, por sidomos të arrish te të rinjtë me këto histori.
Nën moderimin e gazetares Fatmira Nikolli dhe kritikut letrar Agim Baçit, Z. Tasi ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e persekutimit të familjes së tij. Ish- violonçelisti dhe piktori Lekë Tasi, ish i persekutuar i diktaturës prej viteve 1975–1990 në fshatin Grabjan të Lushnjës diskutoi dhe lexoi nga libri i tij "Grabjani rrëzë kodrave", ku artisti përcjell kujtime nga jeta në internim gjatë regjimit komunist. Diskutimi me z. Tasi i ofroi lexuesit një një analizë shumëdimesionale të ngjarjeve të ndodhura në kampin e internimit në Grabjan, duke sjellë kështu personazhe e karaktere me të cilët është njohur atje.
Organizator

Kontakt
Matilda Karçanaj, Koordinatore e projekteve te IDMC | E-mail
Partner
