dokumentari fëmijët e diktaturës

Dokumentari "Fëmijët e diktaturës" në Shkodër

Publikuar më

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Organizatën Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) shfaqën në Shkodër, te Qendra Rinore "Arka", dokumentarin "Fëmijët e diktaturës". Ky dokumentar është realizuar nga IDMC në vitin 2016 në bashkëpunim me Universitetin e Arteve.

Aktiviteti u hap nga përfaqësuesi i CHwB, Jonathan Eaton, i cili vuri theksin te rëndësia e njohjes me të shkuarën e vendit. Dokumentari u prezantua nga koordinatorja e projekteve të IDMC, Matilda Karçanaj, e cila theksoi rëndësinë e një qasje ndërdisiplinore në ndërgjegjësimin e të rinjve në lidhje me krimet e diktaturës. Karçanaj u shpreh se sfida në punën e IDMC është interesi i dobët që të rinjtë kanë për tu njohur më tepër me temën e diktaturës, prandaj IDMC gjen forma alternative për t'i ndërgjegjësuar ata, ku përfshihet edhe dokumentari "Fëmijët e diktaturës", përmes të cilit lexohen fakte e të pathëna të pashkruara më parë.

"Përmes rrëfimeve të dëshmitarëve të kohës, Alma Liço, Simon Mirakaj, Ritvana Mena dhe Lurian Mena, të sjellë si protagonistë të këtij dokumentari, IDMC synon ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për pasojat e krimeve të diktaturës."
Karçanaj

Pas shfaqjes së dokumentarit të rinjtë patën mundësinë të diskutonin me Ritvana Mena, personazh i dokumentarit, e cila ndau me ta eksperiencën e xhirimeve. I pranishëm në aktivitet ishte edhe Viktor Martini, ish-i burgosur politik në burgun e Burrelit, i cili kërkoi që të rinjtë të trajtojnë njëri-tjetrin në mënyrë të barabartë, pavarësisht nëse prindërit e tyre kanë qenë apo jo mbështetës të sistemit të diktaturës. Në thirrjen e tij për të rinjtë, ai tha:

"Ju kërkoj të rinjve të njihen me krimet e diktaturës por mos të bëjnë diferencimet 'ne' dhe 'ata', prej të cilave kemi vuajtur neve."
Martini

Gjatë diskutimit, Valbona Bezati, koordinatore e projektit të IDMC, "Unë dëshmoj", ndau me të pranishmit eksperiencën e saj gjatë bisedave me dëshmitarë të diktaturës.

IDMC falënderon Organizatën Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB Albania) për interesin e treguar për shfaqjen e dokumentarit, në Shkodër.