dokumentari fëmijët e diktaturës

Dokumentari "Fëmijët e diktaturës" në Elbasan

Publikuar më

IDMC organizoi një takim me të rinjtë e gjimnazit "Dhaskal Todri" në Elbasan. Në këtë takim u shfaq dokumentari "Fëmijët e diktaturës" dhe të rinjtë patën shansin të bisedojnë më znj. Alma Liço, dëshmitare e diktaturës, njëkohësisht personazh i dokumentarit. Diskutimi me të rinjtë u moderua nga znj. Fatmiroshe Xhemalaj, e cila gjithashtu ndau eksperiencën e familjes së saj gjatë diktaturës.

Interesi i të rinjve për këtë aktivitet u pa në pyetjet e shumta që sillnin në fokus momente të ndryshme të historisë dhe jetës politike shqiptare si rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës për të vazhduar më tej me demokracinë e brishtë si pasojë e diktaturës së ashpër dhe fenomenin e nostalgjisë për komunizmin. Takimi u ndoq me interes të veçantë jo vetëm nga të rinjtë, por edhe nga drejtori e stafi pedagogjik i shkollës, si edhe përfaqësues të Drejtorisë Arsimore Rajonale Elbasan e media lokale.

Informacion rreth të ftuarve

  • Alma Liço lindi në Tiranë në një familje intelektuale korçare. Familja e saj internohet nga diktatura komuniste në fshatin Dragot të Elbasanit kur ajo ishte vetëm 10 vjeç. Alma Liço është autore e një sërë artikujsh mbi diktaturën në Shqipëri, po ashtu autore e librit autobiografik "Krahë të këputur".
  • Fatmiroshe Xhemalaj është eksperte në histori dhe Ambasadore e EUROCLIO. Ajo është një nga themelueset e HTA (ALBAN) dhe ish-presidente e HAT-s. Ajo ka qenë Sekretare e Komisionit Shkencor të Historisë dhe Gjeografisë pranë MOA-ALBANIA për aprovimin e teksteve shkollore të historisë, si edhe gjeografisë dhe Sekretare e Komisionit të Historisë për rishikimin e teksteve të historisë në Shqipëri dhe Greqi.