IDMC dhe KAS lançojnë projektin "Unë Dëshmoj"

Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer (KAS) ka lançuar projektin më të ri "UNË DËSHMOJ".
Në kuadër të këtij projekti kemi nisur publikimin e ciklit të intervistave me dëshmitarë të kohës së diktaturës. IDMC i nisi këto intervista në fillim të 2017-ës dhe deri në fund të këtij viti do të publikojë 11 prej tyre. Historia e parë na vjen nga Shkodra. Z. Gjeto Vocaj rrëfen historinë e tij nga takimi me Enver Hoxhën deri tek burgosja dhe internimi.
Çdo të hënë në vijim, në faqen observatorikujteses.al do të gjeni dëshmi të reja, të jetuara që hedhin dritë mbi përndjekjen gjatë regjimit komunist shqiptar në vitet 1944–1990. Dëshmitë ju ftojnë të dëgjoni dhe hulumtoni rrëfime individuale që paraqesin një perspektivë unike mbi jetën në diktaturë.

Këto materiale mund të përdoren nga grupe të ndryshme interesi: mësues të historisë dhe lëndëve të tjera relevante, nxënës, studentë, historianë, gazetarë, studiues dhe të interesuar të tjerë. Synimi ynë është të sensibilizojmë për rëndësinë e këtyre dëshmive në ndriçimin e periudhës së diktaturës.
Për më shumë informacion ju lutem konsultoni faqen te Observatori i Kujtesës ose na kontaktoni në adresën office@idmc.al.
Në muajt e ardhshëm kësaj faqeje do t'i shtohen video, metodologji dhe udhëzime për mësuesit sesi t'i përdorin këto materiale në orën e mësimit.
IDMC mirëpret të gjithë dëshmitarët që duan të tregojnë historinë e tyre personale apo familjare për brezin e ri që ajo të mos harrohet.
Intervistat me dëshmitarët e kohës si dhe editimi i videove të përzgjedhura për këtë faqe janë realizuar nga Valbona Bezati, bursante e IDMC-së, në bashkëpunim me stafin e Institutit.