dokumentari fëmijët e diktaturës

Dokumentari "Fëmijët e diktaturës" në Tiranë I

Publikuar më

Dokumentari "Fëmijët e diktaturës" ka nisur udhëtimin e tij për t'u shfaqur në shkolla dhe universitete. Kjo nismë vjen nga IDMC si nevojë për të gjithë të rinjtë të cilët janë të interesuar të dinë më shumë për të shkuarën e vendit të tyre. Tregimet e katër personazheve të dokumentarit të cilët kanë lindur dhe janë rritur në burgje apo vendet e internimit janë dëshmi e gjallë e atij kalvari vuajtjesh.

Këtë radhë në bashkëpunim me Qendrën UET ishte Universiteti Europian i Tiranës ai që mirëpriti dokumentarin e IDMC-së dhe diskutimin me të rinjtë. Në sallën e mbushur me studentë dhe pedagogë shfaqja e dokumentarit u shoqërua me emocione të forta dhe shpesh me habi për historitë rrëqethëse të periudhës së komunizmit treguar nga 4 personazhet. Pas shfaqjes së dokumentarit u zhvillua një diskutim reflektues në një panel të moderuar nga gazetari Alfred Lela, me praninë e drejtores ekzekutive të IDMC-së Dr. Jonila Godole, personazhit të dokumentarit, Ritvana Mena dhe sociologut Ergys Mërtiri.

Pyetjes së gazetarit Lela nëse të përndjekurit janë nxjerrë nga gjendja "ish-të përndjekur" Ritvana iu përgjigj:

"Në këto 26 vite nuk është bërë asgjë për t'i dhënë vendin që meriton kjo shtresë e përndjekur. Të paktën të gjykohen njerëzit që kanë marrë vendime për vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Ato vuajtje të asaj kohe nuk janë asgjë në krahasim me vuajtjet që po përjetojmë tani kur i shohim sërish këta njerëz në poste drejtuese. Kjo është vrasja tjetër për ne."
Mena

Ndërkohë drejtorja e IDMC-së, Dr. Jonila Godole, e pyetur pse kjo nismë, u shpreh:

"Me të rinjtë të cilët unë punoj sot, përpiqem t'i ndërgjegjësoj që të njohin të shkuarën, të flasin me familjet e tyre se çfarë ka ndodhur. Ne jemi në fillimet e ballafaqimit me të shkuarën, por duhet një ndërgjegjësim i madh nga e gjithë shoqëria."
Godole

Periudha komuniste dhe ngjarjet në atë kohë lënë vend dhe kanë nevojë edhe për shpjegime sociologjike. Sociologu Ergys Mërtiri tha për studentët:

"Një popull nuk ka identitet nëse nuk vendos në peshore trashëgiminë e vet, të kaluarën e vet. Nuk ka qenë vetëm diktatura që ka dënuar. Jemi kompromentuar të gjithë. Gjithë komuniteti ishte i dhunshëm, armiqësor."
Mërtiri

Të përfshirë në diskutim ishin edhe studentët, të cilët shfaqën interes me pyetjet e tyre për të kuptuar se si akoma sot ka një nostalgji për atë periudhë.

Informacion rreth të ftuarve

  • Ergys Mërtiri – sociolog
  • Ritvana Mena – personazh i filmit, dëshmitare e diktaturës
  • Alfred Lela – gazetar