Dokumentari "Fëmijët e diktaturës" në Durrës

Më 16 qershor 2017, IDMC organizoi një takim me studentët e Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Durrës. Në këtë takim u shfaq dokumentari "Fëmijët e diktaturës" dhe studentëve iu dha mundësia të bisedonin nga afër me një dëshmitar të kohës së diktaturës. I ftuari i IDMC-së këtë radhë ishte Simon Mirakaj, njëkohësisht edhe personazh i dokumentarit.
Aktiviteti u përshëndet nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike të Universitetit "Aleksandër Moisiu", Andon Kume, i cili i inkurajoi të rinjtë të thellojnë njohjen e tyre rreth së shkuarës së vendit. Ndërsa Matilda Karçanaj, koordinatorja e projekteve të IDMC, i njohu të rinjtë me punën e IDMC dhe me misionin e saj. Znjsh. Karçanaj u tha të rinjve:
"Trajtimi i një teme siç është diktatura përveçse ka nevojë për rishikim të teksteve të historisë, përballet edhe me një sfidë tjetër më vete kur bëhet fjalë për ta trajtuar me të rinjtë. Për shumë të rinj kjo nuk është një temë tërheqëse prandaj ne përpiqemi t'i ndërgjegjësojmë të rinjtë dhe t'i ftojmë të reflektojnë përmes projekteve kreative multimediale."
Ajo i ftoi ata që të jenë të vëmendshëm për thirrjen e konkursit "Pyet Gjyshërit 2" që do të hapet në shtator.
Nën moderimin e gazetarit Ben Andoni, pas shfaqjes së dokumentarit, aktiviteti u pasua me një diskutim në panel me Simon Mirakaj, dëshmitar i kohës së diktaturës dhe Elda Zotaj, shefe e departamentit të Shkencave Politike dhe Juridike të Universitetit "Aleksandër Moisiu". Z. Mirakaj tha:
"Diktaturat imponohen, ato janë kundër lirisë, ndërkohë që njeriu lind i lirë dhe duhet të jetojë i lirë."
Znj. Zotaj u bëri thirrje të rinjve të ndërgjegjësohen pasi:
"Asnjë popull nuk mund të shkojë përpara, pa shëruar plagët e së shkuarës. Tirania s'ka kohë; ajo mund të trokasë në çdo kohë, prandaj duhet të jemi gati t'i themi jo."
Ndërsa Z. Andoni u solli studentëve një qasje krahasuese të ballafaqimit me të shkuarën në Shqipëri dhe në vendet e tjera Europiane. Për t'i bërë të rinjtë të kuptojnë sesa pas është Shqipëria në këtë proces ai u tha atyre se "vendet e tjera të Europës e kanë nisur më herët procesin e ballafaqimit me të shkuarën dhe ende kanë probleme".
Të rinjtë sollën dualizmin në të cilin e gjetën veten pas shfaqjes së dokumentarit të IDMC-së, "Fëmijët e diktaturës". Ata u shprehën se dikur kishin ndjekur filmat e prodhuar nga diktatura dhe tani ju vinte keq që ishin ndikuar prej tyre.
Informacion rreth të ftuarve
- Simon Mirakaj ka lindur më 1945. Ai kaloi 44 vjet të jetës së tij i internuar për motive politike prej sistemit diktatorial në Shqipëri, që kur ishte vetëm 2-javësh. Z. Mirakaj është një nga katër personazhet e dokumentarit të IDMC-së "Fëmijët e diktaturës".
- Andon Kume është Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike të Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Durrës.
- Elda Zotaj është Shefe e Departamentit të Shkencave Politike dhe Juridike të Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Durrës.
- Ben Andoni është gazetar te "Gazeta Shqiptare", "Milosao". Përveçse nga anglishtja në shqip, ai përkthen edhe nga gjuha serbo-kroate.