dokumentari fëmijët e diktaturës

Dokumentari "Fëmijët e diktaturës" në Tiranë II

Publikuar më

Dokumentari "Fëmijët e diktaturës" u shfaq te gjimnazi "Ernest Koliqi" në Tiranë. Në fillim të aktivitetit, asistentja e programit të IDMC, Matilda Karçanaj, ndau me të rinjtë rolin e IDMC-së në ndërgjegjësimin e të rinjve për pasojat e krimeve të komunizmit dhe si mund të përfshihen ata në projekte kreative. Znjsh. Karçanaj u tha të rinjve:

"Nëse nuk na është dhënë informacion për krimet e komunizmit gjatë studimeve tona, atëherë ne duhet ta kërkojmë informacionin vet."
Karçanaj

Dokumentari u ndoq nga një diskutim i të rinjve me dëshmitaren e kohës, Alma Liço. Diskutimi u moderua nga Ben Andoni, i cili theksoi rëndësinë e ballafaqimit me të shkuarën diktatoriale dhe se sa e rëndësishme është që të rinjtë të njohin dhe reflektojnë mbi të shkuarën. Të rinjtë nga ana tjetër sollën në vëmendje histori familjare nga koha e diktaturës. Znj. Liço dhe Z. Andoni diskutuan me të rinjtë sesa mjet i fuqishëm ishte propaganda gjatë diktaturës dhe sesi përdorej ti bënte njerëzit të besonin se Partia dhe sistemi i Hoxhës ishte gjithmonë i drejtë. Në këtë pikë, u nënvizua qasja që shqiptarët e Kosovës kishin për regjimin.

Informacion rreth të ftuarve

  • Alma Liço lindi në Tiranë në një familje intelektuale korçare. Familja e saj internohet nga diktatura komuniste në fshatin Dragot të Elbasanit kur ajo ishte vetëm 10 vjeç. Alma Liço është autore e një sërë artikujsh mbi diktaturën në Shqipëri, po ashtu autore e librit autobiografik "Krahë të këputur".
  • Ben Andoni është gazetar te "Gazeta Shqiptare", "Milosao". Përveçse nga anglishtja në shqip, ai përkthen edhe nga gjuha serbo-kroate.