ditët e kujtesës

Ditët e Kujtesës '23

Publikuar më

Të dashur miq dhe kolegë,

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS) ju ftojnë në edicionin e 8-të të DITËVE TË KUJTESËS, që do të organizohet më 18–28 Shkurt 2023. Këtë vit fokusi do të vendoset në përvojat e ndryshme të vendeve ish-komuniste në ballafaqimin me të shkuarën. Vendet baltike, për shembull, janë konsideruar të suksesshme për investigimin dhe ndëshkimin e krimeve të komunizmit, por mbi të gjitha për krijimin e politikave adekuate të kujtesës. Qëndrimi i tyre i prerë ndaj regjimeve totalitare, nazizmit dhe stalinizmit, është konsideruar ndër faktorët kyç të integrimit të tyre të shpejtë në Bashkimin Europian (BE) prej vitit 2004.

Nën moton "Dealing with the Past in Comparative Perspective – Lessons (not) Learned" ("Trajtimi i së shkuarës nga pikëpamja krahasimore – Çfarë [nuk] Mësuam"), veçanërisht një vit pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, tema e përballjes me të shkuarën komuniste mbetet më shumë se kurrë aktuale. Nëse politikat e memories kolektive do të kishin qenë efektive dhe nëse do të ishte zbatuar procesi i dekomunistizimit, nuk do të kishim këto prirje autoritare që hasen sot në shumë vende ish-komuniste në Europë. Vendi më tipik për mospërballjen me të shkuarën është Bjellorusia autoritariste, ku opozita është detyruar të largohet jashtë vendit, duke krijuar një qeveri në emigrim të drejtuar nga Sviatlana Tsikhanouskaya. Ukraina, nga ana tjetër, ishte ndër vendet e para që kreu procesin e dekomunistizimit (desovjetizimit) duke e konsideruar të shkuarën komuniste si një nga instrumentet themelore që Rusia mund të përdorte kundër saj. Dhe sulmi i paprecedentë i Rusisë më 24 shkurt 2022 i dha të drejtë. A do të kishim luftë ndaj Ukrainës nëse shoqëria ruse do e kishte përmbyllur procesin e dekomunistizimit? Me gjasë jo. Por fakt është që ende në vitin 2023, vendet që nuk janë përballur me të shkuarën e tyre rrezikojnë të përsërisin modelet e regjimeve të shkuara autoritare. Mbi të gjitha ato janë një kërcënim i hapur për paqen dhe të drejtat e njeriut kudo në botë.

Analizimi i faktorëve që kanë ndikuar në zbatimin e politikave të kujtesës në vende të ndryshme, rruga që këto vende kanë bërë, të përbashkëtat dhe veçoritë e tyre në aspekte të ndryshme krahasuar me Shqipërinë, avantazhet dhe disavantazhet e modeleve të ndjekura, do të jenë në qendër të aktiviteteve të DITËVE TË KUJTESËS 2023. Me rastin e hapjes zyrtare të negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE (korrik 2022), është e rëndësishme të analizojmë se si politikat e kujtesës ndikojnë në përforcimin e vlerave të përbashkëta të komunitetit europian, si: dinjiteti njerëzor, toleranca, liria, barazia dhe solidariteti.

DITËT E KUJTESËS është një aktivitet i përvitshëm që synon të mbajë gjallë debatin shoqëror dhe kujtesën mbi pasojat e regjimit komunist në Shqipëri dhe organizohet nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer dhe institucione të tjera të memories brenda dhe jashtë vendit, qysh prej Tetorit 2016.

Aktivitetet gjatë DITËVE TË KUJTESËS synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për pasojat e krimeve të diktaturës dhe forcimin e dialogut mbi të shkuarën përmes debateve, prezantimeve të botimeve më të reja mbi diktaturën, ekspozitave, konferencave ndërkombëtare, shfaqjeve të dokumentarëve etj.

Programi
Programi

Në vazhdim të traditës sonë të bashkëpunimit, si në edicionet e kaluara, ftojmë të gjitha organizatat dhe institucionet që veprojnë në fushën e kujtesës, publike dhe jopublike, muzetë dhe iniciativat lokale e ndërkombëtare të kujtesës, shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, qendrat studimore etj., të bëhen pjesë e këtij edicioni.

Ju faleminderit!

Stafi i IDMC-së

Përmbledhje

Dita 1, 18 shkurt 2023: Hapja e "DITËVE TË KUJTESËS"

Nga Muzeu i Dëshmisë & Kujtesës në qytetin e Shkodrës, u çel të shtunën, më 18 shkurt 2023, edicioni i 8-të i DITËVE TË KUJTESËS 2023.

Shkodra, si një qytet në të cilin gjen në çdo hap familje dhe njerëz që kanë diçka për të rrëfyer për vitet e vështira të komunizmit, mirëpriti hapjen e siparit të këtij aktiviteti të përvitshëm. Në këtë aktivitet morën pjesë Shoqata e Ish-të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politik të Shkodrës, përfaqësues të institucioneve, qytetarë të Shkodrës, të cilët edhe sot vazhdojnë të kujtojnë me vështirësi dhe dhimbje atë periudhë të errët për Shkodrën dhe Shqipërinë. Përkrah prindërve të tyre që kërkonin të gjenin baballarët, nënat dhe gjyshërit e tyre në muret e kujtesës në këtë muze, ishin edhe të rinj që shoqëronin prindërit e tyre të cilët i kishin sjellë për të mësuar dhe dëgjuar më shumë për të kaluarën e vendit tonë.

Ceremonia u përshëndet nga fjala e të ftuarve: Z. Pjerin Mirdita, Drejtor i Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës, Znj. Jonila Godole, Drejtore Ekzekutive e IDMC, Z. Tobias Rüttershoff, Drejtor i Fondacionit “Konrad Adenauer”, Z. Guido De Sanctis, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Z. Bardh Spahia, Kryetar i Bashkisë së Shkodrës, Z. Zenel Drangu, Shoqata e Ish-të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politik të Shkodrës, Z. Marek Mutor, President i Platformës Europiane për Kujtesën dhe Ndërgjegjen, Z. Çelo Hoxha Historian, Drejtor i Institutit të studimit të krimeve të Komunizmit dhe Z. Toomas Hiio, Historian, Instituti Estonez i Memories Historike.

Znj. Jonila Godole, drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë e nisi fjalimin e saj me moton e këtij edicioni “Mësimet që nuk i nxorëm”, duke marrë si shembull agresionin Rus ndaj Ukrainës dhe duke vënë theksin tek pasojat që vijnë kur nuk ndodh ballafaqimi me të shkuarën. Z. De Sanctis e përqendroi fjalimin e tij në rijetësimin e të kaluarës me synimin kryesor të kujtesës së asaj që ka ndodhur me fokusin kryesor që të mos përsëritet më. Edhe Z. Spahija vuri theksin në nxjerrjen në pah të të vërtetave historike, ashtu siç janë. Secili prej të ftuarve dha mesazhet sa i takon rëndësisë së përkujtimit, kujtesës dhe ballafaqimit më të shkuarën. 

"DITËT E KUJTESËS nisën para 8 vjetësh, sepse ende sot e kësaj dite nuk kemi një ditë zyrtare për të kujtuar qëndrestarët dhe viktimat e komunizmit. Lindën për të ushtruar një presion nga poshtë, derisa të krijohet mundësia që të kemi një memorial qendror në qendër të Tiranës. Kështu, DITËT E KUJTESËS do të vazhdojnë derisa ne t'ia dalim që t'i realizojmë këto premtime, më tepër për brezin e ri, i cili rritet pa kujtesë, por gjithashtu edhe për të nderuar të gjithë të përndjekurit politik dhe familjarët e tyre."
Godole

Me rëndësi për këtë aktivitet ishte edhe prezantimi i ekspozitës “European Gulag”, e cila, siç u shpreh Z. Çelo Hoxha është dëshmi e punës dhe bashkëpunimit të këtij instituti si pjesë e Platformës Europiane për Kujtesën dhe Ndërgjegjen. Z. Hoxha e përshkroi këtë ekspozitë si një skicë simbolike të dhimbjes dhe vuajtjes së pësuar gjatë regjimit komunist në Shqipëri dhe në vende të ndryshme europiane të prezantuara në të. Gjatë prezantimit të kësaj ekspozite pjesëmarrësit u njohën me historinë e kampeve të stilit sovjetik të ndërtuara në Europë pas Luftës II Botërore, në përkujtim të të gjithë atyre që vuajtën në këto kampe. Ekspozita e përgatitur nga Platforma Europiane e Kujtesës dhe Ndërgjegjes me kontributin e Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit për sesionin shqiptar, vjen për herë të parë në Shqipëri dhe do të qëndroj e hapur për të gjithë vizitorët në Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër, i vetmi i këtij lloji në gjithë vendin.

Ditët e këtij viti erdhën me kujtesën e një figure të njohur në Shkodër, por pak të përmendur, Gaspër Çurçija. Persekutimi komunist preu në mes talentin e një njeriu muzika e të cilit do të përmendej edhe pas shumë vitesh ashtu siç ndodhi në këtë aktivitet. Pjesë të këtij përkujtimi u bënë edhe familjarët e të ndjerit Çurçija, të cilët falënderuan organizatorët për një iniciativë e cila duhej të shërbente si model për nderimin dhe përkujtimin e çdo viktime që u shua nga regjimi i paskrupull komunist.

Tingujt e muzikës së Çurçisë, të kuruar dhe prezantuar, nga Gent Rushi, përmbyllën mbrëmjen e parë të Ditëve të Kujtesës. 

Dita 2, 19 shkurt 2023: Vizitë studimore në vendet e kujtesës

Së bashku me stafin e IDMC, miq e partnerë, patëm mundësi të njiheshim nga afër me disa nga thesaret e trashëgimisë dhe kujtesës historike në Shkodër, përgjatë një turi nëpër qytetin e qëndresës antikomuniste shqiptare.

Katedralja historike e Shën-Shtejfnit, e kthyer në pallat sporti gjatë diktaturës dhe Kisha Françeskane e konvertuar në kinema pas ndalimit të fesë, na treguan për një pjesë të errët e gati të pabesueshme të Shqipërisë komuniste si shteti i vetëm ateist në planet. Teksa Muzeu i Fotografisë Marubi dhe ai i ndërtuar në ambientet e Katedrales, na kthyen pas në kohë në disa nga momentet më decizive që formësuan të tashmen tonë.

Dita 3, 20 shkurt 2023: Diskutimi "Trajtimi i së shkuarës nga pikëpamja krahasimore"

Paneli i djeshëm i diskutimit në lidhje me përvojën e ish-vendeve komuniste në përballjen e tyre me të shkuarën dhe politikat e kujtesës, bëri bashkë të ftuar nga vende të ndryshme të Europës, në prezencën e panelistëve Toomas Hiio, Volodymyr Viatrovych dhe Franak Viačorka, nën moderimin e Enriketa Papa, për të ndarë me ne eksperiencat e vendeve të tyre.

Aktiviteti u përshëndet nga Christiane Hohmann, Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Elisabeth Barsacq, Ambasadorja e Francës, Volodymyr Shukrov, Ambasadori i Ukrainës si dhe Tobias Rüttershoff Drejtori i KAS Tiranë, të cilët përgëzuan nismat e IDMC-së si edhe shprehën vullnetin dhe dëshirën për të vazhduar t’i mbështesin fort ato.

Tsz Wai So prezantoi për të pranishmit edhe memorialin "PanEuropean" të ideuar prej tij në Bruksel, në nder e përkujtim të të gjithë viktimave të totalitarizmit në Europë.

Dita 4, 21 shkurt 2023: Ekspozita "Fëmijët pas telave"

Të martën Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) dhe IDMC prezantuan ekspozitën "Fëmijët pas telave me gjemba" në vazhdën e DITËVE TË KUJTESËS.

Përmes fakteve dokumentare dhe dëshmive nga të mbijetuarit, autorja e ekspozitës dhe historiania Brisejda Lala hedh dritë mbi jetën e përditshme të të miturve nën regjimin e shkuar komunist në Shqipëri.

"Më kryesorja që do të veçoja nga ekspozita është fakti që ne e vërtetojmë me dokumente se në periudhën 1944–1954 internimet në Shqipëri janë bërë në mungesë të një ligji administrativ, për gjithë popullsinë, përfshirë edhe fëmijët."
Dr. Çelo Hoxha, Drejtues i ISKK
"Jo të gjithë fëmijët regjistroheshin kur futeshin në këto kampe internimi, ndaj u ngelet historianëve dhe studiuesve të rij ta kryejnë këtë punë kërkimore. Një pjesë e kryefamiljarëve nuk jetojnë më, prandaj është sfidë gjetja e numrit të përgjithshëm të këtyre fëmijëve, sidomos kush ndërroi jetë në kampet me tela me gjemba, si në Tepelenë apo në burgjet e pasvitit 1944."
Dr. Jonila Godole, Drejtuese e IDMC

Ekspozitën e përshëndetën Dr. Tobias Rüttershoff nga Fondacioni Konrad Adenauer në Shqipëri, si mbështetës i projektit, dhe Gjergj Hani, i cili qe akoma fëmijë 16-vjeçar kur e nxorën në bankën e të akuzuarve si "armik i popullit".

Ekspozita "Fëmijët pas telave me gjemba" do të vazhdojë të mirëpresë vizitorë deri më 26 shkurt në sheshin "Skënderbej" në Tiranë.

Dita 5, 22 shkurt 2023: Dokumentari "Kutia prej hekuri"

Në aktivitetin e radhës së edicionit të 8-të të DITËVE TË KUJTESËS, shfaqëm për publikun dokumentarin "Kutia prej hekuri" nga regjisori austriak Nils Olger.

Një dokumentar i ndërtuar mbi gjurmët e fotografive në një kuti të hekurt, të cilat gjyshi i Olger, ish-mjek dhe ish-ushtarak nazist, kishte shkrepur përgjatë betejave në Luftën e Dytë Botërore. Dekada më vonë, nipi i tij udhëton në këto vende e takohet me personazhe që kanë ende kujtime nga ajo kohë, duke na ofruar përqasjen e tij mbi mënyrën se si duhet trajtuar e shkuara e regjimeve totalitare.

Një diskutim domethënës pasoi dokumentarin, mes regjisorit Nils Olger, si nipi i një ish-nazisti dhe shkrimtarit Bashkim Shehu, si i biri i ish-kryeministrit komunist Mehmet Shehu. Panelistët diskutuan mbi përballjen e tyre me biografinë e trashëguar dhe se si ajo ka influencuar veprën dhe botëkuptimin e tyre, teksa mirëpritën edhe pyetjet nga audienca.

Më 1949, 14 veta u vranë nga regjimi komunist në masakrën e Qafë-Valmirit në Mirditë me një vendim të Gjykatës së Lartë mbledhur në Rrëshen pas një rekomandimi të Mehmet Shehut. 74 vite më vonë, nipi i një prej të pushkatuarve, Gjergj Marku i shtriu dorën e pajtimit, të birit të ish-kryeministrit Shehu. Marku u shpreh se Bashkim Shehu nuk ka faj për krimet e kryera gjatë regjimit komunist dhe për përfshirjen e të atit në to.

Dita 6, 23 shkurt 2023: Dokumentari "Gratë në diktaturë"

Gratë në diktaturë - Përtej mitit të emancipimit”, ishte subjekti i dokumentarit që shfaqëm në sallën e teatrit ArTurbina, në kuadër të DITËVE TË KUJTESËS.

Dokumentari nga Fatmira Nikolli dhe Jonila Godole, arriti të "çmontonte" mitin e emancipimit të gruas në Shqipërinë komuniste, duke argumentuar se çdo përpjekje e bërë në këtë drejtim vinte si rezultat i nevojës për forcë punëtore, më tepër sesa i dëshirës për barazi gjinore. ⠀

Në pjesën e dytë të mbrëmjes një diskutim në panel, me në qendër historitë personale të Fatbardha Mulleti Saraçit dhe Vera Bekteshit, të cilat përjetuan në forma të ndryshme dhunën e ushtruar nga regjimi drejt gruas shqiptare. Nga ana tjetër, aktorja Rajmonda Bulku u ndal tek pabarazia dhe presioni me të cilin gratë ndesheshin në Shqipërinë komuniste.

Shqipëria komuniste krijoi mitin e emancipimit të gruas në arsimim, punësim dhe karrierë. Por a ndodhi në të vërtetë emancipimi i gruas gjatë diktaturës, apo kjo u përdor thjesht si propagandë për të maskuar shfrytëzimin e gruas në shumë sektorë të jetës dhe prodhimit?

Dokumentari, me titra në anglisht, synon të zbërthejë mitin e emancipimit dhe rolin që kishte vetë ideologjia në mënyrën e përdorimit të gruas në shoqërinë totalitare.

Edlira Çepani, Klejdi Këlliçi, Fatmira Nikolli dhe Armanda Hysa do të vijojnë me një diskutim mbi çështjen, nën moderimin e Ergys Mërtirit. 

Dita 8, 25 shkurt 2023: Forumi “Të kujtojmë – Dialog mes brezash”

Më 25 shkurt, në kuadër të aktiviteteve të DITËVE TË KUJTESËS u zhvillua në Shkodër pranë Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës takimi/forumi i hapur “Të kujtojmë – Dialog mes brezash”.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të familjeve të përndjekura, z.Maxhid Cungu Znj. Albina Dabërdaku, Z. Mensur Bushati, Znj. Fatbardha Bekteshi dhe Z. Florian Bjanku, të cilët rrëfyen përballe të rinjve të pranishëm, historitë e tyre, sfidat, vuajtjet dhe dhimbjet që ata dhe të dashurit e tyre kanë kaluar gjatë sistemi komunist. Gjatë bashkëbisedimeve, u vu theksi në rëndësinë e të të vërtetave historike dhe të memories kolektive.

Diskutimet vijuan me evidentimin e rolit të pazëvendësueshëm dhe jetik të rinisë, në ndërtimin e një shoqërie, që edhe pse nuk kreu katarsisin e nevojshëm pas viteve 90’, sot duhet të garantojë që sistemi demokratik në të cilin jetojmë të rezistojnë ndaj çdo fantazmë të së kaluarës apo pasojave të mungesës së zbatimit të masave të drejtësisë tranzitore.

Të rinjtë pjesëmarrës treguan copëza historish të mësuara nga familjarët e tyre, të cilët i kishin treguar se si kishte qenë jeta gjatë sistemit komunist.

Të ftuarit në këtë takim, mes fjalës edhe të përlotur teksa kujtonin familjarët dhe vuajtjet e tyre, i shpjeguan të rinjve se si ishte jetesa në një kohë kur njeriu nuk gëzonte të drejtat themelore që duhej të gëzojë çdo njeri, se si për shkak të një familjari përndiqej i gjithë fisi dhe kryheshin dënime kolektive (të paligjshme në një shoqëri demokratike të shtetit të së drejtës), se si mundi dhe kontributi i gjyshërve të tyre u asgjësua nga veprimet antiligjore të një sistemi që pranonte vetëm ata që mendonin dhe vepronin siç kërkonte regjimi i asaj kohe.

Mes rrëfimeve personale, shpjegimeve historike, bashkëbisedimi vijoi edhe me shpjegime konkrete juridike duke vënë theksin tek të drejtat e njeriut, duke dashur që të rinjtë të mos e merrnin informacionin vetëm në rrafshin personal, por edhe të arrinin të bënin analiza duke u bazuar tek të drejtat që ata sot gëzojnë por që dikur mohoheshin. Pra, secili nga të ftuarit, mes tyre edhe juriste, u përpoqën që të rinjve të mos i rrëfenin vetëm historitë e tyre, por edhe të përçonin tek ata ndjenjën analitike ndaj këtij sistemi përmes mekanizmave, siç janë të drejtat e njeriut dhe niveli i zbatueshmërisë së tyre gjatë atij sistemi.

Mes mesazheve të dhëna, u theksua mbi nevojën për të ndërgjegjësuar shoqërinë dhe mbi rëndësinë e ballafaqimit më të kaluarën, si e vetmja mënyrë për të siguruar që e kaluara nuk do të përsëritet më.

Memoria duhet të përcillet ndër breza, viktimat duhet të përkujtohen dhe nga historia duhet të nxirren mësime.

Dita 10, 27 shkurt 2023: Uorkshopi "Totalitarizmi në mësimdhënie"

Aktiviteti i radhës gjatë DITËVE TË KUJTESËS vijoi me trajnimin e mësuesve të historisë nga e gjithë Shqipëria, duke sjellë ide dhe shkëmbyer mendime mbi mënyrën se si duhet të zhvillohen orët e historisë lidhur me regjimet totalitare në shkollat tona.

Së bashku me EuroClio dhe ALBNA, mësuam mbi trajtimin e luftërave në ish-Jugosllavi nga kolegët në rajon, teksa zhvilluam edhe një uorkshop mbi përdorimin e burimeve vizuale në shkolla për të nxitur mendimin kritik dhe për të reflektuar mbi të shkuarën, përvoja këto që mund t'i shërbejnë mësuesve për t'ju referuar temave të ndjeshme si periudha e komunizmit në Shqipëri.

Në përmbyllje, një shkëmbim eksperiencash me arsimtarët në vend për mënyrën se si i trajtojnë ata këto tema në klasa dhe rëndësinë e projekteve që nxisin interesin e nxënësve ndaj të shkuarës. Themeluesja e fondacionit "Karta", Alicia Gluza, ndau me ne përvojën e saj se si organizimi i konkurseve ka nxitur punën kërkimore të nxënësve në Poloni mbi periudhën komuniste, teksa Jonila Godole u ndal tek puna e IDMC ndër vite me të rinjtë për njohjen dhe reflektimin mbi të shkuarën.⠀

Dita 11, 28 shkurt 2023: Fituesit  e "Pyet Gjyshërit 5"

Nuk kishin si të përmbylleshin ndryshe DITËT E KUJTESËS 2023, përveçse me kurorëzimin e konkursit më cool të të rinjve, "Pyet Gjyshërit" dhe me shpalljen e fituesve.

Plot 10 Çmime:

  • 2 Çmime të para⠀
  • 2 Çmime të dyta⠀
  • 2 Çmime të treta⠀
  • 1 Çmim i rrjetit⠀
  • 3 Çmime inkurajuese

Një udhëtim nëpër vendet e kujtesës në Europë për 7 çmimet e para, por jo vetëm kaq. 50 të rinjtë, punimet e të cilëve u përzgjodhën në fazën e dytë nga juria, fituan gjithashtu një udhëtim në vendet e kujtesës në Shqipëri.

Mbi 150 punime në total, në disiplinat e multimedias, arteve figurative dhe rrëfimeve të shkruara, me vajza e djem nga gjithë Shqipëria, të gjitha "të nisura nga një objekt".⠀

Në ceremoninë përmbyllëse të DITËVE TË KUJTESËS 2023 patëm nderin dhe kënaqësinë të kishim të pranishme Zonjën e Parë Armanda Begaj në dhënien e çmimit të parë në Konkursin "Pyet Gjyshërit". Znj. Begaj shprehu falënderimet për të gjithë mësuesit dhe nxënësit, për emocionin që dhuruan me punimet e realizuara si dhe për ndihmesën e tyre që historia të mos harrohet.

Ambasadori gjerman, Z. Peter Zingraf, u shpreh i emocionuar për punimin që fitoi vendin e dytë, duke u shprehur se një objekt i ngjashëm i sillte në kujtesë të atin e tij dhe veglat e punës që ai përdorte. Ndërsa Katja Fausser u propozoi fituesve të konkursit që nëpërmjet IDMC të aplikojnë për Çmimin Europian të Konkursit për Historinë, në vjeshtën e këtij viti.

Në mbyllje, falënderojmë të gjithë nxënësit pjesëmarrës dhe mësuesit për punën e palodhur duke vlerësuar jo vetëm punimet e tyre, por edhe gjithë procesin krijues e reflektues për të arritur në këto punime kaq cilësore.

Projekte të tjera na presin! 

Organizatorët

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Fondacioni
Fondacioni "Konrad Adenauer"

Partnerët dhe mbështetësit

Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane
Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane
Prezenca e OSBE në Shqipëri
Prezenca e OSBE në Shqipëri
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit
Qendra KARTA
Qendra KARTA
Shoqata Kombëtare Shqiptare e Mësuesve të Historisë
Shoqata Kombëtare Shqiptare e Mësuesve të Historisë
Instituti i Historisë
Instituti i Historisë
Euroclio
Euroclio
Bashkia e Tiranës
Bashkia e Tiranës
Bashkia e Shkodrës
Bashkia e Shkodrës
Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë
Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë
Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit në Shqipëri
Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit në Shqipëri "kujto.al"
Ambasada e Austrisë
Ambasada e Austrisë
Instituti Estonian i Kujtesës Historike
Instituti Estonian i Kujtesës Historike
Shoqata rinore
Shoqata rinore "Roots"
Universiteti i Tiranës
Universiteti i Tiranës
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë
Muzeu
Muzeu "Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës"
Collège des Bernardins
Collège des Bernardins
EJAlbum
EJAlbum
Qendra e Artit Bashkëkohor
Qendra e Artit Bashkëkohor "ME WE"
Muzeu Kombëtar i Fotografisë
Muzeu Kombëtar i Fotografisë "Marubi"