kujtesa

"Topografia e terrorit" në Shkodër

Publikuar më

Të shtunën, IDMC organizoi vizitën e saj të tretë studimore në vendet e kujtesës. Këtë herë vizita studimore u organizua me nxënësit e shkollës "Çajupi" Tiranë. Nxënësit vizituan Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër. Guida e tyre u udhëhoq nga Pjerin Mirdita, specialist pranë muzeut. Ai shpjegoi në mënyrë të kujdesshme historinë e muzeut dhe i njohu të rinjtë me të gjitha dhomat dhe me kuptimet e shkrimeve në to. Është e rëndësishme të përmendet se nxënësit treguan interes të lartë përgjatë gjithë vizitës në muze, e cila u pa edhe në pyetjet për udhërrëfyesin, mësuesit e tyre dhe stafin e IDMC-së.

Pas vizitës, të rinjtë e "Çajupit" iu bashkuan një dreke reflektive, ku diskutimi i moderuar nga Dr. Jonila Godole, drejtore ekzekutive e IDMC, theksoi rëndësinë e vizitës për ta. Ata ndanë përshtypjet e tyre dhe sesi vizita i ndihmoi të kishin një kuptim më të mirë të diktaturës në Shqipëri. Po ashtu, nxënësit u pyetën për mënyrat që do të preferonin për të mësuar rreth kësaj periudhe. IDMC vuri re se për gjimnazistët është e rëndësishme të shkojnë dhe ti shohin nga afër vendet e kujtesës dhe të dëgjojnë për rëndësinë e tyre kur janë atje. Në veçanti nxënësit vunë në dukje rëndësinë e dokumentarëve kur reflektohet për të shkuarën. Ata sollën shembullin e dokumentarit "Fëmijët e Diktaturës", të cilin ata patën rastin ta shihnin në ceremoninë e hapjes së aktivitetit DITËT E KUJTESËS dhe folën për diskutimin që kishin pasur në familje pasi kishin parë dokumentarin. Ata u shprehën se ishin krenarë që kishin sfiduar mënyrën sesi ishin mësuar për atë periudhë dhe që kishin qenë në gjendje të bënin prindërit e tyre te flisnin dhe ndonjëherë të konfrontoheshin edhe me gjyshërit e tyre.

Për IDMC kjo vizitë studimore ishte e fundit për vitin 2016, por do ti vazhdojë ato vitin tjetër gjithashtu. IDMC e ka arritur qëllimin e saj në këto vizita studimore sepse të rinjtë reflektojnë për periudhën e diktaturës dhe pranojnë që dija e tyre nuk është e mjaftueshme. Ata ndërgjegjësohen dhe fitojnë një interes të veçantë për të mësuar më shumë për këtë periudhë. Shumica e të rinjve në vizitat studimore të organizuara nga IDMC kanë pranuar se para vizitës studimore kjo temë nuk ishte në interesin e tyre. Vizita studimore në vendet e kujtesës zgjon interesin e të rinjve për të mësuar gjithashtu në mënyrë të pavarur për diktaturën.