kujtesa

"Topografia e terrorit" në Shkodër dhe Spaç

Publikuar më

Në vazhdën e aktiviteteve "Topografia e Terrorit", Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Shoqatën e Mësuesve të Historisë së Shqipërisë dhe ChwB (Cultural Heritage Without Borders) zhvilloi një vizitë studimore në vendet e dëshmisë dhe të kujtesës në ish burgun e Spaçit dhe në Shkodër.

Përmbledhje

Dita e parë, 6 maj 2017

Rreth 14 mësues të Historisë që morën pjesë në këtë organizim, nisën vizitën në ish-burgun e Spaçit. Të shoqëruar nga z. Zhivko Petroviç, një ish-i dënuar në këtë burg, kjo vizitë mori ngjyrime edhe më emocionuese. Si histori të vërteta të lëna në harresë edhe gjendja e këtij burgu në ditët e sotme lë për të dëshiruar. Duket sikur duam të fshijmë nga kujtesa një pjesë të historisë së vendit tonë.

Në fokus-grupin që u zhvillua në kuadër të këtij takimi me përfaqësues të CHwB, mësuesit diskutuan rreth mundësisë për ta kthyer këtë vend në një muze ku të dëshmohej një pjesë e vuajtjes njerëzore gjatë sistemit diktatorial. Nisur nga dëshira për të dëshmuar të vërtetat ashtu si kanë qenë, mësuesit dhanë kontributin dhe idetë e tyre lidhur me mënyrën e duhur për ta kthyer këtë godinë nga një vend të harruar e lënë në mëshirë të kushteve atmosferike, në një vend të vizitueshëm ku e vërteta të flasë vetë.

Dëshmitë e personave të cilët kanë vuajtur gjatë regjimit nga persekutimi dhe internimi shoqëruan darkën tematike ku së bashku me aktorë të ndryshëm që punojnë në fushën e ballafaqimit me të shkuarën në Shkodër dhe gazetarë u diskutua për rolin e medias lokale në procesin e ballafaqimit me të shkuarën.

Dita e dytë, 7 maj 2017

Dita e dytë vijoi me vizitën në "Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës", ku faktet flasin më shumë se fjalët. Nën udhërrëfimin e Pjerin Mirditës, mësuesit u njohën me detaje të reja që pasurojnë edhe më tej njohuritë e tyre lidhur me krimet e periudhës së diktaturës. Emocionet që të përfshijnë teksa viziton këtë vend janë të papërshkrueshme dhe të lënë një ndjenjë boshllëku dhe revolte të brendshme bashkuar me përgjegjësinë për tu munduar që të bëjmë më shumë.

Nuk mund të largoheshim pa vizituar Kishën e Shën Françeskut, Katedralen dhe Muzeun, Kuvendin e Motrave Stigmatine, vende të cilat u zhveshën nga funksionet e tyre fetare gjatë periudhës së komunizmit për tu shkatërruar ose adaptuar në institucione te tjera, për të ndërprerë kështu edhe lidhjen e popullit me besimin e tyre. U ndalëm për të vizituar edhe Kapelën e Varrezave dhe Çinarin e Zef Zorbës, këtë pemë e cila ka qenë dëshmitare e qindra pushkatimeve të bëra nga sistemi.

Të tronditur dhe njëkohësisht të lumtur që ishin pjesë e kësaj vizite, mësuesit diskutuan gjatë drekës lidhur me përshtypjet e tyre. Të gjithë u ndalën për të reflektuar dhe shprehën dëshirë për të bashkëpunuar akoma më shumë që e kaluara të mos mbetet në harresë. Duke vënë në fokus rëndësinë e edukimit të brezit të ri, që ata ta njohin historinë ashtu si ka qenë në mënyrë që gabime të tilla të mos përsëriten në të ardhmen, IDMC do të organizojë vizita të tjera studimore në mënyrë që të përmbush misionin që ka nisur.