"Topografia e terrorit" në Spaç

IDMC organizoi një vizitë tjetër studimore në ish-burgun e Spaçit. Kjo ishte hera e katërt që IDMC viziton ish-burgun e Spaçit përmes vizitave studimore me të rinj dhe mësues historie. Këtë radhë pjesë e vizitës studimore ishin studentë dhe pedagogë të departamentit të Letërsisë së Universitetit të Tiranës. Pjesëmarrësve iu dha shansi të bisedonin nga afër me një dëshmitar të diktaturës, Gjet(o) Vocaj, ish-i burgosur politik në ish-burgun e Spaçit, njëkohësisht autor i librit "Takim fatal me diktatorin".
Në pushimin e parë para se të mbërrihej në Spaç, asistentja e programit të IDMC-së, Matilda Karçanaj, u foli shkurtimisht të rinjve për rëndësinë e vizitave studimore të organizuara nga IDMC që prej vitit 2015.
Znjsh. Karçanaj u tha të rinjve:
"Kanë kaluar 27 vjet që nga rrëzimi i diktaturës në Shqipëri dhe ne nuk kemi dëgjuar të flitet mjaftueshëm për këtë temë as në shkollë dhe as në familje, pavarësisht se ishte ndër diktaturat më të ashpra në Europën Juglindore. Prandaj përmes këtyre vizitave studimore dhe takimeve me dëshmitarë të kohës, IDMC synon ndërgjegjësimin për krimet e diktaturës dhe t'ju bëjë ju më të ndërgjegjshëm për rëndësinë e ballafaqimit me të shkuarën".
Para se të vazhdohej më tej, të rinjtë në mënyrë anonime plotësuan formularin e pritshmërive për vizitën studimore.
Studentët filluan të reflektonin për vizitën studimore që gjatë rrugës për në zonën e ish-burgut. Rruga e pashtruar dhe me kthesa dukej e pafund për ta. Sapo arritën në zonën e burgut, Gjet(o) Vocaj filloi të ndajë me të rinjtë eksperiencën e tij në burg. Studentët ishin shumë të interesuar për të dëgjuar sa më shumë rreth eksperiencës së tij dhe nuk i ndalën pyetjet e tyre për Z. Vocaj për asnjë moment, i cili midis të tjerash ndau me të rinjtë edhe efektet e revoltës së Spaçit më 1973. Ai u tregoi studentëve se për revoltën e Spaçit u ekzekutuan 4 të burgosur, disa të tjerë u torturuan dhe disave iu dyfishua dënimi.
Z. Vocaj ndau me të rinjtë absurditetet e atij sistemi duke iu thënë atyre:
"Ju mund të keni dëgjuar për 4 personat e ekzekutuar, por jo për të pestin. Ai ishte i veçantë për të gjithë të burgosurit. Ishte edhe një qen që mori pjesë në revoltë, i cili u dënua me varje…"
Pasi u vizitua e gjithë zona e ish-burgut, aktiviteti vazhdoi me prezantimet e studentëve për shkrimtarët e persekutuar, të burgosur apo të dënuar me vdekje nga diktatura e Enver Hoxhës. Të udhëhequr nga Prof. Asoc. Dr. Lili Sula, kërkimi i tyre i drejtoi ata te shkrimet e Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës, Kasem Trebeshinës, Musine Kokalarit, Visar Zhitit, Arshi Pipës, Viçens Prenushit, Frederik Rreshpjas etj.
Aktiviteti përfundoi me një drekë reflektimi. Në një ambient joformal studentët u shprehën se duke dëgjuar për eksperiencën në burg nga nga një ish-i burgosur politik u bënë më të ndjeshëm ndaj temës dhe interesi i tyre për t'u thelluar në studim të pavarur në këtë fushë është tashmë më i lartë. Në fund, ata falënderuan IDMC dhe plotësuan formularët e vlerësimit për vizitën studimore.
Më shumë rreth të ftuarit:
- Gjet(o) Vocaj, ish-i burgosur politik i dënuar me 8 vite burg për propagandë. Ai e nisi dënimin e tij në Spaç dhe e përfundoi në Ballsh. Familja e tij u internua për 5 vjet në fshatin Pistull të Shkodrës, pa iu komunikuar as edhe një arsye. Në vitin 1982 lirohet nga burgu. Z. Vocaj është autor i librit "Takim fatal me diktatorin".