#TiranaLexon Shqip

#TiranaLexon është një nismë letrare publike, që nisi si një maratonë leximi në kafenetë letrare, shkolla, biblioteka etj., nën organizimin e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, mbështetur nga Ministria e Kulturës.
Në dallim nga edicionet e shkuara, këtë vit, kjo iniciativë vjen nën moton #TiranaLexonShqip. Studiuesit, autorët dhe vetë botuesit kanë ngritur kambanat e alarmit për uljen drastike të numrit të atyre që zgjedhin të lexojnë shqip. Pas viteve '90, tirazhet e botimeve shqiptare nuk i kalojnë 500 kopjet, në rastin më të mirë, e letërsia shqipe duket sikur po shkon gjithnjë e më tepër drejt zgripit. Ndaj, me synim ndërgjegjësimin e lexuesve mbi letrat shqipe, ky edicion do të quhet: #tiranalexonshqip.
Është konceptuar si një aktivitet në lëvizje, që do të udhëtojë përgjatë qytetit, për të shkuar tek lexuesit. Takimet do të mbahen tek; Biblioteka "Hamit Beqaj", Salla e bibliotekës, Muzeu Historik Kombëtar, Hemingway Tirana, Libraria Tirana Times. Shtrirja në disa pika të ndryshme e kryesore të qytetit synon ta kthejë #tiranalexon në një ngjarje për kryeqytetasit.
Pjesë e leximeve do të bëhen disa nga autorët bashkëkohorë shqiptarë, si: Agron Tufa, Enkel Demi, Evis Cerga, Lekë Tasi, por edhe studiues e kritikë letrarë. Përballë tyre do të jenë lexuesit, gjimnazistë dhe mësues, anëtarë të klubeve letrare dhe të ftuar të tjerë, të cilët do të diskutojnë mes tyre dhe do të lexojnë fragmente nga krijimtaria dhe autorët e preferuar të letërsisë shqipe.
Përgjatë tri ditëve, në datat 17, 18 dhe 19 tetor 2019, takimet letrare do të mbahen gjatë mbrëmjeve, në harkun kohor 17:00–21:00.
Përmbledhje
17 tetor, Biblioteka "Hamit Beqaj"
17:30–17:40 Fjalët përshëndetëse:
- Elva Margariti (Ministre e Kulturës)
- Jonila Godole (Drejtore Ekzekutive, IDMC)
17:40–19:00 Lexime dhe diskutime nga lexuesit e bibliotekës, anëtarë të klubit letrar, gjimnazistë dhe studentë
Të ftuar: Bujar Hudhri (botues) dhe studiues e pedagogë të letërsisë nga Universiteti i Tiranës.
Moderon: Anisa Ymeri (përgjegjëse e bibliotekës, gazetare)
18 tetor, Salla e Bibliotekës, Muzeu Historik Kombëtar
11:00–12:30 Letërsia si vend kujtese
Lexime dhe diskutime: Lekë Tasi (autor)
Moderojnë: Agim Baçi (kritik letrar) dhe Fatmira Nikolli (gazetare)
–
Ish-violonçelist e piktor, biseda me Lekë Tasin do të përqendrohet tek libri i tij "Grabiani rrëzë kodrave", ku artisti përcjell kujtime nga jeta në internim gjatë regjimit komunist. Përmes ditarit të viteve nën shtrëngim ai sjell personazhe e karaktere me të cilët është njohur.
18 tetor, Hemingway Tirana
18:00–19:30 Lexime dhe diskutime: Agron Tufa (autor)
Moderon: Lili Sula (kritike letrare)
–
Agron Tufa është poet, prozator, përkthyes dhe studiues; fitues i disa çmimeve letrare, mes të cilëve "Pena e Argjendtë" për romanin më të mirë ("Fabula Rasa", 2005), Çmimi i Madh Letrar Kombëtar për gjithë veprën letrare (2009), etj. Është përkthyes i disa prej autorëve më të rëndësishëm rusë të shekullit XX. Vepra e tij në prozë e poezi është përkthyer në disa gjuhë të huaja. Libri i tij i fundit "Zonja Asnjeri dhe Zoti Askurrkush", do të jetë në fokus të këtij takimi.
19 tetor, Libraria "Tirana Times"
19:30–20:45 Lexime dhe diskutime: Enkel Demi (autor), Evis Cerga (autore)
Moderon: Edlira Agolli (letrare)
–
Enkel Demi është gazetar, moderator dhe shkrimtar, ndonëse i njohur me një tjetër emër në fushën e letërsisë shqipe. Ai është autor i dy librave të suksesshëm që titullohen "Hide mbi kalldrëm" dhe "Gurët e vetmisë", të cilët u botuan nën pseudonimin Tom Kuka. Në prag të botimit të librit të tij të tretë, që fokusohet po tek Tirana, por në një tjetër periudhë historike, ai do t'u përgjigjet pyetje të lexuesve dhe do të rrëfejë Tiranën e Tom Kukës.
Evis Cerga ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Kajros, në Fakultetin e Arteve të Bukura, Dega Letërsi Angleze. Ka punuar për trembëdhjetë vjet si përkthyese në Përfaqësinë e Përhershme të Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë. Që nga viti 2007 është përkthyese në profesion të lirë. Me librin e parë Rruga "Miqësia", ajo i shtohet listës së shkrimtareve femra, me një zë të veçantë dhe origjinal, ku sjell copëza jete, personazhe të Tiranës së sotme dhe të Tiranës së kohës së dikurshme.
Organizatorët


Partnerët
Biblioteka "Hamit Beqaj"
Hemingway Tirana
Libraria "Tirana Times"