#TiranaLexon për të kujtuar

#TiranaLexon është një nismë letrare publike, e cila nisi si një maratonë leximi në kafenetë letrare, shkolla, biblioteka nga IDMC-ja në partneritet me Ministrinë e Kulturës. Bashkë me të rinjtë dhe qytetarët lexojnë edhe personazhe të njohur të skenës kulturore, mediatike dhe politike të vendit.
Në dallim nga sezonet e kaluara, këtë vit, #TiranaLexon vjen me disa risi, së pari në zgjedhjen e një tematike të saj: #TiranaLexon për të kujtuar. Në qendër të aktiviteteve do të jetë tema "Identiteti dhe Kujtesa". Identiteti krijohet në një proces autobiografik, ku ndërthuren kujtimet dhe rrëfimet që kanë shoqëruar jetën tonë. Çdo përpjekje e jona për t'i dhënë kujtimeve, përvojave të jetuara, synimeve, anktheve dhe shpresave tona një formë të caktuar, për t'i rikonstruktuar dhe ridimensionuar ato, është pjesë e pandashme e këtij procesi. Autorët e pranishëm gjatë ditëve të #TiranaLexon2018 do të ndajnë me publikun pikërisht qasjet e tyre autobiografike në veprën e tyre dhe pengesat e hasura në procesin identifikues në të shkuarën e deri më sot.

Përmbledhje e aktivitetit #TiranaLexon2018
Të nderuar partnerë dhe mbështetës të projektit #TiranaLexon2018,
Edicioni i pestë i #TiranaLexon, i kësaj nisme letrare, e cila tashmë ngjan kaq familjare për të gjithë miqtë e librit, këtë vit ngjalli interes të veçantë falë tematikës së përzgjedhur: "Identiteti dhe Kujtesa" në veprat e autorëve të njohur. Vëmendje të madhe për këtë aktivitet treguan kryesisht studiuesit, gazetarët , autorët, shkrimtarët, dhe botuesit të cilët ishin të pranishëm gjatë 3 ditëve të aktivitetit tonë (22–24 tetor 2018).
Autorja shqiptaro-zvicerane Besa Myftiu, ishte ajo e cila çeli këtë vit të #TiranaLexon nën moton "Tirana Lexon për të kujtuar". Besa Myftiu lexoi dhe diskutoi me moderatoren Prof. Doc. Lili Sula dhe me publikun pjesëmarrës për jetën e saj përtej Shqipërisë, por dhe krijimtaria e saj që vjen me një këndvështrim individual dhe të veçantë të së kaluarës u prit me kuriozitet dhe dëshirë nga publiku, i cili në jo pak raste i drejtoi asaj pyetje apo komente.
Duke synuar zbulimin e rolit të letërsisë në fushën e ballafaqimit me të shkuarën, aktiviteti i ditës së dytë të "Ditëve të Kujtesës" u zhvillua në ambientet e "Europa House". Autorët e ftuar nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) Karsten Dümmel dhe Albert P. Nikolla treguan të tjera aspekte të komunizmit, kjo përmes pasazheve të veprave të tyre dhe po kështu përmes pyetje-përgjigjeve me të pranishmit në sallë.
Ashtu sikurse pritej, interesi ishte i madh. Ish-të përndjekur, zyrtarë të përfaqësisë diplomatike, historianë dhe plot të rinj të shkollave të Tiranës ndoqën me mjaft vëmendje këndvështrimet e dy të ftuarve rreth shkatërrimit të identitetit njerëzor nga sistemet diktatoriale dhe pasojat që ndeshen në ditët e sotme në shoqëritë respektive, Gjermani apo dhe Shqipëri.
Tema e aktivitetit u përqendrua te "Identiteti dhe kujtesa". Për këtë pjesë Godole tha në fjalën e saj përshëndetëse:
"Identiteti krijohet në një proces autobiografik, ku ndërthuren kujtimet dhe rrëfimet që kanë shoqëruar jetën tonë. Çdo përpjekje për t'u dhënë kujtimeve formë është pjesë e pandalshme e këtij procesi".
Interesante për të pranishmit ishte fakti se në këtë aktivitet u tregua se gjatë përndjekjes së tij Dümmel kishte kërkuar të dilte jashtë Gjermanisë Lindore plot 56 herë deri sa në vitin 1988 "u ble" nga Republika Federale. Dümmel tregoi se për këtë proces ishte e nevojshme ndërhyrja nga jashtë, sepse "mund t'i drejtoheshe gjithkujt me letra, por ishte e vështirë të të mundësohej kjo gjë". Ai theksoi gjithashtu se sikurse shqiptarët e thjeshtë edhe ai e kishte pasur të pamundur lëvizjen duke thënë se në përgjithësi "ata që lëviznin jashtë kishin lidhje politike ose ishin të Stasit".
Në diskutimin tjetër antropologu Albert Nikolla tregoi për librin e tij "Njeriu i ri shqiptar". Nikolla foli gjerësisht për aspektet që e formonin njeriun e periudhës së diktaturës. Ai tha se i ashtuquajturi "njeri i ri" duhej të ishte besnik ndaj Partisë dhe të jepte jetën për të, nuk duhej të ishte indiferent, por të spiunonte, të shpifte, të trillonte dhe të ishte agresiv ndaj "njeriut të vjetër". Duke u lexuar pasazhe nga libri, Nikolla theksoi se përmes krijimit të "njeriut të ri" komunistët arritën që të zhduknin elitat dhe në ditët e sotme të mundnin të trashëgonin një tipar sikurse është "ndjesia e mosbesimit dhe e frikës".
Ndërsa paralel me këtë aktivitet një pjesë e #TiranaLexon u zhvendos në gjimnazin "Isa Boletini" në Vorë, ku autori dhe kritiku Agim Baçi, zhvilloi me nxënësit e kësaj shkolle një takim të hapur për veprën e tij. Ai përçoi tek të rinjtë mesazhe të forta mbi të lexuarin si një mënyrë për ta parë botën ndryshe, dhe marrëdhëniet që duhet të vendosin të rinjtë sot me librin dhe autorët e tyre.
Ndërkaq #TiranaLexon për të kujtuar në ditën e tretë prezantoi para publikut të ri "Kuartetin Letrar", një format risi ku në qendër të diskutimeve ishin katër vepra që trajtonin tematikën e kujtesës dhe identitetit. "Kuarteti" u mbajt në Sallën Franceze të Leximit mes studentësh dhe dashamirës të librit dhe u përshëndet nga drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani.
Sipas ideatores së "Kuartetit", Jonila Godole, përkthyese dhe pedagoge e gazetarisë dhe shkencave të komunikimit, ky format synon të nxis debatin profesional mbi librat dhe ta vendosi fokusin më shumë te vepra, se sa te autori. Veprat e marra në diskutim në "Kuartet" ishin "Kohë e pamjaftueshme" nga Helena Kadare, "Valsi i lumturisë" nga Ylljet Aliçka, "A është, vallë, njeri...?" nga Primo Levi dhe "Më kujtohet" nga Ylli Demneri. "Kuarteti" u bashkëmoderua nga gazetarja Beti Njuma, poetja Ledia Dushi, kritiku letrar Agim Baçi dhe Jonila Godole, të cilët ishin njohur më parë gjerësisht me secilën nga këto vepra.
"Kuarteti" ndezi debat konstruktiv për të gjitha veprat e paraqitura aty.
Në pasditen e datës 24 tetor, #TiranaLexon u zhvillua në gjimnazin "Ismail Qemali", aty ku nxënësit e kësaj shkolle u përfshinë në një maratonë të vërtetë leximi duke lexuar pjesë nga veprat e dy autorëve të pranishëm Gëzim Peshkëpia dhe Saimir Muzhaka.
Falënderojmë në mënyrë të veçantë Ministrinë e Kulturës për mbështetjen e këtyre aktiviteteve, si dhe partnerët tanë: Biblioteka Kombëtare dhe Europa House.
Theksojmë se #TiranaLexon këtë vit tërhoqi vëmendjen e mjaft medieve në vendin tonë, ku u pasqyruar me korrektësi në disa emisione televizive, shkrime gazetare dhe portale të ndryshme informative, si dhe u ndoq nga afër nga një audiencë e kualifikuar. Në vazhdim gjeni linqet përkatëse që evidentojnë mbulimin e medieve.
