#TiranaLexon – Netët e Letërsisë Austriake

Më 23–25 maj 2018 u organizua në sallën "Gëte" të Teatrit Eksperimental aktiviteti "Netët e Letërsisë Austriake" nga IDMC Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, në bashkëpunim me Ambasadën Austriake dhe me mbështetjen e Raiffeisen Bank,
në kuadër të vitit kulturor Austri–Shqipëri.
Përmbledhje
Nata e parë, 23 maj 2018
"Netët e Letërsisë Austriake" vijnë në Tiranë në kuadër të vitit kulturor Austri–Shqipëri
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë në bashkëpunim me Ambasadën Austriake çelën më 23 maj 2018 siparin e aktiviteteve "Netët e Letërsisë Austriake" nën siglën "Tirana Lexon". Ky aktivitet i cili vjen në kuadër të vitit kulturor Austri–Shqipëri, përmbylli me sukses natën e tij të parë, mes shumë të rinjsh që mbushën plot sallën "Gëte" të Teatrit Eksperimental "Kujtim Spahivogli". Të ftuar prezentë ishin tre autorët e huaj Andrea Grill, Klemens Renoldner dhe Christina Maria Landerl dhe autori shqiptar Agron Tufa.
Drejtoresha e IDMC-së, Dr. Jonila Godole përshëndeti të pranishmit dhe shpjegoi shkurtimisht qëllimin e këtij aktiviteti, duke ngritur shumë pikëpyetje rreth asaj çfarë vlen të diskutohet sot me të rinjtë, krizës së letërsisë, faktorëve të transformimit të saj ndër vite, ndikimit të lëvizjes së autorëve në vende të ndryshme tek letërsia e tyre, tek ajo që ata sjellin përpara publikut.
I pranishëm në hapjen e këtij aktiviteti ishte ambasadori austriak në vendin tonë Z. Johann Sattler i cili mbajti në fillim një fjalim përshëndetës për të pranishmit, dhe ndër të tjera vuri theksin në sinergjinë e krijuar nga shkëmbimi i këndvështrimeve të autorëve austriakë dhe autorëve e përkthyesve shqiptarë si dhe falënderoi të gjithë ata që mundësuan këtë aktivitet.
Në fjalën e tij shkrimtari Agron Tufa u shpreh se sot përpiqet të bëhet një letërsi e njeriut nga strukturat totalitare. "Shkrimtari shqiptar është shumë kokëfortë dhe i lidhur fort me rrënjët, qoftë edhe kur eksperimenton me fjalë, dhe nëse ka diçka që e bën të ngjashëm me shkrimtarët e popujve të tjerë, ai është një repertor ëndrrash kolektive," shtoi ai.
Autorja Andrea Grill e vuri theksin tek lexuesi i saj për të cilin mendon gjithmonë kur shkruan. "Kur shkruaj, mendoj për një tip publiku të cilit dua t'i drejtohem sepse nuk mund të mendoj për të gjithë", tha ajo. Grill shtoi ndër të tjera se teknologjia do ta ndryshojë letërsinë e këtij fundshekulli, ashtu siç po ndryshon gjithçka tjetër në sfera të ndryshme.
Në pjesën e dytë të aktivitetit autori Klemens Renoldner lexoi për të rinjtë pjesëmarrës një fragment nga libri i tij më i ri që pritet të publikohet në 2019-ën, romani "Kepi i shpresës së mirë", në të cilin rrëfehen kujtimet e një fëmije për gjyshin e tij, flitet për edukatën dhe moralin e dy poleve, po-ja dhe jo-ja, toleranca dhe autoriteti etj.
Nata e dytë, 24 maj 2018
Përfundon nata e dytë e e aktivitetit "Netët e Letërsisë Austriake"
Nën "magjinë" e librit, në sallën e teatrit të mbushur plot me të rinj u përmbyll edhe nata e dytë e aktivitetit "Netët e Letërsisë Austriake", me kujdesin e IDMC-së dhe Ambasadës Austriake.
Autorja austriake Andrea Grill erdhi "më shqiptare" se vetë shqiptarët duke përcjellë përpara të pranishmëve pjesë nga vepra e saj. Me moderimin e shkrimtarit të njohur Lazër Stani, autorja Grill tregoi përpara publikut për ndikimin që ka pasur kontakti i saj me Shqipërinë, me shkrimtarët tanë, në krijimtarinë e saj artistike brenda dhe jashtë vendit. Andrea, përkthyese dhe promovuese e kulturës shqiptare në Austri, tregoi mbështetjen që kishte marrë nga ata, të cilët ndër të tjera e kishin ndihmuar për të njohur gjuhën shqipe, të cilën ajo e flet mjaft mirë, madje është edhe përkthyese e disa materialeve në disa vepra shqiptare.
Andrea lexoi për të pranishmit edhe një pjesë të tregimit të saj "Daja i verdhun", një tregim që bazohej në një histori të vërtetë e mjaft frymëzuese. Diskutimi me autoren Grill u bë edhe më i gjallë, dhe interaktiv nga pyetjet e shumta të të rinjve në sallë, dhe sigurisht edhe përgjigjeve e saj tejet interesante, dhe jo pa humor.
E veçanta e natës së sotme ishte "Kuarteti i Leximit", atë që ideatorja Jonila Godole e kishte konceptuar si një tavolinë rrumbullake ku në të u ulën 4 autorë, kritikë të njohur në vendin tonë, të cilët i paraqitën publikut 4 autorë austriakë me veprat e tyre përkatëse të botuara në gjuhën shqipe, si Elfride Jelinek (Dashnoret), Rainer M. Rilke (Elegji Duine), Stefan Zweig (Bukinisti Mendel), Andrea Grill (Qaj e Qesh). Të katër autorët, Jonila Godole, Agim Baçi, Alda Bardhyli dhe Lili Sula njihnin mirë veprat e përzgjedhura dhe shkëmbyen këndvështrimet e tyre, shpesh të kundërta, mbi këto vepra të letërsisë bashkëkohore që janë sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme nga njëra-tjetra. Me anë të diskutimit ata sollën historitë e autorëve që i kanë shkruar, kohës kur janë shkruar, fabulës së tyre, mesazheve të dukshme dhe ato të nënkuptuara, dhe ndikimit të tyre si tek vetë ata, ashtu edhe tek publiku. Jo pa shkas secila vepër ishte e ndryshme nga njëra-tjetra duke sjellë kështu për publikun edhe libër më poezi, edhe prozë, edhe tregime, edhe roman...
Ky format diskutimi në këtë formë interesante dhe mjaft tërheqëse për publikun, vjen për herë të parë në aktivitete të tilla letrare, ku libri është "mishi dhe shpirti i tij".
Aktiviteti "Netët e Letërsisë Austriake" do të zhvillohet sërish sot për publikun dashamirës të librit, në natën e tij të tretë përmbyllëse, 25 maj, por jo më të parëndësishme. Përpara të rinjve do të jetë autorja e njohur austriake Christina Maria Landerl e cila do të ndajë me publikun pjesa nga vepra e saj, dhe më pas nën moderimin e Drejtorit të "Qendrës Stefan Zweig", Klemens Renoldner do të flitet gjerësisht për shkrimtarin, dramaturgun, gazetarin dhe biografistin e shquar, Stefan Zweig, veprën dhe krijimtarinë e tij të gjerë e cila ka lënë jo pak gjurmë në letërsinë botërore.
Nata e tretë, 25 maj 2018
Mbyllet me sukses aktiviteti "Netët e Letërsisë Austriake" 2018
Përfundon nata e tretë dhe e fundit e aktivitetit "Netët e Letërsisë Austriake", me kujdesin e veçantë të IDMC-së dhe Ambasadës Austriake. Të rinjtë studentë mbushën edhe mbrëmjen e 25 majit sallën e Teatrit duke treguar interes të veçantë për veprat e njohura të letërsisë bashkëkohore.
Pjesa e parë e aktivitetit iu dedikua autores mysafire në këtë aktivitet, Christina Maria Landerl, e cila ndau me publikun momente të jetës dhe veprës së saj. Landerl e cila vonë i ishte futur botës së letërsisë, të shkruarit, tregoi në një bashkëbisedim me përkthyesen Edlira Agolli se ky pasion i saj i madh vinte si frymëzim nga vendi i saj i lindjes Austria, nga historitë apo ndodhitë e përditshme aty, ndaj jo më kot një prej tregimeve me titull "Braktisni qytetin" i dedikohej pikërisht asaj. Me tregime të shkurtra, një gjuhë të thjeshtë dhe lineare, të shkruar në vetën e parë dhe të tretë, Landerl kënaq gjithmonë publikun e saj. Ajo lexoi për publikun në sallë disa fragmente nga vepra e saj, të cilat ngjallën jo pak kureshtje nga të rinjtë pjesëmarrës të cilët i drejtuan asaj disa pyetje.
Ndërsa pjesa e dytë iu dedikua dramaturgut dhe gazetarit të njohur Stefan Zweig. Një panoramë të gjithë jetës së tij, krijimtarisë, mesazheve që përçon, ndikimit të tij nga autorë të tjerë, përhapja e ideve të tij për filozofinë e jetës, marrëdhënieve shoqërore apo rolit të letërsisë në shoqëri u përcollën nga Drejtori i "Qendrës Stefan Zweig" në Salzburg, Z. Klemens Renoldner, nën moderimin e autorit dhe kritikut shqiptar Agim Baçi.
Pyetje të shumta zbuluan mbi të gjitha karakterin e krijimtarisë së vetë Zweig-ut, i cili me veprat e tij, duke filluar nga novelat e famshme e deri tek letrat apo dorëshkrimet e tij ka pushtuar botën. Gjatë diskutimit, ndër të tjera u theksua se Franca është vendi ku Zweig është botuar më shumë, por nuk u la pa përmendur fakti se edhe në vendin tonë librat e tij janë përkthyer herët duke zënë kështu vend edhe në bibliotekat tona.
Rikujtojmë që "Netët e Letërsisë Austriake" treguan edhe njëherë këtë vit kujdesin e veçantë ndaj veprave të njohura të letërsisë botërore, duke i sjellë ato në vëmendjen e publikut. Me mesazhin se libri kur kalon kufijtë merr shumë me vete dhe i përjetëson ato në realitetin ku ndodhet u përmbyll ky aktivitet që vinte në kuadër të vitit kulturor Austri–Shqipëri.
Organizator

Partnerët


