Rinia, Arti dhe Kujtesa – Kultura digjitale në veprim

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), në bashkëpunim me Universitetin POLIS dhe me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), organizoi uorkshopin e parë dyditor në kuadër të projektit “Rinia, Arti dhe Kujtesa – Kultura digjitale në veprim”. Qëllimi i projektit është të fuqizojë artistët e rinj përmes ndërthurjes së artit, historisë dhe teknologjisë, si një mënyrë bashkëkohore për të ruajtur dhe promovuar kujtesën historike.
Studentët e artit dhe dizajnit u njohën me dëshmi personale nga ish të përndjekur politikë të regjimit komunist, të cilat shpalosën dimensionet njerëzore të vuajtjes, rezistencës dhe humbjes së lirisë. Lekë Tasi, Alma Liço Mirakaj, Vera Bekteshi dhe Gjetë Kadeli ndanë përvojat e tyre të internimit, burgosjes dhe persekutimit, duke sjellë një reflektim të fortë mbi të kaluarën e afërt të vendit.
Lekë Tasi ndau rrëfimin tronditës të një familjeje të goditur rëndë nga regjimi komunist. Babai, xhaxhai, vëllai dhe motra e tij përfunduan në burg, ndërsa vetë ai, një muzikant i njohur, u pushua nga puna dhe u internua me familjen për 15 vjet në Grabjan të Lushnjës. Tregimi i tij përmban dhimbje, por edhe qëndresë, dhe është përmbledhur në librin Grabjani rrëzë kodrave.
Alma Liço Mirakaj u përball me internimin që në moshën 10-vjeçare, pas pushkatimit të gjyshit të saj në vitin 1945. Jetoi në kushte ekstreme në një kasolle kashte dhe, pavarësisht rezultateve të shkëlqyera në shkollë, u përjashtua për shkak të biografisë. Pas 23 vjetësh internim, u lirua në vitin 1991. Përvojën e saj e ka përshkruar në disa libra, mes tyre "Krahë të këputur" dhe "Ëndërroj".
Vera Bekteshi, fizikane dhe pedagoge, u përndoq pas arrestimit të babait të saj gjatë “Fshesës së Hekurt”. E braktisur, e papunë dhe e internuar për 16 vjet në Berat, ajo përjetoi izolim dhe varfëri. Pas rënies së regjimit, arriti të mbrojë doktoraturën dhe u bë një zë i fuqishëm përmes letërsisë, me vepra si "Vila me dy porta" dhe "Ora me rërë".
Gjetë Kadeli u internua që fëmijë në kampin e Tepelenës. U burgos disa herë, dhe në Spaç mori pjesë në revoltën e vitit 1973, duke ngritur flamurin pa yll. Për këtë u ridënua dhe kaloi gati 16 vjet në burg. Edhe pas lirimit, u mbajt nën survejim deri në rrëzimin e regjimit. Sot është një nga dëshmitarët më aktivë të krimeve të komunizmit në Shqipëri.
Gjatë ditës se dytë, fokusi kaloi nga dëshmia historike te krijimi artistik, ku studentët nisën të eksplorojnë mënyra për të shprehur artistikisht historitë e dëgjuara përmes mjeteve digjitale. U prezantuan materiale nga Observatori i Kujtesës dhe dokumentari “Flamuri – Revolta e Spaçit”, ndërsa burime të artit digjital nga IDMC treguan se si kujtesa mund të ruhet dhe transmetohet përmes teknologjisë. Studentët morën udhëzime praktike nga ekspertët Dr. Remijon Pronja dhe Iris Boshnjaku, në përgatitje për fazën e krijimit të veprave artistike. Uorkshopi u facilitatua nga Jonila Godole, Sonia Jojiç, Brisejda Lala dhe Oriada Dajko, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme reflektimi, dialogu dhe frymëzimi.
Aktiviteti i radhës është vizita studimore në Muzeun e Gjetheve, ku studentët do të kenë mundësi të përjetojnë nga afër një tjetër dimension të kujtesës historike përpara se të nisin krijimet e tyre artistike.