"Memory Alive" përmes artit dhe multimedias në "Shtëpinë me Gjethe"

IDMC, në kuadër të projektit "Memory Alive" iniciuar në vitin 2015, organizoi në bashkëpunim me regjisorin Armand Bora dhe me Muzeun Kombëtar "Shtëpia me Gjethe" shfaqjen "Udha e Qumështit", një eksperiencë ndryshe ku skena e teatrit ishte vetë "Shtëpia me Gjethe"! Në interpretimin e aktores Egla Ceno, shfaqja mbante ndër rreshta dëshmi e fakte nga komunizmi duke nxitur reflektimin për periudhën e diktaturës te nxënësit e shkollave të mesme dhe mësuesit e tyre. Shfaqja ngjalli emocione të forta te pjesëmarrësit pasi rrëfente historinë e një gruaje që u gjykua vetëm sepse theu shishen në radhën e qumështit, dhe kjo u përcoll duke kaluar në shumë situata të ndryshme ku aktorja u "vesh" me karakteret e dhjetëra personazheve.
"Udha e Qumështit" u vendos në të gjitha ambientet e muzeut duke i mbajtur nxënësit e gjimnazeve dhe vizitorët e rastësishëm të mbërthyer në emocione që vinin prej interpretimit, imazheve e vizitës studimore në muze. Në përfundim të takimit, të gjithë diskutuan me njëri-tjetrin ndjesitë që kishin marrë dhe sa kishin mësuar e ishin kuriozuar për kohën e komunizmit. Një element i rëndësishëm që u vu re përgjatë bisedave ishte rëndësia e të mësuarit rreth kohës së komunizmit me forma të reja, interaktive. Për të rinjtë, historia e treguar, forma e dëshmive dhe pasojat e situatave të ndodhura asokohe ishin gati-gati të pabesueshme!