dokumentari kujtesa e një vendi

"Memory Alive" përmes artit dhe multimedias në Skrapar

Publikuar më

IDMC shfaqi te Hotel "Kanione" në Skrapar dokumentarin "Kujtesa e një vendi që harroi të harronte", aktivitet ky i mbajtur në kuadër të projektit Memory Alive i cili është organizuar nga IDMC edhe në qytete të tjera si Tiranë, Shkodër, Berat dhe Gjirokastër.

Në këtë aktivitet morën pjesë të rinj nga Çorovoda dhe përfaqësues të Bashkisë. Aktiviteti u hap nga drejtorja ekzekutive e IDMC-së, Dr. Jonila Godole. Më pas të pranishmit ndoqën dokumentarin për 30 min. Pas shfaqjes së dokumentarit, z. Nuri Musabelliu, ndau me të rinjtë e Çorovodës, eksperiencën e persekutimit të familjes së tij. Gjithashtu, gazetari Mustafa Nano i ndihmoi të rinjtë të thellonin njohjen e tyre për diktaturën. Ndarja e eksperiencave nga të ftuarit u moderua nga z. Parid Teferiçi dhe u ndoq nga një diskutim interesant me pjesëmarrësit.

Në këtë diskutim të rinjtë nga Çorovoda pranuan se interesi i tyre për këtë pjesë të historisë së Shqipërisë kishte qenë i papërfillshëm. Ata gjithashtu u shprehën se ajo çfarë u ishte ofruar në shkollë për këtë periudhë ishte e paktë dhe e pamjaftueshme për të kuptuar qartë diktaturën e Shqipërisë. Të rinjtë gjithashtu pranuan se para shfaqjes së dokumentarit as nuk kishin pasur interes të pyesnin prindërit apo gjyshërit në lidhje me këtë periudhë. Dokumentari nxiti te ata dëshirën për të pyetur dhe lexuar më shumë në lidhje më diktaturën e Shqipërisë dhe për t'u njohur me çfarë ka ndodhur gjatë asaj periudhe.

E pranishme gjatë aktivitetit ishte gjithashtu znj. Anila Basho, drejtore e Muzeut Historik të Çorovodës, e cila theksoi rëndësinë e vlerësimit të figurave historike. Pjesa e parë e aktivitetit u shoqërua me një koktej për të gjithë pjesëmarrësit. Pas koktejit zuri vend vizita në vendet e kujtesës në Skrapar. U vizitua muzeu i qytetit dhe më pas Uzina e Armëve në Poliçan.

Të ftuarit

  • Mustafa Nano lindur në Skrapar, është analist politik shqiptar nga Shqipëria. Prej më shumë se dhjetë vitesh punon si gazetar në shtypin dhe televizionet e Tiranës. Ka bashkëpunuar në periudha të ndryshme me gazetat Shekulli, Korrieri dhe Shqip. Është autor i tre librave eseistikë.
  • Nuri Musabelliu vjen nga një ish-familje e persekutuar gjatë diktaturës shqiptare. Ai ka qenë mësues dhe sot jeton në Durrës.
  • Parid Teferiçi lindur në Kavajë në vitin 1972, është shkrimtar dhe kurator shqiptar. Në vitet 1999‒2001 shërbeu si arkivist në bibliotekën e Institutit të Don Kalabrisë në Romë, dhe në vitin 2001 u bë kurator i seksionit të arteve pamore të Institutit Kulturor Cini në Ferrara. Pikturat e tij i ka ekspozuar në Itali. Në vitin 2005, u kthye në Shqipëri për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare si kandidat për Partinë Republikane, në vendlindjen e tij, Kavajë. Teferiçi ka publikuar dy vëllime me poezi: Bërë me largësi (Tiranë 1996) dhe Meqenëse sytë (Tiranë 2003).