dokumentari kujtesa e një vendi

"Memory Alive" përmes artit dhe multimedias në Gjirokastër

Publikuar më

Pas shfaqjes disa herë në Tiranë, pastaj në Shkodër dhe Berat, dokumentari "Kujtesa e një vendi që harroi të harronte", realizuar nga të rinjtë mbi njohuritë që ata kanë mbi diktaturën shqiptare, u shfaq më 9 prill në qytetin e Gjirokastrës. Aktiviteti u përshëndet nga drejtuesja e IDMC-së, znj. Jonila Godole, dhe nga z. Jorgo Masho, përfaqësues i shoqatës së ish të përndjekurve të Gjirokastrës.

Për të njohur nga afër përvojën njerëzore në diktaturë, të rinjtë biseduan me znj. Arjeta Kokalari, mbesa e disidentes Musine Kokalari, dhe z. Gëzim Peshkëpia, ish i burgosur politik. Diskutimi midis të ftuarve dhe të pranishmëve u moderua nga shkrimtari Parid Teferiçi. Takimi në Gjirokastër u shoqërua me diskutime dhe debate të forta, të cilat lidheshin kryesisht me figurën e diktatorit Enver Hoxha dhe rolin e tij gjatë regjimit totalitar në Shqipëri deri në vitin 1990. Nga diskutimet u vu në pah se të rinjtë e njohin shumë pak të shkuarën dhe se shoqëria, familja dhe shkolla nuk i kanë ndihmuar ata aq sa duhet për ta zbardhur këtë pjesë të errët të historisë shqiptare.

Më pas, aktiviteti u ndoq me një vizitë në vendet e kujtesës në Gjirokastër: Muzeu "Musine Kokalari" dhe kalaja e Gjirokastrës (ish-burgu i qytetit). Muzeu Kokalari ka pësuar dëme të mëdha pas djegies së tij dhe administratorja, Arjeta Kokalari, shpreson të rikonstruktohet sa më shpejt e të kthehet në një muze të vërtetë kujtese, të forcës dhe të rezistencës së disidentes Musine Kokalari ndaj regjimit të ashpër totalitar shqiptar.

Të ftuarit

  • Arjeta Kokalari mbesa e disidentes Musine Kokalari, konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 vjet të tjerë në Rrëshen, ku vdiq në vitin 1983.
  • Gëzim Peshkëpia lindur në Tiranë në vitin 1940, ish-i burgosur politik, i dënuar 8 vjet për "agjitacion e propagandë në fushën e artit e të kulturës". Në vitin 1951, babai i tij, z. Manush Peshkëpia, u pushkatua pa gjyq së bashku me 21 intelektualë të tjerë, për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike. Në vitin 1990, ai arratiset së bashku me familjen e tij në Soest, Gjermani. Është anëtar i bordit drejtues të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKK).
  • Parid Teferiçi lindur në Kavajë në vitin 1972, është shkrimtar dhe kurator shqiptar. Në vitet 1999‒2001 shërbeu si arkivist në bibliotekën e Institutit të Don Kalabrisë në Romë, dhe në vitin 2001 u bë kurator i seksionit të arteve pamore të Institutit Kulturor Cini në Ferrara. Pikturat e tij i ka ekspozuar në Itali. Në vitin 2005, u kthye në Shqipëri për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare si kandidat për Partinë Republikane, në vendlindjen e tij, Kavajë. Teferiçi ka publikuar dy vëllime me poezi: Bërë me largësi (Tiranë 1996) dhe Meqenëse sytë (Tiranë 2003).