Media dhe Kujtesa – Si raportojnë mediet mbi të kaluarën në Shqipëri

Konferenca u organizua me me sukses nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, si pjesë e edicionit 10 të DITËVE TË KUJTESËS, në mjediset e Europe House në 24 shkurt ne Tiranë. Aktiviteti u realizua me mbështetjen e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) dhe fondeve të Bashkimit Evropian (BE).
Ky aktivitet synonte nxitjen e debatit mbi rolin e medies në formësimin e kujtesës historike, prezantimin e gjetjeve të para nga monitorimi i medieve mbi raportimin e të kaluarës, dhe diskutim mes gazetarëve, studiuesve dhe historianëve për problematikat e hasura.
Silvio Gonzato, Ambasadori i BE-së në Shqipëri gjatë fjalës së tij në hapje nënvizoi:
“Bashkimi Evropian mbështet përpjekjet për përballjen me të shkuarën si shtyllë e fondamentale e demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut. Brezat e rinj duhet të kuptojnë zhdukjet, shtypjen dhe heshtjen e periudhës komuniste që të sigurohen që nuk përsëriten më. Forcimi i shtetit ligjor është në thelb të rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kjo do të thotë prioritizimi i të drejtave të njeriut në të gjitha reformat, duke përfshirë drejtësinë tranzicionale dhe pajtimin.”
Luigj Ndou, Drejtor i Marrëdhënieve me Qeverinë në ICMP, theksoi ndihmën e ICMP-së ndaj organizatave të shoqërisë civile duke i fuqizuar ato që të luajnë një rol më aktiv në avokimin e së vërtetës, drejtësisë dhe ruajtjen e kujtesës. Media ka një rol të rëndësishëm në këtë proces, pasi ajo pasqyron dhe përforcon zërat e viktimave, zbulon të fshehtat dhe mban të gjallë kujtimin e atyre që vuajtën, duke siguruar që mësimet e së kaluarës të mos harrohen. Në kohën e inteligjencës artificiale dhe medies sociale, historia mund të shtrembërohet dhe fragmentarizohet, prandaj profesionistët duhet të tregojnë më shumë kujdes në rrëfimet historike për të ruajtur integritetin e së vërtetës.
Jonila Godole, drejtuese e IDMC-së, prezantoi studimin e monitorimit ku u analizuan 701 përmbajtje mediatike, kryesisht nga televizioni, ndërsa rrjetet sociale, veçanërisht Facebook, kishin numrin më të lartë me 346 përmbajtje mbi kujtesën historike.
Gjetjet kryesore te cilat ajo theksoi, përfshijnë:
“Diferencimi sipas platformave mediatike:
- Televizioni: Neutral dhe i balancuar, me qasje analitike dhe objektive;
- Media online: Fokus te figura individuale dhe histori personale, me artikuj të dokumentuar;
- Platformat OTT: Përmbajtje shpjeguese, por pa studime akademike të thelluara;
- Rrjetet sociale: Prirje për njëanshmëri dhe qasje nostalgjike ndaj komunizmit, me tone subjektive dhe emocionale.
1. Temat historike më të diskutuara:
- Periudhat kryesore: 1941–1944 dhe 1961–1981;
- Qasje përkujtimore, shpesh e njëanshme (lavdërim ose akuzë);
- Mungesë e perspektivave alternative dhe balancës në diskutim
2. Transparenca dhe burimet e informacionit:
- Televizionet dhe media online bazohen në burime të dokumentuara, por shpesh pa referenca arkivore;
- Rrjetet sociale shpesh nuk citojnë burime, duke ulur besueshmërinë
3. Perspektivat balancuese:
- Televizioni dhe media online ruajnë më shumë neutralitet;
- Rrjetet sociale dominohen nga qasje glorifikuese ose akuzuese;
- Vetëlavdërimi dhe qasjet subjektive janë të përhapura, veçanërisht në platformat sociale.
Artan Fuga, akademik dhe pjesë e ekipit të studimit, theksoi:
“Subjekti që bën rrëfimin historik nuk është më historiani, por ndikuesi, viktima, dëshmitari, gazetari. E para, Historiani është në shtëpi ose në studion e vet ose në aulën/sallat universitare dhe nuk merr pjesë në debatin publik, në hapësirën publike, është i munguar. Përse?! Ka 100 arsye. Si në universitete, edhe në Akademinë e Shkencave, edhe në institute. Së dyti, për mua gazetari nuk bën dot histori. Po të mbështeten te teoricienët që kanë hedhur bazat e informacionit masiv është e paimagjinueshme që gazetari të bëjë histori. Tre: në rrjetet sociale nuk bëjnë histori, por bëjnë kujtesë”.
Diskutimi mbi gjetjet u konfirmua nga studiuesit në panel:
- Andi Pinari, theksoi angazhimin e ulët të historianëve në media, pasi shpesh ata përballen me sulme dhe gjuhë urrejtjeje.
- Ermal Hasimja, thekson se mediet shqiptare e paraqesin komunizmin me tre veçori kryesore: transmetimin e propagandës komuniste përmes filmave të kohës, fokusimin te dhuna dhe vuajtjet e shqiptarëve, si dhe trajtimin e regjimit si një telenovelë thriller me intriga mes figurave kryesore. Kjo çon në banalizimin e totalitarizmit dhe manipulimin e perceptimit mbi të, si një regjim i zakonshëm me komplotet, të mirat dhe të këqijat e veta, duke shmangur analizën ideologjike. Si rezultat, krijohen narrativa si “komunizmi ishte i mirë në teori, por Enveri e zbatoi keq” ose “ai nuk ishte komunizëm”. Sipas Hasimes, kjo është pasoja më dramatike e trajtimit mediatik të komunizmit dhe dëshmon dështimin e shoqërisë në edukimin e brezave të rinj.
- Jona Cenameri theksoi se mediet sociale janë të dominuara kryesisht nga imazhe dhe komente që idealizojnë regjimin komunist dhe diktaturën, shpesh të shoqëruara me nostalgji. Ndërkohë, narrativat mbi krimet dhe persekutimet e asaj periudhe mungojnë plotësisht.
- Erblin Jaku vuri në dukje se shumë artikuj fokusohen te roli dhe fuqia e Enver Hoxhës, duke e lidhur atë me çdo veprim të regjimit komunist. Po ashtu, ka një prirje për të trajtuar jetën e tij private, përfshirë histori dashurie dhe intriga. Shpesh, dëshmitarët janë individë të panjohur, të prezantuar si historianë ose pasardhës të personave të përfshirë në ngjarje. Gjithashtu, vihet re mungesa e aftësive të gazetarëve për të bërë pyetjet e duhura dhe për të trajtuar intervistat në mënyrë objektive.
Mark Marku, dekan i Fakultetit Histori-Filologji dhe moderatorë komentoi:
“Diskursi glorifikues, që është tmerrshme është 47 për qind, pa llogaritur nuancat që shkojnë në një masë shumë të madhe të diskursit pranues, glorifikues ose justifikues. Kjo tregon që në këto 30 vjet nuk kemi arritur ta çlirojmë shoqërinë nga nostalgjia për komunizmin”.
Në këtë konferencë u theksua se përmirësimi i raportimit në medie kërkon më shumë transparencë, burime të verifikuara dhe bashkëpunim midis medies dhe historianëve. Pjesëmarrësit e pranishëm i vlerësuan këto rezultate si shumë domethënëse. Një raport i plotë i studimit do të hartohet dhe do të prezantohet gjatë muajit maj 2025, duke ofruar një pasqyrë të hollësishme të gjetjeve dhe rekomandimeve për përmirësimin e raportimit në media dhe trajtimin e historisë.