Kujtesa si mision dhe dialog midis brezave

Në ambientet e Presidencës u çel ekspozita “Kujtesa si mision dhe dialog midis brezave”. Aktiviteti erdhi me iniciativën dhe interesimin e Zonjës së Parë, Armanda Begaj, në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC).
Përgjatë dy ditëve u ekspozuan punime të gjimnazistëve që morën pjesë në konkursin e përvitshëm “Pyet Gjyshërit”, të cilin IDMC e organizon prej vitit 2016, në kategoritë ese, multimedia dhe arte figurative, dhe me teknikat e historisë gojore. Konkursi është një mundësi për të rinjtë shqiptarë që të shprehin reflektimet e tyre mbi diktaturën komuniste dhe për të sensibilizuar publikun e gjerë në lidhje me nevojën e mësimit nga e kaluara. Përveçse reflektojnë mbi kujtimet dhe historitë e tyre familjare, të rinjtë ndikojnë në mënyrën si shihet e shkuara dhe si ndërtohet një vizion i përbashkët për të ardhmen.
Ekspozita u përshëndet nga Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj; Zonja e Parë, Armanda Begaj; drejtorja ekzekutive e IDMC, Dr. Jonila Godole; Fatmiroshe Xhemalaj, eksperte kurrikule në lëndën e historisë; Vojsava Kumbulla, kryetare e Shoqatës së Mësuesve të Historisë, si edhe nga nxënësit fitues të konkursit “Pyet Gjyshërit”.
Është vërtet bukur të konstatosh se si nëpërmjet dialogut brenda familjes, brezi i më të moshuarve transmeton përmes kujtimeve dijen e fituar në jetë dhe eksperiencat jetësore me mësimet pozitive, por dhe mësimet e nxjerra nga e kaluara. Nga kjo shumësi komunikimi njerëzor vlerash mbahet gjallë memoria kolektive e shoqërisë, mësohet mbi historitë familjare dhe historinë e vendit tonë, krenohemi për pjesët e lavdishme të saj, reflektojmë mbi pjesët e errëta për të ndërtuar shoqërinë e së ardhmes më të mirë për ju që jeni rinia.
IDMC e konsideron këtë aktivitet si një bashkëpunim të rëndësishëm midis institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile për të promovuar kujtesën historike dhe ndërgjegjësimin e brezit të ri.