njoftime

Festivali ndërkombëtar i letërsisë "Letërsi në Tranzit"

Publikuar më

U shpall sot Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë, që do të mbahet në Tiranë në datat 29 deri më 31 Tetor 2015 do të sjellë pranë lexuesve shqiptarë shkrimtarë nga Austria, Gjermania, Italia, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Shqipëria dhe Zvicra.

Moto e festivalit të këtij viti "Letërsi në Tranzit" u jep mundësi autorëve të tregojnë rrugëtimin e tyre letrar, por edhe të reflektojnë për letërsinë dhe artin bashkëkohor në tranzicionet politike, shoqërore dhe kulturore.

Një ndër mbështetëset kryesore të aktivitetit, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro evidentoi rëndësinë e këtij festivali dhe tha se do të mbështesë vazhdimisht projekte të tilla që synojnë të përmirësojnë kulturën shqiptare në tërësi.

Drejtorja e Festivalit dhe e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), Jonila Godole theksoi se Festivali do të zhvillohet si një auditor i hapur mes të ftuarve dhe publikut shqiptar, i cili në këto 25 vitet e fundit po përjeton një tranzicion të thellë politik e shoqëror. Sidomos brezi i ri ka nevojë për perceptimet që vijnë nga vende të ndryshme të Europës.

Në përfundim u prezantua dhe nisma e eventit "Tirana lexon", ku koordinatorja Belfjore Qose sqaroi se "Tirana lexon" është konceptuar si një aktivitet leximi maratonë, në ditën e hapjes së Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë, më datë 29 Tetor 2015, nga ora 8:00 – 17:00 në kafenetë letrare: "Tirana Times", "Zenit", "Woodstok", "Friends Book House", "Hemingway", "E Jona", "E për7shme".

Festivali organizohet nga IDMC në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Fondacionin Allianz Kulturstiftung (Berlin). Ai mbështetet gjithashtu nga institucione të tjera si Fondacioni Konrad Adenauer, Ambasada e Austrisë, Ambasada e Zvicrës, Bashkia e Tiranës, Muzeu Kombëtar, Teatri Kombëtar, Teatri Eksperimental, Teatri i Metropolit, Biblioteka Kombëtare etj.

Për informacione më të detajuara në lidhje me autorët dhe kalendarin e festivalit, ju lutem vizitoni www.tiranalitfest.com.