dokumentari fëmijët e diktaturës

Dokumentari "Fëmijët e diktaturës" në Gramsh

Publikuar më

Pas shfaqjes në Tiranë dhe Elbasan, dokumentari i IDMC-së "Fëmijët e diktaturës" u shfaq edhe në qytetin e Gramshit. Në këtë takim të mbajtur te Zyra Arsimore Gramsh morën pjesë nxënësit e gjimnazit "Shefqet Guzi", stafi pedagogjik i shkollës, punonjës të ZA Gramsh dhe qytetarë të tjerë të Gramshit.

Pas shfaqjes së dokumentarit, pjesëmarrësve ju ofrua mundësia të bisedojnë me Alma Liçon, personazh i filmit, njëkohësisht dëshmitare e diktaturës. Në diskutimin e moderuar nga Fatmiroshe Xhemalaj, Alma ndau me pjesëmarrësit kalvarin e vuajtjeve të diktaturës që kishin nisur që në moshën 10-vjeçare dhe përcolli mesazhin se nuk duhet të shpërndajmë gjuhë hakmarrje, "por edhe pa u bërë drejtësi nuk dimë ku po shkojmë," u shpreh Liço. Ndërkohë drejtorja ekzekutive e IDMC, Dr. Jonila Godole tha për të pranishmit:

"Ne po rrisim breza pa kujtesë, pa identitet, prandaj edhe kjo nismë është e rëndësishme pasi njohuritë që të rinjtë kanë për periudhën e diktaturës janë të pakta."
Godole

Interesi i të rinjve në sallë u vu re nga komentet e tyre dhe pyetjet e shumta drejtuar panelit që nga pasojat e diktaturës në ditët e sotme e deri te fenomeni i nostalgjisë. Të rinjtë ndanë edhe eksperiencat familjare të periudhës së diktaturës, duke u shprehur se solidarizohen me dhimbjen e të gjithë atyre që vuajtën prej diktaturës. Ndërsa Fatmiroshe Xhemalaj u bëri thirrje të rinjve të bëhen promotorë të ndryshimit. Takimi solli reflektim edhe për vetë qytetarët e Gramshit, të cilët u pajtuan me komentin e bashkëqytetarit të tyre për ish-të përndjekurit në qytetin e Gramshit, i cili u shpreh: "Ne, fëmijët e asaj kohe, në heshtje i donim, i adhuronim, por s'na linte sistemi ta shprehnim."

Diskutimi vazhdoi edhe pas aktivitetit në mënyrë joformale në një koktej të përgatitur për të gjithë pjesëmarrësit.

IDMC falënderon Zyrën Arsimore Gramsh dhe gjimnazin "Shefqet Guzi" për lehtësirat e ofruara për realizimin e këtij aktiviteti në qytetin e Gramshit.

Informacion rreth të ftuarve

  • Alma Liço lindi në Tiranë në një familje intelektuale korçare. Familja e saj internohet nga diktatura komuniste në fshatin Dragot të Elbasanit kur ajo ishte vetëm 10 vjeç. Alma Liço është autore e një sërë artikujsh mbi diktaturën në Shqipëri, po ashtu autore e librit autobiografik "Krahë të këputur".
  • Fatmiroshe Xhemalaj është eksperte në histori dhe Ambasadore e EUROCLIO. Ajo është një nga themelueset e HTA (ALBAN) dhe ish-presidente e HAT-s. Ajo ka qenë Sekretare e Komisionit Shkencor të Historisë dhe Gjeografisë pranë MOA-ALBANIA për aprovimin e teksteve shkollore të historisë, si edhe gjeografisë dhe Sekretare e Komisionit të Historisë për rishikimin e teksteve të historisë në Shqipëri dhe Greqi.