ditët e kujtesës

Ditët e Kujtesës '26

Publikuar më

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS) kanë kënaqësinë të prezantojnë edicionin e 11-të të DITËVE TË KUJTESËS, i cili do të zhvillohet nga 19–21 shkurt në Tiranë, Shqipëri.

Prej më shumë se një dekade, DITËT E KUJTESËS janë shndërruar në një platformë dinamike që mbledh së bashku organizatat dhe institucionet kryesore që veprojnë në fushën e kujtesës — duke përfshirë muzetë, iniciativat lokale dhe ndërkombëtare të kujtesës, shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, qendrat studimore, organizatat e shoqërisë civile, si dhe politikëbërës, studiues, profesionistë të medies, artistë dhe të rinj.

Shumë pjesëmarrës nga Shqipëria, rajoni dhe më gjerë bashkohen për të shkëmbyer përvojat, arritjet dhe sfidat e tyre në nxitjen dhe ruajtjen e kujtesës mbi pasojat e diktaturës komuniste në Shqipëri.

Programi –
Programi – "Ditët e Kujtesës '26"

Më 20 shkurt 1991, rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës shënoi një moment vendimtar në historinë e Shqipërisë – një akt simbolik që sinjalizoi shkëputjen nga e kaluara dhe fillimin e një kapitulli të ri në jetën qytetare dhe politike të vendit.

35 vite më vonë, DITËT E KUJTESËS 2026 rikthehen te ky moment për të reflektuar mbi kuptimin dhe trashëgiminë e tij. Çfarë do të thotë të rrëzosh një simbol dhe çfarë vjen më pas? Në një kohë kur shumë shoqëri po rishqyrtojnë të kaluarat e tyre autoritare dhe simbolet e debatueshme që mbeten në hapësirat publike, DITËT E KUJTESËS ofrojnë një platformë për dialog të hapur, reflektim kritik dhe angazhim kulturor.

Tashmë në dekadën e dytë, DITËT E KUJTESËS bashkojnë muze, organizata të shoqërisë civile, studiues, artistë, studentë, profesionistë të medies, politikëbërës dhe ish-të përndjekur politikë nga Shqipëria, rajoni dhe më gjerë. Së bashku, ne eksplorojmë se si kujtesa, edukimi dhe vlerat demokratike formësojnë të ardhmen tonë të përbashkët.

Regjistrimi –
Regjistrimi – "Ditët e Kujtesës '26"

Programi i këtij viti përfshin:

  • Një performancë artistike, me prezantimin dhe leximin skenik të romanit "Manual rrëzimi" — një shfaqje shumëzërëshe e ndërtuar mbi ngjarjen e rrëzimit të statujës së Enver Hoxhës, rrëfyer nga këndvështrime të ndryshme.
  • Një tryezë të rrumbullakët ndërkombëtare: “Rënia e simboleve – përvojat të  transformimit”, me folës nga Shqipëria, Hungaria, Polonia, Gjermania dhe Rumania.
  • Shfaqjen e filmit “Goodbye Lenin”, i cili eksploron trashëgiminë vizuale dhe simbolike të autoritarizmit.
  • Roots & Reels, një konkurs ndërkombëtar historie për rrëfimtarët e rinj digjitalë. Sesion online idesh (brainstorming), i udhëhequr nga pyetja: “Cilat histori nga e shkuara të flasin ty sot?”

Në vijim të traditës sonë të bashkëpunimit, si në edicionet e kaluara, ftojmë të gjitha organizatat dhe institucionet që veprojnë në fushën e kujtesës — publike dhe jopublike — duke përfshirë muzetë, iniciativat lokale dhe ndërkombëtare të kujtesës, shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, qendrat studimore dhe të tjerë, të bëhen pjesë e këtij edicioni.

Faleminderit!

Stafi i IDMC-së

Përmbledhje

Dita 1, 19 shkurt: Performanca artistike “Manual Rrëzimi”

Më 19 Shkurt 2026, Instituti për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin "Konrad Adenauer" në Shqipëri, çelën edicionin e 11-të të Ditëve të Kujtesës në Tiranë; 11 vite angazhim për ballafaqimin me të kaluarën dhe ruajtjen e kujtesës historike në Shqipëri.

Këtë edicion e nisëm me performancën artistike “Manual Rrëzimi”, me fragmente të shkëputura nga romani me të njëjtin titull i autores Jonila Godole.

Shfaqja bazohet mbi një datë historike, 20 shkurt 1991, si një performancë polifonike, me dëshmi, fragmente arkivore dhe monologë. Një punëtor uzine me një litar, një stenograf që regjistroi gjuhën e pushtetit, një ish- i dënuar politik që kërkon drejtësi, një fëmijë që e vështroi ngjarjen nga dritarja, një grua që ndryshoi emrin për të mbijetuar, një eksperte kujtese që i jep diktaturës fytyrë njerëzore.

Edhe statuja flet. Jo me pendesë, por paralajmëron: “Unë nuk bie, ringrihem.” Së bashku ata formojnë një kor të thyer kujtese. Shfaqja mbaron aty ku fillon miti. Një thirrje për të dëshmuar dhe një refuzim për të harruar. Ndërsa busti ngrihet sërish në skenë, pyetjet mbeten po ato: Kush vendos çfarë mbahet mend? Dhe çfarë bie vërtetë, kur bie një statujë?

Nën regjinë e Flobensa Bezatit dhe me interpretimin e aktorëve: Redjan Mulla, Endriu Hysi, Klajdi Malellari, Shandi Ismailaj, Kristo Qerama, Artemis Beluli, Erina Lazi dhe Euro Rrasa, performanca pati një sukses dhe impakt të jashtëzakonshëm tek pjesëmarrësit, nga ku morën shkas për t’i drejtuar pyetje autores, duke e kthyer në një moment reflektimi atë se çfarë ndodhi në shkurtin e vitit 1991 në Shqipëri.

IDMC falënderon përzemërsisht Raiffeisen Bank, e cila e bëri të mundur këtë shfaqje, si edhe të gjithë partnerët, bashkëpunëtorët dhe mbështetësit që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi në dekadën e fundit dhe mbetemi të përkushtuar për të vijuar përpjekjet për ruajtjen e kujtesës dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

Dita 2, 20 Shkurt: Tryeza e rrumbullakët “Rënia e Simboleve – Eksperiencat të Transformimit”

Më 20 shkurt 2026, në kuadër të edicionit të 11-të të Ditëve të Kujtesës në Tiranë, Instituti për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC), në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer në Shqipëri, organizoi tryezën e rrumbullakët ndërkombëtare me titull “Rënia e Simboleve – Eksperiencat të Transformimit”. Aktiviteti u zhvillua në Tirana International Hotel dhe mblodhi historianë, studiues, botues dhe përfaqësues institucionesh nga vende të Evropës Qendrore dhe Lindore që kanë përjetuar procese të ngjashme tranzicioni pas rënies së regjimeve komuniste.

Tryeza u hap me fjalët përshëndetëse nga Jonila Godole, Drejtore e IDMC, Thomas Kunze, Drejtor i Fondacionit “Konrad Adenauer” në Tiranë, Agron Gjekmarkaj, Nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, si dhe Wojciech Unolt, i Ngarkuar me Punë i Ambasadës së Polonisë në Shqipëri. Në fjalët e tyre përshëndetëse, folësit theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të reflektimit kritik mbi të kaluarën si element thelbësor për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe për forcimin e kulturës së kujtesës në shoqëritë post-totalitare.

Në dialogun që u zhvillua mes pjesëmarrësve u diskutua përvoja dhe perspektiva nga vende të ndryshme të rajonit.

Panelistët dhe reflektimet kryesore nga diskutimi:

  • Christoph Links, botues dhe publicist nga Gjermania, ndau përvojën gjermane në përballjen me trashëgiminë e diktaturës së Gjermanisë Lindore. Ai theksoi se hapja e arkivave, dokumentimi i së kaluarës dhe botimi i literaturës kritike kanë luajtur një rol vendimtar në ndërtimin e një kulture të qëndrueshme kujtese dhe në informimin e brezave të rinj për historinë e regjimit.
  • Afrim Krasniqi, historian dhe drejtues i Institutit të Historisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u ndal tek sfidat që Shqipëria vazhdon të ketë në përballjen me të kaluarën komuniste. Ai nënvizoi rëndësinë e kërkimit shkencor dhe të studimit të dokumenteve historike për të ndërtuar një kuptim më të plotë dhe të balancuar të periudhës së diktaturës.
  • Thomas Kunze, historian dhe biograf i Nicolae Ceaușescu, ofroi një perspektivë krahasuese mbi mënyrën se si vendet e Evropës Lindore kanë trajtuar figurat dhe simbolet e regjimeve komuniste pas vitit 1989. Ai theksoi se procesi i transformimit demokratik shpesh shoqërohet me debate të forta mbi kujtesën historike dhe interpretimin e së kaluarës.
  • Jan Skórzyński, historian dhe publicist nga Polonia, foli mbi përvojën polake të tranzicionit dhe mbi rëndësinë që ka pasur debati publik në formësimin e narrativave të kujtesës. Ai vuri në dukje se përballja me të kaluarën nuk është një proces i përfunduar, por një dialog i vazhdueshëm mes historisë, politikës dhe shoqërisë.
  • Áron Máthé, Zëvendëskryetar i Komitetit të Kujtesës Kombëtare në Hungari, theksoi rolin që institucionet e kujtesës luajnë në dokumentimin e krimeve të regjimeve totalitare dhe në edukimin e brezave të rinj mbi historinë e diktaturës dhe pasojat e saj në shoqëri.

Moderimi:

  • Norbert Beckmann-Dierkes, Drejtor i Fondacionit “Konrad Adenauer” në Bullgari, moderoi diskutimin dhe e orientoi debatin drejt një reflektimi më të gjerë mbi simbolikën e rrëzimit të monumenteve të diktaturës dhe mbi mënyrën se si shoqëritë post-komuniste përpiqen të kuptojnë dhe të përpunojnë trashëgiminë e së kaluarës.

Panelistët ndanë përvoja nga vendet e tyre mbi proceset e transformimit politik dhe shoqëror, mbi rolin e institucioneve të kujtesës dhe mbi mënyrat se si simbolika e rrëzimit të monumenteve apo figurave të diktaturës është interpretuar dhe përpunuar në diskursin publik. Diskutimi theksoi se, edhe pse rënia e simboleve të regjimeve totalitare shënoi një moment të rëndësishëm historik, procesi i transformimit demokratik dhe i përballjes me të kaluarën mbetet një sfidë e vazhdueshme për shumë shoqëri në rajon.

Pas diskutimit, publiku pati mundësinë të ndërhyjë me pyetje dhe komente, duke e kthyer sesionin në një dialog të hapur dhe reflektues mbi kujtesën historike, tranzicionin dhe rolin e institucioneve në ndërtimin e narrativave të së kaluarës. Aktiviteti u përmbyll me një pritje dhe “sesion networking”, duke krijuar mundësi për shkëmbime të mëtejshme mes studiuesve, përfaqësuesve institucionalë dhe pjesëmarrësve.

Në një perspektivë më të gjerë, tryeza e rrumbullakët krijoi një hapësirë të rëndësishme reflektimi mbi simbolikën e rrëzimit të monumenteve të diktaturës në vende të ndryshme të Evropës Qendrore dhe Lindore, dhe mbi mënyrën se si këto momente historike janë përpunuar në kujtesën kolektive. Për Shqipërinë, data 20 shkurt 1991, që shënon rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës në Tiranë, mbetet një moment simbolik i ndarjes me të kaluarën totalitare. Megjithatë, diskutimi mes panelistëve nxori në pah se rënia e simboleve nuk përkon gjithmonë me një shkëputje të menjëhershme nga strukturat, mentalitetet dhe trashëgimia e sistemeve të mëparshme.

Përmes krahasimit të përvojave nga vende si Polonia, Hungaria, Gjermania dhe Rumania, aktiviteti kontribuoi në një kuptim më të thellë të proceseve të tranzicionit dhe të sfidave të përbashkëta që shoqëritë post-komuniste vazhdojnë të përballen në ndërtimin e një kulture demokratike dhe të një kujtese historike kritike.

Dita 2, 20 Shkurt: Shfaqja e filmit “Goodbye Lenin”

Në kuadër të edicionit të 11-të të Ditëve të Kujtesës në Tiranë, publiku pati mundësinë të ndjekë shfaqjen e filmit “Lamtumirë Lenin” (“Goodbye Lenin”), një rrëfim satirik, por njëkohësisht thellësisht emocional mbi kujtesën post-socialiste, filmi “Lamtumirë Lenin” eksploron jetën pas diktaturës dhe mënyrën se si simbolet, zakonet dhe rutinat e një sistemi të kaluar mund të vazhdojnë të mbijetojnë në jetën e përditshme. Filmi ngre një pyetje që mbetet aktuale edhe sot: e kaluara nuk zhduket thjesht – ajo transformohet dhe kuptimi i saj është thelbësor për përballjen me të.

Me regji nga Wolfgang Becker, filmi u shfaq mbrëmjen e 20 shkurtit në “Agimi Art Center”, duke bërë bashkë një audiencë të larmishme personalitetesh vendase dhe të huaja. Mes të pranishmëve ishte edhe Ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner, i cili në fjalën e tij përshëndetëse ndau reflektime mbi përvojën e jetës pas diktaturës në Gjermani.

Ai gjithashtu vlerësoi përpjekjet e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë gjatë dekadës së fundit për ndërgjegjësimin mbi të kaluarën diktatoriale në Shqipëri dhe rolin e institutit në nxitjen e reflektimit publik mbi kujtesën historike. Ambasadori Bergner shprehu vlerësimin e tij për këto iniciativa dhe gatishmërinë për bashkëpunime të mëtejshme në të ardhmen.

Shfaqja e filmit ofroi jo vetëm një përvojë kinematografike, por edhe një mundësi reflektimi mbi mënyrën se si shoqëritë kujtojnë, riinterpretojnë dhe përballen me të kaluarën e tyre – një temë thelbësore në qendër të Ditëve të Kujtesës.
Falënderojmë përzemërsisht Ambasadën Gjermane dhe Qendrën Goethe, për mbështetjen dhe mundësimin e shfaqjes së këtij filmi. 

Dita 3, 21 Shkurt: Roots & Reels – Konkursi Ndërkombëtar i Historisë

Në kuadër të Ditëve të Kujtesës në Tiranë, më 21 shkurt 2026 u zhvillua online sesioni “Roots & Reels: Telling the Past through Digital Storytelling”, një aktivitet i organizuar nga Instituti për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC) në kuadër të konkursit ndërkombëtar të historisë, "Roots & Reels", pjesë e rrjetit europian të konkurseve EUSTORY.

Sesioni online bëri bashkë mësues dhe të rinj krijues nga vende të ndryshme, duke i ftuar ata të eksplorojnë mënyrat se si historia mund të interpretohet dhe rrëfehet përmes mjeteve digjitale dhe formatit të filmit të shkurtër. Përmes diskutimeve dhe shkëmbimit të ideve, pjesëmarrësit zhvilluan koncepte kreative dhe morën këshilla mbi mënyrën se si burimet historike mund të shndërrohen në histori vizuale që lidhen me të tashmen.
Në qendër të diskutimit ishte pyetja udhëzuese: “Cilat histori nga e kaluara flasin ende për ty sot?” – një ftesë për të reflektuar mbi mënyrën se si kujtesa, historia personale dhe ajo kolektive mund të tregohen në forma të reja narrative.

Sesioni u moderua nga Valbona Bezati, koordinatore e programit Roots & Reels në Avans University, e cila udhëhoqi diskutimin mbi rëndësinë e përdorimit të burimeve historike, kreativitetit në tregimin e historive dhe fuqinë e “storytelling”-ut digjital për të lidhur të kaluarën me të tashmen.

Ky aktivitet synoi të inkurajojë angazhimin kritik të të rinjve me historinë dhe kujtesën, duke krijuar hapësira dialogu ndërkulturor dhe duke promovuar forma të reja të komunikimit të historisë përmes medies digjitale.