Aktivitet për 49-vjetorin e Revoltës së Spaçit

Për 49-vjetorin e Revoltës së Spaçit, në burgun e Spaçit u organizua një ceremoni përkujtimore me pjesëmarrjen e disa prej aktorëve kryesorë të fushës së kujtesës në vend.
Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtuesja e IDMC, Dr. Jonila Godole shprehu keqardhjen që pavarësisht se Spaçi është kthyer në një vend pelegrinazhi për vizitat studimore të IDMC me të rinjtë, ndër vite, ende nuk është shndërruar në një muze kombëtar. Gjithashtu Dr. Godole propozoi që vitin e ardhshëm në 50-vjetorin e Revoltës të Spaçit, 21 Maji të jetë kthyer në një ditë përkujtimore kombëtare.
Pjesë e ceremonisë përkujtimore, me fjalën e tyre përshëndetëse ishin edhe mësuesja nga Rrësheni, Tone Laska dhe nxënës nga gjimnazi i Rrëshenit, të cilët patën mundësi të kryenin një vizitë studimore në burgun e Spaçit dhe të paraqisnin punimet e tyre të zhvilluara gjatë orës të mësimit.